web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rrëzimi i Moratoriumit 10-vjeçar/ Gjuetarët në Shkodër kundërshtojnë projektligjin

5 Shkurt 2025, 13:55, Aktualitet CNA

Rrëzimi i Moratoriumit 10-vjeçar/ Gjuetarët në

Projektligji, i cili i hap rrugë gjuetisë duke i dhënë fund moratoriumit 10-vjeçar, po ndeshet me kundërshtime nga ana e vetë gjuetarëve.

Këta të fundit në Shkodër tregojnë se dhënia e lejes nga Ministria e Mjedisit për gjuajtjen e disa specieve, si dhe fakti që zona të ndryshme të gjuetisë do t’u jepen ndër të tjera edhe agjencive të ndryshme dhe personave privatë, nuk është e lejuar.

“Me një vendim qeverie, moratoriumi bie poshtë dhe gjuetia pritet që të hapet më 1 gusht, sipas qeverisë, por ne kërkojmë që të hapet me 15 gusht sepse më herët do të ishte e dëmshme për disa specie që janë ende në rritje e sipër. Me hapjen e gjuetisë ne na mbetet një detyrë e madhe. Janë disa pika ku Ministria e Mjedisit dhe ajo e Brendshme na kanë vendosur ne përpara një detyre që të bëjmë organizimet e reja.

Gjuetia tashmë ka kaluar bashkë me bashkitë dhe të gjitha territoret që janë jashtë Zonave të Mbrojtura. Bashkia do t’ia kalojë Shoqatës së Gjuetarëve për administrimin dhe menaxhimin e këtyre territoreve në ato vende ku janë të lira. Pra, nuk bëhet fjalë për Zonat e Mbrojtura sepse aty nuk kemi të drejtë të futemi.

Në 10 vite është zhdukur çdo gjë si shkak i moratoriumit dhe flas për speciet autoktone. Moratoriumi nuk mbrojti asgjë dhe doli e kundërta sepse gjuetia e paligjshme ka vijuar pa ndërprerje. Ka disa pika në projektligjin e ri që nuk janë në mbështetjen tonë. Kërkohet që dikush tjetër të marrë situatën në dorë duke e përjashtuar pak Shoqatën e Gjuetarëve, por ne do të jemi siç kemi qenë gjithmonë.

Jemi 44 shoqata në të gjithë Shqipërinë dhe do të vijojmë të jemi nën administrimin e Federatës së Gjuetarëve. Deri në fillim të muajit mars ne do të dërgojmë kërkesat tona që nuk përshtaten me interesin e gjuetisë, këto kërkesa do t’i dërgojmë pranë ministrive përkatëse. Sipas projektligjit të ri, për të gjuajtur disa specie duhet që të marrim autorizim në Ministrinë e Mjedisit, gjë për të cilën ne nuk jemi dakord. Ministria nuk duhet të jetë në këtë punë dhe i bie sikur të kemi sërish moratorium. Pika tjetër është se gjuetia nuk është private.

Këtu diskutohet që zonat e gjuetisë do t’u jepen agjencive, bizneseve, personave privatë dhe ne si Shoqatë e Gjuetarëve sërish nuk jemi dakord. Nëse bëhet kështu atëherë biznesi do ta kthejë gjuetinë në biznes, një person i vetëm po ashtu do ta kthejë në biznes. Është e papranueshme për ne që zonat e gjuetisë të jenë në dorën e atyre që nuk janë shumë të kualifikuar për këtë punë dhe duhet të jemi ne shoqatat që t’i administrojmë sepse kemi njohuritë dhe eksperiencën e duhur. Janë 5-6 pika kryesore që ne na pengojnë”, tha Zyhdi Mustafa, zëvendëspresident i Federatës së Gjuetarëve.

“Qysh ditën kur ka dalë moratoriumi ka qenë jashtë logjike të çdo gjuetari të ndershëm. Na kanë sjellë Federata e Gjuetarëve disa udhëzime dhe projektligjin e ri, por në shumë pika ne e kundërshtojmë. Zonat e gjuetisë në Shkodër janë shumë të vogla dhe nëse futet edhe privati atëherë shoqatës i ikën funksioni dhe nga gjueti sportive kalon në gjueti tregtie se dalin e shesin pastaj”, tha Xhabir Mehmeti, shoqata e gjuetarëve Shkodër.

Në qarkun Shkodër janë rreth 700 gjuetarë, por me ligjin e ri numri i tyre do të reduktohet ndjeshëm sepse do të jetë në përpjesëtim me hapësirat e lejuara, ndërsa një shqetësim për shoqatat mbetet neglizhenca e policisë së shtetit ndaj gjuetisë së paligjshme.

“Duhet të ketë një kriter që në bazë të sipërfaqes për metër katrorë do të jetë edhe numri i gjuetarëve. Përpara moratoriumit kemi qenë rreth 700 gjuetarë në Shkodër. Ky numër nuk do të ekzistojë më sepse nuk i intereson më gjuetisë dhe do të reduktohet”, u shpreh Zyhdi Mustafa, zëvendëspresident i Federatës së Gjuetarëve.

“Një faj ka policia e shtetit sa i përket gjuetisë së paligjshme. U bë moratorium për gjuetarët e ndershëm dhe lulëzuan grupet e gjuetarëve shkelës. Sot po të shkosh në tregjet e Shkodrës gjen shepka që i kanë vrarë natën me projektor. Projektorët dhe gjuetinë gjatë natës nuk është e vështirë që policia t’i zbulojë po të dojë. Ne jemi të penalizuar si gjuetarë të vjetër dhe të ndershëm, deklaroi Xhabir Mehmeti, shoqata e gjuetarëve Shkodër.

Një tjetër pikë e re do të jetë regjistrimi nga fillimi dhe testimi i të gjithë gjuetarëve nga një komision i përbashkët nga shoqatat, ministritë përkatëse dhe policia e shtetit.

“Të gjithë gjuetarët do të kalojnë në një testim, të gjithë ata që do të pajisen me armë gjahu dhe armë me vjaska, pra armë e gjatë pushkë, sipas ligjit të ri, por do t’i nënshtrohen një komisioni që përbëhet nga Federata e Gjuetisë, ministritë dhe policia e shtetit. Kam një thirrje për të gjithë gjuetarët që të vijnë dhe të regjistrohen. Ne kemi marrë lejet e reja, kemi marrë autorizimet e gjuetisë të reja, autorizimet e marrjes në testim të reja dhe të gjithë të interesuarit të afrohen dhe të presin koutizacionet dhe të bëhen pjesë e shoqatës sonë. Është hapur një regjistër i ri dhe është një format i ri ku do të regjistrohen gjuetarët”, tha Zyhdi Mustafa, zëvendëspresident i Federatës së Gjuetarëve./ CNA





Lajmet e fundit nga