web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Universiteti i Shkodrës, asnjë student në degën e fizikës/ Gjuraj: Plan për ta bashkuar me matematikën

30 Tetor 2025, 15:26, Aktualitet CNA

Universiteti i Shkodrës, asnjë student në degën e

Programi i fizikës në Universitetin e Shkodrës nuk ka asnjë student të regjistruar në vitin e parë. Një gjë të tillë e bëri të ditur rektori Tonin Gjuraj gjatë mbledhjes së senatit akademik ndërsa tha se në total nuk ka rënie të numrit të studentëve dhe se shifra është thuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar.

Rektori Gjuraj tha se fizika mund të bashkohet me matematikën ndërsa universiteti do të ketë një reformë dhe ristrukturim të disa fakulteteve, si ai i gjuhëve të huaja me shkencat sociale.

“Kur kam kandiduar, gjëja e parë që kam thënë është që të ndalojmë rënien e numrit të studentëve. Ndër vitet e para, këtë vit kemi 998 studentë të regjistruar dhe kemi një student më shumë se viti i kaluar dhe kjo ka simbolikën e vet. Strategjinë për t’u rritur në të ardhmen do ta shohim në një moment tjetër.

Sa i takon ciklit të dytë të studimeve, në Master Shkencor dhe Profesional, kemi shënuar një rritje. Vitin e kaluar kemi pasur 641 studentë ndërsa tani kemi 680 studentë. Në Bachelor, në vitin e parë vetëm një program do jetë jo aktiv, fizika e cila nuk ka asnjë student të regjistruar në vitin e parë.

Universiteti i Shkodrës, asnjë student në degën e

Nga ana tjetër programet e Fakultetit Ekonomik janë shumë mirë, kemi një rritje edhe tek Fakulteti i Drejtësisë, janë realizuar të gjitha kuotat tek edukimi fizik, infermieria, por edhe programet me karakter profesional i kanë të realizuara kuotat në 100%. Do ketë një reformë strukturore që do nisë së shpejti në universitet dhe natyrisht do vijojmë me strategjinë e profilizimit sepse është një dokument i detyrueshëm. Reforma që do bëjmë nuk do thotë se do ketë mbyllje të programeve, por që ne do të shohim mundësinë se çfarë do të bëjmë me Departamentin e Fizikës, nëse mund të jetë një opsion për ta bashkuar me matematikën si departamente, jo si programe studimi.

Ne do ta forcojmë informatikën dhe mendojmë se Departamenti i Informatikës të jetë veçmas. Do hedhim për diskutim edhe një bashkim të Fakultetit të Shkencave Shoqërore me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për të pasur një fakultet të madh më tërheqës që mund të jetë Fakulteti i Shkencave Humane”,- tha Gjuraj.

Pas fjalës së rektorit Gjuraj, anëtari i senatit Gasper Kokaj zhvilloi një debat duke thënë se administratori i universitetit Admir Uruçi e dha dorëheqjen pak kohë më parë pas presioneve të rektorit.

“Procesi i administratorit, proces i shkarkimit, i largimit nga presione ndaj administratorit dhe procesi i aplikimeve të administratorit. Në gjithë këtë proces ka një tendencë për abuzim dhe kjo procedurë është shumë abuzive dhe desha ta bëj publike. Kam edhe një pyetje, Komisioni i Ekonomisë dhe Burimeve Njerëzore të Senatit Akademik ka bërë një raport. A jeni në dijeni se ata nga administrata e universitetit që kanë aplikuar për administrator, a ka ndonjë vërejtje po nga drejtuesit e universitetit për ata”,-tha Kokaj.

Përveç programit të fizikës edhe degë si Matematika, Gjuhët e Huaja apo Shkencat Sociale kanë një situatë shqetësuese sa i përket numrit të studentëve në Universitetin e Shkodrës./CNA





Lajmet e fundit nga