web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çfarë duhet të dini mbi atë se si e ka prekur stabilitetin financiar të vendit vjedhja në Bankën e Shqipërisë

16 Gusht 2014, 17:37, Opinione CNA

Nga Kastgriot MYFTARAJ

Në fund të vitit 2013 (31 dhjetor) në Shqipëri zyrtarisht kishte në qarkullim 130. 503. 210 (njëqind e tridhjetë milionë e pesëqind e tre mijë e dyqind e dhjetë) copë kartmonedha të prerjeve të ndryshme, në monedhë shqiptare, lekë. Vlera e përgjithshme e këtyre kartmonedhave ishte 204.372 miliardë (dyqind e katër miliardë e 372 milionë) lekë të rinj (më poshtë do të bëhet fjalë vetëm për lekë të rinj). Gjithashtu, kishte në qarkullim 140.058.618 (njëqind e dyzet milionë e pesëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e tetëmbëdhjetë) copë monedha metalike në monedhën shqiptare lekë. Vlera e përgjithshme e tyre ishte 3.394 miliardë (tre miliardë e treqind e nëntëdhjetë e katër milionë) lekë. Kjo do të thotë se shuma e përgjithshme e monedhës shqiptare në qarkullim ishte 207.766 miliardë (dyqind e shtatë miliardë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë) lekë.
Fondi i përgjithshëm i lekëve që hidhen në qarkullim përcaktohet sipas kritereve strikte, që së pari kanë të bëjnë me masën e rezervës valutore dhe në ar që ka banka qendrore, si pjesë e Thesarit të Shtetit. Rritja pavarësisht kritereve e fondit të monedhës vendase në qarkullim, shkakton rritje të pakontrolluar të inflacionit.
Paratë që janë vjedhur në Thesarin e Bankës së Shqipërisë (kartmonedha në lekë) dhe kanë qarkulluar në treg, padyshim që kanë pasur impakt në rritjen e inflacionit. Zyrtarisht, në Thesarin e Bankës së Shqipërisë janë vjedhur 713 milionë lekë, domethënë 0.71 miliardë lekë. Teorikisht, ato kanë sjellë 0.34% inflacion. Por ajo që duhet ditur është se efekti i qarkullimit të këtyre parave të vjedhura është si ai i gurit që hidhet në pellg dhe shkakton përhapjen e rrathëve koncentrikë. Me këtë dua të them se qytetarët shqiptarë e kanë ndjerë pasojën në uljen e fuqisë blerëse të tyre.
Por gjërat mund të jenë më keq, se shifrën prej 713 milionë lekë të vjedhura e kanë dhënë vetë njerëzit e Fullanit. Në intervistën e tij për Gazetën ?Mapo?, në 14 gusht 2014, Guvernatori Fullani u përpoq që të spekulonte me faktin se Drejtori i Departamentit të Kontrollit në Bankën e Shqipërisë, i cili ka evidentuar sasinë e kartmonedhave të vjedhura në Thesarin e bankës qendrore, është vetë Inspektori i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, i emëruar nga Kuvendi i Shqipërisë. Këtë post që nga viti 2011 e mban zonja Elivar Golemi. Por fakti është se Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi Inspektor të Përgjithshëm të bankës qendrore personin që deshi Fullani. Elivar Golemi, e cila në vitin 2003, kur në pushtet ishte PS, kaloi nga shefe finance në fshatin ?Sos? në Bankën e Shqipërisë. Me ardhjen e Fullanit në krye të Bankës së Shqipërisë, në 2004, Elivar Golemi bëri karrierë të madhe. Në vitin 2005, ajo kaloi nga një specialiste e thjeshtë e sektorit të kontabilitetit në përgjegjëse e këtij sektori. Në 2007 ajo u bë zëvendësdrejtore në Dartamentin e Sistemit të Pagesave dhe njëkohësisht përgjegjëse e sektorit të politikave dhe sistemit të mbikqyrjes së pagesave. Dhe kur në vitin 2011 Kuvendi i Shqipërisë, domethënë Berisha, do të emëronte Inspektorin e Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, me mandat pesëvjeçar, gjeti pikërisht këtë punonjëse të bankës qendrore që ia detyronte karrierën e saj Fullanit! Elivar Golemi, edhe tani që është Inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, dhe supozohet të jetë