web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Qeveria politikë të verbër, shkatërruese për ekonominë e varfëruese për qytetarët,

16 Nëntor 2014, 23:00, Politikë CNA

Nga Ridvan BODE

Për të konkluduar, rreth këtij elementi që përmendëm, dhe për të hedhur një vështrim çka po ndodh aktualisht, sot në kuvend Qeveria me mazhorancën, do të miratojë në parim Projekt-Buxhetin e vitit 2015 i cili nuk ka asnjë princip të vërtetë për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror për vendin. Parimi që do të votojë sot qeveria bazohet tërësisht në një politikë të verbër, shkatërruese për ekonominë e varfëruese për qytetarët, pasi sikurse e kemi thënë, bazohet vetëm në rritjen e taksave, në rritjen progresive të taksave, për të dytin vit rradhazi. Bazohet në varfërimin absolut të qytetarëve, të cilët nga 460 milion dollarë shtesë taksash që do të paguajnë në vitin 2015, do të paguajnë 390 milionë në formën e taksave të fshehura apo në formën e taksave të drejtpërdrejta të vendosura mbi konsumin.

Buxheti sjell rrënimin e mëtejshëm të bizneseve dhe ndrydhjen, çuarjen me detyrim të ekonomisë drejt toneve të recesionit, sikurse ndodhi përgjatë tre mujorit të dytë të këtij viti dhe që ka pritshmëri edhe tre mujori i katërt i këtij viti të jetë në të njëjtin trend, që bazohet në degradimin e shërbimimeve për qytetarët pasi të gjitha elementët që përbëjnë shërbimet publike për popullatën janë në parametra më të ulët nga sa kanë qenë vitet e fundit, aspekti i të cilave është edhe çështja që diskutuam sot e investimeve publike dhe që siguron vetëm një gjë, bollëk në shpenzimet e qeverisë qendrore, të zyrtarëve, të ministrave, të qeveritarëve aktualë. E kemi deklaruar dhe konstatohet shumë lehtë që buxheti i fundit në harkun e dy viteve të fundit, është rritur me 1 miliardë dollarë krahasuar me buxhetin e dy viteve, tre viteve më parë. Rritja e shpenzimeve në mënyrë të menjëhershme në të tilla nivele, 1 miliardë dollarë, kur në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme është rritur vetëm 2 miliard dollarë në harkun e 8 viteve. Në dy vite, rritet 1 miliardë dollarë dhe këto shpenzime perkeqësohen në perspektivë dhe që janë bazuar tërësisht jo në rritjen e performancës së ekonomisë por në rritjen progresive të taksave mbi ekonominë dhe qytetarët.

Në raport me PBB, nga 28.4-28.3% që kanë qenë shpenzimet publike, shpenzimet e buxhetit në vitet e mëparshme, shkojnë në 31.5% të PBB, do të thotë 3.5% më shumë, do të thotë në vit mbi 500 milion dollarë më shumë shpenzime që bën qeveria në raport me ekonominë. 1 miliardë dollarë është rritja totale e shpenzimeve, nga këto, vit pas viti me 500 milionë dollarë është përmbi kapacitetet e ekonomisë historike dhe që bazohet tërësisht në atë që kemi thënë, në rritjen e taksave. Aq sa rriten taksat sipas llogarive të qeverisë në harkun e dy viteve të fundit, aq është edhe le të themi zgjerimi, evadimi i shpenzimeve të qeverisë mbi ekonominë e vendit. Investimet publike në këtë buxhet mbeten në nivelet më të ulëta historike. Pra pritej, që u rritën me 1 miliard dollarë shpenzimet e buxhetit, pritej që këto të rriteshin në investimet publike apo në shërbimet ndaj qytetarve apo në rroga dhe pensione. Në të vërtetë 1 milion dollarshi i shpenzimeve të buxhetit u rrit duke mbajtur të bllokuara, të ngrira, pagat e punonjësve, pensionet e pensionistëve, dhe duke ulur nivelin e investimeve publike që janë investime për rrugët, për ujësjellësat, për shkollat, dhe për të gjitha shërbimet e tjera, shërbimi shëndetësor, që u bëhen qytetarve shqiptar. Totali i investimeve do të jetë në minimumin historik, 4.5% i PBB, dhe në parametra të tillë sigurisht e ngrirë në të njëjtin nivel me vitin 2014 dhe nën nivelin mesatar të 4 viteve të fundit, pale për tu krahasuar me periudhën 2008, 2009, 2010, kjo shumë është tërësisht jo-ekonomike dhe e pajustifikueshme për nivelin e lartë të shpenzimeve që bën buxheti i shtetit. Për më tepër, shpenzimet e qeveritarve vazhdojnë rriten . Ato arrijnë në 2.7% të PBB. Vetëm shpenzimet e qeverisë qendrore, të ministrive, janë 2.5% e PBB dhe kanë qenë 1.4% e PBB dy-tre vitet e shkuara. Rreth 150 milion dollarë në vit harxhohen më shumë për administratën dhe qeverinë qendrore. Investimet jo vetëm që janë të limituara, por sikurse përmendëm këtu, ato nuk dihet se kur do kryhen pasi nuk ekziston asnjë listë orjentuese apo angazhuese e qeverisë se ku do ti shpenzojë këto fonde, 678 milion dollarë që ka programuar për vitin 2015. Nuk ka një listë orientuese që kërkush nesër të mos ketë mundësinë për t?iu adresuar, përse filan projekt, apo një projekt tjetër, nuk po merret në konsideratë nga ana e qeverisë.

