web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mesazhi i SHBA për SPAK, shuplakë për 99-çat dhe “vullnetarët” e Enverit

4 artikuj për këtë temë.

2 VITE ME PARE

SI BIE SKEMA E QEVERISË PËR TË KONTROLLUAR SPAK-un

Mesazhi i SHBA për SPAK, shuplakë për 99-çat dhe

Mazhoranca po synon të bëjë një komision 'Ad Hoc' për të kontrolluar SPAK-un dhe institucionet e pavarura. Një komision që po përgatitet nga një grup pune i PS-së me në krye Eduart Shalsin. (Lexo Ketu)

Më pas ky komision 'Ad Hoc' i drejtuar nga Fatmir Xhafaj dhe një grup 99-çash të Rilindjes po tentojnë të thërrasin në apel SPAK-un apo të kryejnë veprime, të cilat mund të shkojnë te propozimet ligjore në lidhje me SPAK-un apo aktivitetin e tij.

Kjo është dhe ajo që ka alarmuar ndërkombëtarët që po tregojnë një mbështetje të hapur për Dumanin, por dhe vetë kreun e SPAK-ut, i cili e ka thënë përmes rreshtash.

Në fakt me gjithçka që po ndodh, ajo që pritet më shumë nga të gjithë është lufta e SPAK-ut ndaj korrupsionit apo veprimet për të cilat inkurajohet Altin Dumani që në fakt sot ka theksuar dhe diçka tjetër, për 'flirtet' me politikën apo për të shkuar më tej për bashkëpunimet apo 'flirtet' e tyre dhe me krimin.

Dumani ndodhet prej një viti në krye të SPAK-ut dhe dikush e sheh me rezultate të shumta, dikush më të pakta, thelbi është: 'A kemi një sistem drejtësie pas reformës që po jep rezultate apo kemi thjesht dhe vetëm në krye të SPAK-ut dhe disa bashkëpunëtorë të tij, njerëz me integritet, të cilët nuk pranojnë të bëhen pis me llumin politik të korrupsionit?'

Nga ana tjetër ajo që pritet nga opinioni publik janë rezultatet, jo thjesht dhe vetëm me veprimet e ndodhura deri më tani ku shumica në bankën e të akuzuarve nën hetime janë pjesë e opozitës, përfshirë këtu, Ilir Metën, Fatmir Mediun, Sali Berishën e të tjerë apo ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i cili është në arrati dhe dosja iu kopsit një vit pasi kishte lënë detyrën dhe ishte ngopur me dardhat që i hidhte kryeministri Rama.

Nga SPAK duhet aksioni dhe shpartallimi i tentativës të mazhorancës për të kontrrolluar apo ndërmarë iniciativa ligjore kundër SPAK./ CNA

 

2 VITE ME PARE

ËSHTË KOHA E SPAK

Mesazhi i SHBA për SPAK, shuplakë për 99-çat dhe
SPAK

Tani nga SPAK-u pritet vërtet më shumë. Ndërkombëtarët kanë folur dhe shumë madje. Mbështetje e pa kufijshme për Altin Dumanin dhe SPAK, jo vetëm të huajt por edhe shumica e mediave dhe shqiptarët. Kuptohet politika kundër kush hapur e kush me kulisa komisionesh 'Ad Hoc'.

Pritet që të veprojë, jo për pak, por për disa dosje siç janë pronat e ushtrisë, ku gjeneralët e përfshirë në atë dosje hetimore janë rritur në detyra apo dosja 'McGonigal', ku e pamë nga 'Zëri i Amerikës' që kishim të bënim me korrupsion, pamë pretencën, bashkëpunëtorë drejtësie. Inceneratorët një dosje e plotë me mijëra dokumente që çon korrupsionin lart, shumë lart.

McGonigal është korrupsion pasiv, kush është korrupsioni aktiv i tij?

Inceneratorët janë thjesht disa drejtora e specialistë?

Pronat e ushtrisë i vodhën disa ushtarë?

Çështje e pyetje ka pafund, koha ikën vrapon.

Dosja është në SHBA, mjafton përkthimi dhe akuza duhet ngritur. Dosja e inceneratorëve është një mal i madh i zbërthyer tashmë.

Duhet të priten rezultate, duhet të jenë konkrete. Nuk duhet të ngelen thjesht dhe vetëm te Saliu në papafingo, Mediu që justifikon Gërdecin, hetimet për Liken dhe për Monikën.

Rezultatet duhet të jenë më konkrete, përtej presionit politik, pakënaqësive të Ramës, se duhet të hanin këta të opozitës, që në fakt ndaj shumicës është vepruar më shpejt nga SPAK-u dhe pushteti, por përfaqësuesi i ambasadës thotë një fjali: 'Korrupsioni është kudo' dhe është pushteti që e bën korrupsionin.

Nuk mund ta bëjë opozita tashmë korrupsionin. Ato që ka bërë opozita duhet të marrin ndëshkim, por duhen pritur akte dhe vepra, procedura dhe ndëshkime konkrete për korrupsionin për atë të cilin ambasada thotë që ndodhet kudo.

Për ta ruajtur SPAK-un si xhevahir, patjetër, sepse çdo goditje që mund t?i jepet korrupsionit të tanishëm frenon dhe sjell një të ardhme më të qetë për SPAK-un dhe një Shqipëri më të mirë dhe më të sigurt dhe qytetarët me më shumë besim te institucionet e drejtësisë.

Është koha për veprim nga SPAK-u. Këtë e thotë BE-ja, këtë e thotë ambasada e SHBA-së, këtë e thotë dhe vetë Dumani: 'Po veprojmë, po veprojmë.'

Fatkeqësisht aleati më i keq i Dumanit është koha. Por koha ikën me shpejtësi dhe me të njëjtën shpejtësi duhet të ecë SPAK-u, dhe vetë Dumani e bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, për të dhënë rezultate konkrete, për të mos pasur më fjalinë: 'Korrupsioni në Shqipëri është kudo'.

Patjetër që është në nivelet më të larta dhe ka shkuar kudo, por mund të çmontohet me rezultate konkrete nga SPAK-u dhe koha është tani./ CNA

 

2 VITE ME PARE

Si lexohen MESAZHET E DIPLOMATËVE PËR SPAK-un

Mesazhi i SHBA për SPAK, shuplakë për 99-çat dhe
Altin Dumani, SPAK

Sot nga Shkodra, David Backman, këshilltari ligjor i ambasadës amerikane, deklaroi se SPAK-ut i duhet dhënë më shumë kurajë, është një institucion i mrekullueshëm, etj.

Po të lexojmë në ligjëratë të drejtë çfarë ka thënë përfaqësuesi i ambasadës së SHBA-së, ne kuptojmë disa gjëra.

Përtej komentit, ai thekson se: 'SPAK-u është i mrekullueshëm dhe i duhet shumë një vendi me korrupsion si Shqipëria. SPAK-u është i rëndësishëm, ndaj edhe e shihni çdo ditë në TV, teksa i referohen mediat dhe politikanët. SPAK-u mund të bëjë akoma diçka më shumë dhe jam i sigurt dhe ne e presim këtë. Ju të rinjtë mund të ndryshoni kulturën bazike të integritetit sepse SPAK-u nuk mund ta bëjë i vetëm. Jua them me siguri se SPAK-un e kanë zili shumë shtete të tjera që nuk e kanë si strukturë. SPAK-u duhet ruajtur si xhevahir në Shqipëri. Është e vërtet që SPAK-u është një institucion i mbingarkuar, por me një shoqëri më të mirë situata në vend mund të përmirësohet dhe SPAK-u mund ta ketë më të lehtë. Korrupsioni është kudo'.

MESAZHET E DIPLOMATËVE PËR SPAK-un

Qartazi, ashtu siç CNA ka raportuar, SPAK-u duhet mbështetur, por ambasada amerikane inkurajon për më shumë veprime. Thotë se është një xhevahir që duhet ruajtur, por thekson se korrupsioni është kudo.

Ka dhe një detaj tjetër, nuk mund t?i bëjë të gjitha vetëm SPAK-u, por përtej mbështetjes që jep, ai kërkon që të shkohet më tej.

Kjo është për sa i përket këshilltarit David Backman. Por ka qenë edhe vetë Altin Dumani, i cili ka theksuar atë që CNA ka raportuar disa ditë më parë.

Ai deklaroi se nuk i bënte përshtypje presioni i politikës, por problem për Dumanin është retorika politike, e cila mund të kthehet në diçka konkrete nëse nëpërmjet ligjeve bëjnë diçka për të kontrolluar SPAK-un.

'Presioni i politikës nuk na bën përshtypje fare dhe kemi zgjedhur që ta bëjmë këtë punë. E kemi ditur se do ndeshemi me këto situata dhe mua nuk më bën përshtypje, por as prokurorëve dhe problemi është nëse retorika politike kthehet në diçka konkrete, nëse përmes ligjeve bëjnë diçka për të na kontrolluar', nënvizoi Dumani.

Pra, sot Altin Dumani ka marrë një tjetër mbështetje nga ndërkombëtarët dhe kanë qenë këta të fundit, direkt ambasada e SHBA-së, që ka kthyer një përgjigje për qeverinë shqiptare.

Ashtu siç reaguan ambasadorët e 27 vendeve të BE-së, (Lexo ketu)sot ka qenë përfaqësuesi ligjor i ambasadës së SHBA-së, që i ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë mazhorancës, Eduart Shalsit, Elisa Spiropalit, por edhe Fatmir Xhafajt dhe 'vullnetarëve' të tij të Enverit dhe 99-çave të Rilindjes që janë fshehur e nuk po thonë të vërtetën./ CNA

 

2 VITE ME PARE

Shalsi bën Shvejkun/ Nuk do ta hetojmë SPAK-un, por do ta kontrollojmë SPAK-un

Mesazhi i SHBA për SPAK, shuplakë për 99-çat dhe
Eduart Shalsi

Kryetari i grupit informal të punës, që po përgatit një draft në Kuvend për ngritjen e një komisioni “Ad-Hoc” për të kontrolluar institucionet e pavarura, është kthyer në rolin e Shvejkut.

Shalsi ka folur sërish pas publikimit të lajmeve nga CNA, ku fillimisht Lindita Nikolla në Shëngjin u tha se duhej një strukturë e posaçme që të kontrollonte institucionet e pavarura e kryesisht SPAK-un dhe këtu lindi komisioni “Ad-Hoc”.

Më pas mekanizmat e kontrollit, të thëna nga Bledi Çuçi, kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Më tej, dalja e Eduart Shalsit në “Top Channel”-in e inceneratorëve dhe dje në një tjetër media, duke theksuar sërish se nuk do të ketë një hetim për institucionet e pavarura, por do të ketë një kontroll ndaj tyre, rritje të kapacitetit të Kuvendit dhe performancës që duhet të kenë në kuadër të integrimit në BE.

Qëndrimet shvejkjane të Shalsit

Eduart Shalsi është i njohur për qëndrimet e tij shvejkjane, që nga videoja e famshme që po e risjellim këtu, deklaruar sërish te “Top” inceneratori për vjedhjen mjeshtërore që do të vinte me pushtetin e Rilindjes, e deri tek ajo që “nuk do të hetojmë, por do të kontrollojmë institucionet e pavarura”, duke mohuar atë që pranon.

Vetëm Shalsi mund ta bëjë këtë dhe askush tjetër, duke u shfaqur disa herë publikisht dhe duke ripërmendur të njëjtin budallallëk, në të njëjtën formë dhe duke e bërë edhe më të besueshme atë që është artikuluar.

Skema me komisionin “Ad-Hoc”

Ajo që CNA ka thënë është se duke u fshehur pas gjoja një kontrolli ndaj institucioneve të pavarura, mazhoranca po kërkon të krijojë një komision “Ad-Hoc” për të hetuar SPAK-un, KLSH-në, KLGJ-në, KLP-në, Prokurorinë e Përgjithshme, të gjitha institucionet e pavarura, të cilat kanë marrëdhënie të qartë ligjore me Parlamentin kur bëjnë raportet, çfarë raportojnë, kush i kontrollon dhe si kontrollohen.

Nuk ka të drejtë asnjë komision “Ad-Hoc” të merret me punët e prokurorisë, të institucioneve të pavarura, sepse merret në rastet e veçanta thjesht dhe vetëm duke krijuar një komision hetimor parlamentar, të cilat mazhoranca e Rilindjes i shkriu me ligj, i ndaloi.

Pra, shpiket një komision “Ad-Hoc” gjoja për struktura, kapacitete, punësime, etj., duke dashur të bëhet një furtunë në administratën e institucioneve të pavarura e kontrolluar kjo nga mazhoranca dhe nga ana tjetër, në emër të saj të sulmohet SPAK-u, të sulmohet KLSH-ja, të sulmohet Prokurori i Përgjithshëm dhe institucionet, të cilat e kanë të përcaktuar qartë në ligj mënyrën se si u ndërtohet struktura, kush i emëron dhe ku raportojnë, ku nuk përjashtohet dhe parlamenti.

Shalsi dhe komisioni i 99-çave me “vullnetarin” e Enverit

Shalsi sillet si Shvejku: “Nuk do të hetojmë, por do të kontrollojmë, do të shikojmë”.

Çfarë pune ka parlamenti që nëpërmjet një komisioni me 99-ça dhe “vullnetarë” Enveri të Partisë Socialiste të shohë se çfarë bën Prokurori i Përgjithshëm apo SPAK-u?

Është e përcaktuar në ligj se kush i kontrollon. Ka ILP, ka KLD, ç’punë ka Eduart Shalsi që nëpërmjet Fatmir Xhafajt, 99-çave apo “vullnetarëve” të tij t’i vërsulen KLSH-së, KLGJ-së apo KLP-së, të cilat duhet të kontrollojnë institucionet e tjera?

Mesazhi i SHBA për SPAK, shuplakë për 99-çat dhe
Enver Hoxha dhe Fatmir Xhafaj

Ngritja e këtij komisioni është thjesht dhe vetëm një sëpatë mbi kokën e institucioneve kushtetuese, të cilat veprojnë në mënyrë të pavarur duke kontrolluar, hetuar dhe zbatuar ligjin dhe duhet të jenë gjithmonë oponente në qeverisje, por mesa duket me skema shvejkjane është gjetur zgjedhja.

Një komision “Ad-Hoc” me 99-ça dhe “vullnetarë” Enveri, të sulmojmë SPAK-un, të sulmojmë institucionet e pavarura, gjoja në emër të integrimit në BE dhe këtë më mirë se kushdo tjetër mund ta bëjë “vullnetari” i parafundit i Enverit, Fatmir Xhafaj, bashkë me çetën e 99-çave të lali Erit./ CNA





21:22 Live Updates

Inceneratorët

Inceneratorët dhe Vjollca Hoxha, një histori...

Lajmet e fundit nga