web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zbulohet skema e Erion Veliajt me procesverbalet/ Mero Baze paralajmëron planin për seancën e nesërme gjyqësore

23 Mars 2026, 17:27, Aktualitet CNA

Gazetari i familjes Veliaj, Mero Baze, ka bërë një editorial dy ditë më parë, ku mes rreshtash sulmon ashpër Drejtorinë e Burgjeve si institucion i korruptuar, gjë që nuk e kishte bërë ndonjëherë më parë dhe gjithçka filloi kur u arrestua Erion Veliaj.

Nuk e bëri as për Ilir Beqjan, nuk e bëri as për Ilir Metën, megjithëse tani kërkon ta përdorë në rreshtat e tij apo ta keqpërdorë.

Nuk e bëri as për shumë kryebashkiakë të tjerë, nuk e bëri as për shumë ministra të tjerë të Ramës dhe zyrtarë të tjerë. Por tani për Erion Veliajn shkon deri aty sa Mero Baze është në dijeni se çfarë ka ndodhur në qelitë e burgut të Durrësit.

Në shkrimin e tij, ai thekson se “të korruptuarit e burgjeve” kanë bërë një krim të madh, pra duke qenë një shantazh, kërcënim dhe presion i hapur ndaj zyrtarëve, pse kanë mbajtur dokumentet për t'ia dhënë Erion Veliajt sipas një urdhri të gjykatës.

Sipas versionit të Mero Bazes, edhe Veliaj, edhe avokati i tij paskan kundërshtuar marrjen e dokumenteve. Zyrtarët e burgjeve dhe oficerët e BKH-së shkuan t'i jepnin Erionit atë që kërkonte, atë 'teken' që përdor si lëvizje në gjykatë duke thënë 'dua aktet e printuara', ndërkohë që vetë ka paguar 220 mijë dollarë lobim me studio avokatie, ndoshta disa dhjetëra mijëra të tjera, nuk kishte disa dhjetëra mijëra lekë t'i printonte këto aktet e SPAK-ut. I mori me vendim gjykate, oficerët shkuan t'i dorëzonin.

Sipas Mero Bazes, Veliaj dhe avokatët e tij kanë kundërshtuar t'i marrin këto sepse duhet të kishin bërë një procesverbal. Në fakt, çdo akt që dorëzohet bëhet me procesverbal dhe nuk ka shans që zyrtarët e burgjeve, ata që s’i do Mero apo dhe ata që i do Mero, të bëjnë një gafë të tillë, sa t'i dorëzojnë apo të marrin dhe të mbajnë dokumente pa pasur procesverbalin përkatës.

Mero thotë se Erioni i ka marrë dosjet. Këtë “lajm të madh” se Erioni i ka marrë aktet në dorëzim e dhanë edhe mediat e paguara nga inceneratorët famozë që nuk ekzistojnë, apo ato të paguara nga vëllai i Erion Veliajt, Arbri. Ndërkohë që Mero thotë që zyrtarë të korruptuar i mbajtën dosjet sipas urdhrit të dhënë nga SPAK-u sepse Veliaj kundërshtoi se duheshin bërë me procesverbal.

Po cilët janë këta zyrtarë që nuk donin procesverbal? Pra, Erioni donte procesverbal, zyrtarët donin procesverbal. Pse nuk i ka marrë Erioni dosjet?

Pyetja tjetër: Mediat raportuan që Erioni i ka marrë. Pa procesverbal s'ka shans t'i ketë marrë. Çfarë është ky shkrim? Apo thjesht dhe vetëm Mero Baze paralajmëron strategjinë e Erion Veliajt për seancën e ditës së martë, pra ditën e nesërme, 24 mars?

Mos vallë ka qenë kjo lëvizja e Erion Veliajt? Shumë e thjeshtë. Ndoshta nuk e ka pritur që pas vendimit të gjykatës, brenda 24 orësh, Drejtoria e Burgjeve dhe oficerët e BKH-së do t'i jepnin dokumentet dhe do t'i çonin përpara. Dhe më tej ka kundërshtuar marrjen e dokumenteve me idenë se s'i kam marrë akoma, disa ditë ishin pushim, “i marr nga java tjetër”, vjen në gjykatë dhe thotë: “Sot i mora unë në mëngjes, sot kanë ardhur, unë s'i kam marrë akoma”, megjithëse i ka pasur në zyrë.

Ndërkohë Mero shkruan se “këta të burgjeve janë treguar të keqpërdorur dhe janë të korruptuar sepse kanë shkuar dhe ia kanë çuar dokumentet sipas rregullave dhe kërkesave ligjore”. Tani nga njëra anë kërkon dokumentet, nga ana tjetër thonë se kërkonte të merrte procesverbal, nga ana tjetër thonë i kanë mbajtur ata të burgjeve, nga ana tjetër thonë i ka marrë Erion Veliaj, nga ana tjetër s'ka procesverbal.

Tani është shumë e thjeshtë; gjithçka do të zbardhet nesër. Çfarë do të bëjë Erion Veliaj në seancë gjyqësore dhe e dyta, në rast se ka procesverbal, ai duhet të dalë dhe duhet të bëhet publik, jo thjesht dhe vetëm për t'i çjerrë turinjtë ‘Mero Bazeve’, po që shqiptarët të mësojnë të vërtetën.

Në rast se nuk ka procesverbal dhe Veliaj nuk ka qenë në dijeni dhe ato dokumente nuk i ka marrë, atëherë ky është një skandal për të cilin duhet të mbajnë përgjegjësi punonjësit e burgjeve, oficerët e burgjeve, BKH-së etj. Por në rast se kanë shkuar, kanë dorëzuar dokumentet me procesverbal dhe pastaj janë kundërshtuar për t'i marrë apo kanë bërë skema dhe lojëra për të vonuar dhe shtyrë seancat gjyqësore, këta janë skenarët e paralajmëruar, që dihen prej shumë muajsh. Sepse tani, në qoftë se Erion Veliaj do të kishte qenë burrë mund të kishte ecur me gjyqin e tij dhe ndoshta mund ta kishte mbyllur dhe mund të kishte dalë i pafajshëm. Po vazhdon të kapet me procedura, me shtyrje, me seanca, sepse e di zullumin që ka bërë dhe e di se sa e dënon ligji për ato shkelje dhe ato abuzime që ai ka kryer.

Ndaj dhe gjenden 'kleçka' me procesverbale, pa procesverbale, 'më jep këtë letër, se kam atë letrën tjetër', 'po këtë avokatin e dua, po atë s'e dua', 'po e dëboj atë, po vjen ky tjetri'... duke e bërë procesin pis dhe duke e bërë një lëmsh të vërtetë.

Por që në fakt është shumë herë më e thjeshtë sesa skemat dhe skenarët e ndërtuar nga Erion Veliaj.

Dhe për ta zbërthyer njëherë e mirë këtë, duhet të kuptojmë: A ka pasur një procesverbal? Dhe në rast se ka procesverbal, ai duhet të bëhet publik njëherë e mirë që shqiptarët të jenë më të qartë se Erion Veliaj nuk është një njeri që po persekutohet politikisht, nuk është një njeri që i është mohuar ndonjë e drejtë, por është në burg sepse po prishte provat, dhe skenarët e tij kanë një qëllim: që të dalë sa më shpejt nga burgu dhe që të mundohet të rregullojë ç'të mundet jashtë me takime, lobime apo lëvizje kundër drejtësisë, ashtu siç ka bërë përgjatë më shumë se një viti, që përpara se SPAK-u ta arrestonte. /CNA





Lajmet e fundit nga