web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A është Gjermania gati të udhëheqë?

27 Tetor 2022, 08:22, Kosova & Bota CNA

A është Gjermania gati të udhëheqë?

Ndoshta europianët nuk frymëzohen vetëm nga Afërdita (Perëndesha e Dashurisë). Në një shfaqje të rrallë të unitetit dhe vendosmërisë, ata po dërgojnë në Ukrainë sasi të mëdha armësh të avancuara, po e zgjerojnë NATO-n, dhe po i japin fund varësisë së tyre ndaj gazit rus, duke e shtuar presionin ekonomik ndaj Moskës.

Me përjashtimin e kritikueshëm të Hungarisë së Viktor Orban, aleatët tanë europianë duken të vendosur të pengojnë përpjekjen brutale të presidentit rus Vladimir Putin për ta copëtuar Ukrainën, apo për ta fshirë atë nga harta. Për habinë e shumë amerikanëve, aleanca e vjetër transatlantike ka filluar të duket sërish si një aset strategjik.

Suedia dhe Finlanda, që ishin rreptësisht neutrale gjatë Luftës së Ftohtë, po i bashkohen tashmë NATO-s. Kjo lëvizje do ta përballë Putinin me një kufi të ri verior prej gati 1300 km me aleancën mbrojtëse që ai e urren, dhe për të cilën pretendon në mënyrë të rreme se përbën një kërcënim ekzistencial për Rusinë.

Por ndryshimi më i dukshëm në sjelljen e Evropës ka ndodhur në Gjermani. I tronditur nga pushtimi i dytë i Putinit në Ukrainë në fund të shkurtit, kancelari Olaf Sholc shpalli një “Zeitenwende” - një pike kthese - në raport me lëvizjen gati pacifiste të diplomacisë gjermane të pas Luftës së Ftohtë.

Në vend të ndihmës së zakonshme humanitare, ai premtoi se do t’i dërgonte Kievit armë për vetëmbrojtje, dhe se do të rriste me 100 miliardë dollarë në vit shpenzimet ushtarake të Gjermanisë. Kjo masë do ta afronte Gjermaninë me udhëzimin e NATO-s, që të gjithë anëtarët të shpenzojnë çdo vit të paktën 2 për qind të PBB-së në vit për mbrojtjen.

Pra agresionet seriale të Putinit ia dolën mbanë aty ku dështuan 4 vite kërcënime nga ish-presidenti amerikan Donald Trump.

A është Gjermania gati të udhëheqë?

Kjo do të ishte një punë shumë e madhe, gjithnjë nëse Sholc do të zbatojë planin deri në fund. Dhe do të sinjalizonte fundin e politikës së Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, atë të rezervimit strategjik dhe mbështetjes tek fuqinë ushtarake të SHBA-së për të ruajtur paqen në Europë.

Kjo politikë ishte e kuptueshme në dritën e pendimit të gjermanëve për fillimin e luftës më shkatërruese në histori dhe organizimin e Holokaustit. Por pas 77 vitesh paqe dhe qytetarie të mirë globale, nuk ka më kuptim që ekonomia më e fortë dhe kombi më i populluar i Bashkimit Europian të ketë një rol tejet modest në garantimin e sigurisë evropiane.

Por a është Gjermania gati të udhëheqë? Kjo ishte pyetja që bënë të gjithë në samitin e fundit të Qeverisjes Progresive në Berlin, ku mora pjesë edhe vetë. Që nga shembja e Bashkimit Sovjetik, Gjermania është vetëquajtur si një kolos ekonomik dhe i fuqisë së butë, që ndjek një version diplomatik të “sinjalizimit të virtytit”.

Ajo ka mbrojtur të drejtat e njeriut, ndërtimin e konsensusit shumëpalësh dhe ligjin ndërkombëtar, ndërsa është distancuar nga përdorimi i forcës ushtarake për frenimin e shteteve agresore, për të ruajtur rendin dhe për parandaluar dhunën gjenocidale.

Që nga ribashkimi i Gjermanisë në vitin 1990, ka qenë një aksiomë e elitave qeverisëse të vendit, që marrëdhëniet e përzemërta me Rusinë të jenë pjesë përbërëse e paqes dhe stabilitetit të Europës. Interesi ekonomik vetjak e përforcoi këtë pikëpamje, ndërsa Gjermania u bë e varur nga nafta dhe gazi rus për të furnizuar bazën e saj të fuqishme prodhuese.

Kjo varësi u thellua më tej pas katastrofës së Fukushimës në Japoni në vitin 2011, e cila e nxiti kancelaren e atëhershme Angela Merkel të shpallte me nxitim planin për mbylljen e centraleve bërthamore të Gjermanisë.

