web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Reagimi i Bollinos/ Koka: Fajin kërkoje tek ata që bëre pazare

25 Dhjetor 2025, 19:58, Aktualitet CNA

Reagimi i Bollinos/ Koka: Fajin kërkoje tek ata që bëre pazare

Gazetari Bledian Koka ka reaguar ndaj deklaratave të Carlo Bollinos, duke i cilësuar ato si kërcënuese dhe me standarde të dyfishta në raport me median dhe pushtetin. Reagimi u bë në Syri TV, ku Koka iu përgjigj paralajmërimeve të Bollinos se do të “zbulojë” persona dhe burime kriminale që, sipas tij, lidhen me këtë media.

Në reagimin e tij, gazetari Bledian Koka ngriti pikëpyetje mbi faktin se përse Carlo Bollino, nëse pretendon se ka dijeni për eksponentë të krimit apo për para të pista në media, i ka mbajtur të fshehura këto informacione deri tani. Sipas Kokës, publikimi i akuzave në formë kërcënimi përbën konflikt interesi dhe ngre dyshime mbi motivet reale të këtij reagimi.

Koka theksoi se gazetarët e Syri Televizion nuk janë aksionerë apo pronarë, por profesionistë që punojnë me kontrata dhe paga të rregullta, duke zgjedhur këtë media për shkak të linjës së saj kritike ndaj pushtetit. Ai e cilësoi Syri Televizionin si një nga të paktat media opozitare serioze në vend, që vijon të realizojë investigime në një ambient mediatik të dominuar, sipas tij, nga lidhje të forta mes pushtetit dhe mediave.

Në reagimin e tij, Bledian Koka mohoi kategorikisht çdo raport të Syri Televizion me krimin e organizuar, duke theksuar se kjo media nuk ka ofruar platformë për figura të botës së krimit dhe nuk ka shërbyer si zë apo mbulim mediatik për ta në momente kyçe përballë drejtësisë. Gazetari u shpreh se nëse Carlo Bollino pretendon të provojë të kundërtën përmes asaj që e quan “gazetari investigative”, ai dhe kolegët e tij janë të gatshëm të përballen publikisht me çdo provë. Sipas Kokës, çështja nuk lidhet vetëm me një emër të vetëm, por me një problem më të gjerë të marrëdhënieve mes medias dhe pushtetit në Shqipëri.

Bledian Kokës tha se duhet transparencë dhe standarde të barabarta në media, duke theksuar se çdo akuzë për lidhje me eksponentë të krimit duhet të shoqërohet me fakte dhe prova, dhe jo me paralajmërime apo kërcënime publike.

 

"Zoti Bolino vetë ka reaguar. Na ka paralajmëruar neve, syrin dhe do na tregojë neve se kush janë kriminelët që flenë në Syri Televizion.

Se kush janë paratë e pista që vijnë tek televizioni jonë. Ka bërë paralajmërime shumë serioze. Që këtu është në konflikt interesi. Pra, në qoftë se zoti Bolino i dinte këto gjëra për syrin, pyetja është, pse i ka mbajtur të fshehura deri tani? Sepse ne nuk kemi heshtur, ne s'kemi pasur ndonjëherë qime në gjuhë me zotin Bolino, me Top Channel-in, me Klanin kur ka dalë, pra, çdo gjë kemi pasur, e kemi thënë, se e kemi bërë, se e kemi bërë sa herë na ka dalë përpara me, me fakte dhe me prova. Pyetja është, pse u kujtua sot zoti Bolino të na kërcënojë neve, syrin? Në këtë rast dhe na tha që do na tregojë neve kriminelët.

Tani unë dhe ti punojmë këtu te ky televizioni, Sonilë. Nuk jemi as aksionerë, marrim rrogën tonë, kemi bërë kontratën tonë dhe e kemi bërë këtë sepse besoj që Syri është ndër të paktët, mos me thënë i fundit media opozitare serioze në Shqipëri, e cila, si me thënë, i thotë akoma opozitës, opozitë. Ka dhe media të tjera që realisht e bëjnë punën e tyre, por që me zë e me figurë dhe me me investigime të mirëfillta, të cilat realisht në një terren të kalcifikuar mediatik, jo për shkak të zgjedhjes së medias, po për shkak të qasjes që ka pushteti me këto media, si me thënë, e ka bërë gati-gati të pamundur dhe inekzistent rezistencën ndaj medias.

Unë mendoj që ne që flasim këtu sot dhe që punojmë te ky televizioni sot, nuk kemi turp të dalim, sepse e dimë që askush kur sa herë bëjmë ndonjë status, nuk na thotë neve njeri hajdut apo shërbëtor i Edi Ramës. Na thonë neve shërbëtor i Sali Berishës. Me sa di unë Sali Berisha është lider i opozitës dhe ka 13 vite herën e fundit që s'ka qenë në pushtet. Pra kjo është e vërteta.

Zoti Bolino duhet të kuptojë që publikimi i atyre informacioneve nuk është faj i syrit. Ai duhet ta kërkojë tjetërkund, se kush e ka hedhur gurin dhe ka fshehur dorën, po kjo është puna e zotit Bolino me ata që bën ai pazar, që janë pushteti, si Belinda, si Edi Rama, Erion Veliaj jo se vazhdon t'i shërbejë, këto janë zgjedhjet e tyre.

Ajo që në Syri Televizion nuk ka ndodhur kurrë në raport me krimin e organizuar, është që në Syri Televizion nuk ka dhënë ndonjëherë intervistë Safet Bajri dhe të thotë që unë jam thjesht një peshkatar në kohë, në ditën kur ai akuzohej për me krime shumë të rënda, jo nga drejtësia shqiptare, por nga drejtësia belge. Dhe sigurisht që në Syri Televizion akoma nuk ka çmendur deri në atë pikë, sa të bëhet kameramani personal si televizion, i rrugëtimit të Kelmend Balilit nga shtëpia e tij, me shofer ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, sot drejtorin e AK-s, që shkonte dhe dorëzohej te policia. Pra, këto lloj raportesh me këto njerëz intelektualë të botës së krimit, Syri Televizion deri më sot nuk i ka pasur ndonjëherë.

Në qoftë se zoti Bolino me paralajmërimin e tij që do na mësojë neve gazetarinë investigative, do arrijë të na provojë të kundërtën e kësaj, sinqerisht unë që kam nja gjashtë vjet që punoj tek Syri Televizion dhe që ditën e parë kur është hapur dhe portali syri.net, do të isha shumë i interesuar ta shikoja.

Unë mendoj që edhe ky është për mua shpërthim i kontrolluar, sepse e vërteta është që nuk është vetëm Carlo Bolino.

Ne këtu jemi dhe nuk mund të bëjmë sikur nuk e dimë, që shumë e shumë media të tjera, madje dhe me licenca kombëtare, po të ketë një hetim dhe po të ketë një qasje reale për ta çmontuar këtë lidhje të poshtër dhe të flliqur, që nuk i bën nder më medias, mes medias dhe pushtetit, ku pushteti është e vetmja zgjidhje dhe opozita është e keqja e madhe, pavarësisht se pushteti vjedh nga mëngjesi deri në darkë", tha Koka./CNA





Lajmet e fundit nga