web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Qasja e butë e Makron ndaj vendeve autokrate do ta shkatërrojë NATO-n

11 Qershor 2023, 20:00, Kosova & Bota CNA

Qasja e butë e Makron ndaj vendeve autokrate do ta shkatërrojë

Për një njeri që bën vazhdimisht deklarata idiote, Emanuel Makron nuk është një budalla. Ai e kupton shumë mirë se kufizimet e shtrirjes së ndikimit apo gjeografisë nuk vlejnë më në botën e ndërlidhur të shekullit XXI-të, ku kërcënimet ndërkombëtare nuk mund të ndahen sipas rajoneve.

Gjysmëpërçuesit tajvanezë dhe kalimet tregtare të Paqësorit - dhe ndërprerja e mundshme e prodhimit të tyre - janë po aq të rëndësishëm për Evropën sa janë për Japoninë, Australinë, Indinë dhe SHBA-në. E megjithatë ky realitet dhe vetëdija e Makron, nuk e ka penguar aspak presidentin francez, që të përpiqet të bllokojë ngritjen e një zyre të NATO-s në Tokio, e para e aleancës në Indo-Paqësor, me justifikimin se është gjeografikisht larg.

Sigurisht, ky justifikim patetik nuk është arsyeja e vërtetë e kundërshtimit të tij. Përkundrazi, kjo deklaratë buron nga dy çështje të interesit të pastër vetjak. Së pari, Makron shpreson të shmangë çdo gjë që mund të rrisë tensionet me Pekinin, veçanërisht pas përpjekjeve të tij për t’u afruar më shumë me Xi Jinping, për shkak edhe të kompanive franceze.

Kjo qasje ka bërë që francezët të distancohen nga përpjekjet e SHBA-së për t’u shkëputur në maksimum marrëdhëniet tregtare me Kinën. Dhe kjo është arsyeja që pas vizitës së tij të fundit në Pekin, Makron sugjeroi që Evropa të tërhiqet nga mosmarrëveshja mbi Tajvanin, për të shmangur shndërrimin në një “vasale” të amerikanëve.

Kjo neveri e shprehur hapur ndaj SHBA-së, na çon në pikën e dytë të interesit vetjak: Makron dëshiron që të udhëheqë një Evropë strategjikisht autonome nga Amerika dhe NATO, të cilën pak vite më parë e cilësoi në “gjendje kome”, edhe pse nga ana tjetër nuk është në gjendje të pëballet me koston që do të sillte një lëvizje e tillë.

Disa thonë se ai do të vazhdojë me këtë fiksim jorealist, i nxitur nga mendjemadhësia dhe jo nga politika reale, edhe pse fakti i varësisë evropiane nga Uashingtoni ka ridalë sërish në pah për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Por disa të tjerë e kanë të vështirë të mos dyshojnë se fshihet ndonjë motiv tjetër. Makron është ende i zemëruar nga përjashtimi i Francës nga pakti AUKUS, dhe prishja e marrëveshjes së shitjes tek Australia të nëndetëseve të saj me naftë, në favor të nëndetëseve bërthamore britaniko-amerikane.

Reagimi i papërmbajtshëm i Parisit ndaj këtij zhvillimi, përfshirë tërheqjen e ambasadorit të Francës në Kanbera, zbuloi një qëndrim të ngjashëm me atë që mund të shohim tani: krenaria tregtare dhe kombëtare e mposht sensin e përbashkët strategjik.

Si për t`i bërë gjërat më keq në sytë e Makron, duket se AUKUS do t’i bashkohet së shpejti edhe Japonia. Hapja e një zyre të NATO-s në Japoni nuk përbën anëtarësimin e kësaj të fundit në aleancë.

Ajo është një mjet për rritjen e ndërlidhjes dhe forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, të dyja kaq të rëndësishme përballë armiqësisë në rritje kineze në të gjithë rajonin, veçanërisht ndaj Tajvanit dhe Deteve të Kinës Jugore dhe Lindore. Po ashtu dërgon një mesazh të rëndësishëm për Xi Jinping, i cili e kupton se parandalimi politik (një demonstrim i vullnetit) është të paktën po aq i rëndësishëm sa parandalimi ushtarak (një demonstrim i aftësisë).

Në këtë kontekst, është domethënës një refuzim i mëparshëm i Francës për të bashkëpunuar me NATO-n. Në vitin 2008, Parisi hodhi poshtë një propozim të mbështetur nga SHBA-ja për ta vendosur Ukrainën në rrugën e anëtarësimit në aleancë. Nëse procesi do të kishte ecur përpara, ndoshta Putin nuk do të kishte nisur luftën e tij me Ukrainën në vitin 2014 dhe as pushtimin e plotë vitin e kaluar.

Në atë kohë qëndrimi i Francës u diktua nga frika se mos zemëronte Rusinë; dhe ishte po aq i gabuar sa frika e dukshme aktuale e Makron se mos e zemëron Kinën. Por zbutja e raporteve me XI nuk do të funksionojë sot më shumë sesa me Putinin në atë kohë.

Megjithatë, Makron do të marrë disa lëvdata nga Pekini, siç ka ndodhur tashmë. Të hënën, drejtor i Komisionit të Punëve të Jashtme të Partisë Komuniste Kineze, Wang Yi, e vlerësoi shumë vizitën e Makron në Pekin dhe për “konsensusin strategjik” midis dy vendeve.

Gjithashtu, ai sugjeroi se Franca dhe Kina kishin koordinuar pozicionet e tyre përkatëse mbi Ukrainën. Le të shpresojmë që kjo nuk ishte më shumë sesa një mirësi diplomatike, sepse të gjithë e dinë se pozicioni i Kinës për çdo marrëveshje paqeje në Ukrainë do të anojë vetëm nga kushtet e Putinit.

Udhëheqësit më të përgjegjshëm të NATO-s duhet t’i kujtojnë zoti Makron se Kina i sheh gjërat me një lente cinike. Veprimet e saj po e dobësojnë rendin ndërkombëtar liberal, nga i cili përfiton çdo demokraci perëndimore, përfshirë Francën. Nëse fuqizojmë Xi Jingping do të jetë e pamundur të godasim Putinin. Që të dy ata punojnë së bashku dhe po së bashku duhet të sfidohen.

Shënim:Koloneli Richard Kemp është një ish-oficer i Ushtrisë Britanike. Ka qenë komandant batalioni i këmbësorisë në misionet paqe-ruajtëse në Bosnje, Irak dhe Afganistan./ Pershtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga