web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ta bësh burgun me qejf për Joridën

15 Qershor 2025, 15:07, Editorial CNA

Ta bësh burgun me qejf për Joridën

Ditën e martë do nisë rinumërimi i votave për kutitë e disa KZAZ-ve të qarkut Durrës dhe të të gjitha kutive të qarkut Tiranë dhe Fier.

Gjithashtu për disa KZAZ të Qarkut Elbasan do të ketë këqyrje të një pjese të materialit zgjedhor në disa KZAZ.

Deri tani KAS ka hapur, këqyrur dhe rinumëruar disa kuti të qarkut Dibër si dhe ka këqyrur materialin zgjedhor të mbi 240 kutive të qarqeve të ndryshme.

Deri tani është e qartë që brenda PD-së ka pasur spostime të votave në drejtim të kandidatëve të caktuar.

Por kjo nuk mund të ketë ndodhur pa porositë e përcjella numëruesve nga kupola e partisë në qendër dhe/ose në qarqe.

Nuk ka dyshime për këtë dhe rinumërimi më shumë sesa trafikun e numëruesve, përgjithësisht do nxjerrë zbuluar preferencat e kupolës drejtuese të PD.

Numëruesit janë sot të pavlefshëm, ndaj edhe do jenë pjesa më vulnerabël e që do vuajë më gjatë pasojat e asaj që rëndom quhet vjedhje votash.

Zbulimi i shifrave të ndryshuara, konsiderohet manipulim i procesit zgjedhor dhe kjo vepër ngarkon me përgjegjësi penale grupet e numërimit.

Partia Demokratike prej 10 vjetësh, (me dhe pa Lulin), ka kundërshtuar instalimin e pajisjeve të numërimit elektronik. Qartësisht kupola e Partisë së Berishës (me dhe pa Lulin), ka kërkuar të mbajë në këmbë numërimin manual edhe me qëllimin e nxjerrjes së "fituesve të porositur".

Me sa kuptohet, kësaj rradhe rrënimi i PD në elektorat nuk mjafton të justifikohet me të njëjtin skenar "denoncimi" të përsëritur aq shpesh në 12 vitet e fundit.

Dhe në rrokopujën e krijuar duket se kupolës së PD, nuk po i bëhet më vonë për numëruesit e vet.

Nga ana tjetër përplasjet, konfliktet, inatet dhe për pasojë copëzimi i ekipeve në qendër dhe në qarqe, ka shtuar agresivitetin mes vetes. Numëruesit janë të fundit për të cilët mund të shqetësohet dikush sot.

Ndaj mos u lodhni t'u kujtoni atyre aty lart, se po marrin më qafë prindër fëmijësh e bij nënash. Nuk dëgjon njeri nga ai vesh sot në PD-në e Berishës.

Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Grupet e Numërimit, bazuar në Kodin Zgjedhor, përbëhen nga komisionerët që propozohen nga partitë e mazhorancës dhe opozitës, në proporcion të drejtë. Në kushtet kur në procesverbale ka pak ose aspak denoncime për parregullsi, kjo sot do të thotë që ose parregullsi nuk ka pasur ose nëse kanë ndodhur, për manipulimin ka pasur konsensus partiak apo bipartiak për të qenë më të saktë!

Është afërmendsh që për shembull nëse në Njësinë 2, grupet e numërimit kanë ndihmuar si kanë mundur kandidaten Jorida Tabaku, kjo ka ndodhur jo vetëm me vullnetin e pilotuar të numëruesve të PD, por edhe me dashamirësinë e numëruesve të PS. Dhe edhe dashamirësia e këtyre të fundit, është përcjellë si vullnet nga shefat e numëruesve dhe të anëtarëve të KZAZ-së përkatëse në PS.

Javë përpara ditës së numërimit, kandidatja Tabaku komentohej për mbështetjen që po i ofrohej edhe gjatë fushatës nga biznese të lidhura me Bashkinë Tiranë dhe ish-drejtorë të Bashkisë Tiranë dhe eksponentë të PS.

Tabaku atë kohë pretendonte se mbështetja duhej t'i jepej sepse ajo do ishte kandidate për drejtimin e Bashkisë Tiranë.

Kur KAS me urdhër të kupolës drejtuese të PD, vendosi hapjen dhe numërimin e të gjitha votave të qarkut Tiranë, njerëz të angazhuar në KZAZ nr. 2, i kanë kërkuar takim zonjës Tabaku.

Halli i tyre nuk do shumë koment.

Përgjigja e Zonjës Tabaku po!

Tabaku iu është përgjigjur që duhet ta marrim me sportivitet pasi "për një personalitet si unë, mund edhe t'ia vlejë të bëjnë burgun".

Nëse nuk është cinizëm, kjo përgjigje dëshmon delirin me të cilin e sheh veten në pasqyrë deputetja Tabaku.

Ato 20.000 vota duket se e kanë rënduar akoma më shumë gjendjen psikike të Tabakut, aq sa të besojë se të bësh burg për të është nder.

Sipas Tabakut numëruesit (e të dyja palëve) duhet t'i jenë mirënjohës Tabakut për derën e burgut që i kanë hapur vetes për të ribërë deputete Joridën e ëmbël.

Jorida nuk është e vetmja, por për hir të sharmit dhe elegancës delikate me të cilën u shfaqet të gjithëve, është më tipikja për t'u përdorur si shembull demonstrimi, të paktën për ata më shumë se 20.000 derdimenë që mbase e kanë votuar.

Cna.al ka siguruar kopje të plota të të gjitha regjistrimeve te procesit të numërimit të qarkut Tiranë.

Këshillojmë numëruesit e KQZ që të jenë të kujdesshëm e të ruhen nga porositë për mbështetje të kandidatëve të caktuar.

Kasetat e qarkut Tiranë do përcillen të plota në SPAK për t’u bërë krahasimi i plotë i videove me votimin e subjekteve dhe aty duket qartë edhe një kategori tjetër favori që i është bërë Tabakut ku fletëve të votimit vetëm për PD, u është shtuar kryqi për Tabakun. Krahasimi i shifrave që dalin nga leximi i votave për Subjektin, me shifrat kur vëzhgohen shenja për Tabakun, flet edhe për plotësim të fletëve për llogari të delikates Tabaku.

Sa për numëruesit e gjorë, fati i tyre është i shkruar, bëhet ose s'bëhet Tabaku deputete ose kandidate për Bashkinë Tiranë.

Ata do bëhen shembulli i papërgjegjshmërisë se një force politike që në ditën më të keqe të mbështetjes në elektorat, gjente kohë të kujdesej që "Tabaket" të dilnin patjetër deputet./ CNA





15:18 Editorial Ditmir Bushati

HUMBJA E LIBERALIZMIT

Nëse do të duhet të shpjegojmë me një fjali rezultatin e zgj...

12:16 Editorial Elvi FUNDO

Edi Rama I

Ambasada e SHBA-së në Tiranë dje uroi popullin shqiptar pë...

16:07 Editorial CNA

Humbje therëse

Parashikimi duhet bërë para se të bëhen zgjedhjet dhe ndos...

15:25 Editorial

"Per Jorida"

Është pozicionuar në listën e hapur të koalicionit për...

Lajmet e fundit nga