web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Perëndimi nuk duhet t’u nënshtrohet shantazheve/ Asgjë nuk e shmang disfatën e Putinit

13 Tetor 2022, 09:16, Kosova & Bota Mikhail Khodorkovsky

Perëndimi nuk duhet t’u nënshtrohet shantazheve/ Asgjë nuk

Kur shpalli të premten e kaluar aneksimin e Luhanskut dhe Donetskut, si dhe disa pjesëve në rajonet Zaporizhia dhe Kherson, presidenti rus Vladimir Putin tregoi përbuzje për të vërtetën, gjë që është në fakt tipik për të. Njoftimi i tij pasoi zhvillimin e referendumeve të rreme, që pasqyronin demokracinë farsë të Putinit.

Votimi u krye nën tytat e armëve, dhe rezultati ishte i paracaktuar. Teksa u zhvilluan në mesin e kërcënimeve bërthamore të Putinit ndaj Perëndimit “satanist”, ato ishin në fakt përpjekja e tij e fundit për të rifituar iniciativën në fushën e betejës, dhe për ta larguar vëmendjen nga fakti se ai po e humbet luftën e tij.

Njoftimi i mobilizimit të 300.000 trupave rezervë pak ditë më parë, ishte aq afër lajmeve mbi tërheqjet e shumta nga fronti, saqë u duk sikur ai e pranoi tërthorazi se po humb. Dhe në këtë kontekst mund të shihen dhe kërcënimet tashmë të njohura për përdorimin e armëve bërthamore.

Vladimir Putin i ka hedhur të gjitha kartat e tij në tavolinë. Por ne nuk duhet të frikësohemi nga shantazhet e një agresori që e di se po humbet. Përkundrazi, duhet të intensifikojmë mbështetjen për Ukrainën, dhe t'i japim asaj atë që i nevojitet për të siguruar humbjen e Putinit.

Perëndimi nuk duhet t’u nënshtrohet shantazheve/ Asgjë nuk

Njëkohësisht, Perëndimi duhet të ndërmarrë hapa për të mbështetur ruset që kundërshtojnë aktet e fundit të Kremlinit, me synim përshpejtimin e rrëzimit të Putinit në Rusi. Në kushtet aktuale, trupat e Putinit tani janë të paafta për të mbajtur linjën e frontit pa përforcime të mëdha.

Sipas disa vlerësimeve, që nga fillimi i pushtimit, numri total i të rënëve dhe të plagosurve rusë në Ukrainë mund të jetë deri në 100.000 deri në 150.000, gati sa madhësia fillestare e forcës pushtuese. Dhe gjeneralët rusë kanë këmbëngulur në mënyrë të përsëritur, madje edhe publikisht, se nuk mund të përmbushin dot objektivat që u janë vendosur, pa një rritje serioze të numrit të trupave.

Dëshpërimi i tyre u bë i qartë kur u shfaqën pamjet e mikut të Putinit, Jevgeny Prigozhin, duke rekrutuar të burgosur si ushtarë me pagesë. Dhe megjithëse mobilizimi i ri i përgjigjet kërkesës së gjeneralëve, ai krijon një mori problemesh të tjera, si ushtarake ashtu edhe politike.

Deri më tani, mbështetja e shoqërisë ruse për luftën në Ukrainë, mund të përkufizohej si “mos-ndërhyrje apatike”. Ajo ishte një çështje me të cilën duhej të merrej Kremlini, dhe që nuk i prekte ata drejtpërdrejt. Por mobilizimi e ka hapur këtë gjë debat, duke shkaktuar valë tronditëse në të gjithë popullatën.

Perëndimi nuk duhet t’u nënshtrohet shantazheve/ Asgjë nuk

Më herët, autoritetet ruse kishin qenë në gjendje të balanconin përdorimin jo tërësisht vullnetar të rekrutëve, me ofertën e dhuratave bujare, nëse ata plagoseshin ose vriteshin në betejë. Për këtë qëllim, ata filluan me rekrutimin e atyre që vijnë nga periferia e varfër e Rusisë.

Por tani ky “burim” ka shteruar. Pas mobilizimit, lufta në Ukrainë nuk është më diçka e largët për rusët e zakonshëm. Prandaj, qindra mijëra burra rusë në moshë për luftë, po përpiqen dëshpërimisht që të largohen nga vendi. E përse këta njerëz do të donin të qëndronin në vend, dhe të dërgohen në Ukrainë për t’u përballur me tmerret e luftës, një luftë që në fakt nuk i shërben asnjë qëllimi tjetër përveç axhendës së një regjimi të korruptuar?

