Gazetari me armë dhe drogë u la i lirë/ Sa para mori prokurori i Lazes që nuk apeloi vendimin

Në maj të vitit 2021, gazetari Elio Laze është arrestuar për armëmbajtje dhe drogë.
Por pavarësisht kësaj, ka arritur t’i shpëtojë burgut në mënyrë të dyshimtë.
Ai është lënë nga gjykata i lirë dhe prokurori Artan Lulaj nuk e ka ankimuar në Apel vendimin e Gjykatës së shkallës së parë.
Duke ngritur kështu dyshime se prokurori Lulaj ka marrë ryshfet për të mos e kryer detyrën e tij.
Lulaj është shkarkuar nga Vettingu me 13 janar të vitit 2022, jo vetëm për aspektin profesional, por edhe në lidhje me pasurinë.
Sipas KPK-së, Lulaj nuk kishte qenë bashkëpunues, ndërsa nuk kishte kthyer disa përgjigje, nuk kishte vënë në dispozicion dokumente dhe kishte refuzuar të bënte transparencë mbi pasurinë e së bijës.
Deri më tani nuk ka një hetim nga SPAK-u në lidhje me pasurinë e Lulajt.
Roli i prokurorit përballë gazetarit të armatosur
Në kohën që çështja e gazetarit Elio Laze ka mbërritur në Gjykatë për masën e sigurisë, është zhdukur një nga dy akuzat që rëndonin mbi të.
Ai është dërguar në Gjykatë për masë arrestimi, vetëm me akuzën për “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”, të parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe duke zhdukur akuzën "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” të parashikuar nga 283 i Kodit Penal.
Me datë 31.05.2021, Gjykata nëpërmjet gjyqtarit Besnik Hoxha, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova që personi nën hetim, Elio Laze, mund të ketë kryer veprën penale të parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal, çka përmbush kushtin e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova, i përcaktuar nga neni 228/1 i Kodit të Procedurës Penale, si kusht për caktimin e masës së sigurimit.
Por papritur Laze është sëmurë dhe përveçse i është hequr dhe një akuzë, ai është lënë edhe i lirë.
Ka qenë prokurori Artan Lulaj që ka kërkuar ndryshimin e objektit të kërkesës lidhur me caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Elio Laze nga ajo e “arrestit ne burg” në atë të “arrestit në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 I K.Pr.Penal.
Pra, fillimisht është zhdukur një nga akuzat, më pas është sëmurë Elio Laze, është “zbutur” prokurori Artan Lulaj dhe përfundimi, asnjë ditë burg për gazetarin e kapur me armë dhe drogë./CNA.al







