web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dashamir Shehi: Berisha, presion opozitës për të bojkotuar

6 Mars 2016, 07:54, Aktualitet CNA

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, është shprehur se vendimi për të bojkotuar parlamentin nga ana e opozitës ka ardhur për shkak të presionit të ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe personave të tjerë, duke pretenduar se kjo është rruga më e mirë për të fituar pikë. Në një intervistë për gazetën Shekulli, Shehi e kundërshton këtë vendim, ndërsa e konsideron veprimin e opozitës si joproduktiv.

INTERVISTA

Partia Demokratike në seancën e fundit bojkotoi Kuvendin, duke vënë si kusht largimin e deputetit Armando Prenga. Cili është gjykimi juaj në lidhje me këtë vendim të opozitës?
Opozita ka përpara beteja të mëdha dhe duke qëndruar jashtë Parlamentit do të mbeten përgjysmë reformat që kemi nisur dhe që presin të përfundojnë. Në gjykimin tim betejat që një parti politike i nis duhet t?i çojë deri në fund, pasi të jem i sinqertë, me bojkot nuk mbërrihet askund. Kam bindjen se edhe pjesa tjetër mendon si unë se, opozita e ka vendin në Kuvend për t?u përballur me maxhorancën.

Z. Shehi, në seancën e radhës, në rast se opozita nuk do të jetë në Parlament siç ka deklaruar, ju do të jeni i pranishëm apo do ti bashkëngjiteni bojkotit të PD-së?
Sigurisht që do të jem në Parlament, pavarësisht se çfarë vendos PD-ja. Por deri të enjten e ardhshme mendoj se dhe opozita do të reflektojë dhe do të kthehet në Parlament për të vijuar përballjen. Ne e bëmë bojkotin para një viti për t?iu afruar ligjit të dekriminalizimit, tani që ligji është bërë dhe pritet të zbatohet, nuk kemi pse të nisim të njëjtin avaz të bojkotit për një gjë që ka kaluar dhe është në proces. Kush është motivi i radhës për të bojkotuar Kuvendin? Unë i kam bërë të ditur PD-së qëndrimet e mia për këtë çështje dhe besoj se edhe mund të takohem me zotin Basha deri të enjten për t?i bërë të ditur qëndrimin tim. Unë them që përtej zhurmës, kjo që po bën PD-ja hyn te format e njohura të politikës që unë preferoj ta quaj presion politik.

Kush po ushtron presion, z. Shehi?
Presioni po ushtrohet nga Berisha dhe të tjerë, pasi sipas tyre kjo është rruga më e mirë për të fituar pikë. Por sipas meje, kjo jo vetëm që nuk është rruga për të fituar pikë, por është një lloj vetizolimi dhe vetizolimi nuk është produktiv për opozitën në asnjë rrethanë. Unë këtë sjellje të opozitës e quaj një ekspozim të kotë dhe të panevojshëm, si para ndërkombëtarëve dhe para qytetarëve shqiptarëve. Sipas meje, PD-ja nuk është duke përdorur armët e duhura në këtë betejë. Ne i kemi të gjitha mundësitë për t?i mbrojtur qëndrimet tona në Parlament. Nuk e di ku është leverdia për të dalë jashtë Parlamentit? Përgjigjen e kësaj pyetje nuk e kam kuptuar ndonjëherë.

Krahas bojkotit, ish-kryeministri Berisha ka hedhur për diskutim dhe opsionin për të lënëmandatet deputetët. Si e komentoni këtë?
Unë them që nuk është as e mirë dhe as e nevojshme. Jo se me këtë mandat jemi duke bërë ndonjë hata të madhe, por tashmë ka mbetur dhe një vit nga zgjedhjet parlamentare dhe nuk do të ketë ndonjë vlerë. Ndërprerja e mandatit do të ishte një punë e lënë përgjysmë dhe prandaj them se nuk ka vlerë dhe nuk është as zgjedhja e duhur dhe as më e mira. Ka opsione të tjera të mira që opozita duhet t?i bëj deri në mbyllje të mandatit. Opozita duhet të përmbyllë tre punët që ka nisur. Një të zbatohet ligji i dekriminalizimit se për ndryshe i bie që gjithë kjo zhurmë është bërë kot. E dyta të gjej ndonjë formulë për të gjetur konsensusin për ligjin e drejtësisë. E treta, të merret dhe të rinovojë të gjithë procesin zgjedhor nga modeli i zgjedhjeve e deri te mënyra e administrimit. Me këto tre gjëra madhore që presin për tu bërë duhet të merret opozita nga sot deri në ditën e zgjedhjeve. Sigurisht që ka dhe 1000 gjëra të tjera, si të hartojë një program të qartë politik, ekonomik, për të dalë ky vend nga kllapia. Po ashtu edhe të zgjedhë njerëzit e duhur që do ta tërheqin peshën e madhe që ka mbi supe Partia Demokratike si forca kryesore opozitare. Cilado opozitë ka për detyrë të bëjë presion, por presioni bëhet në Kuvend. Mua nuk më shqetëson nëse do të rrijë kjo qeveri edhe gjashtë muaj apo dhe një vit. Mua më intereson që zgjedhjet të bëhen me një ligj më të mirë se sa ky që është sot, të bëhet më një frymë më të mirë se sa kjo që është sot, dhe më intereson që kjo opozitë që ne përfaqësojmë sot, të arrijë të jetë një alternativë, sepse në fakt vendi ka nevojë sepse e gjithë shoqëria është në një lloj deprimimi moral dhe kulturor. Shqiptarët po ikin, biznesmenë që fshehin paratë duke mos investuar, të huajt janë dyshues. Pra problemi ynë është që të bëhemi një alternativë për t’u treguar qytetarëve se një pjesë e këtyre punëve që nuk po i zgjidh kjo qeveri i zgjidhim ne.