Pse do të donin ata të bëheshin kriminelë lufte, kufoma, apo të dyja bashkë, vetëm për të mbrojtur pasurinë, fuqinë dhe krenarinë e Vladimir Putinit dhe miqve të tij gangsterë? Për më tepër, mobilizimi i 300.000 rezervistëve është vetëm hapi i parë.

Aktualisht, njerëz nga të gjitha rajonet dhe grupet sociale të Rusisë po marrin njoftimin për t’u mobilizuar, dhe ka të ngjarë që deri në fillim të vitit të ardhshëm të jenë njoftuar mbi 1 milion burra. Por mbushja e linjave të frontit me trupa të trajnuara dobët, madje edhe më pak të motivuara, nuk do të çojë tek ndonjë “sukses” më i madh ushtarak.

Përkundrazi, ky proces do të jetë i pamenaxhueshëm, dhe humbjet e pritshme do të jenë katastrofike. Aftësia e shoqërisë ruse për të toleruar dhjetëra dhe qindra mijëra rekrutët e vdekur, nuk është diçka e mirëqenë. Me kalimin e kohës, do të shtohen format pasive të protestës, siç është shmangia e rekrutimit.

Dhe ndërsa rriten humbjet në front, edhe numri i dezertorëve do të rritet akoma më shumë, dhe protestat do të fillojnë të marrin forma më agresive. Pastaj për regjimin e Putin ka edhe rreziqe afatmesme të brendshme, siç është shfaqja e të paktën dhjetëra mijëra njerëzve në Rusi, që kanë ankesa të mëdha ndaj regjimit, por që deri më tani janë treguar të përmbajtur.

Për më tepër, ky grupim nuk do të përbëhet vetëm nga rusët, por edhe nga separatistët e armatosur nga rajonet ukrainase që Putini ka “aneksuar” tashmë, dhe të cilëve ai u ka dhënë shtetësinë ruse. Nëse dhe kur ushtria e Ukrainës të depërtojë në frontin rus, nuk do të jetë e mundur ndalimi i tërheqjes së kësaj hordhie “ruse” drejt Federatës Ruse, dhe nisja e tyre drejt shtëpisë në rajonet fqinje me Moskën.

Precedenti historik i vitit 1917, mund të sigurojë një shembull domethënës, kur kthimi i trupave nga fronti në Luftën e Parë Botërore, çoi në rënien e regjimit dhe marrjen e pushtetit nga bolshevikët. Që të gjitha këto rreziqe, mund të kenë qenë arsyeja që e pengoi Putinin të mos vepronte me shpejt me mobilizimin.

Por tani situata në front është jashtë kontrollit. Mobilizimi, referendumet e rreme dhe deklaratat e kota të aneksimit, janë akte dëshpërimi dhe dobësie, ndaj Perëndimi duhet të zgjedhë se si të kundërpërgjigjet. Një përgjigje e mundshme ndaj mobilizimit rus, mund të jetë që vendet evropiane t’i japin azil politik rusëve që e shmangin atë.

Po ashtu edhe Ukraina mund të sigurojë azil për rusët që dëshirojnë të luftojnë në anën ukrainase, apo të mbështesin luftën e saj. Por në të njëjtën kohë, Ukraina ka nevojë për

armë, dhe i takon çdo vendi që ka aftësinë për ta bërë këtë, që t’ia sigurojë ato.

Ndërkaq, është shumë jetike të rritet furnizimi i Ukrainës më armë që janë të afta të shkatërrojnë qendrat e largëta komanduese dhe logjistike. Por në çdo rast tani nuk është koha që Perëndimi të zbusë vendosmërinë e tij në luftën kundër Putinit.

Përkundrazi, është koha që ta forcojë atë. Putinit nuk mund t’i ofrohet në asnjë mënyrë “një rrugëdalje” nga kjo situatë, për t’i dhënë atij mundësinë të shpallë një lloj fitoreje në këtë luftë. Ata që mbështesin ”zgjidhje” të tilla nuk e kuptojnë Putinin.

Ose më keq akoma, janë duke mbrojtur një politikë qetësimi ndaj një diktatori fashist, në përpjekje për të reduktuar faturën e tyre të gazit. Në vend të kësaj, mënyra më efikase për t’i dhënë fund shantazhit energjetik të Putinit dhe kërcënimeve të tij bërthamore, do të ishte një shkatërrim i mëtejshëm i forcës së tij pushtuese. Kjo është arsyeja pse tani bota duhet të mbështesë forcat e Ukrainës me një intensitet më të madh se kurrë më parë.

Shënim:Mikhail Khodorkovsky, ish i burgosur politik dhe ish kreu i kompanisë ruse së naftës “Yukos Oil”. Pas 10 viteve burg, ai jeton në Perëndim dhe drejton lëvizjen në mërgim kundër Vladimir Putin.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga