web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Gratë snajperiste të Ukrainës që po luftojnë ndaj ushtrisë së Putinit

14 Janar 2023, 08:52, Kosova & Bota CNA

Gratë snajperiste të Ukrainës që po luftojnë ndaj

 “Sulltana”, një 24-vjeçare me flokë bjonde dhe me buzët e fryra me silikon, nxjerr nga çanta që e ka me vete një pushkë snajper amerikane të markës ‘Barrett’. “Kjo është dashuria e jetës sime”- thotë ajo, ndërsa e vendos armën në pozicionin e saj të qitjes.

Një instruktor me mjekër i pozicionuar pas saj i jep udhëzimet: “Ke 3 objektiva për të goditur. Ato ndodhen 186 metra larg. Qëllo për të vrarë!”. Sulltana shtrihet, merr shenjë dhe qëllon 3 herë. Plumbat godasin jo më shumë se 1 centimetër larg objektivit. Ajo nuk habitet. “Duhet të vrasësh pa asnjë shqetësim. Dhe unë qëlloj në këtë formë”.

Ukrainasja ka zgjedhur këtë nofkë sepse i pëlqejnë telenovelat turke. Ajo është një nga 3 snajperistet femra që janë përzgjedhur nga forcat speciale të vendit të saj për një trajnim të avancuar snajper në pyjet e Ukrainës perëndimore.

Ashtu si koleget e saj “Feniks” dhe “Oksana”, “Sulltana” u dallua që kur ishte një ushtare e thjeshtë vullnetare në njësitë e mbrojtjes territoriale. Por kërkesat në vijën e frontit ukrainas, dhe në një profesion të dominuar nga burrat, do të jenë shumë më të forta. Faza e parë e trajnimit është ajo në pyll.

Seancat stërvitore të snajperëve janë projektuar nga një oficer tepër i heshtur si natyrë, emri i luftës i të cilit është “Zëvendësi”. Përveç praktikës së gjuajtjes me snajper, seancat e tij të trajnimit përfshijnë leksione mbi taktikën, balistikën dhe lëvizjen në terren.

Në rrethana të zakonshme, trajnimi do të zgjaste 1 vit e gjysmë. Në Ukrainë, ku ciklet e jetës dhe vdekjes janë shumë të shpejta aktualisht, gratë do të dërgohen në front brenda disa javësh. Destinacioni i tyre i parë është kufiri verior me Bjellorusinë, ku forcat ruse mund të përgatisin, ose të paktën kërcënojnë të nisin një sulm të dytë ndaj Kievit.

“Zëvendësi” thotë se në fillim ishte skeptik ndaj idesë së trajnimit të grave snajperiste. Tani ai beson se ato janë më të përshtatshme për këtë profesion sesa burrat. Gratë janë fizikisht më të lehta dhe më të shkathëta, thotë ai; duke qenë në gjendje të tërhiqen pa bërë shumë zhurmë.

Në përgjithësi, gratë janë gjithashtu “më të durueshme” dhe më pak të prirura për të ndërmarrë veprime të rrezikshme të pajustifikuara. Por aspekti që e bindi më shumë, ishte kur pa sesi gratë përballuan një test rraskapitës të mbijetesës ushtarake, të cilin ata që e njohin e quajnë “Fizo”.

Nga një grup prej 90 kandidatësh, vetëm 5 rezistuan deri në fund të testit. Dy prej tyre ishin meshkuj. “Tre të tjerat i shihni këtu para jush”- na thotë ai. Në dallim nga burrat në moshën e rekrutimit, grave ukrainase nuk u ndalohet që të largohen nga vendi.

Një nismë për ta shtrirë ndalimin edhe për gratë që punojnë në profesione kritike do të miratohej tetorin e vitit të kaluar, por ajo u shty për shkak të protestave popullore. Kjo do të thotë, se të paktën për momentin, gratë që luftojnë zgjedhin ta bëjnë këtë vullnetarisht.

Por kjo nuk i ka penguar forcat e armatosura të Ukrainës që të marrin një fytyrë gjithnjë e më femërore. Zëvendësministrja e mbrojtjes e Ukrainës, Ana Maliar, thotë se aktualisht “të paktën 30.000 gra po shërbejnë në ushtri, ose 1 në 5 trupa të rregullta para mobilizimit të përgjithshëm.

Gjithsesi të dhënat e sakta janë aktualisht një sekret shtetëror. Më shpesh, gratë ushtarake kryejnë rolet dytësore si mjeke, zëdhënëse shtypi, kuzhiniere, oficere të komunikimit sekret, apo merrem me detyrën delikate të evakuimit apo trajtimit të trupave të vdekur ose të gjallë. Por një numër në rritje i tyre, të paktën 5.000 gra, po kryejnë role të vijës së parë.

Dhe dhjetëra prej tyre janë snajperiste. Gratë e trajnuara thonë se janë përballur me rezistencë në çdo fazë të udhëtimit të tyre, zakonisht nga burrat që besonin se gratë nuk janë në thelb të përshtatshme për profesionin e snajperit.

“Ne nuk kemi asnjëherë një jetë të lehtë. Dhe e e kemi provuar veten sa herë që në është kërkuar”- thotë Feniks. Ajo shton se nuk ka iluzione për rreziqet. Snajperët zënë një vendtë veçantë në psikologjinë ushtarake, dhe trajtohen ndryshe nëse kapen nga armiku.

As të qenit femër nuk ka gjasa të ofrojë ndonjë avantazh. “Nëse një grua snajpere kapet rob nga armiku, ajo do të përdhunohet, poshtërohet, torturohet dhe më pas ekzekutohet. Një snajper duhet të jetë gjithmonë i përgatitur të hedhë në erë veten me një granatë”- shprehet Oksana.

Këto rreziqe të mirëkuptuara vendosin në një presion të madh familjarët e tyre. Jo të gjitha u tregojnë familjeve të tyre për atë që bëjnë realisht. Oksana thotë se kur shpërtheu lufta, nëna e saj i ofroi para për t’u strehuar në Evropë. Ajo duket se nuk është në dijeni që vajza e saj është pjesë e ushtrisë.

Si Feniks ashtu edhe Sulltana kanë lënë pas fëmijë të vegjël dhe ish-bashkëshortë. Sulltana thotë se vajza e saj 8-vjeçare e ka marrë tashmë në konsideratë mundësinë që e ëma mund të vdesë në luftë. “Ajo më tha se nëse kjo ndodh do të jetë e trishtuar, por se në zemrën e saj gjithmonë do të ketë një vend për mua”.

Një vezullim emocionesh i përshkon sytë e snajperes gjakftohtë. Ajo tund kokën para se të këmbëngulë se për të nuk ka më kthim pas. Thotë se fëmija i saj është arsyeja pse duhet të luftojë: “Unë po bëj gjithçka që të sigurohem që brezi i saj të mos ketë të bëjë me Putinin dhe botën e tij të çmendur”.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga