web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Përmbytjet në Fier/ Balluku: Lumi Seman është rikthyer në shtratin e tij, do të kompensohen të gjithë banorët e dëmtuar

13 Janar 2026, 16:53, Aktualitet CNA

Përmbytjet në Fier/ Balluku: Lumi Seman është rikthyer

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ndodhet në Hasturkas, të Njësisë Administrative Libofshë në qarkun e Fierit, ku si pasojë e prurjeve të shumta të lumit Seman ka pasur dëmtime të argjinaturës.

Në një deklaratë për mediat, Balluku ka theksuar se Lumi Seman është kthyer në shtratin e tij. Numri dy i qeverisë bëri me dije se nga përmbytjet janë prekur 20 banesa ndërsa është bërë evakuimi i banorëve.

Zëvendëskryeministrja bëri me dije se edhe banorët që kishin humbur kontaktet janë gjetur. Balluku theksoi se do të kompnesohen të gjithë banorët që janë prekur nga përmbytjet.

“Falënderoj të gjithë gazetarëve të terrenit të qarkut Fier, që kanë qenë gjatë gjithë kohës pranë skuadrave të emergjencave civile dhe të forcave të armatosura dhe të pushtetit vendor, prefekturës, deputetëve dhe kudo tjetër që kanë qenë këtu. Jemi në, ta quajmë, në një stat përmirësimi të situatës pasi Lumi Seman është kthyer në shtratin e tij.

Sigurisht këtu jemi shumë afër hidrovorit dhe kjo është një zonë ku vazhdon të ketë prezencë të ujit. E rëndësishme është që 20 banesa që janë prekur, asnjë nga qytetarët nuk është dëmtuar.

Është bërë evakuimi i plotë i të gjithë banorëve të zonës. Kishim para pak orësh një situatë me dy barinj të cilët nuk arrinim t'i kontaktonim, megjithatë ata janë gjetur, janë të sigurt.

Gjithçka është zhvilluar nën mbikëqyrjen e forcave të emergjencave civile por edhe të gjithë grupeve të tjera. Forcat e armatosura kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në të gjithë këto ditë të vështira dhe sfiduese pothuajse në të gjithë vendin.

Nga ana tjetër nuk parashikohet në dy-tri ditët në vazhdim që të ketë reshje dhe kjo do të jetë koha për të rikuperuar edhe dëmtimet që kanë ndodhur në argjinatura. Ishte para pak po diskutonim me inxhinierët e bordit për sa i përket bordit kullimit, pra për sa i përket kësaj situate. Secili është në pozicionin e vet, në krye të detyrës duke ju përgjigjur kërkesave të qytetarëve.

Duhet që të bëjmë me dije që të gjithë ata banorë të zonave të përmbytura që kanë nevojë për mbështetje për sa i përket ushqimit të bagëtive të kontaktojnë menjëherë me pushtetin vendor, pasi janë në dispozicion nga rezervat e shtetit gjithçka që mund t'iu vijë në ndihmë, qoftë për nevoja personale por edhe për ushqimin e bagëtive. Ndaj ne jemi në terren gjatë gjithë kohës, skuadrat janë këtu, do të vazhdojmë deri në përmirësimin total të kushteve.

Duhet thënë për sa i përket kaskadës së Devollit, është e rëndësishme kjo për t'u thënë, duke qenë se ndikimi i asaj kaskade vjen këtu në lumin Seman, që shkarkimet janë ulur në kuotën minimale, janë më të ulëta se prurjet që ka kaskada në këto momente. Kompania Shtatkraft na është përgjigjur thirrjes sonë pikërisht për t'i ulur sa më shumë shkarkimet dhe për të pasur një menaxhim të mirë ashtu siç kemi bërë me kaskadën e Drinit.

Kaskada e Drinit është menaxhuar në mënyrën më të mirë duke minimizuar përmbytjet në fushë Shkodër. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kaskadën e Devollit. Tani do të na duhet që të bëjmë të gjitha riparimet e duhura, do të na duhet që të bëjmë vlerësimin e dëmeve ashtu siç e kemi thënë, siç ka thënë kryeministri Rama, dhe çka është me rëndësi më pas në një mënyrë të drejtë me të gjitha grupet e ngritura nga bashkitë e zonave të prekur, nga emergjencat civile t'ia dalim për të bërë një shpërndarje të kompensimit që do të jetë ekuivalent i një skeme e cila po ndërtohet nga Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë si për banorët që janë prekur banesat ashtu edhe për dëmet që kanë ndodhur nëpër sera apo toka bujqësore”, u shpreh Balluku.

E pyetur nëse duhen investime për riparimin e argjinaturës së Semanit, Balluku është shprehur se ka dëmtime që kërkojnë riparime të menjëhershme që do të bëhen.

Balluku nënvizoi se do të ketë ndërhyrje akoma më të thella për të përforcuar të gjithë argjinaturat që janë prekur për shkak të këtyre vërshimeve.

“Atëherë kemi dëmtime, se çarje argjinature është pak fjalë më e madhe se ç'duhet në këtë rast. Kemi dëmtime të argjinaturës së Semanit. Padyshim do të duhen riparime të menjëhershme që do të bëhen siç e dëgjuat se ju ishit këtu me mua nga inxhinierët e bordit kullimit që do të bëhen në orët në vazhdim sapo të ketë rënie të nivelit të ujit. Dhe më pas do të ketë ndërhyrje akoma më të thella për të përforcuar të gjithë argjinaturat që janë prekur për shkak të këtyre vërshimeve. Unë nuk e di nëse është hera e parë që janë kaq shumë vërshime apo jo, por megjithatë është e rëndësishme që të thuhet që janë identifikuar pikat problematike të cilat do të riparohen menjëherë. Shumë faleminderit të gjithëve”, tha Balluku./ CNA





Lajmet e fundit nga