web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Investitorët që “përzumë” dhe shkaqet e largimit

23 Prill 2016, 06:23, Aktualitet CNA

Kompani të mëdha si Weibo Group, Terna, Geox, Johnson Control, Lear Corporation, Benetton, Ferrero Rocher, Power China, China State Construction Enginering etj., etj., kanë tentuar të zgjerojnë linjat e tyre të prodhimit në Shqipëri në këto pesë vitet e fundit, por klima e pafavorshme e investimeve, taksat e larta, apo dhe mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara i ka detyruar të zgjerohen në rajon. Si dështoi projekti i gjigantit turko-kinez për rivënien në punë të kombinatit të tekstilit në Berat me 600 milionë euro në investim, i cili tani është zhvilluar në Maqedoni e po kërkon të zgjerohet në Serbi. Kinezët e Exim Bank e fusin Shqipërinë në listën e zezë për investimet

Kombinati i tekstileve në Berat do të ishte ringritur prej dy vjetësh, do të kishte punësuar 6500 punonjës, me së paku 600 milionë euro investim, sikur qeveria shqiptare të ishte treguar e përgjegjshme për të jetësuar projektin e gjigantit turko-kinez të prodhimit të veshjeve në botë, Weibo Group.

 

Kompania që prodhon veshje kualitative për markat e njohura Massimo Dutti, Cortefiel, Barutti, Roy Robson, Brax, Hirmer, Peek & Cloppenburg, Saks 5th Avenue, Dockers dhe shumë marka të njohura në Turqi, me fabrika në Kinë dhe Kamboxhia, rishikoi planet e diversifikimit për hapjen e një linje të re prodhimi në Europë për Europën.

 

Weibo e pati të pamundur të hapte fabrikën në Turqi, për shkak se vendi i ka plotësuar kuotat e eksportit të tekstilit ?Made in Turkey? në Europë. Pas Turqisë, ndër vendet e tjera europiane u pa destinacion tërheqës Shqipëria. Në Stamboll, komuniteti i shqiptar është më i madhi, lidhjet e kompanisë me Shqipërinë ishin të mëdha, ndaj planet e para për zgjerim në Europë ishin fillimisht për Shqipërinë. Ndërmjet viteve 2013 dhe 2014, përfaqësuesit e Weibo Group survejuan për më shumë se tetë muaj tregun shqiptar.

 

Kompanitë e konsulencës i rekomanduan riaktivizimin e kombinatit të tekstileve në Berat. Në këtë zonë, industria e tekstilit ka një traditë gati 50-vjeçare të trashëguar nga regjimi komunist. Berati është ndër të paktat qytete në Shqipëri që ka një forcë të kualifikuar punëtore që përdorin që nga tornot deri te qepja. Për më tepër, në Berat ka vijuar tradita, pasi shumë fabrika të tjera të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve kanë aktivitet në këtë qytet, duke ndikuar në krijimin e fuqisë së re punëtore me përvojë. Për rrjedhojë, Berati mund të përmbushte kërkesat e Weibo Group me ?know how? si dhe me godina. Me vënien në punë, Weibo synonte të realizonte rreth 800 milionë euro eksporte në vit. Por projekti ka dështuar me ?sukses? si shumë projekte të tjera të mëdha dhe serioze që i janë ofruar Shqipërisë.

 

Ky ishte rasti që Shqipëria të vendoste një standard të ri në industrinë fasone, duke realizuar ciklin e mbyllur të prodhimit dhe duke i dhënë shans real zhvillimit të klasterit në këtë industri. Arsyet e dështimit janë disa, por ekspertët që kanë konsultuar kompaninë, pohojnë se kryesorja ishte projekti jofizibël.

 

Barra e taksave dhe të gjitha kostot e tjera ishin më të larta se sa kostot me gjithë transportin nga Maqedonia në Durrës. Sot gjiganti turko-kinez ka hapur fabrikën në Maqedoni. Për shumë muaj, është impenjuar personalisht Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevksi, i cili i ka pritur investitorët dhe për më tepër, ka përshpejtuar në mënyrë të jashtëzakonshme investimin në Maqedoni.

