web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rrëfimi i rrallë i Kryepiskopit Joan/ Si nisi lidhja me fenë: Kur lexova Ungjillin u ndjeva i gëzuar

22 Tetor 2025, 22:49, Aktualitet CNA

Rrëfimi i rrallë i Kryepiskopit Joan/ Si nisi lidhja me fenë: Kur

Gazetari Blendi Fevziu ka zhvilluar një intervistë mjaft të veçantë me Kryepiskopin Joan, i cili ka rrëfyer se si ka nisur dhe lidhja e tij me besimin fetar.

Fortlumturia e Tij, Joani tregoi që fëmijë kishte shumë dëhsirë të lexonte libra. Gjithçka nisi kur lexoi Ungjillin për herë të parë.

Kryepiskopi u shpreh se që në atë moment u ndje i gëzuar, pasi teksa e lexonte iu kthye pas fëmijëria, koha kur ai ishte i gëzuar.

Pjesë nga rrëfimi në emisionin Opinion

Blendi Fevziu : Çfarë dinit ju për fenë në atë kohë?

Kryepiskopi Joan: Jo se dinim shumë, por jeta e njeriut është një proces. Unë mbaj mend, për t'i... se shpesh e them shpesh këtë, jam rritur në një familje të madhe, tetë fëmijë. Po. Dhe kur isha i vogël, isha shumë i gëzuar. Se jo vetëm ne që ishim tetë fëmijë ne, xhaxhai atje kishte gjashtë, komshinjtë e tjerë po ashtu. Ndjehesha shumë i mbrojtur. Edhe unë besoj që familjet e mëdha krijojnë një gjendje shumë të mirë emocionale për fëmijët për t'u rritur, se ndjeheshin të mbrojtur, vëllezër, motra dhe bëhesh dhe njeri social, sepse ti komunikon me të. Komunikon me të qoftë dhe duke u grindur.

Blendi Fevziu : Po, po, çdo lloj komunikimi është i përfshirë brenda të gjithë atyre.

Kryepiskopi Joan: Ndërsa sot nganjëherë të vjen dhe keq sepse janë të izoluar fëmijët.

Blendi Fevziu : Ky është fenomen, ky është fenomen botëror, nuk është se varet, është shumë e vërtetë.

Kryepiskopi Joan: Ndërsa në atë kohë isha shumë i gëzuar dhe kisha shumë dëshirë të lexoja. Libra pafund.

Blendi Fevziu : Po librat ku i gjenit?

Kryepiskopi Joan: Duke mësuar që në moshë të vogël, të re si të thuash, akoma të vogël, italishten dhe frëngjishten, kishim mundësi për të rënë në kontakte me libra. Aty kishim...

Blendi Fevziu : Që besoj se kanë qenë libra shumë të vjetër, madje të para Luftës së Dytë Botërore që ndodheshin në bibliotekat e familjeve.

Kryepiskopi Joan: Po, të gjitha. Ishin dy persona, të paktën te ajo rrugica e vogël që ishim ne, Ester Frashëri, edhe një...

Blendi Fevziu : Pipi, i famshëm po.

Kryepiskopi Joan: Djali i Esterit ishte Pipi. Ishte Pipi, po. Dhe ishte dhe një inxhinier austriak që kishte qenë me Luftën e Parë Botërore dhe që kishte mbetur në Shqipëri.

Blendi Fevziu : Dhe që kishte mbetur në Shqipëri.

Kryepiskopi Joan: Se ishte martuar me një shqiptare, në Korçë, me emrin Fedra. Këta të dy kishin shumë libra. Dhe një pjesë të madhe të atyre librave dhe m'i dhuruan, një pjesë tjetër i merrja, i lexoja, i ktheja. Dhe në fillim, ndoshta nuk e kuptoja atë dëshirën e madhe që kisha për të lexuar. Shumë më vonë pastaj e kam kuptuar që ndoshta qenia njerëzore është gjithmonë një qenie në kërkim, po kërkon diçka. Problemi është shpeshherë se nuk dimë çfarë kërkojmë.

Blendi Fevziu : Një qenie e sofistikuar njerëzore, se ka qenie njerëzore që kanë aspirata dhe dëshira shumë më të vogla.

Kryepiskopi Joan: Po si do të jetë, çdo qenie njerëzore unë besoj ka, besoj çfarë thotë në Shkrimin e Shenjtë, që është krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Që çdo njeri e ka ikonën e Perëndisë. Dikush më të mbuluar, dikush pak më të pastruar, po të gjithë e kanë atë. Dhe kudo është kjo dëshira e kërkimit. Ndoshta mungon artikulimi i kësaj gjëje, po dëshira e thellë është e kërkimit.

Blendi Fevziu : Po dëshira për, patjetër. Dëshira për të eksploruar, patjetër. Çështja është pastaj ti do eksplorosh në ujëra më të cekta apo shkon në ujërat më të thella të qenies njerëzore.

Kryepiskopi Joan: Duke kërkuar këto libra, më ra rastësisht në dorë një ungjill. Isha në vitin e katërt në gjimnaz. Ishte në frëngjisht.

Blendi Fevziu : Në maturë.

Kryepiskopi Joan: Në maturë.

Blendi Fevziu : Një ungjill në frëngjisht.

Kryepiskopi Joan: Në frëngjisht. Nuk dija asgjë për ungjillin, besoj.