Qeveria kërkon dorë të lirë, që edhe këto pak para në investimet publike t?i bëjë rrush e kumbulla dhe ti adresojë në modelin e fasadave dhe makeup-it, që Rama di ta bëjë mirë, duke shkuar dhe investuar vetëm në qendrat e disa qyteteve duke lyer dhe zbukuruar diçka, apo duke hequr vija dhe duke mbjellur pemë në anët e rrugëve nacionale. Tashmë objektet e mëdha, investimet nacionale janë tërësisht të abandonuara sikurse e përmendëm këtu është harruar tashmë vijimi i projekteve të mëdha. Rruga Tiranë-Elbasan, që duhet të kishte përfunduar që vitin e kaluar, vijon të mbetet e hapur dhe pa investim konkret edhe pse fondet janë të kontraktuara nga Banka e Zhvillimit. Rruga e Arbrit, tërësisht e bllokuar. Segmenti tjetër i Jugut me pjesëza punimesh të filluara tërësisht të abandonuara e të bllokuara. Rruga Qukës – Qafë Plloçë tërësisht e harruar, kontrata e investimeve është bërë, fondet janë angazhuar, kostoja paguhet por punimet nuk fillojnë. Për të mos folur pastaj për të gjitha projektet e vogla lokale, në territore të ndryshme të komunave, Bashkive dhe Qarqeve të cilat janë çelur prej dy vitesh dhe nuk vijon ndërtimi i tyre, çka çon në degradimin edhe të atyre investimeve që janë kryer, të atyre parave që janë harxhuar tashmë dhe janë për t?u rifilluar në një moment kur t?i vijë prioriteti i qeversië për të konsideruar këto lloj investimesh.

Pra investimet janë tërësisht të disbalancuara në territorin e vendit, nuk bazohen as në prioritete zhvillimore ekonomike dhe as në nevoja lokale. Janë tërësisht klienteliste dhe për qëllime politike të mirëfillta nga ana e qeverisë. Kemi degradim të investimeve edhe në sektorë të ndryshëm, shëndetësia dhe arsimi as nuk bëhet fjalë për të intensifikuar dhe përmirësuar shërbimin në këto sektorë, përkundrazi, fondet e programuara janë në ulje. Ujësjellsat po ashtu janë harruar se ka nevojë për tu investuar në këtë sektor. Dhe sektori i bujqësisë, veç demagogjisë dhe propagandës, nuk po përfiton dot asnjë fond për buxhetin e vitit 2015. Dhe këto ndodhin në të njëjtën kohë kur buxhetet lokale, grantet që i transferon qeveria qendrore buxheteve lokale, vijnë në ulje, dhe është e habitshme mosrespektimi i ligjit për pushtetin qendror, i cili ka një nen ku parashikon që çdo rritje e nivelit të shpenzimeve të buxhetit qendror, duhet të shoqërojë në të njëjtën masë, edhe rritjen e transfertës për pushtetin vendor. Buxheti qendror është rritur me 20% si vëllim shpenzimesh, kurse buxheti lokal sivjet është ulur me rreth 14% krahasuar me një vit më parë apo me vitet e mëparshme. Pra nga pikëpamja e investimeve që bën ky buxhet për ekonominë e vendit, ato mbeten simbolike, mbeten të paidentifikuara, mbeten të abandonuara projektet ekzistuese, mbeten të degraduar sekotrë që kanë nevojë për më shumë përmirësim investimesh në shërbimet publike dhe në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Mbeten investime fasadë, buzëkuq që Rama kërkon ti bëjë qeverisjes së tij. Ne jemi tërësisht kundër dhe nuk mund të pranojmë që një buxhet I rritur me 1 miliard dollarë, në harkun e dy viteve, të adresojë për investimet publike për qytetarët vetëm 14% të këtij buxheti ndërkohë që ka qenë në parametrat 25-30% për një periudhë gati 10 vjeçare. Prandaj ne e denoncojmë këtë buxhet si një buxhet tërësisht bllokues që abandonon interesat publike dhe të qytetarëve dhe që rrit lluksin dhe fondet, bollëkun, për fondet e qeverisë qendrore.





23:00 Politikë

Makap

Nga Edison YpiMakapi është një fshat diku mes Konispolit dhe...

23:00 Politikë

Të panegociueshmet

Nga Erget CENOLLIVetëm dy gjëra nuk duhet të negociojë popul...

Lajmet e fundit nga