 

Kryetari i Bordit të Weibo Group, Selcuk Alperen, e njoftoi personalisht përzgjedhjen e Maqedonisë për projektet e reja. Alperen, në një deklaratë zyrtare, ka pohuar se kompania ka ndërtuar zonën e integruar industriale në Kriva Palanka, një zonë e lirë tregtare në Maqedoni. Investimi fillestar ishte 400 milionë euro me 500 të punësuar, me projekt për zgjerim të mëtejshëm në varësi të ecurisë së prodhimit. Kompania, 50% të prodhimit në Maqedoni i ka porosi për Hugo Boss, ndërsa pjesën tjetër për emra të mëdhenj të brandeve europiane të veshjeve. Prodhimi i Weibo është i lidhur vertikalisht që nga fillimi në fund. Kompania kujdeset vetë për prodhimin e pambukut dhe kryen të gjitha proceset. Por duket se Maqedonia (Kriva Palanka) nuk e ka përmbushur tërësisht kërkesën për fuqinë punëtore, ndaj Weibo është duke kërkuar për transferim të një pjese të aktivitetit edhe në Serbi.

 

Edhe pse Maqedonia nuk e ka në prioritetet e saj të zhvillojë industrinë e fasonit, kompanitë e huaja që kanë interesa të transferojnë prodhimin në Ballkan, e shohin atë mjaft atraktive. Taksat e ulëta, funksionimi i zonave të lira tregtare (pa taksa në shtatë vitet e para) dhe subvencioni monetar i çdo vendi të hapur pune e ka bërë vendin fqinjë konkurrues të denjë për fason industrial dhe atë tekstil.

 

Shqipëria, jo vetëm që ka humbur konkurrueshmërinë në aspektin fiskal, në të drejtat e pronësisë, por mbi të gjitha i mungojnë prioritetet e zhvillimit dhe vullneti i mirë për të sjellë investitorë seriozë, thanë ekspertët që më parë kishin këshilluar Weibo-n për Shqipërinë. Por ata shpjeguan se Weibo nuk është shansi i vetëm i humbur. Janë me dhjetëra raste të dështuara vetëm nga Turqia.

 

Një nga grupet më të mëdha turistike në Europë me resorte që nga Antalya, Belekeu, Londra dhe Nisa i është ofruar Shqipërisë për një investim 600 milionë euro për zhvillimin e një resorti turistik. Eksperti tha se nuk ishte në interesin e kompanisë të investonte në një zonë joshëse dhe të bukur siç është Jugu i vendit. Turqit ishin të vendosur të investonin në secilën copë toke që do të dëshironte qeveria shqiptare. Resorti do të ishte i nivelit luksoz me pesë yje dhe me kapacitet akomodues mbi 5000-6000 persona. Do të punësoheshin të paktën 900 persona dhe kompania kishte në plane të zhvillonte edhe pjesën e edukimit për shërbimin e turizmit njësoj siç bën edhe në Turqi.

 

Pas disa takimesh me autoritetet shqiptare, kompania ka hequr dorë. Duke mbajtur konfidencial emrin e kompanisë turke, eksperti tha se tani, projekti që ishte planifikuar për Shqipërinë, po jetësohet në Rumani. Një vend i Bashkimit Europian, Rumania i ka thjeshtuar shumë procedurat për investitorët e huaj. Mjafton të kesh interes të investosh atje dhe qeveria të rimburson që nga biletat e avionit, shpenzimet e hotelit të çdo investitori që shfaq interes.

 

Një tjetër kompani tuke, Limak, ka shfaqur interes të investonte në sektorin e turizmit në Shqipëri, duke sjellë specialistë të saj për të studiaur fisibilitetin e investimit. Kompania më pas u tërhoq, pasi grupi u përfshi në investimin në Aeroportin e Stambollit.

 

Por teksa vendet e Ballkanit janë vënë në garë të ethshme në lehtësimin procedurave dhe taksave për investitorët e huaj, Shqipëria ka bërë hapa mbrapa. Aktualisht, vendi ynë ka barrën e taksave më të larta në rajon dhe klimën më të rëndë për të biznes (Doing Business, 2016 World Bank).

 

Si pasojë e kësaj situate, qeveria shqiptare në tre vitet e fundit nuk ka sjellë asnjë investitor të huaj të njohur në vend, teksa nga ana tjetër ka pohuar se do të orientojë modelin e zhvillimit të ekonomisë nga konsumi te prodhimi. /Monitor





Lajmet e fundit nga