web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

As edhe një berliner për Ballkanin Perëndimor nga Konferenca e Berlinit

29 Gusht 2014, 22:24, Opinione CNA

Nga Kastriot MYFTARAJ

Pikësëpari duhet të jetë e qartë nuk ka një pako ndihme financiare të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, me rastin e Konferencës së mbajtur dje në Berlin, siç po kërkon të spekulojë Qeveria e Shqipërisë, dhe media pranë saj. Shifra prej 12 miliard euro që përmendi kryetari në ikje i Komisionit të Bashkimit Europian Barroso nuk është gjë tjetër veçse shifra e përgjithshme për financimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në periudhën 2014-2020, e miratuar që vitin e kaluar në buxhetin shtatëvjeçar të BE (2014-2020). Këtë e tha qartë Barroso në fjalimin e vet në Konferencën e Berlinit, por që qëllimisht u përkthye keq në Shqipëri. Ja se cilat qenë fjalët e Barrosos: ?The EU will continue playing its leading part through targeted financial aid. Under our Instrument for Pre-Accession Assistance ? the “IPA” – almost 12 billion euros in aid are foreseen for the period 2014-2020. So it’s not just good intentions, 12 billion euros is more than good intentions. Twenty per cent of this funding will be targeted just for regional projects.?
Pra, shifra prej 12 miliardë euro përfaqëson pakon e ndihmës shtatëvjeçare të BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të cilët do ta marrin këtë ndihmë si asistencë në periudhën e përgatitjes për të hyrë në BE, që gjithsesi nuk dihet se kur do të ndodhë. 
Madje edhe shifra prej 12 miliardë euro nuk do të pjestohet midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët nuk janë anëtarë të BE, për shkak se, siç pohoi Barroso, 20%, ose 2.4 miliardë euro do të shkojnë për projekte regjionale, pra të tilla që nuk kanë të bëjnë me një vend të veçantë, por me krejt regjionin. E thënë shkurt, për të gjashtë vendet e Ballkanit që aspirojnë të bëhen anëtarë të BE do të ketë 9.6 miliardë euro në shtatë vitet e ardhshme.
Kryeministri Edi Rama nuk di as të na thotë se sa do të jetë shifra e saktë që do të marrë Shqipëria gjatë shtatë viteve të ardhshme si IPA (Pre-Accession Assistance). Qartësisht, kjo nuk ishte gjëja më e rëndësishme për Edi Ramën kur shkoi në Berlin. Përparësi për të kishte ana teatrale e konferencës, pra që ai të ishte kryeministri i vetëm i Ballkanit Perëndimor që do të dilte me Merkelin në konferencën përmbyllëse për median. Edi Rama, kjo nuk duhet harruar ka diplomuar për pikturë monumentale, dhe për të nuk ka rëndësi realiteti përveçse ashtu siç shfaqet i përthyer nën prizmin e rregullave të pikturës monumentale të realizmit socialist.
Nëse gjërat do të bëheshin sipas vullnetit të Edi Ramës, atëherë shifra prej 2.4 miliard euro për projekte regjionale, të cilën e përmendi Barroso duhet të përballojë në shtatë vitet e ardhshme shpenzimet për atë që Edi Rama, në konferencën për media që mbajti në Tiranë para nisjes në Berlin, e quajti Korridori Blu, një autostradë që kalon përgjatë bregdetit adriatikas. Rama na tha se kryeministrat e regjionit të tubuar në Dubrovnik para Konferencës së Berlinit qenë dakorduar që t? i kërkohej Merkelit dhe Barrosos ndërtimi i Korridorit Blu. Dhe këtë dëshirë të tyre do ta shprehte Edi Rama në Berlin. Kryeministri i Shqipërisë nuk e bëri të qartë