Blendi Fevziu : Dish diçka se...

Kryepiskopi Joan: Po, ishte diskutuar, po jo që ta kishim lexuar librin. Dhe kur e lexova, ndjeva diçka të ndryshme. Unë e quaj atë një lloj si një e vërtetë psikologjike. Që...

Blendi Fevziu : Pra të impresionoi ungjilli kur e lexove?

Kryepiskopi Joan: Besova që është e vërtetë. Janë disa të vërteta, për shembull, mënyra se si shkruhej, mënyra e fjalëve, të bindesh që është e vërteta. Kjo ndodh edhe me njerëzit kur bisedojmë ndonjëherë. Kur bisedon dikush e të thotë diçka, nganjëherë mënyra si ta thotë dhe fjalët që përdor, ti i bindur që është e vërteta. Kjo gjë më ndodhi atje. Dhe provova dhe diçka tjetër që ishte shumë e rëndësishme, siç thatë dhe ju për shembull, që kur je i vogël e ke këtë gëzimin, kur fillon adoleshenca fillojnë problemet e tjera. Fillojnë... interesohesh më tepër për çështje, ndonjë libër në filozofi, kjo gjëra, po dalëngadalë gëzimi largohet. Kur lexova ungjillin, ndjeva që gëzimi m'u kthye përsëri.

Blendi Fevziu : Dhe në një moshë shumë delikate.

Kryepiskopi Joan: Dhe fjalët që thashë në mendjen time, se s'kisha njeri për të biseduar: "Falenderova Zotin që më ktheu prapë gëzimin e fëmijërisë."

Blendi Fevziu : Nga ungjilli të ndodhi.

Kryepiskopi Joan: Nga ungjilli, nga leximi i tij.

Blendi Fevziu : E gjithë kjo literaturë fetare ka një lloj misticizmi brenda saj që nuk është e lehtë për t'u përtypur. Po flasim, unë kam lexuar literaturë fetare, kam lexuar letërsi shumë, jam diplomuar për letërsi dhe e di se sa e vështirë dhe sa vëmendje dhe përqëndrim kërkon literatura letrare dhe sa dilema ose pikëpyetje të jep ty më pas, që ti duhet t'i japësh përgjigje jo atë moment, po ndoshta gjithë jetën tënde. Diku je dakord, diku s'je dakord, je... Si i dhe përgjigje këtyre dilemave që të erdhën nga leximi i ungjillit?

Kryepiskopi Joan: Në fakt, faktikisht nga leximi, kur e lexova unë, nuk i lexova në kuptimin intelektual. Ndjeva një lloj fryme që nuk kishte nevojë për shpjegime. Më vonë, për shembull, pasi lexova shumë literaturë, studiova për teologji, fillova të kuptoja që ajo thënia e famshme që thuhet që perëndia është mbi arsyen, po jo jashtë arsyes, do të thotë që jo të gjitha ne mund t'i shpjegojmë me arsyen. Janë disa, mund t'i quajmë dhe mistere. Se dhe fjala mister nuk ka kuptimin vetëm thjesht diçka e fshehtë. Ka kuptimin e diçkaje që ti s'mund ta shpjegosh dot të gjithën. Ti mund ta shijosh, po nuk e shpjegon dot të gjithën. Për shembull, në kishën ortodokse, sakramentet quhen mistere. Po jo mistere se janë të fshehta, po pikërisht nga kjo gjë.

Blendi Fevziu : Sepse ti nuk i jep dot shpjegimin përfundimtar.

Kryepiskopi Joan: Njohuria do të vijë më vonë. Dhe me të drejtë Shën Agostini shkruan që, "Ne nuk njohim që të besojmë, ne besojmë që të njohim". Që do të thotë nëpërmjet besimit vjen dhe njohja. Se dhe nëpërmjet besimit vjen dhe përgjigja për disa pyetje që në fillim ndoshta mund të duken të habitshme. Shumë urdhërime ne ndoshta s'i kuptojmë të gjitha pse duhen bërë ashtu. Po besojmë që duhet. Dhe pastaj kuptojmë dhe përse.

Blendi Fevziu : Dhe në moshën 18 vjeçare, duke lexuar ungjillin, ju ndjetë një, po e quaj, një mesazh të brendshëm tuajin që ju lidhët me besimin fetar. Njëkohësisht gjithë dilemat që një tekst fetar gjallëron. Kush ishin mentorët tuaj në raportet e para me besimin fetar? Jam i sigurt që ju me dikë e keni biseduar. Është shumë e vështirë ta bisedoje me një moshatar të 18 vjeçar që s'kishte lexuar...

Kryepiskopi Joan: Bisedova me disa. Me moshatarë. Po. Bisedova. Madje disa prej tyreve jua dhashë dhe ta lexojnë ungjillin.

Blendi Fevziu : Po nuk patën të njëjtin efekt si ju?

Kryepiskopi Joan: Ndoshta në mënyrë të ndryshme. Njerëzit nuk janë asnjëri njësoj. Edhe unë besoj që Zoti nuk krijon kopje. Çdo njeri është i krijuar në mënyrë të veçantë. Kjo ndoshta është dhe dashuria që ka Zoti për çdo person.

Blendi Fevziu : Çdo njeri ka origjinalitetin e tij, ose në gjuhë moderne do thoshin kodin e tij./ CNA





Lajmet e fundit nga