web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Mero Baze/ Kush e kontrollollon financimin e ISIS në Shqipëri?

21 Nëntor 2015, 10:37, Opinione CNA

Debati mbi xhamitë ilegale në Shqipëri, të cilat nuk janë as nën kontrollin e Komunitetit Mysliman dhe as të ndërtuara sipas ligjeve të shtetit shqiptar, po trajtohet vetëm si problem i tendencës së islamit politik, për të zhbërë institucionet e fesë myslimane në vend dhe për të hedhur rrënjët e ISIS përmes xhamive që predikojnë islamin politik. Debati deri tani po bëhet vetëm në aspektin ligjor, duke debatuar nëse ke të drejtë të hapësh një xhami të re jashtë Komunitetit Mysliman apo jo. Mbështetësit e islamit politik në Shqipëri, të cilët nuk janë pak dhe nuk kanë as drojë të shfaqen në publik, mbrojnë idenë se për të hapur një xhami, duhet të rregjistrosh një OJQ myslimane dhe të kërkosh një leje ndërtimi në emër të saj. Bile disa prej tyre kanë bërë thirrje të hapur të injorohet Komuniteti Mysliman si një shpikje e zyrtarëve shqiptarë të periudhës së Monarkisë.

Por, askush nuk po debaton dhe askush nuk ka një evidencë të qartë se kush i financon këto xhami të reja që ndërtohen ilegalisht dhe kush i financon veprimtaritë e tyre ?bamirëse? për të paguar para për mbulimin e grave apo shërbime të tjera.

Pamvarësisht se mbrojtësit e islamit politik pretendojnë se mund të rregjistrohen xhami të reja, duke rregjistruar subjekte të reja juridike, askush nga këta nuk e ka bërë deri më sot. Askush nuk ka shkuar të tentojë të rregjistrojë në Gjykatë një person juridik, që të marrë përsipër lejen e ndërtimit dhe financimin e një xhamie legalisht.

Arsyeja është jo se nuk kanë hapësirë ligjore formale, por se nuk kanë ndërmend të lënë gjurmë për paratë që vijnë nga kanale ilegale për ta. Disa xhami të ndërtuara kohët e fundit, siç është një afër qendrës tregtare TEG, apo në Mëzez, janë aq të mëdha dhe të kushtueshme, dhe janë aq anonimë financuesit, sa vetëm një shtet i papërgjegjshëm si Shqipëria, mund ta lejojë këtë situatë. Në një vend ku të kërcet druri për një kupon tatimor për pirje kafe dhe shkon në burg për mospagim taksash, nuk të gjen asgjë nëse ndërton një xhami pa leje, që kushton 1 milion euro. Duke e ndërtuar pa leje, ti ke mundësi të fshehësh burimin e financimit, dhe kur e fut në proces legalizmi, e legalizon atë si pronë private të dikujt .

Milionat që islami politik po financon në Shqipëri përmes xhamive ilegale dhe rrjetit të tyre të besimtarëve, janë në një situatë të papërgjegjshme dhe të pandëshkuar. Kryeministri Rama e prishi pa ju dridhur dora një kishëz të vogël në Dhërmi, për shkak të një konflikti historik mes Ortodoksve dhe Uniatëve, për të cilin ai mori atribute gjykatësi, ndërsa nuk ka prekur jo vetëm themelet e ndonjë xhamije ilegale, por as financuesit e tyre.

Shqipëria është një vend i vogël, i varfër dhe delikat, sa i përket çështjes së financimit të radikalizmit fetar, dhe mbetja jashtë kontrollit e kanaleve që financojnë xhamitë, që janë kthyer në qendra propagande për ISIS, është një papërgjegjshmëri e madhe. Simpatia që hoxhallarët e këtyre xhamive shfaqin për idhujtë e tyre në ISIS, relativizimi i së keqes, duke krahasuar masakrat e Parisit me aktet terroriste në Lindjen e Mesme, si dhe guximi për të prekur dhe historinë tonë, duke na nxjerrë fenë para përkatësisë kombëtare, si një goditje e laicizmit, janë detaje të pranisë së ISIS në territorin tonë dhe ne duhet të jemi të qartë kush po na e financon dhe kush janë ata që po predikojnë. Rruga më e thjeshtë për të shkuar tek burimi i parave është të marrësh preventivin e një xhamie ilegale, të ndalosh sipas ligjeve tona për ndërtim pa leje ndërtuesin, dhe të fillosh të zbërthesh preventivin deri tek gozhda e fundit për të mësuar se kush e paguan atë. Asnjë terrorizëm nuk mposhtet nëse nuk i bllokon kanalet e financimit dhe asnjë vend, sado i fortë të jetë, nuk ja del dot të luftojë me terrorizmin, nëse bëhet fjala që ai të frymëzojë vetëvrasjen si formë finale. Shqipëria nuk është as vend i fortë dhe as i pasur, kështu që është dyfish e rrezikuar nga depërtimi i një rrjeti të tillë, në kushtet kur askush nuk pyet kush po i mbjell shtëpitë e tyre në tokën tonë.

 





Lajmet e fundit nga