A është Gjermania gati të udhëheqë?

Tani shumë gjermanë po e rivlerësojnë me keqardhje qëndrimin e tyre tejet tolerant ndaj Putinit, si dhe mbështetjen zyrtare për rrjetin e gazsjellësit “Nord Stream” nën Detin Baltik që çon gazin rus në Gjermani dhe vende të tjera të BE-së. “Regjimi rus përreth Putinit ishte bërë gjithnjë e më represiv dhe agresiv, madje edhe revizionist. Në kërkimin tonë për konsensus më Moskën, ne e shpërfillëm atë që na ndante me të”- e pranoi Lars Klingbeil, një udhëheqës i lartë i Partisë Socialdemokrate (SPD) të Sholc, në një fjalim të mbajtur javën e kaluar

Shols është kritikuar nga Kievi por edhe koalicioni i tij qeverisës për ritmin e ngadaltë të dërgesave të armëve, si dhe për mosdërgimin e tankeve “Leopard” që ka kërkuar me ngulm Ukraina. Kancelari është justifikuar se kjo do të rrezikonte përshkallëzimin e krizës në Ukrainë në një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak midis Gjermanisë dhe Rusisë.

Megjithatë, qeveria ka filluar të dërgojë në Ukrainë sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar Kievin t’i kundërvihet breshërisë së raketave ruse që synojnë infrastrukturën jetike të energjisë dhe transportit, si dhe objektivat civile.

Por shkalla relativisht modeste e ndihmës ushtarake të Gjermanisë nuk ka kaluar pa u vënë re në Evropë apo Uashington. Berlini i ka dërguar deri tani Ukrainës rreth 1.2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake. Kjo shumë e vendos atë shumë prapa kontributeve të Britanisë së Madhe dhe Polonisë, dhe është shumë e vogël krahasuar me 27 miliardë dollarët që ka dhënë deri tani Amerika në dërgesa armësh.

Partnerët e SPD-së në qeverinë e koalicionit të Sholc, të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë, po i bëjnë presion atij që të bëjë më shumë në këtë drejtim. Robin Vagener, një udhëheqës i politikës së jashtme të të Gjelbërve, dhe 23 parlamentarë të tjerë i bënë thirrje qeverisë javën e kaluar që “t’i dërgojë Ukrainës furnizime të cilësisë më të lartë të pajisjeve dhe armëve për të çliruar zonat e pushtuara në mënyrë të paligjshme nga Rusia”.

A është Gjermania gati të udhëheqë?

Ndërsa mbrojti vendimin e Berlinit për të mos dërguar tanket e tij kryesore në Ukrainë, Volfgang Shmid, një këshilltar i lartë i Shols, e krahasoi Gjermaninë me një “adoleshente”, duke kërkuar durim derisa ajo të “rritet” për të marrë një rol udhëheqës për sigurinë e Europës. “Kur flitet për politikën e sigurisë, ne nuk jemi ende të rritur. Në vitet e adoleshencës, ka shumë hormone, ka shumë teprime dhe entuziazëm, por nuk jeni shumë të sigurt mbi veten tuaj dhe nuk e dini se ku është vendi juaj në shoqëri”- deklaroi ai në Samitin Progresiv.

Shtetet e Bashkuara kanë një interes të madh në daljen e shpejtë të Gjermanisë nga faza e “adoleshencës”. Në rast se Gjermania i qëndron kursit të saj të ri të “Zeitenwende” (kthesës historike) dhe merr udhëheqjen në fushën e sigurisë në përpjesëtim të drejtë me madhësinë dhe pasurinë e saj, ajo do ta arrijë të kthejë me vendosmëri ekuilibrin e fuqisë në Evropë drejt NATO-s dhe BE-së.

Kjo do të përbënte më në fund një “ndarje reale të barrës”, duke i dhënë mundësi Uashingtonit të përqendrohet tek ngritja e shpejtë ushtarake e Kinës dhe nevoja për të ruajtur një ekuilibër të favorshëm të fuqisë së saj në rajonin e Paqësorit. Për më tepër, do të mbronte nga rreziku që një Kongres i kontrolluar nga republikanët të realizojë dëshirën më të madhe të Putini: frenimin e ndihmës së SHBA-së për Ukrainën.

Për amerikanët dhe evropianët, ka ardhur koha të rishikohet motoja e dikurshme e Lordit Ismay mbi arsyen e ekzistencës së NATO-s. Tani qëllimi i tij është ende “mbajtja e rusëve jashtë dhe amerikanëve brenda Europës”, por më shumë mbajtja e “gjermanëve poshtë”. 

Shënim: Will Marshall president dhe themelues i Institutit të Politikave Progresive (PPI).

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga