web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Debat i nxehtë/ Këlliçi përballet me Hoxhën për AKSHI-n dhe mesazhet fyese

4 Maj 2026, 16:34, Politikë CNA

Debate dhe akuza të forta politike shoqëruan mbledhjen e sotme të Komisionit të Jashtëm, ku ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u thirr për të dhënë shpjegime mbi disa çështje lidhur me ecurinë e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, raportin IBAR, si dhe polemikat e krijuara pas një editoriali të përbashkët të kryeministrit Edi Rama me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Përplasja më e fortë ndodhi mes deputetit të opozitës, Belind Këlliçi, dhe ministrit Hoxha, lidhur me një konflikt të mundshëm interesi në çështjen e AKSHI-t, për të cilën po heton SPAK.

Këlliçi ngriti shqetësimin për përfshirjen e një të afërmi të ministrit në hetime, duke vënë në dyshim paanshmërinë e tij në raport me institucionet e drejtësisë.

“A jeni në konflikt interesi në lidhje me një vendim të bërë publik nga GJKKO një muaj më parë për caktimin e masës së sigurimit pasuror për një sërë personash në skandalin e AKSHI-t, ku prokurorët e SPAK kanë regjistruar emrat e personave ndaj të cilëve po zhvillohen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025? Mes emrave përmendet edhe zoti Gëzim Hoxha, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Po flasim për një organizatë në nivelin më të lartë të organizimit. Nuk mund të jeni i paanshëm në qëndrimin tuaj ndaj institucioneve të drejtësisë dhe në raport me grupkapitullin e parë që lidhet me gjyqësorin, lirinë, drejtësinë dhe sigurinë”, tha Këlliçi.

Në përgjigje, Hoxha mohoi çdo lidhje me çështjen, duke theksuar se nuk është i përfshirë dhe se mbështet plotësisht organet e pavarura të drejtësisë.

“Kam mbështetje të pakushtëzuar për organet e pavarura të drejtësisë. SPAK bën punën e vet dhe unë nuk diskutoj as vendimet e SPAK-ut, as ato të gjykatës. Organet e drejtësisë janë ngritur me konsensus nga Parlamenti. Lidhur me një hetim të caktuar që është bërë publik, duhet të respektojmë prezumimin e pafajësisë për këdo. Nuk ka arsye të më pyesni mua për një çështje ku nuk jam i përfshirë, as unë dhe as familja ime e ngushtë. Nuk kam lidhje me familjen e gjerë; fisi im është shumë i madh. Edhe në Malësi të Madhe, po të shkojmë, mund të gjejmë gjysmën e fisit tim atje. Linçimi publik, fajësimi kolektiv dhe baltosja përmes biografisë janë praktika që kjo shoqëri i ka lënë pas 36 vite më parë. Nuk kam asnjë lidhje me atë dosje dhe askush nuk mund të më baltosë. Mos përmendni familjarët. Nëse keni diçka për mua, urdhëroni. Dënimi kolektiv për shkak të biografisë ka qenë një nga gjërat më të shëmtuara të së kaluarës. Nëse kjo vazhdon ende, kjo nuk ka të bëjë me mua, por me ata që e mbajnë këtë mentalitet”.

Debati vijoi edhe për një tjetër çështje, ku Këlliçi e akuzoi ministrin për mesazhe fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Dhjetë ditë më parë kam bërë publik një mesazh, i cili, kur më erdhi, më detyroi ta verifikoja. Kam nxjerrë foto të plota të postimit tuaj, orarin kur e keni fshirë mesazhin dhe momentin kur keni dalë zyrtarisht nga grupi i ambasadorëve në WhatsApp. Cili është komenti juaj për këto mesazhe të publikuara? Për herë të parë në 36 vite kemi të bëjmë me një fyerje ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. A i qëndroni deklaratës së Ministrisë së Jashtme se mesazhet janë të fabrikuara, apo pranoni se janë të vërteta dhe mbani një qëndrim korrektues duke kërkuar falje publike?”, pyeti Këlliçi.

Hoxha i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se qëndrimet e tij zyrtare nuk shprehen përmes mesazheve apo rrjeteve sociale, por vetëm përmes kanaleve institucionale.

“Kam takuar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për të sqaruar se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Qëndrimet e mia si ministër dhe ato të Ministrisë së Jashtme nuk shprehen përmes SMS-ve, Signal-it apo WhatsApp-it, por vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe deklaratave të autorizuara. Vetëm këto përbëjnë qëndrime zyrtare”, u shpreh ai./ CNA





Lajmet e fundit nga