web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Banka e Shqipërisë, nga Ambasadori i Italisë fashiste Jacomoni, te Ambasadori amerikan Arvizu

14 Gusht 2014, 18:54, Opinione CNA

Ndërtesa e Bankës së Shqipërisë, e cila zbukuron sheshin qendror të Tiranës nisi të ndërtohet në shkurt 1937, sipas një projekti italian dhe me financim të shtetit italian. Madje dhe një pjesë e madhe e punëtorëve, veç inxhinierëve qenë italianë, për shkak se duheshin kryer punime të specializuara. I pranishëm, si në ceremoninë e nisjes së punimeve, ashtu dhe në ceremoninë e promovimit të ndërtesës, në tetor 1938, ishte Ministri fuqiplotë i Italisë, Francesco Jacomoni. Në atë kohë fuqitë e mëdha, në vendet e vogla si Shqipëria kishin ministra fuqiplotë dhe jo ambasadorë. Edhe SHBA, në atë kohë kishte në Tiranë një ministër fuqiplotë, jo një ambasador. Ndërtesa e Bankës së Shqipërisë nuk mund të mos shihet si një provë monumentale e sinqeritetit të Italisë fashiste për marrëdhëniet e deklaruara me Shqipërinë. Është e vërtetë se Italia fashiste do ta pushtonte ushtarakisht Shqipërinë pesë muaj pas përfundimit të ndërtesës së Bankës të Shqipërisë. Por megjithatë Italia nuk e aneksoi Shqipërinë, por vendi yne ruajti subjektivitetin shtetëror, si Mbretëri e Shqipërisë, dhe lidhja juridike me Italinë ishte vetëm ajo që në të drejtën ndërkombëtare njihet si bashkim personal i kurorave mbretërore, ashtu që Mbreti i Italisë mori dhe kurorën e Shqipërisë. Kjo lidhje përfundonte me vdekjen e Mbretit Victorio Emanuelle III, i cili në 1939 ishte 69 vjeç. Shqipëria edhe pas pushtimit ushtarak do të vazhdonte të kishte flamurin e saj kuqezi, monedhën e saj, qeverinë e saj, bankën qendrore, parlamentin, gjykatat, prokurorinë, policinë dhe shumë gjëra të tjera që i ka një shtet i pavarur. Sigurisht që pushtimi ishte një zhvillim i papëlqyeshëm, por ishte nje fatkeqësi madhore gjeopolitike.
Fakti që Italia ndërtoi në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë një ndërtesë të tillë si seli për bankën qendrore, që ende sot pas treçerek shekulli shërben si seli e bankës qendrore dhe me të cilën krenohemi të gjithë, tregon se Italia fashiste ishte e sinqertë në ato që thoshte. Një fuqi e madhe që ka ndërmend të aneksojë një vend të vogël nuk ndërton një seli të tillë për bankën qendrore të atij vendi. A nuk supozohej që selia e bankës qendrore të Shqipërisë të ishte në Romë? Në të vërtetë, ndërtesa e bankës qendrore në Tiranë, simbolizon më së miri marrëdhënien e Shqipërisë me Italinë fashiste. 
Shqipëria, duke nisur që nga viti 1926, nëpërmjet disa marrëveshjeve, i dha një fuqie të madhe, Italisë fashiste një pjesë të sovranitetit të saj. Ky process u kulmua me bashkimin personal të kurorave në 1939. Në këmbim të asaj pjese të sovranitetit që dha, Shqipëria mori nga Italia një ndihmë ekonomike konsisten, me të cilën nisi modernizimi i Shqipërisë. Asnjë nga qytetet shqiptare duke përfshirë dhe kryeqytetin nuk kishin ujësjellësa, ato u ndërtuan falë investimeve të Italisë fashiste dhe nga specialistët italianë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për krejt infrastrukturën e vendit, që nga rrugët e asfaltuara, rrjeti elektrik, kanalizimet e ujërave të zeza, portet, aeroportet etj. Planet urbanistike moderne të të gjithë qyteteve shqiptare janë bërë fillimisht me investimet italiane, dhe po kështu edhe ndërtesat e para moderne të tyre. Midis viteve 1926-1943, në Shqipëri u ndërtuan me financime italiane selitë e bashkive, prefekturave, gjykatave, spitale, shkolla, kazerma ushtarake etj. Madje periudha e pushtimit (1939-43) ishte një periudhë zhvillimi ekonomik të cilën Shqipëria nuk e kishte njohur kurrë në historinë e saj. Angazhimi i Italisë fashiste në Shqipëri ishte serioz. Është e vërtetë se Italia i bëri të gjitha këto për interesat e saj, por fuqitë e mëdha kështu veprojnë gjithmonë. 
Shqipëria e sotme, që nga viti 1991 e deri më sot, ka vazhduar t? u japë sovranitet, formalisht dhe informalisht SHBA, Bashkimit Europian etj. Të gjitha ato atribute që dikur i kishte Italia fashiste në Shqipëri, nga viti 1926 në 1943, i ka sot SHBA, formalisht dhe informalisht. Atë pushtet që dikur ushtronte Jacomoni në Shqipëri, e ushtron sot Arvizu. Por çfarë ka marrë në këmbim Shqipëria nga SHBA? Përsëri Banka e Shqipërisë shërben si simbol instruktiv. Pikërisht sot Ambasadori amerikan Arvizu, shkoi në zyrën e Guvernatorit Fullani, në një gjest të qartë mbështetjeje për të, para mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës të bankës qendrore. Me këtë rast ambasadori amerikan foli publikisht për për Bankën e Shqipërisë, e cila këto ditë gjendet e përfshirë në skandalin më të madh në historinë e saj.
Fjalët e ambasadorit amerikan tregojnë sjelljen në keqbesim të superfuqisë në vendin e vogël të cilit i ka uzurpuar sovranitetin, duke mos i dhënë në këmbim asgjë të vlefshme. Ambasadori amerikan dha të kuptohet se nuk duhet të ketë jo më arrestime në nivelin e lartë të Bankës së Shqipërisë, pasi kjo do të prekte stabilitetin financiar të Shqipërisë. Por a nuk është i kompromentuar stabiliteti financiar i vendit kur nga Thesari i bankës qendrore mund të vidheshin lehtë shuma të mëdha parash? Aq më tepër kur masat e sigurisë nuk qenë aspak në nivelin që duhet të kishte një bankë qendrore, ndonëse për këtë qëllim qenë shpenzuar shumë milionë euro që nga koha kur Fullani u bë guvernator dhe kjo me shpjegimin se siguria e nivelit të lartë kushton shtrenjtë, por është e domosdoshme? Dhe tani doli se në Thesarin e Bankës së Shqipërisë nuk kishte në funksionim as dedektorë me sensorë magnetikë që do të bënin të mundur identifikimin e kartmonedhave nëpërmjet shirëtit magnetic, kur të kërkohej që të nxirreshin jashtë ato në mënyrë abuzive. Dhe tani na doli edhe se sistemi i monitorimit me kamera ishte i tillë që nuk i ruante videoregjistrimet më tepër se 40 ditë, kur duhet t? i ruante për disa vite. Të gjitha këto janë bërë qëllimisht që të mundësonin vjedhjen. A nuk është përgjegjës Fullani për këto gjëra? 
A nuk është papërgjegjshmëri e madhe nga ana e ambasadorit amerikan që del dhe iu thotë shqiptarëve se ajo që ka rëndësi është pavarësia e bankës qendrore, kur tashmë është e qartë se në Bankën e Shqipërisë, pavarësia është shndërruar në privatësi, duke u shndërruar kjo bankë në një bankë private e Fullanit dhe e një klani pranë tij.
Si mund të thotë ambasadori amerikan se duhet lënë Drejtësia të hetojë për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë, kur Prokuroria nuk guxon që të hyjë në Thesarin e Bankës dhe të prekë arkat e kartmonedhave për të parë shumën e vërtetë të parave që është vjedhur? Deri më sot kemi ende shifrën që ka dhënë auditi i brendshëm Bankës së Shqipërisë. Shqipëria sot nuk e di shifrën e saktë të lekëve që ka në qarkullim, për shkak se nuk dihet me siguri se sa para janë vjedhur në Thesarin e bankës qendrore.
Ironia më e madhe e sjelljes së sotme të Ambasadorit Arvizu ishte se ai nuk mund të shkonte ta takonte Guvernatorin Fullani në zyrën e tij në ndërtesën e Bankës së Shqipërisë në Sheshin ?Skënderbej?, por në zyrën që Fullani ka improvizuar në një ndërtesë në Sheshin ?Avni Rustemi?, të cilën e ka marrë me qera, pasi ndërtesa e bankës qendrore është mbyllur prej disa viteve, pasi po bëhen punime për restaurimin e saj. Në të vërtetë këto punime po bëhen që Fullani të gjejë edhe një mënyrë për të vjedhur para. Prandaj ambasadori amerikan u detyrua që të shkonte ta takonte Fullanin në ish-zyrën e kreut të ish-kompanisë piramidale VEFA, Vehbi Alimuça, i cili dikur e kishte marrë me qera këtë ndërtesë. Dhe kjo e tregon më mirë se çdo gjë dallimin mes Jacomonit dhe Arvizut. 
Qëndrimi i sotëm i ambasadorit amerikan tregon se një përgjegjësi të madhe për atë që gjërat shkojnë keq në Shqipëri, ka SHBA, e cila jo vetëm nuk e ka luajtur aspak rolin e fuqisë së madhe që ushtron një ndikim dashamirës, por ka bërë të kundërtën, duke mbajtur një gjendje kaosi të kontrolluar. Dikur Italia fashiste u detyrua që ta pushtonte ushtarakisht Shqipërinë që Jakomoni, i cili qëndroi në Shqipëri edhe pas pushtimit si Mëkëmbës (Guvernator) të siguronte një pushtet si ai që ka Arvizu sot. Sot SHBA e ka këtë pushtet pa e pushtuar ushtarakisht Shqipërinë. Ky është dallimi.
Ambasadori amerikan, në traditën e ushtrimit të kompetencave informale në Shqipëri, ushtroi sot detyrën e anëtarit informal të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke mbajtur një fjalim te dera e Bankës para mbledhjes së këtij Këshilli, në mënyrë që t? i jepte atij legjitimitetin për t? i dhënë votëbesimin Guvernatorit Fullani. Ambasadori Arvizu, me sjelljen e tij të sotme, është njëjtë sikur të ketë hyrë në ndërtesën e Thesarit të shtetit në Linzë dhe të ketë mbushur brekët me para, si punonjësi i bankës Ardian Bitraj.





08:23 Opinione

KONET E ZENGJINËVE

HABERET E MITROSNga Mitro CelaModa më e fundit: Gratë e burr...

Lajmet e fundit nga