se çfarë interesi ka Shqipëria për Korridorin Blu, kur ai nuk do të kalojë nëpër Shqipëri. Këtë gjë e pohoi tërthorazi Kryeministri ynë kur tha se ky korridor e lidh Shqipërinë me Kroacinë dhe me Malin e Zi. Nga kjo mënyrë të foluri kuptohet se ky korridor nuk do të kalojë nëpër Shqipëri, por do t? i mundësojë Shqipërisë një lidhje me disa nga vendet e tjera të regjionit. Edhe kjo është një gjë e mirë, por jo kur bëhet me kosto që përballohen nga para për projekte regjionale të BE, nga të cilat Shqipëria duhet të përfitojë drejtpërdrejt.
Në të vërtetë, për këtë të ashtuquajtur Korridor Blu, kanë interes katër vende të Ballkanit Perëndimor: Kroacia, Bosnjë-Herzegovina, Mali i Zi dhe Serbia. Ky Korridori Blu është një version shumë i reduktuar i Korridorit Adriatiko-Jonian, për ndërtimin e të cilit dikur në vitet nëntëdhjetë lobuan fuqishëm Greqia dhe Jugosllavia (Serbia dhe Mali i Zi). Ky korridor duhej të niste nga Trieste në Itali, të përshkonte Slloveninë, të kalonte përgjatë bregdetit kroat, të përshkonte Malin e Zi, të hynte në Shqipëri nga Hani i Hotit. Në Shqipëri korridori do të devijonte në itinerarin Levan- Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë për t? u lidhur me autostradën nga Janina në Patras. Por Bashkimi Europian nuk pranoi që ta financonte një projekt kaq të kushtueshëm. 
Pas kësaj doli projekti që Edi Rama e quajti Korridori Blu. Ky në fakt është një nga autostradat e Kroacisë, dhe pjesa më e madhe e saj përgjatë bregdetit është ndërtuar tashmë. Që Korridori Blu të shndërrohet në projekt ndërkombëtar, kjo do të thotë që të zgjatet duke kaluar e shumta në Malin e Zi, se për më tutje duhen shpenzime shumë të mëdha. Për shkak të problemeve të terrenit, segmenti nga Dubrovniku në Mal të Zi do të duhej të kalonte nëpër territorin e Bosnjë-Herzegovinës, në qytetin Trebinje (Republika Serbe e Bosnjë-Herzegovinës), njëzet km larg nga bregdeti i Adriatikut. Nga Trebinja, korridori nuk do të marrë kthesën për në bregdetin malazez, por do të shkojë në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, duke iu shmangur kështu shumë bregdetit. 
Në fakt, zgjatja e Korridorit Blu përtej Kroacisë është një interes strategjik i Serbisë por edhe i Malit të Zi. Qeveria e Malit të Zi dhe ajo e Serbisë kanë vënë në krye të agjendës së tyre ndërtimin e Autostradës Beograd-Tivar, 445 km e gjatë. Me ndërtimin e kësaj autostrade Serbia, që është një vend i kyçur në tokë (landlocked country) fiton qasje të shkurtër në bregdet dhe një qasje të mirë në pjesën jugore të Republikës Serbe të Bosnjës, nëpërmjet kombinimit të dy autostradave. Kryeministri Rama nuk mund të mos e dijë se nëse Korridori Blu do të zgjatet në Republikën Serbe të Bosnjë-Herzegovinës dhe Malin e Zi, atëherë ky projekt do t? i marrë të 2.4 miliardë eurot që BE ka ndarë për projekte regjionale në Ballkanin Perëndimor në shtatë vitet e ardhshme. Kjo për arsye se kostoja e ndërtimit të rrugës rritet për shkak të terrenit që në pjesën më të madhe është malor për çka kërkon shumë tunele dhe ura. Dhe ku Korridori Blu të ketë arritur në Podgoricë, Shqipëria thjesht do të lidhet me të, nëpërmjet rrugës ekzistuese.
