web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Veliaj ankohet në Kushtetuese për bashkëpunëtorët: Më kanë fyer rëndë

31 Tetor 2025, 12:07, Aktualitet CNA

Veliaj ankohet në Kushtetuese për bashkëpunëtorët:

Erion Veliaj ka vijuar me viktimizimin në fjalimin e tij para Gjykatës Kushtetuese, ku dhe është ankuar se anëtarët e Këshillit Bashkiak e kanë fyer rëndë me arsyen që kanë paraqitur për shkarkimin e tij.

Veliaj ka vazhduar më tej duke thënë se për mungesën e tij, që pas arrestimit, mund të ankohet vetëm familja dhe jo dikush tjetër.

Ndërkohë, ka thënë sërish se arrestimi i tij dhe largimi nga detyra ishte i padrejtë, pavarësisht se ndaj tij rëndojnë disa akuza të rënda.

“Vjen arsyeja për të cilën të largojnë nga detyra. Mosprezenca në detyrë për më shumë se tre muaj. Nuk kishin si të më fyenin më rëndë. Ka qenë fyerja më e rëndë e jetës sime publike. Kjo sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi dhe më njohim më mirë se kushdo tjetër, dhe nuk denjuan as të më ftonin as të më njoftonin dhe as të më dëgjonin. Zoti i faltë, lutem çdo natë për ta. Kjo akuzë më lëndon për padrejtësinë që përfaqëson. Dy padrejtësi nuk prodhojnë drejtësi. Padrejtësia e shkarkimit mbi padrejtësinë e ndalimit nuk janë zgjidhje. Sepse të thuash se Erion Veliaj ka munguar në detyrë, nuk është thjesht cinizëm me Erion Veliajn, por me të vërtetën dhe me ligjin.

Mbi të gjitha, e thënë nga ata që kanë qenë dëshmitarë të rrëmbimit nga zyra pa asnjë akuzë, ngjan si një mesazh pasigurie për këdo që mund të shënjestrohet për arsye politike. Ngjan si një mesazh se në këtë vend sundojnë dëshira e vullneti politik, dhe jo ligji. Nëse është dikush që mund të ankohet për mungesën time, janë vetëm nëna dhe familja ime, për një mungesë 10-vjeçare, askush tjetër. Ata i kam takuar më shumë në burg se në liri, ku prej punës i lija dhe i gjeja në gjumë.

Që nga dita e parë kur u betova në vitin 2015 si kryetar i Bashkisë së Tiranës, jeta ime është bërë njësh me këtë qytet. E kam drejtuar me gjithë forcën time shpirtërore, mendore dhe fizike, pa kursyer asgjë nga vetja. Ky qytet ka qenë familja ime e madhe. Nuk pretendoj se çdo gjë e kam bërë mirë, apo se çdo gjë që kam dashur ta bëj, kam mundur ta bëj. Por, një gjë e di me siguri: Askush nuk mund të më 'akuzojë' se nuk kam qenë në detyrë. Sepse kush thotë se unë kam munguar, fyen inteligjencën e të gjithë qytetarëve të Tiranës që më kanë besuar tre herë me radhë, pikërisht sepse e panë me sytë e tyre përkushtimin tim, dashurinë time për punën dhe për qytetin.

Punë nga e cila më shkëputën padrejtësisht dhe pabesisht ata që donin të më shihnin me pranga në duar e jo me lopatë në duar; ata që nuk më donin mua në atë zyrë, sepse ajo zyrë ishte bërë simbol i dashurisë për qytetin dhe punën, epiqendër e optimizmit dhe një energjie pozitive të pafundme. Mund ta burgosësh një njeri, por jo të vërtetën e tij. Dhe e vërteta është se mosprezenca ime nuk ka qenë zgjedhje, por pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti, përmes një vendimi disproporcional, nga letra anonime dhe zell persekutues, që më privoi jo vetëm nga liria, por edhe nga qyteti im, përpara se të provohej çdo fajësi.

Si mund të quhet 'shkelje' mungesa e një kryetari bashkie që është fizikisht i ndaluar nga vetë organet e shtetit, në bazë të një vendimi që nuk është i formës së prerë? A mos vallë duam të legjitimojmë idenë se çdo funksionar i zgjedhur mund të largohet nga detyra përmes një arrestimi të përkohshëm, pa vendim fajësie, duke i marrë popullit mandatin që ai vetë ia ka dhënë me votë të lirë? Nëse kjo pranohet, atëherë çdo mandat i zgjedhur nuk është më një garanci e sovranitetit qytetar, por një leje që mund të të hiqet në çdo kohë nga vullneti politik.?

Nëse pranohet një gjë e tillë, atëherë parimi i prezumimit të pafajësisë humbet kuptimin, dhe ndëshkimi pa vendim gjyqësor kthehet në praktikë të zakonshme. Kjo do të ishte një rrëshqitje e rrezikshme nga shteti i së drejtës në shtetin e paragjykimit.

Kjo nuk është vetëm një padrejtësi njerëzore, por një kontradiktë e hapur kushtetuese, sepse më ndëshkon për një fakt që nuk është as veprim, as shkelje, por një gjendje e imponuar me forcën disproporcionale të vetë shtetit.?Nëse kjo kthehet në precedent, atëherë çdo qytetar i këtij vendi do të jetojë me frikën se mund të ndëshkohet jo për atë që ka bërë, por për atë që cilido pushtet vendos t’i faturojë apriori.

E nderuar Gjykatë, nëse pranohet që një kryebashkiak i zgjedhur me votën e popullit mund të hiqet nga detyra pa vendim të formës së prerë, atëherë nga nesër çdo qytet, çdo bashki dhe çdo mandat popullor mund të bjerë pre e vendimeve politike të momentit. Në atë çast, zgjedhjet humbin kuptimin, vota humbet peshën dhe sovraniteti qytetar zëvendësohet nga vullneti i atyre që duan të sundojnë në emër të ligjit, por duke e përmbysur vetë ligjin.

Kjo nuk është demokraci. Kjo është përmbysje e demokracisë. Ky nuk është prezumim pafajësie, por prezumim fajësie, dhe aty ku pafajësia zëvendësohet nga paragjykimi, drejtësia pushon së ekzistuari. Unë nuk jam sot këtu për të kërkuar mëshirë apo privilegj. Vij për të kërkuar drejtësi kushtetuese. Drejtësia është mburoja morale dhe fundore e Republikës, ajo që mbron rregullin që na mban bashkë si shoqëri. Ajo që e ndan shtetin e drejtë nga shteti i frikës, ligjin nga arbitrariteti dhe Republikën nga çdo formë sundimi. Në këtë moment vendimtar, ju nuk jeni thjesht një gjykatë që shqyrton një shkarkim nga detyra të një kryebashkiaku.

Ju jeni — siç e ka përshkruar Alexander Hamilton, një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara — 'trupi ndërmjetës midis popullit dhe pushtetit', i krijuar për ta mbajtur pushtetin brenda kufijve që i ka caktuar Kushtetuta. Kur pushteti e tejkalon veten, kur vullneti politik kërkon të zëvendësojë ligjin, vetëm Gjykata juaj Kushtetuese ka fuqinë dhe detyrën ta ndalojë. Vetëm kjo gjykatë mund ta rikthejë shtetin në binarët e Kushtetutës dhe të mbrojë qytetarin nga abuzimi i pushtetit që ai vetë ia ka dhënë", tha Veliaj. /CNA





Lajmet e fundit nga