web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Varfëria në Shqipëri/ Një plagë e hapur që kërkon ndërhyrje urgjente

17 Dhjetor 2024, 13:29, Sociale CNA

Varfëria në Shqipëri/ Një plagë e hapur që

Varfëria mbetet një nga sfidat më të mëdha sociale dhe ekonomike në Shqipëri, një fenomen që jo vetëm ka përkeqësuar jetesën e mijëra familjeve, por ka krijuar një cikël të pabarazisë dhe emigracionit masiv.

Politikat e ndjekura në dekadën e fundit, shpeshherë të bazuara në interesa afatshkurtra dhe të paqëndrueshme, kanë dështuar të adresojnë rrënjët e këtij problemi. Statistikat janë alarmante: rreth 42% e popullsisë në Shqipëri është e ekspozuar ndaj varfërisë, sipas të dhënave të INSTAT (2024).

Zonat rurale vuajnë më shumë, ku qasja në shërbime bazë, si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe punësimi, është tejet e kufizuar. Në të njëjtën kohë, pabarazia ekonomike po thellohet, duke krijuar një hendek të madh midis një pakice të pasur dhe shumicës së varfër.

Referuar të dhënave mbi çmimet e referencës së pronës në Tiranë rezulton se 1m2 njësi banimi ka si çmim reference mesatar rreth1400 euro ndërkohë që paga mesatare në vend është rreth 800 euro bruto në muaj. Ku pensioni mesatar është sa 23% e pagës mesatare.

Sot në Tiranë taksa vjetore e një shkolle të mirë fillore për një fëmijë kushton sa paga vjetore e një punëtori fabrike të pa kualifikuar.

Sot punëtorët e pa kualifikuar marrin rreth 220 lekë në orë. Ku me këto para mund të blesh vetëm 1.3 l naftë. Apo vetëm 1 kg bukë, apo 170 gram mish. Kjo situatë kaq dramatike ka ardhur si pasojë e implementimit të një sërë politikave të dështuara.

Më konkretisht në dekadën e fundit Shqipëria ka ndjekur një qasje të liberalizuar të ekonomisë, shpeshherë pa vëmendjen e duhur ndaj mbrojtjes sociale.

Dhurimi masiv i tokave publike në funksion të turizmit, kalimi i shërbimeve publike me koncesion te privatët dhe mungesa e strategjive për të krijuar vende pune të qëndrueshme kanë lënë shumë qytetarë të pambrojtur dhe të pa shpresë.

Programet sociale, edhe pse ekzistojnë, janë të fragmentuara dhe të paefektshme. Për më tepër, korrupsioni dhe shpërdorimi i fondeve publike kanë kufizuar ndjeshëm ndikimin e këtyre programeve.

Pa harruar këtu orientimin e gabuar të investimeve në infrastruktura dhe në turizëm duke hequr vëmendjen totalisht nga prodhimi dhe bujqësia. Kjo lloj strategjie në vend që të gjeneronte punësim, mirëqenie dhe reduktim të pabarazisë, stimuloi valën e tretë emigratore (mbas asaj të viteve ’90 dhe ’00).

Aktualisht mbi 40% e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit. Ky fenomen ka krijuar një boshllëk demografik dhe ekonomik, duke ulur potencialin për zhvillim afatgjatë, jemi vendi me nivelin më të lartë në Europë për numrin e të punësuarve pensionistë në raport me numrin total të të punësuarve.

Ndërsa Shqipëria përballet me këto sfida, shumë vende kanë treguar se varfëria dhe pabarazia mund të luftohen me politika ekonomike dhe reforma strukturore efiçiente.

Vende si Koreja e Jugut kanë investuar fuqishëm në arsimin profesional dhe teknologjik, duke reduktuar varfërinë përmes krijimit të një fuqie punëtore të aftë. Shqipëria mund të zhvillojë programe trajnimi për të rinjtë, të orientuara drejt tregut të punës. Por që kjo të ketë rezultat duhet të ndryshohet mendësia se shkollat profesionale nuk mund të jenë vetëm për nxënësit e dobët që s’kanë mundësi të regjistrohen në universitet.

Gjermania, përmes politikave të zhvillimit rajonal, ka mbështetur fuqizimin ekonomik të zonave rurale. Kjo përfshin subvencione për fermerët, infrastrukturë të përmirësuar dhe nxitje për krijimin e bizneseve lokale. Shqipëria mund të ndjekë këtë shembull për të zvogëluar pabarazinë midis qytetit dhe fshatit.

Fermerët në Shqipëri përbëjnë rreth 1/3 e të punësuarve në vend, kontributi i tyre në PBB është rreth 16%. Kjo peshë që ata kanë në ekonomi duhet të ishte ne koherencë edhe % që buxheti i shtetit duhet ti dedikojë këtij sektori, kurrsesi s’mund të jepeshin vetëm 44 mln euro për 2025.

