web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

DENONCIMI/ Shkeljet për pronën e Bollino-s, si përfitoi 4 mijë metra katrorë tokë

11 Janar 2024, 12:23, Politikë CNA
DENONCIMI/ Shkeljet për pronën e Bollino-s, si përfitoi 4
Carlo Bollino

Partia Demokratike njoftoi sot se ka bërë kallëzim penal ndaj Carlo Bollino-s dhe Edi Ramës për grabitjen e tokës “ish-Reparti i Orëve” me 4 VKM të qeverisë, tokë në të cilën sot Carlo Bollino ka ndërtuar godinën e televizionit.

Këlliçi, në një deklaratë për mediat, tregoi sipas tij si u ndryshuan VKM-të e qeverisë për t'i dhënë Carlo-s me qira 1 euro, 4 mijë metra katrorë tokë. 

Sipas Këlliçit, vetëm dy muaj pasi Këshilli i Ministrave me VKM Nr. 157, datë 19.02.2020, ia dha zotit Carlo Bollino të drejtën e qiramarrjes për katin e dytë të godinës, me një tjetër vendim, po Këshilli i Ministrave vendosi që kjo godinë të mos ekzistojë më, por të prishet.

"Kjo tregon se veprimtaria publike, që po realizohej sipas këtyre akteve, ishte dhënia e gjithë pasurisë publike me qira përpara prishjes së tyre, me qëllim që zoti Bollino të përftonte maksimalisht gjithë sipërfaqen e truallit funksional dhe nën objekt të tyre", u shpreh ai. 

Ish-deputeti denoncoi më tej se në korrik të vitit 2020 u miratua vendimi i Këshillit të Ministrave, ku u ndryshua objekti i kontratës së qirasë, ndërkohë që asnjë godinë e qiradhënësit shtet, tashmë nuk ekzistonte, sepse vetë qiradhënësi, me VKM kishte vendosur shëmbjen totale të tyre.

"Prandaj me datë 4 gusht 2020, firmoset një Aneks Kontratë e re ku si bazë ligjore është po e njëjta VKM e muajit korrik 2020, por tashmë fjala rikonstruksion total, zëvendësohet me ‘rindërtim jo më pak se sipërfaqja e godinës ekzistuese”. Kjo fjalë nuk përmendet në asnjë moment të VKM. Pas këtij fallsifikimi firmoset dhe zbardhja e lejes së ndërtimit, bazuar në po këtë Aneks Kontratë", u shpreh ai. 

Deklarata e plotë e Këlliçit: 

Të nderuar qytetarë,

Fillimisht dua ta nis me sqarimin se për cilat vepra penale janë kallëzuar Carlo Bollino dhe Edi Rama me shokë:

- “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

- ”Mashtrimet”, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal;

- ”Përpilimi i deklaratave të rreme”, parashikuar nga neni 163 i Kodit Penal;

- “Dhënia e informacioneve të rreme”, parashikuar nga neni 168 i Kodit Penal;

- ”Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal;

- “Përfitimi i paligjshëm i interesave”, parashikuar nga neni 257 i Kodit Penal;

- “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, parashikuar nga nenit 258 i Kodit Penal;

- “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal;

- “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, parashikuar nga neni 287/b i Kodit Penal;

- “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.

Por të futemi pak në detaje:

Pjesës së parë po i bie pak shkurt, pasi është ezauruar nga vetë z. Berisha në konferencat e tij të mëparshme.

Procedura nis me buletinin Nr.29 datë 22.07.2019 të Agjencisë së Prokurimit Publik, Ministria e Financave dhe Ekonomisë rezulton të ketë shpallur njoftimin për “Dhënien me qira të pasurisë 7/649 me sipërfaqe të përgjithshme 4021.5 m²”.

