web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ermal Dredha, kundër Erion Veliajt

12 Shtator 2025, 15:08, Politikë CNA

Ermal Dredha, kundër Erion Veliajt

Dy ditë më parë u njoftua në mbrëmje nga mediat se Ermal Dredha, kryebashkiaku i Vlorës, kishte dhënë dorëheqjen. Ashtu siç e tha edhe kryeministri, të nesërmen në Asamblenë e PS-së, Ermal Dredha ishte europianizuar dhe diplomatizuar më shumë sesa duhet. Karriera e tij si ambasador e kishte zbutur atë shumë për Vlorën e ashpër dhe me shumë probleme që kërkon kryetar bashkie edhe më të ashpër, edhe më të fortë.

Përballë problematikave, kërkesave të kryeministrit apo mënyrës se si duhej qeverisur Vlora, Ermal Dredha zgjodhi si djalë intelektual dhe qytetar të tërhiqej.

Pra, megjithëse e kishte karrigen atje, pasi u përball për rreth dy vite me problematikat, u dorëhoq me një akt të mirëfilltë qytetarie. Është shumë e rëndësishme, kur një politikan, një i zgjedhur, di të japë dorëheqjen, në momentin kur ndihet i lodhur ose e shikon që nuk e përballon dot problematikën, nuk e zgjidh dot, është më shumë sesa duhet për të dhe një diplomat si Ermali dha dorëheqjen.

Përballë Ermalit qëndron rasti "Erion Veliaj".

Një qytetar në krye të karriges që jep dorëheqjen është Ermal Dredha dhe nga ana tjetër një emër tjetër në PS, Erion Veliaj, është i lidhur pas karriges. I shkon shumë fjalimi i Imzot Nolit për “Kolltukofagët”.

“Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim; mund t’i copëtosh, por jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë”, thoshte Imzot Noli.

Nuk largohet. Politikisht e shkarkoi kryeministri Rama. Ende nuk jep dorëheqjen. Por për më tepër i bën dhe karshillëk.

Lëshon Meron Bazen të thotë se duhet të japë konsensusin Erioni se ligji nuk e lejon.

Në fakt, PS ka nevojë që të drejtohet kryeqyteti, nuk mund ta lërë dy vite me një kryetar në burg që është kapur pas karriges së zyrës dhe e ka marrë e ka çuar në Durrës.

Erion Veliaj duhet të kishte dhënë dorëheqjen që ditën e parë që u ngritën akuzat nëse do të ishte po aq qytetar sa Ermal Dredha, për të çliruar veten, familjen dhe njerëzit e tjerë që po akuzohen, ndoshta dikush edhe pa të drejtë.

Duhet të kishte dhënë dorëheqjen për të çliruar të gjithë tensionin, jo të shkonte të prishte provat. Duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit apo Gjykata e Lartë që e lanë në burg.

Erion Veliaj duhet të kishtë dhënë dorëheqjen në çdo rast për të treguar të paktën dhe njëherë të vetme dinjitet dhe qytetari. Le të dorëhiqej, të përballej me akuzat dhe pastaj nëse do të dilte i pafajshëm të bënte betejën, të rikthehej ndoshta edhe më i fortë se kurrë.

Por ai është i lidhur pas karriges ashtu si “Kolltukofagët” me krimba që shkruan Imzot Noli. Nuk ka asnjë ndryshim.

Pra, kjo është përballja mes socialistëve, mes demokratëve, mes çdo politikani, ka individë, ka qytetarë dinjitozë si Ermal Dredha, ka dhe zdromsa si puna e Erion Veliajt.

Më poshtë po sjellim fjalimin e Imzot Nolit “Kolltukofagët” për të kuptuar a ka ndonjë ndryshim kryebashkiaku i Tiranës që ndodhet në burgun e Durrësit me këto që ka shkruar gati 100 vite më parë Imzot Noli.

Fan S. Noli, nga fjalimi i mbajtur në vitin 1925:

Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive.

Anarkia fetare: Katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

Anarkia sociale: Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burzhuazie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kemi një shembull të bukur për partinë popullore e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse anatarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.

Anarkia morale: Këtu qeni nuk e njeh të zonë, karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambicjet janë pa fre e pa kufi, i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

Anarkia patriotike: Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si patriotë të mëdhej ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartet e i kanë ndihmuar shenjtërojnë anë e mbanë Toskërinë. Këtu si më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikojë interesat e tij sepse kështu do të jetë i sigurtë që të nesërmen do të prokllamohet patriot i madh.

Anarkia e idealeve: Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buhares përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla më elegante e më të nderitshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim; mund t’i copëtosh, por jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë.

Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë; atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atëherë e kapi me dhëmbë e s’e lëshoj gjersa ja prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet të preç jo vetëm duart e kokën po dhe këmbët e trupin./ CNA

 





Lajmet e fundit nga