Faktor tjetër që ka gjeneruar varfërinë, pabarazinë dhe emigracionin në masë është edhe korrupsioni masiv. Për të zgjidhë këtë fenomen Estonia, një nga vendet më transparente në botë, ka reduktuar korrupsionin përmes digjitalizimit të shërbimeve publike, duke përfshirë platforma si e-Estonia (nga u mor si model edhe E-Albania), që lejojnë qytetarët të aksesojnë pothuajse të gjitha shërbimet shtetërore online.

Por ndryshe nga E-Albania, E-Estonia të jep mundësinë që çdo transaksion publik apo vendim administrativ të aksesohet dhe gjurmohet në kohë reale, duke bërë të mundur monitorimin nga qytetarët dhe organizatat e pavarura.

Finlanda një vend me standarte shumë të larta transparence dhe llogaridhënieje ka krijuar platformën “Open Finland” e cila i lejon qytetarët të ndjekin projektet e financuara nga buxheti i shtetit, duke parandaluar keqpërdorimin.

Brazili krijoi Bankën Kombëtare të Zhvillimit me kapital shtetror për të financuar sipërmarrjet e vogla dhe të mesme për të zgjidh problemin e papunësisë dhe aksesin në financë për kompanitë e vogla.

Kosova krijoi fondin privat të pensioneve për të rritur besimin te përfitimi i pensionit dhe për të zhdukur problemin e nëndeklarimit të pagave siç ndodh në Shqipëri.

Singapori, një tjetër model i suksesshëm, ka reduktuar korrupsionin duke zbatuar një sistem pagash konkurruese për zyrtarët publikë, duke rritur motivimin dhe ndershmërinë në shërbimin civil.

Në të njëjtën kohë, autoritetet në Singapor përdorin teknologji të avancuar për të gjurmuar transaksionet financiare, duke eliminuar hapësirat për ryshfet apo shpërdorim të fondeve si dhe deklarimin vjetor të të ardhurave për të gjithë të punësuarit në administratën publike por jo vetëm (ne në Shqipëri sot mbledhim të ardhura fiskale sa 28% e PBB-së kur mesatarja e rajonit ëhstë 34% edhe pse pjesa dërmuese e vendeve të rajonit ka presion fiskal më të ulët se ne).

Pra, në thelb zgjidhja e varfërisë në Shqipëri kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, e cila duhet të ndërthurë reforma institucionale, mbështetje për sektorët ekonomikë që performojnë jo mire dhe një angazhim të fortë politik për të luftuar korrupsionin. Reformat institucionale janë themelore për të përmirësuar eficiencën dhe transparencën e shërbimeve publike.

Sot mbas më tepër se një dekade kemi rreth 400 mijë shqiptar më pak por edhe 45000 të punësuar më shumë në administratën publike (shpërdorim parash dhe rritje të inefiçencës). Lufta ndaj varfërisë, pabarazisë dhe emigracionit duhet të përfshijë investime dhe trasformime rrënjësore të sektorëve kyç si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.

Sot arsimi karakterizohet nga pabarazia rajonale në cilësi dhe qasjen në arsim si dhe nënfinancimi (3.3% të PBB-së po aq sa ishte edhe para 12 vitesh).

Shëndetësia është e pa aksesueshme për qytetarët e varfër shpesh herë (lista e ilaçeve të rimbursueshme po rinovohet prej gati 7 vitesh).

Sektori bujqësor, i cili mbetet një burim kryesor jetese për shumë familje në Shqipëri, ka nevojë për subvencione dhe për ndryshimin total të TVSH-së).

Është paradoksale të mendosh të krijosh një treg të përbashkët në Ballkanin Perëndimor kur subvencionet në Shqipëri janë 4 herë më pak se në Serbi apo 3 herë më pak se në Maqedoni të Veriut (pesha e subvencioneve në raport me PBB-në).

Te ne është urgjente të adresohen shkaqet sociale dhe psikologjike të emigracionit masiv, duke ofruar shpresa reale për një të ardhme më të mirë brenda vendit. Një ekonomi e qëndrueshme dhe shërbime sociale efektive janë thelbësore për të parandaluar rrjedhjen e trurit dhe tkurrjen e popullsisë aktive.

Qytetarët shqiptarë nuk mund të presin më gjatë. Varfëria nuk është vetëm një problem ekonomik, por një çështje drejtësie dhe dinjiteti njerëzor. Përballimi i saj kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim midis qeverisë, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar. Koha për ndryshim është në maj./ Revista Monitor 





Lajmet e fundit nga