web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kush do ta votojë Flor Binajn?

11 Tetor 2025, 13:38, Politikë REDAKSIONALE

Kush do ta votojë Flor Binajn?

Aktori i “Portokallisë”, prezantuesi i “Piranjave”, Flor Binaj, i cili është një kandidat i zyrtarizuar i opozitës për Bashkinë e Tiranës, ka bërë një dalje televizive ku ka shpalosur idenë e tij për fushatën, ka bërë një rrëfim ndryshe për veten, megjithëse nuk qe i pari, por këtë herë ishte në rolin e një kandidati.

Florjan Binaj është një emër që quhet i ardhur nga shoqëria civile (i pavarur), një kandidat i opozitës që mesa duket nuk di nga do t’i marrë votat, por më keq akoma nuk di se kë përfaqëson.

Së pari, është mbështetur si kandidat i pavarur, një tezë që Berisha e luajti politikisht si mjeshtër për të hequr përgjegjësinë e votave të PD-së, gjendjen e saj të vështirë që po kalon pas zgjedhjeve të vitit 2025, ku pësoi një humbje të thellë dhe më e rënda ndoshta që nga vitit 1997.

Flor Binaj bëri një dalje televizive dhe që në momentin e parë në televizionin që zgjedh ku do të përçojë mesazhin na tregon se është një kandidat i gabuar në vendin e gabuar.

Ai mund të jetë një familjar i shkëlqyer, një djalë shumë i mirë dhe punëtor, por një kandidat i Bashkisë së Tiranës, një njeri që kërkon të zërë vendin e Erion Veliajt, nuk mund të shkojë dhe të bëjë shfaqjen e parë të tij në televizionin në ortakëri me aferën e shekullit, me aferën e inceneratorëve, me inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston, ku janë paguar 130 milionë euro dhe nuk ka incenerator. Ka një grup të strukturuar kriminal për çështjen e landfillit të Tiranës të hetuar nga SPAK-u.

Megjithëse, gjërat ende nuk janë çuar deri në fund.

Një nga akuzat kryesore politike të opozitës dhe qëndrimet e një qytetari opozitar duhet të jetë pikërisht landfilli, një krim, një vjedhje, një monstruozitet që është atje në gjendje.

Ka dhe një viktimë, një djalë 17-vjeçar, Ardit Gjoklaj, dhe Flor Binaj zgjodhi të shkonte atje, te televizioni në ortakëri me inceneratorët, te grupi i strukturuar kriminal i inceneratorëve, atje ku njëri prej punonjësve akuzonte pronaren se ishte televizion gjobaxhinjsh apo vetë televizioni, i cili më pas thoshte se kishte larguar gjobaxhinjtë që kishin punuar aty për një kohë të gjatë.

Flor Binaj zgjodhi të shfaqej në këtë ekran. Kuptohet me G.D.-në që bën 3-4 punë njëherësh. Flor Binaj zgjodhi të fliste si një qytetar i pavarur, që e falënderonte Sali Berishën, që kandidonte dhe që nuk e donte Sali Berishën në fushatë.

A e di ky Flor Binaj se mirë apo keq Sali Berisha i urryer, i anatemuar, i sharë, ndoshta që duhet të ishte larguar nga politika, ka marrë peng PD-në siç kanë qejf të thonë disa, ka jo pak, por në ditën e tij më të keqe, 36% të votave të shqiptarëve?

Në vitin e zi në 1997, në gjysmën e Shqipërisë mori gati 30% të votave. Sali Berisha në ditën më të zezë ka 500 mijë vota. Këto ja kalonte edhe Lulit kur nuk përtonte të shkonte në seli.

Ku do t’i gjejë votat Flor Binaj, kush do ta votojë? Do ta votojnë Lapaj dhe Agron Shehaj, që kanë marrë në Tiranë 30 apo 40 mijë vota? Po gara nuk është për kaq, gara është për shumë më tepër.

Kush do ta votojë Florjan Binajn? Endri Shabani, që ka votues më pak sesa pasagjerë në një furgon? Kush do ta votojë? Qytetarët e lirë? Patjetër. Pjesa gri? Po sa është pjesa gri? A i ka parë ndonjëherë sondazhet, votimin, bojkotin, votën e djegur dhe votën që shkon te partitë e vogla, sa është?

Nuk shkon kurrë më shumë se 10-15 %. Shqiptarët janë të ndarë në kampe, janë tifozë në politikë. Kuptohet, procesi i votës nga inati për të votuar kundër, por në Tiranë mund të votojnë kundër Erion Veliajt, por nuk është më ai kandidat. Është një kandidat tjetër.

Ai që do të marrë votën kundër, duhet të ofrojë një shpresë.

Sa është kjo vota kundër? Është 10, 15 apo 20%, pjesa gri, gjithmonë është më pak se ajo që ka Berisha. PD, mirë apo keq, 30-36% të votave i ka gjithmonë dhe Flor Binaj do të duhet ta fillojë nga 30 e kusur % e sipër për t’u ngritur e për të marrë pjesën gri të votave.

Flor Binaj e nis nga 0%, e nis nga hiçi, le pastaj broçkullat me prishje flete votimi apo që s’do kryetarët e partive nga mbrapa duke vrarë militantët. Po vrave militantët s’ka fushatë, mbaroi, nuk ka shans.

Lulzim Basha nuk doli me Sali Berishën, por nuk e deklaroi që s’do të dilte me Berishën. PD dilte në takimet e saj, Lulzim Basha bënte fushatën e tij, por PD ishte makineria e pushtetit dhe nuk është situata e sotme.

Ka disa gjëra që kur i thua tregon se sa i mençur je.

Duke thënë se nuk do të dalë në fushatë me kryetarët, nuk do të dalë me këtë dhe atë, Florjan Binaj në këtë mesazh të parë që jep nga televizioni ortak me inceneratorët, i quajtur televizioni i gjobaxhinjve, ku do të shkojë?

Ku do t’i mbledhë votat? Kush do ta votojë Florjan Binajn pa PD-në nga pas, qoftë edhe pa Adriatik Lapajn nga pas, edhe pa Argon Shehajn nga pas?!

Endri Shabani mund të ketë 3 vota, por duhet t’ia japë Florjan Binajt se mund të ndodhë që të duan t’ua japin, por njerëzit ta dëgjojnë dhe të mos ua japin votën pikërisht për këto mesazhe dhe veprime që vijnë në një moment mjaft delikat të tij.

Dalja e tij mediatike televizive duhet të ishte shumë herë më e fortë, shumë herë më e qartë dhe një mesazh në distancë nga korrupsioni, në distancë nga inceneratorët, në distancë nga gjobaxhinjtë, kurse Flor Binaj zgjodhi të ishte atje, të fuste dhe një parullë se nuk do të dilte në fushatë me kryetarët e partive.

Binaj na tha se e kishte çuar votën dëm, e kishte pikturuar.

Çfarë është ky mesazh? Çfarë u thotë njerëzve? Si i motivon?

Të shkojnë demokratët, të shkojnë këta mbështetësit e këtyre kryetarëve që nuk i do në fushatë dhe ta pikturojnë votën siç e pikturoi votën Binaj, i cili nuk shkoi të votonte opozitën, por e prishi fletën e votimit.

Kush do t’ia japë votën po nuk thirrën ata elektoratin e tyre?

A mendon Flor Binaj se duke ndenjur Saliu në zyrë dhe duke thirrur 5 herë ‘votoni Florin, votoni Florin’ do ta votojnë? Për çfarë? Cila është arsyeja?

Se është më i zoti dhe më profesionist se Ogerta Manastirliu apo nga inati i Erion Veliajt? Apo se ka ndonjë platformë dhe strategji të madhe?

Bashkia e Tiranës nuk është “Portokalli”, atje ku Flori ka punuar dhe është paguar edhe nga reklamat dhe lekët e inceneratorëve, aferës së shekullit apo dhe të tjera afera që kanë ndodhur në atë media.

Ndaj dhe fillimi i Florit duket se është një autogol që në minutat e para të ndeshjes./ CNA





Lajmet e fundit nga