njeriu mbi të cilin Kuvendi mbështetet për të kontrolluar bankën qendrore, vazhdon ta quajë Fullanin ?shef?, si atëherë kur ishte vartëse e tij. Në fakt, kësaj femre me emrin e çuditshëm ?Elivar? (emrin dikur e ka pasur ?Qelibare?) as që i ka shkuar ndonjëherë në mendje se Fullani nuk është më shefi i saj, që prej vitit 2011. A nuk është ironi e madhe se deri më sot, shifra që kemi për vjedhjen në Thesarin e Bankës së Shqipërisë është ?e vërteta si qelibar? që na ka ka dhënë kjo zonja Qelibare-Olivar? Nuk ka dyshim se Elivari ka dhënë pikërisht shifrën që i ka thënë Fullani.
Kjo krijon dyshimin, shumë të arsyeshëm se vjedhja në bankën e Shqipërisë është shumë më e madhe se sa thuhet zyrtarisht. Madje qarkullojnë fjalë, nga persona që kanë dijeni për gjendjen e Thesarit, se shuma e vjedhur mund të ketë arritur deri në 10% të sasisë së monedhës shqiptare në qarkullim. Në çdo shtet të botës ku do të kishte ngjarë ajo që ndodhi në Thesarin e bankës qendrore, Prokuroria e Përgjithshme do të kishte marrë vetë në dorë çështjen e evidentimit të shumës së vjedhur, duke mbikqyrur kontrollin e numërimit fizik të sasisë së kartmonedhave stok. Por që të bëhet kjo duhet shumë kohë, mund të thuhet. Është e vërtetë por gjithashtu është e vërtetë se ka pajisje të posaçme që mundësojnë kryerjen e këtij procesi me shpejtësi dhe që Banka e Shqipërisë duhet t? i kishte blerë, duke qenë se ka shpenzuar shumë milionë euro për teknologjinë e sigurisë. 
Një aspekt me rëndësi të madhe i stabilitetit financiar të çdo vendi është ai që ka të bëjë me psikologjinë e besimit të publikut. A mund të ketë publiku një ndjenjë besimi te Banka e Shqipërisë kur deri më sot shifra për shumën e parave të vjedhur në Thesar është një e dhënë e ofruar ekskluzivisht nga njerëzit e bankës qendrore të cilët dështuan në mënyrë spektakolare që të parandalonin vjedhjen. Mosevidentimi i saktë i shumës së vjedhur në Thesarin e bankës qendrore është kushti i domosdoshëm që të funksionojë alibia e Fullanit, sikur ai nuk ka faj për vjedhjen. Se nëse do të zbulohej shuma e saktë e vjedhur, atëherë gjithçka do të dukej në një dritë tjetër dhe Prokuroria do të ishte e detyruar që ta arrestonte Fullanin. Deri më tani Prokuroria po mbështet legjendën e krijuar nga Fullani se vjedhja u zbulua nga vetë banka qendrore, domethënë Fullani. Por fakti që u zbulua vjedhja tani nuk është aspak meritë e Fullanit por erdhi për shkak të lakmisë së pakufizuar të ekzekutorëve të cilët futën duart edhe atje ku nuk ishte planifikuar nga drejtuesit e vjedhjes, që të futeshin duart, në fondin e kartmonedhave që do të digjeshin. 
Shqipëria është sot i vetmi vend në botë që nuk e di se sa monedha teknikisht të rregullta, autentike (prerje shtetërore) ka në qarkullim. Se kartmonedhat e vjedhura në Thesarin e bankës qendrore dhe të hedhura në qarkullim janë teknikisht të rregullta. Ato janë prerje të rregullta shtetërore. Problemi me to është se nuk duhet të ishin në qarkullim. Një shtet mund të mos e dijë se sa është sasia e saktë e monedhës së tij në qarkullim, për shkak se nuk e di sasinë e saktë të monedhave të rreme që qarkullojnë në treg. Por kur një shtet gjendet në situatën kur sasia e monedhës së tij autentike, është rritur në mënyrë të pakontrolluar në treg, shteti ndërmerr pa vonesë veprimet e duhura për të evidentuar së pari shumën e saktë të kartmonedhave të vjedhura dhe të futura abuzivisht në qarkullim. Shqipëria vazhdon të mos e bëjë këtë gjë, ende dhe sot, rreth një muaj pasi është zbuluar vjedhja.





08:23 Opinione

KONET E ZENGJINËVE

HABERET E MITROSNga Mitro CelaModa më e fundit: Gratë e burr...

Lajmet e fundit nga