web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A është Erdogan fituesi i vërtetë i luftës Rusi-Ukrainë?

9 Nëntor 2022, 08:45, Kosova & Bota CNA

A është Erdogan fituesi i vërtetë i luftës

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e mbylli javën e kaluar me negociata diplomatike intensive, për të shpëtuar marrëveshjen që garanton eksportin e grurit të Ukrainës, duke e ritheksuar vendimin e tij për të penguar zgjerimin e NATO-s, dhe duke vënë në qendër të vëmendjes qëndrimin e nuancuar dhe shumëdrejtimësh të Turqisë, ndërsa lufta Rusi-Ukrainë ka hyrë në muajin e saj të nëntë.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe Sekretari amerikan i Shtetit Entoni Blinken e falënderuan Erdoganin në fillim të javës së kaluar për rikthimin e Rusisë në një marrëveshje shumëpalëshe për eksportin e vazhdueshëm të grurit ukrainas, menjëherë pasi Kremlini njoftoi se po largohej nga ajo.

Ndryshimi i vendimit erdhi pas një telefonatë që ndodhi të martën midis Erdoganit dhe presidentit rus Vladimir Putin. Erdogan siguroi angazhimin e Putinit për të rihyrë në marrëveshje, e cila u ndërmjetësua nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara në muajin korrik, në këmbim të garancive që synojnë të qetësojnë listën në rritje të Moskës me ankesat kryesisht për sigurinë e saj.

Rikthimi te kjo marrëveshje, erdhi pas njoftimit të Erdoganit në tetor se ai ka pranuar propozimin e mëparshëm të Putinit për ta kthyer Turqinë në një “qendër të gazit natyror”.

A është Erdogan fituesi i vërtetë i luftës

“Në takimin tonë të fundit, ne ramë dakord me Putinin për këtë çështje. Do të krijojmë këtu një qendër për gazin që vjen nga Rusia”- tha ai.

Detajet teknike rreth këtij propozimi nuk janë bërë publike nga pala ruse, e cila po kërkon në mënyrë aktive rrugë alternative të gazit, për shkak të rënies së madhe të eksporteve të saj energjitike drejt BE. Putin e vlerësoi Erdoganin si një partner të besueshëm kur u pyet për projektin gjatë një konference javën e kaluar.

“Për ne është më e lehtë të punojmë me Turqinë. Presidenti Erdogan është një njeri që e mban fjalën...dhe për ne është më e lehtë të kontrollojmë Detin e Zi”- tha ai. Erdogan e ka pozicionuar vazhdimisht veten dhe me sukses si një ndërmjetës kryesor në Luftën e Ukrainës, duke prishur radhët me aleatët e NATO-s për të mbajtur një neutralitet të kalibruar.

Edhe pse Ankaraja e ka dënuar vazhdimisht Moskën për nisjen e pushtimit, dhe më parë e ka mbështetur Ukrainën me dërgimin e dronëve “Bayraktar TB2”, Turqia u dallua si një propozuese e fuqishme e një zgjidhjeje të negociuar për t’i dhënë fund luftës, në një kohë kur thirrje të tilla denoncohen si fyese dhe imorale nga Kievi dhe disa liderë perëndimorë. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavushoglu, deklaroi në gusht se disa vende të NATO-s “dëshirojnë që lufta të vazhdojë”, duke nënvizuar një dallim të madh të qasjes midis Ankarasë dhe disa vendeve perëndimore, lidhur me çështjen kryesore se si duhet të përfundojë konflikti në Ukrainë.

Turqia forcoi më tej kredencialet e saj ndërmjetësuese duke u bashkuar me Arabinë Saudite muajin e kaluar, për të ndërmjetësuar një marrëveshje të shkëmbimit të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës. Edhe pse Erdogan po punon për ta vendosur veten në rolin e ndërmjetësit kryesor të dhënies fund të luftës, ai po këmbëngul në qëndrimin e tij pengues ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO.

A është Erdogan fituesi i vërtetë i luftës

Ankaraja po e bllokon thuajse e vetme procesin e pranimit, për të cilin shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg kishte siguruar më parë se “do të ecte shumë shpejt”, duke e mbajtur këtë çështje peng të një sërë kërkesash sigurie dhe të natyrës politike.

Lista e Erdogan përfshin heqjen e embargos së shitjes së armëve ndaj Ankarasë, dhe ekstradimin e shtetasve suedezë dhe finlandezë, të klasifikuar si terroristë nga autoritetet turke. Qeveritë suedeze dhe finlandeze, kanë sinjalizuar gatishmërinë e tyre për të përmbushur disa nga kërkesat e Ankarasë.

Kështu Suedia angazhohet të heqë embargon e shitjes së armëve, por ka zvarritur përgjigjen për kërkesat e tjera. Zyrtarët finlandezë thanë në shtator se nuk do të rrëzojnë kërkesat për ekstradim të kontestuara më parë nga Turqia, duke i cilësuar ato vendime si përfundimtare.

Çavushoglu tha gjatë një konference për shtyp me Stoltenberg, se as Suedia dhe as Finlanda nuk i kanë përmbushur ende detyrimet e tyre në bazë të një marrëveshjeje paraprake, sipas së cilës Ankaraja duhet të heqë dorë nga kundërshtimi për hyrjen e tyre në NATO.

Erdogan ra dakord të takonte kryeministrin e ri të Suedisë, Ulf Kristerson, për të diskutuar më tej këtë çështje, por këmbënguli se Turqia nuk do të rishikojë kërkesat e saj. “Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. S’ka asnjë kompromis në luftën kundër terrorizmit, dhe ne nuk kemi ndërmend të bëjmë asnjë lëshim”- deklaroi ai.

Bloomberg raportoi se Turqia nuk ka gjasa t’i japë dritën jeshile kërkesës së Suedisë për anëtarësimin në NATO deri në fund të këtij viti, duke cituar “zyrtarë të njohur me këtë çështje”. Edhe pse Finlanda gjendet në pozita më të mira, Ankaraja planifikon të votojë për të dyja kërkesat në të njëjtën kohë.

Ekspertët thonë se Erdogan ka pak arsye të heqë dorë nga ndikimi i tij unik mbi Helsinkin dhe Stokholmin, deri pas zgjedhjeve parlamentare turke në qershor 2023, duke shtuar se kërkesat formale të Ankarasë ndaj dy vendeve janë një mjet shantazhi për të përfituar lëshime nga Uashingtoni, ndoshta duke përfshirë shitjen e avionëve luftarakë amerikanë F-16.

“Ai po përpiqet të shfrytëzojë këtë rast për të marrë diçka nga Perëndimi”- tha analisti Ilhan Uzgel për Zërin e Amerikës. Ekziston një konsensus i gjerë, se diplomacia e zhdërvjellët e Erdoganit dhe mesazhet e tij të ashpra ndaj NATO-s, synojnë pjesërisht që të forcojnë pozicionin e tij të pasigurt brenda vendit.

Por ato bazohen edhe tek një llogaritje pak më të thellë se kaq. Qëndrimi i Ankarasë midis Rusisë dhe Perëndimit, flet për vizionin e madh të Erdoganit ku Turqia është një lojtare e domosdoshme në skenën ndërkombëtare - në mos edhe një fuqi e madhe - në tranzicionin drejt një bote shumëpolare.

Ambiciet e Erdoganit, të cilat janë bërë të qarta që shumë vite më parë, dhe që janë të orientuara nga një përzierje ideologjish, nuk u nxitën vetëm tani së fundmi nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt. Përkundrazi, kjo luftë krijoi një klimë të favorshme gjeopolitike, ku Ankaraja mund të ndjekë një politikë të jashtme efektive me shumë vektorë.

Një fitore e shpejtë dhe vendimtare ruse, do të kishte mënjanuar më siguri nevojën për një ndërmjetës neutral si Turqia, pasi në atë rast do të kishte pasur një gatishmëri nga ana e politikë-bërësve perëndimorë për t’u përfshirë në negociata të drejtpërdrejta me Moskën.

Por natyra e zgjatur e konfliktit, nënteksti i tij politik me shumë shtresa, si dhe pasojat ekonomike të mëdha, kanë krijuar një mundësi unike për diplomacinë turke, dhe Erdogan ka treguar se synon që ta shfrytëzojë sa më shumë atë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga