web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Intervista flet Leonard Olli/ PD-ja e Bashes, bashkia e Tiranes dhe aksioni opozitar

29 Gusht 2015, 13:19, Aktualitet CNA

Në një intervistë ekskluzive për citynews.al kreu i këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës Leonard Olli, flet dhe analizon, punen e Lulzim Bashes, ne bashki dhe drejtimin e opozitës, aksionin e saj politik, hapat e mëtejshëm drejt formulimit te plote te alternativës opozitare.

Ai analizon mbledhjet e para të këshillit bashkiak dhe veprimet e opozites ne pushtetin lokal. Olli flet per opozitën që tashmë sipas tij do jetë zëri i qytetarëve në këshillin bashkiak të Tiranës.

Jeni emëruar kreu i këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës, në një kohë që opozita nga numrat duket se i ka humbur zgjedhjet jo vetëm në Tiranë. A mendoni dhe ju si disa drejtues te PD se keni fituar?

Partia Demokratike edhe nëpërmjet kryetarit Basha e ka bërë publik qëndrimin e vet lidhur me rezultatin e zgjedhjeve vendore. Në asnjë rast nuk është folur për fitore, por për një përmirësim të ndjeshëm krahasimisht me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Ndarja territoriale, harta e re e krijuar, në kushtet dhe përmbajtjen e saj,  favorizonin maksimalisht mazhorancën aktuale në numrin e votave absolute në çdo Bashki të re. Por, personalisht kam qene dhe i mbetem parimit se zgjedhjet vendore nuk përcaktojnë ecurinë politike të një force politike, por janë një test i forte për to. Psh, në rast se do flisnim për zona që shpeshherë politikisht nominohen bastione, rezulton që opozita i ka ?rrëmbyer? së majtës , në nivel kryetarësh, disa prej tyre të pa fituara asnjëherë më parë, sikundër rasti i Pogradecit.

A ishte gabim bojkoti që në mbledhjen e parë të konstituimit, për arsye të prezencës së ministrit te Çështjeve vendore Çuçi, kur ligji i jep te drejtën çdo qytetari te jete i pranishëm?

Fillimisht, më lejoni të sqaroj se nuk kemi të bëjmë me një bojkot. Ministri përgjegjës ?de jure? për pseudoreformën territoriale ishte një provokim dhe tentativë intimiduese ndaj një pushteti të pavarur. Në zgjedhjet e 21 qershorit, mazhoranca aktuale rrënoi shumë standarde zgjedhore të arritura pas 2005.  Përfshirja e shërbimeve të Policisë së Shtetit në mbrojtje të personave me back-ground kriminal dhe përfshirja e tyre drejtpërdrejt në procesin elektoral në zgjedhjet vendore, ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë në tjetërsimin e votës së qytetarit dhe rezultatin zgjedhor. Paralelisht, kryeministri dhe kreu i Kuvendit, ushtruan një dhunë verbale të paprecedent para dhe gjatë fushatës, me kërcënimet dhe shantazhet të hapura, që provuan se jemi në kushtet e vendosjes ?de facto? të shtetit policor. Ne simbolikisht nuk mund të pranonim atë shfaqje të shëmtuar.

Në te parën mbledhje të këshillit ju votuat kundër tre nga 5 pikat e rendit të ditës dhe kërkuat shtyrjen e tyre, ndërkohë që në to përfshiheshin edhe çështje të buxhetit dhe vijimit të pagesave të punonjësve në gjithë territorin e bashkisë së Tiranës. A kishte arsye thelbësorë apo një votim kundër simbolik edhe ky?

Nuk mundet kurrë që opozita të kryejë votime simbolike, kur kemi të bëjmë me çështje kaq të rëndësishme. E vetmja referencë ligjore nga fillimi deri në fund të çdo materiali mbetet ligji nr. 8652, datë 31.07.2000 për ?Organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore?. Pra termi reforme territoriale është vetëm një shpikje demagogjike, pa as edhe një akt të vetëm ligjor. Buxheti afat-mesëm ishte mangët dhe jo-transparent, pasi mungonin rakordimet me degën e thesarit të Ministrisë së Financave, akt-vendimi për t?u votuar, inventari i detyrimeve të njësive administrativ etj. Kishte shumë taksa të tjera të jashtëligjshme. Ne nuk mund të jepnim votën tonë për të noterizuar paligjshmërinë e tyre. Ajo që vjen nga pas jo vetëm në Tiranë, por edhe në gjithë vendin është fakti se pushteti vendor është realisht në kolaps të plotë ligjor.

Cili do jetë aksioni juaj politik në Këshillin Bashkiak në javët e ardhshme, pasi mund të quheni të fituar me lëvizjen për banesat sociale

Banesat sociale është një fitore vetëm e familjeve përfituese, të cilët për më shumë se 6 muaj vuajtën ndëshkimin e politikave bllokuese të urdhëruara nga kryeministri Rama. Është konkretizimi me sukses të plotë i një pune kolosale të bërë nga administrata Basha. Jam i bindur që aksioni ynë politik do te këtë sfida në respektimin e ligjit dhe drejtimit konform tij të Bashkisë Tiranë. Mjafton ti referohem ndërhyrjeve te Piramida, pa asnjë tagër ligjor, te Monumenti i Pavarësisë, sistemit të paralajmëruar të gjobave për ndotjen në Tiranë, për të kuptuar se vizioni i tij ashtu si edhe ai i shefit të tij politik dhe mazhorancës aktuale, për të drejtuar Tiranën, është sistemi i ndëshkimit, gjobave dhe burgut dhe palgjishmëria. Besoj shumë te këshilltarët e djathtë të cilët janë ekspertë shumë të mirë në fushat e tyre, te forca e argumentit të tyre.

A vlerësoni ndonjë nga nismat e kryebashkiakut Veliaj?

Sikundër e shpreha edhe më sipër sado të duash të vlerësohet diçka, është vetë Veliaj, i cili të detyron të jesh skeptik ndaj çdo nisme të tij. Shpesh herë ai të jep përshtypjen se do të kishte qenë një pjesëtar shumë i devotshëm i detashmenteve të revolucionit kulturor kinez, të mesit të viteve ?60. Që nga dita që ka marrë detyrën e deri më sot ka një qasje mediatike a thua se jep edicionin e lajmeve. Deklaron publikisht se  nuk gjeti asnjë qindarkë për të paguar rrogat e administratës, ndërkohë që situata ishte krejt ndryshe. Bashkia ka paguar rrogat e muajit korrik dhe në llogarinë e saj dispononte rreth 550 milion lekë të rinj. Vijon me sistemin e aksioneve me goditje të përqendruar dhe jo me plane të qarta për ngritjen e sistemit dhe funksionimin e tij

Cilat ishin gabimet e Lulzim Bashës në krye të bashkisë të Tiranës?

Basha reflektoi vizion dhe vullnet në përmirësimin e jetës së qytetarëve, pavarësisht politikave bllokuese dhe hakmarrëse të Ramës. U hapën mbi 25 mijë vende pune në 4 vjet, u ulën dhe e u redukuan 60 taksa e tarifave vendore. Krijimi i fondit të garancive prej 1 milionë dollarësh, mundësoi bizneset e vogla e të mesme të gjeneronin punësim në Tiranë. ?Gabim? i z. Basha, është fakti se nuk rendi ti promovojë nga mëngjesi në darkë ato që bënte, por u mjaftua me faktin që i realizoi. Po kështu, një tjetër ?gabim? i zotit Basha ishte fakti se nuk pranoi të bënte viktimën dhe të përplasej ashpër publikisht me kryeministrin Rama për bllokimet e sabotimet e pafund, por zgjodhi rrugën e zgjidhjeve ligjore dhe shmangien e konfliktualietit politik që prodhon automatikisht konfliktualitet të pafund social. Krejt e kundërta e modelit Rama, si kryetar bashkie dhe lideri i opozitës në atë periudhë

Lidershipi i PD, ka pësuar një humbje në zgjedhjet lokale, por ende nuk ka asnjë përgjegjës. A duhet të ketë të tillë, korrigjime të forta dhe si mund të hedhë hapa të mëtejshëm drejt ringritjes së PD-së?

Çështja e përgjegjësive besoj se mbetet një temë e hapur pasi në javët në vijim pritet të fillojë analiza. Në funksionimin e një force politike gjithmonë ka vend për korrigjime, përmirësime të cilat mundësojnë një efikasitet sa më të lartë. Besoj se është koha që të përcaktohet qartë ose në statut ose në rregullore që disa drejtues të lartë politike apo dhe kryetarët e degëve të kenë vetëm detyrë politike. Vijimi i një opozite edhe më të fortë në denoncimin e skandaleve të pafund të kësaj qeverisje, që kanë rrënuar ekonomikisht vendin, me lidhjet më të forta me krimin e organizuar, mbetet detyrë parësore. Ndërtimi i një aksioni opozitar me të gjitha mjetet e format demokratike, forcimi i mëtejshëm i lidhjeve me shtresat e elektoratit të djathtë që tradicionalisht kanë qenë dhe mbeten palca elektorale e PD-së, detajimi i alternativës dhe platformës qeverisëse si një forcë e qendrës të djathtë, promovimi i saj, dialogu publik e mediatik me gjithë shqiptarët, nga një ekip cilësor të drejtuar nga kryetari Basha, bëjnë të mundur plotësisht që PD dhe aleatët të fitojnë votëbesimin e shqiptarëve për të qeverisur vendin pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.





Lajmet e fundit nga