web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kremtohet 75-vjetori i krijimit të Forcës Ajrore

30 Prill 2026, 18:35, Aktualitet CNA

Në bazën ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë, u zhvillua ceremonia e 75-vjetorit të krijimit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar.

Në këtë ceremoni jubilare morën pjesë President i Republikës Bajram Begaj, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA gjenerallejtënant, Arben Kingji, drejtues të lartë të Forcave të Armatosura, përfaqësues nga Shoqata e Veteranëve të Aviacionit, familjarë të Dëshmorëve të Atdheut etj.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj gjatë fjalës përshëndetëse, vlerësoi se transformimi i Forcës Ajrore nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e aleatëve duke theksuar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke folur për modernizimin e Forcës Ajrore, Ppesidenti Begaj e cilësoi planin si ambicioz dhe të domosdoshëm.

Plani i modernizimit të Forcës Ajrore është ambicioz dhe i nevojshëm. Modernizimi i flotës me helikopterë, zhvillimi i kapaciteteve të mbrojtjes ajrore të bazuar në tokë, GBAD, ngritja e Detashmentit të Avionëve pa Pilotë, plotësimi i sistemit të integruar të vëzhgimit ajror dhe transformimi i bazës si Bazë Taktike Ajrore e NATO-s janë investime me të cilat ne kemi hapur një kapitull të ri, një kapitull ku Forca Ajrore nuk është vetëm garant i sovranitetit, por është edhe kontribues aktiv në sigurinë kolektive”, u shpreh Begaj.

 

Ministri i Mbrojtjes, Nufi foli për një investim të rëndësishëm të qeverisë shqiptare, rihapjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë pas dy dekadash. Shkolla e Aviacionit do të përgatisë pilotë ushtarakë dhe civilë, si dhe kontrollorë ajrorë duke ruajtur traditën e aviacionit ushtarak në vend.

 

Ringritja e Shkollës së Aviacionit është një hap i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësinë e traditës dhe përgatitjen e brezave të rinj të pilotëve dhe specialistëve”, u shpreh ministri Nufi.

 

Më tej, ministri i Mbrojtjes Nufi u shpreh se modernizimi i kapaciteteve ekzistuese është prioritet strategjik, i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, duke nënvizuar se po punohet për përmirësimin e sistemeve të radarëve dhe forcimin e mbrojtjes kundërajrore. Sipas ministrit, baza ajrore taktike e Kuçovës mbetet një pikë kyçe strategjike për Shqipërinë dhe për vetë Aleancën, që rrit rolin e Shqipërisë në rajon.

 

Modernizimi i kapaciteteve janë pikërisht investimi në mjete, në teknologji dhe në sisteme që janë thelbësore për të rritur gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë me aleatët tanë.

Zhvillimi i kapaciteteve të reja, sidomos i mjeteve pa pilot, modernizimi i sistemeve të radarëve, forcimi i mbrojtjes kundërajrore, si elementë shumë të rëndësishëm dhe krucial për realitetin e sotëm të sigurisë. Dhe së fundmi, konsolidimi i aseteve strategjike, si baza ajrore e Kuçovës, ku ne sot kemi zgjedhur pikërisht për të bërë festimin e 75-vjetorit të Forcës Ajrore, i cili nuk është një aset vetëm kombëtar shqiptar, por është edhe një aset për të gjithë Aleancën Ushtarake të NATO-s, një kontributor i paqes dhe një tregues i forcës ushtarake”, u shpreh ministri Nufi.

 

Duke u ndalur te etapat e historisë së transformimit të Forcës Ajrore, ministri i Mbrojtjes Nufi, vlerësoi kontributin e pilotëve, teknikëve dhe specialistëve që kanë shërbyer, në shërbim të Atdheut.

Më 24 prill 1951, u bë e mundur që të realizohej fluturimi i parë në Hapësirën Ajrore të Republikës së Shqipërisë e cila shënoi dhe datën zyrtare të krijimit të Aviacionit Luftarak Shqiptar. Në këtë ngjarje historike, piloti i talentuar Peço Polena, realizoi fluturimin e parë me aeroplanin tip JAK-9P, të montuar nga specialistët shqiptarë.

Po në këtë ditë, u krijua edhe formacioni i parë për këtë armë dhe u quajt Skuadrilja e parë Luftarake e Aviacionit, me komandant pilotin Babaçe Faiku e kompletuar me 12 avionë tip Jak-9 dhe dislokim në aerodromin e Laprakës në Tiranë.





Lajmet e fundit nga