LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Përfundon Samiti i BE-së/ Diskutimet në Bruksel

23 Qershor 2022, 14:28, Politikë CNA

Përfundon Samiti i BE-së/ Diskutimet në Bruksel

Në selinë e Bashkimit Europian (BE), ka përfunduar Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish europiane diskutuan me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.

Konferenca për shtyp pas pjesës hyrëse të samitit, ku pritej të flisnin liderët e vendeve të BE-së dhe që ishte planifikuar të mbahej rreth mesditës, u anulua.

Mësohet se shumë liderë janë shprehur në favor të liberalizimit të vizave dhe presin që kjo çështje të ngrihet në të ardhmen. Ky takim nuk ishte një mbledhje vendimmarrëse.

Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish pasditen e 23 qershorit për të diskutuar për zgjerimin. Krahas vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të merren edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të garës do të jetë mundësia e dhënies së dritës jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.

Nga Kosova në këtë takim mori pjesë presidentja Vjosa Osmani.

Gjatë fjalimit në samit, presidentja Osmani kërkoi që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke theksuar se kjo çështje “ka shkuar shumë larg”.

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-europian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha ajo, duke shtuar se është e vetmja lidere në këtë samit që është dashur të pajiset me vizë për të marrë pjesë në të.

Për t'i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj”, shtoi Osmani.

Presidentja Osmani, po ashtu, tha se vlerat e BE-së rrezikojnë të zhvleftësohen pa një perspektivë të qartë me rajonin. Sipas saj, mosintegrimi i vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Europën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur ndaj aktorëve dhe kërcënimeve malinje.

“Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Europës - dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë”.

Osmani deklaroi se lufta në Ukrainë ka shënuar një pikë kthese për kontinentin europian dhe se ka ripërcaktuar të ardhmen e tij.

Ajo duhet të jetë një shtysë për veprim të përshpejtuar nga BE-ja, ndaj atyre shteteve që synojnë të anëtarësohen, dhe më e rëndësishmja, atyre shteteve që përkasin këtu”.

Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit”.

Pritjet e opinionit kosovar nga samiti kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, pasi Kosova është i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes.

Vërehet se ka rritje të mbështetjes që liberalizimi të bëhet sa më shpejt, por nuk ka pasur indikacione konkrete se kjo do të mund të përfshihej edhe në dokumentet e samitit.

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, paralajmëroi se do ta ngriste çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit, si dhe në takimin tradicional që ajo ka me Këshillin Europian.

U takova me presidenten e Kosovës. Ishte qëndrim i qartë për pozicionin që fuqishëm kemi miratuar nga ky Parlament për liberalizim e vizave që duhet t’i jepet Kosovës. Kemi qenë dhe do të mbetemi të zëshëm në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Më herët, kryetari i Këshillit Europian, Charles Michel, theksoi se në BE ka një atmosferë gatishmërie për të ripërtërirë procesin me Ballkanin Perëndimor.

Michel konfirmoi se prioriteti kryesor i BE-së tani për tani është hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe vazhdimi i kontakteve intensive me Bullgarinë, për të dhënë dritën jeshile për fillimin e procesit.

Mirëpo, shefi i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha se është i zhgënjyer me mungesën e progresit në negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për pranim në BE.

Nuk jemi ku do të duhej të ishim me Ballkanin Perëndimor. Sot ne do të duhej të lansonim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim. Ende ka shpresa, nuk e di çfarë mund të bëjë Parlamenti bullgar në orët në vazhdim”, tha Borell.

Ai, gjithashtu, përmendi arritjen e marrëveshjes për energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dy ditë më parë. Ai paralajmëroi se “ndoshta deri në fund të muajit mund të kemi një mbledhje tjetër të nivelit të lartë në kuadër të dialogut”.

Kancelari gjerman, Olaf Sholc tha se samiti BE-Ballkani Perëndimor është një mundësi për të konfirmuar perspektivën e anëtarësimit të rajonit në familjen europiane.

Këto vende kanë punuar shumë në këtë drejtim dhe ne do të mundësojmë që kjo (anëtarësimi në BE) të ndodhë”, theksoi kancelari gjerman.

Para samitit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli lidhur me veton bullgare që ende po e pengon avancimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.

Është turp që një vend i NATO-s, Bullgaria, kidnapon dy vende tjera të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në mes të një lufte të nxehtë në Europë me 26 vende të tjera që rrinë pa lëvizur duke treguar një pafuqi të frikshme”, tha ai.

Rama foli edhe për iniciativën e "Ballkanit të Hapur" të iniciuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, duke e quajtur shumë të nevojshme.

“'Ballkani i Hapur' është përgjigjja e vërtetë në këtë situatë derisa rruga e integrimit (për në BE) do të vazhdojë sepse nuk ka alternativë tjetër, por shpirti europian duhet të ndërtohet në rajonin tonë, sepse nuk duhet ta lëmë rajonin të mbetet prapa. 'Ballkani i Hapur' është i hapur për të gjithë”, tha Rama.

Para gazetarëve, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se pret që t'i nënshtrohet sërish presionit për çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe deklaroi se ata që e ngrenë këtë çështje do të "marrin përgjigjen e tij".

Ne tashmë kemi votuar kundër agresionit në Ukrainë në OKB dhe mbështesim Ukrainën territoriale, ashtu siç mbështesim integritetin territorial të Serbisë, gjë që nuk është rasti me shumë anëtarë të BE-së”, tha Vuçiç në fillim të samitit. I pyetur se çfarë pret nga samiti i sotëm, Vuçiç është përgjigjur shkurt: “Asgjë”.

Përpara takimit të liderëve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha se ai pret që BE-ja të përsërisë angazhimin e saj për të vazhduar procesin e Bashkimit Europian dhe të krijojë parakushte për integrimin e parashikueshëm të Ballkanit Perëndimor në BE.

Gjithashtu, është paralajmëruar se kryeministri i Shqipërisë, Rama, ai maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të zhvillojnë konferencë të përbashkët për shtyp.

Në fund të samitit, sonte vonë, liderët do të miratojnë konkluzionet në të cilat, për herë të parë pas një kohe të gjatë, do të konfirmojnë "angazhimin e qartë për perspektivat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE" dhe do të bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesit i anëtarësimit.

Bashkimi Europian shpreh mbështetjen e plotë dhe të padyshimtë për perspektivën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në draftin e përgatitur për miratim në këtë samit.

Në këtë dokument, një paragraf i veçantë i është kushtuar edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe zgjidhjes së mospajtimeve bilaterale mes vendeve të rajonit.

Këshilli Europian rikonfirmon urgjencën për arritjen e progresit të dukshëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale dhe rajonale, në veçanti në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në këtë draft./ REL

Lajmet e fundit nga