Me pas Anila Denaj shpall fitues Carlo Bollino-n, duke i propozuar Këshillit të Ministrave që Carlo të mos paguante më 6,300 euro qira në muaj, por ta përfitonte atë me vetëm 1 euro. Duhet thënë se ky ndryshim i VKM nr. 54, që i kursente zotërisë në fjalë qiranë, është bërë nga qeveria Rama.

Momenti kryesor nga ku fillon paligjshmëria është miratimi i lejes së ndërtimit me datë 13 janar, 2020. Këshilli Kombëtar i Territorit, me kryetar Edi Ramën, miraton një leje ndërtimi për një godinë të vetme. Kontrata e qirasë përcaktonte fare qartë se Carlo Bollino do të duhej të rikonstruktonte 3 godina, e më pas t’ia kthente ato shtetit shqiptar.

Pra, siç rezulton, kompania MTSC sh.p.k, në momentin e marrjes së lejes së ndërtimit në datë 13.1.2020, leje kjo e dhënë për ndërtimin e një godine unike, dhe jo rikonstruksionin e tri godinave të ndryshme ekzistuese shtetërore, siç parashikohej në kontratën e qirasë, kompania nuk dispononte të drejta pronësie apo qiramarrjeje, mbi katin e dytë të godinës kryesore, e cila i është dhënë kësaj kompanie vetëm me VKM Nr. 157, datë 19.02.2020, ndërkohë që leja e ndërtimit ishte dhënë 30 ditë më parë, në datë 13.1.2020.

Atëherë lind pyetja:

- Si e dinte KKT, që Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë, do të propozonte shumë shpejt një vendim, dhe ky do të miratohej nga Këshilli i Ministrave, për t’i dhënë zotit Bollino një sipërfaqe shtesë në godinat shtetërore?

- Si e dinte KKT, që godinat shtetërore që ishin dhënë me qira nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, do të prisheshin, me propozim të kësaj të fundit, ndërkohë që KKT ka dhënë lejen e ndërtimit më datë 13.1.2020, ndërsa prishja e godinës do të ndodhte 4 muaj më vonë?!!!

- Nëse leja e ndërtimit jepet nga KKT, në 13 janar 2020, a është ky akti që ka diktuar marrëdhënien e qirasë apo vetë ekzistencën e godinave shtetërore dhe njëkohësisht dhe fatin e truallit, dhe po ky akt me kryetar të organit z. Edi Rama, ai që ka urdhëruar zonjën Anila Denaj, që të ndryshojë kushtet e kontratës e më pas vetë ekzistencën e godinave në shkelje të urdhërimeve të ligjit?!

Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.368 , datë 6.5.2020, “Për shembjen e tri objekteve të dhëna me qira është vendosur:

1. Shembjen e 3 objekteve me emërtimet “Objekti nr.1” 2 kat, “Objekti nr.2” 1 kat, “Objekti nr.3” 1 kat, me sipërfaqe totale ndërtimore 2497.06 m2, të dhëna me qira me kontratën e qirasë nr.2604 rep, nr.727 kol, datë 14.10.2019, me tarifen 1 euro kontrata, ndryshuar me anekskontratën nr. 479 rep, nr.189 kol, datë 28.02.2020, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës , dhe shoqërisë “MTSC” , sh.p.k, si qiramarrës.

Pra, vetëm dy muaj, pasi Këshilli i Ministrave me VKM Nr. 157, datë 19.02.2020, ia dha zotit Carlo Bollino të drejtën e qiramarrjes për katin e dytë të godinës, me një tjetër vendim, po Këshilli Ministrave vendosi që kjo godinë të mos ekzistojë më, por të prishet.

Kjo tregon, se veprimtaria publike, që po realizohej sipas këtyre akteve, ishte dhënia e gjithë pasurisë publike, me qira përpara prishjes së tyre, me qëllim që zoti Bollino të përftonte maksimalisht gjithë sipërfaqen e truallit funksional dhe nën objekt të tyre.

Me pas, konkretisht, në korrik të vitit 2020 miratohet vendimi i Këshillit të Ministrave, VKM 589 datë 22.07.2020.

Përmes kësaj VKM-je, ndryshon objekti i kontratës së qirasë, ndërkohë që asnjë godinë e qiradhënësit shtet, tashmë nuk ekzistonte, sepse vetë qiradhënësi, me VKM kishte vendosur shembjen totale të tyre.

Atëherë lind pyetja: Cila është ajo pasuri publike, që zoti Bollino kishte të drejta qiraje dhe do të rikonstruktonte për ndërtimin e një televizioni me kushte bashkëkohore?!

Për të mbuluar sado pak këtë injorancë/makutëri në shpërdorimin e pasurisë publike, rezulton se Këshilli i Ministrave është investuar sërish për të plotësuar, aktet rregullatore, në kushtet kur objekti i qiradhënies nuk ekzistonte më.

Konkretisht me propozim të zonjës Anila Denaj, Këshilli i Ministrave, miraton VKM nr. 589 datë 22.07.2020, përmes të cilës ndryshon Nenin 2 të kontratës së qirasë.

Pra Neni 2 “Qëllimi i Përdorimit” dhe pika 5.7 e nenit 5 “Të drejtat dhe detyrimet e qiramarrësit”, fjalët “rikonstruksion total” zëvendësohen me “rikonstruksionin minimalisht të totalit”.

Pra lind pyetja: Në kushtet kur objekti u shemb, cili nga objektet do të rikonstruktohej, dhe sipas Këshillit të Ministrave, në mënyrë “minimalisht të totalit”?!

Kjo lloj zgjidhje tregon se Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave, përpiqen të mbulojnë paligjshmërinë flagrante të veprimeve të tyre, në shërbim të zotit Bollino dhe televizionit të rij, “të pavarur”!

Në këtë moment ndodh dhe paligjshmëria me flagrante. Në datën 24 korrik të vitit 2020, pas miratimit të VKM, firmoset Aneks Kontrata mes Ministrisë së Financave dhe subjektit MTSC. Por kjo kontratë nuk shërbente për zbardhjen e lejes, pasi gjithmonë flitej për rikonstruksion të godinave që tashmë ishin prishur, po me vendim të firmosur nga Edi Rama.

Prandaj me datë 4 gusht 2020, firmoset një Aneks Kontratë e re ku si bazë ligjore është po e njëjta VKM e muajit korrik 2020, por tashmë fjala rikonstruksion total, zëvendësohet me ‘rindërtim jo më pak se sipërfaqja e godinës ekzistuese”. Kjo fjalë nuk përmendet në asnjë moment të VKM. Pas këtij falsifikimi firmoset dhe zbardhja e lejes së ndërtimit, bazuar në po këtë Aneks Kontratë.

Te nderuar qytetarë,

Kallëzimi ka në brendësi dhe shumë fakte të tjera ku përfshihen dhe tentativat e Bashkisë Tiranë, si administratore fillestare e pronës, për ta dhënë dy herë me qira.

Do t’i duhet SPAK-ut të faktojë nëse dhe në rastin e Bashkisë Tiranë, kjo proneë do t’i jepej Carlo Bollino-s.

Një tjetër komponent i rëndësishëm i këtij kallëzimi janë dhe paratë e përfituara nëpërmjet kompanisë bijë C-7 Integrated Communication Systems nga tenderët publikë të AKSH-it.

I bëjmë sërish thirrje SPAK-ut, që të hetojë me përparësi këtë dosje, e cila është e mbushur plot me fakte të pakontestueshme dhe e cila do të shërbejë për të hedhur dritë mbi mënyrën mafioze se si kreu i qeverisë Edi Rama, blen dhe përdor mediat e vendit, për teë goditur opozitën dhe kundërshtarët e tij politikë, me falsifikime qeveritare dhe para të inceneratorit fantazmë të Tiranës./CNA 





11:23 Politikë

Luli bëhet trim

Lul Basha është bërë trim. Sot gjumashi dhe ekselenti...

Lajmet e fundit nga