Kreu i Partisë Demokratike është goditur shumë këto kohë. Cili është vlerësimi juaj për këto kritika?
Edhe pse po goditet Basha brenda për brenda nuk shoh ndonjë alternativë tjetër premtuese në PD që t?i besohet drejtimi. Unë mendoj se pa Bashën PD-ja do të kthehet mbrapa e gjithë PD-ja dhe del kundër natyrës së historisë që ka kjo parti. Nuk mund të kthehet PD-ja në ku ishte vite më parë, në të njëjtën duar ku ka qenë. Tashmë PD ka krijuar fytyrën e saj të ndryshme nga ajo që kanë drejtuar para 7 vitesh dhe koha ka një sens dhe sipas meje nuk mund të kthehet pas në kohë, në rast se do të kthehet PD-ja do të ishte në antikohë. Basha mund të mos jetë ora më perfekte, por për kohën, ajo që ai po bën ka sens dhe për mua kjo ka rëndësi. Debati është një lloj pasurie, pasi duhet thënë se nuk është se krijohen përditë debate të brendshme mes personazheve të partive politike. Nëse e marrim në këtë prizëm, duhet vlerësuar. Pastaj nëse ndalemi tek ata që e kanë bërë këtë debat, duhet thënë se personazhet nuk krijohen për një ditë në politikën shqiptare. Për më tepër humbja në zgjedhjet lokale nuk ështëse ka ardhur prej këtyre personazheve. Unë them se pezmatimi i këtyre debateve të fundit e ka zanafillën që pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës, humbje e cila duhet kapërcyer. Por nuk është ky problemi, pasi halli më i madh që ka Partia Demokratike është që të krijojë një platformë fituese për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, ku të krijojë një ekip i cili e çon PD-në drejt fitores. Por duhet thënë se kjo nuk bëhet pa angazhimin e të gjithëve sepse duhen ide dhe njerëz, të cilët duhet të jenë të besueshëm, gjë që deri më sot kreu demokrat nuk ia ka arritur.

Z. Berisha dje për herë të parë e pranoi se ka ndikim të madh në vendimmarrjen e PD-së, gjëtë cilën e ka mohuar që pas largimit nga kreu i PD-së. Kjo deklaratë e tij por dhe veprimet e fundit në grupin parlamentar a mund të jenë një sinjal se ai po rikthehet sërish në krye tëPD-së?
Nuk ma merr mendja që ai do të kthehet më në krye të PD-së. Do të ishte ajo që thashë më parë, jashtë kohës. Nëse ai po bën përpjekje për t?u rikthyer, ai nuk po kupton se kjo nuk është koha e tij.

Çfarë duhet të bëj Basha në këto momente?
Basha duhet të krijojë ekipin e tij, ta lançojë, ta popullarizojë këtë ekip se, në qoftë se ky ekip është një skuadër që i bën hije Bashës dhe në vetvete nuk përfaqëson asnjë vlerë, sigurisht që nuk është ndonjë ofertë e madhe për shqiptarët. Ekipi krijohet dhe testohet në terren, në ballafaqimin e ideve në përditshmërinë politike. Ka ikur koha kur hyjnë në lojë lojtarë të papërgatitur. Në këtë lloj fushe presupozohet se janë të mësuar lojtarët, nuk stërviten tani. Unë uroj që t’i zgjedhë më të mirët që të japin shpresë dhe që shqiptarët ta konsiderojnë ofertë PD-në, përndryshe po mendoj Basha që do të bëjë ndryshim në frymën e partisë po me të njëjtët personazhe na ka marrë lumi. Nga ana tjetër unë jam optimist që nëse arrijmë të krijojmë ekipin e duhur do të mund të rikuperojmë numrin e madh të votave që e majta mori përballë nesh në zgjedhjet e fundit parlamentare. Debatet dhe kritikat janë normale në partitë, por duke qenë se brenda PD-së debate kanë qenë tabu, tani duken një gjë e madhe. Nga debati nuk ka asnjëherë zarar. Duhet të jemi të qartë, që ka dhe një betejë brenda për brenda, që ne e quajmë konkurrencë. Nuk duhet të harrojmë që zgjedhjet parlamentare nuk kanë larg dhe që tani fillojnë kalkulimet. Ata që nuk e kanë vendin e sigurt në lista mundohen të imponohen në forma të ndryshme. Shumë mirë që po bëhet zhurmë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mbushet piramida, për të cilën PD-ja ka shumë nevojë, sidomos nëse do të mbushej me njerëz që kanë vlera, që kanë eksperiencë. Por dhe me njerëz që kanë vota, sepse demokracia është votë.

 

 





Lajmet e fundit nga