Të gjitha këto tregojnë se Edi Rama është i kyçur në agjendën e Serbisë. Serbët gjithmonë kanë vepruar në atë mënyrë që t? i pranojnë në vizitë në Beograd ata drejtues të Shqipërisë të cilët kanë qenë në shërbim të tyre, vetëm si shpërblim për një shërbim të madh ndaj Serbisë. Enver Hoxha, në librin me kujtime ?Titistët?, ka paturpësinë të thotë se pas luftës ai ishte i shqetësuar që një kohë të gjatë nuk e pranonin të vizitonte Beogradin. Enver Hoxha tashmë e kishte bërë shërbimin duke i çuar brigadat partizane të Shqipërisë për të çarmatosur shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi, ashtu që sllavët t? i merrnin më lehtë nën kontroll këto territore. Dhe pastaj Enver Hoxha u shpërblye me vizitën në Beograd. Edi Rama e siguroi vizitën në Beograd pasi u bë zëdhënës i kërkesës serbe për zgjatjen e Korridorit Blu.
Edi Rama mori vetëm një berliner personale nga Konferenca e Berlinit, duke qenë i vetmi nga kryeministrat e vendeve pjesëmarrëse që doli në Konferencën për media të Kancelares Merkel dhe Kryetarit të Komisionit të BE, Barroso. Në gjermanisht me fjalën ?berliner? quhet një lloj petulle (berliner pfannkuchen). Nga Konferenca e Berlinit e shpallur dhe e kryer befasisht me bujë, nuk pati asnjë Berliner për Ballkanin Perëndimor. Thjesht u numëruan petullat që do të jepen deri në vitin 2020, për të cilat ishte folur tashmë me kohë. Shqipëria nuk mori një berliner nga Konferenca e Berlinit, një të tillë personale mori vetëm Kryeministri. Edhe atë si shpërblim që u bë zëdhënës i një interesi strategjik serb. Ende mbetet për t? u zbuluar megjithatë arsyeja e plotë e rolit protagonist që iu dha Edi Ramës në Konferencën e Berlinit, dhe që nuk shpjegohet dot me atë se Shqipëria ka rradhën e kryesimit të Nismës për Bashkëpunimin në Europën Juglindore. Se Europa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor janë dy njësi të ndryshme gjeografike. Fakti që Edi Rama nuk di të thotë konkretisht se cfarë përfitoi Shqipëria nga ato që u thanë në Konferencë se përfitoi Ballkani Perëndimor, tregon se roli protagonist i Edi Ramës nuk ka qenë në shërbim të vendit që ai përfaqësoi si kryeministër, pra të Shqipërisë.
Përse u organizua befasisht kjo konferencë për Ballkanin në Berlin? Për këtë ka vetëm një arsye. Bashkimi Europian dhe SHBA janë të shqetësuar se mos në situatën kur ka nisur një luftë e ftohtë e re mes Perëndimit dhe Rusisë, si dhe kur Perëndimi gjendet në një konflikt të ri në botën islamike, me një armik serioz të një lloji të ri, siç është Khalifati, ndodh një shpërthim dhune në Ballkan. Ballkani, posaçërisht ai perëndimor është pika e dobët e Perëndimit, një enklavë brenda arealit të NATO-s dhe Bashkimit Europian, ku janë të dy potencialet që mund të përdoren për një shpërthim nga armiqtë e sotëm të Perëndimit. Serbia dhe serbët në Bosnjë-Herzegovinë, Malin e Zi dhe Kosovë, të cilët mund të përdoren nga Rusia, si dhe muslimanët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnjë-Herzegovinë, Malin e Zi, Serbi, të cilët mund të përdoren nga Khalifati dhe qendra të tjera destruktive në botën islamike.
Prandaj vendet e Ballkanit të Jugut u ftuan në Berlin që të gënjehen me berliner, por as ato nuk ua dhanë. Vetëm sa u treguan se sa berliner janë në pritje për ta në vitet e ardhshme, deri në 2020. Nëse ka një shqetësim serioz perëndimor se Ballkani rrezikon që të shpërthejë përsëri, atëherë kjo sigurisht që nuk është mënyra e duhur për ta parandaluar këtë shpërthim.





Lajmet e fundit nga