web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Hetim administrativ tek Onkologjiku/ Koçiu: Do ta ndryshojmë ligjin për Urdhrin e Mjekut

26 Qershor 2024, 14:29, Aktualitet CNA
Hetim administrativ tek Onkologjiku/ Koçiu: Do ta ndryshojmë ligjin
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu. Burimi, MSH

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, reagoi sërish për skandalin që u zbulua në spitalin Onkologjik, ku mjekët dhe punonjësit shisnin ilaçet e kimioterapisë te privati dhe i dërgonin më pas pacientët në privat për të marrë shërbimin.

Ajo njoftoi se ka nisur një hetim administrativ te spitali Onkologjik, që synon ridimensionim të spitalit.

Koçiu shtoi se do të iniciojnë ndryshime në ligjin për Urdhrin e Mjekut në mënyrë që të sanksionojnë këdo, që sipas saj, e trajton jetën njerëzore si një mall shumice.

“Dua ta theksoj edhe një herë të qartë për publikun që korrupsioni është vija e kuqe ndarëse mes interesit publik, interesit të çdo qytetari dhe kujtdo që i shkon mendja për të kryer veprime të tilla të turpshme, të cilat nuk i përkasin figurës së mjekut dhe të infermierit. Ne kemi nisur një hetim administrativ krahas hetimit që ka filluar prokuroria, të cilën do të më duhet ta inkurajoj, t’i shkojë deri në fund të gjithë procesit të hetimit dhe të ndëshkojë në mënyrë shembullore të gjithë ata që kanë kryer procedurat të cilat cenojnë figurën e mjekut dhe të infermierit dhe procedura të cilat i ndëshkojnë penalisht. Ndërkohë nga ana tjetër dua të theksoj që procedimi dhe hetimi administrativ  që ne kemi nisur së bashku me strukturat e brendshme të auditit dhe të Antikorrupsionit, do të jetë një hetim i cili pa diskutim do të trajtojë në shumë aspekte çështjet e organizimit dhe të punës në këtë shërbim.

Sigurisht që është e papranueshme, e patolerueshme që mjeku, figura më e lartë që duhet t’u shërbejë njerëzve me përkushtim çdo ditë të mund të trajtojë jetën njerëzore si një mall në tregun e shumicës, dhe pikërisht për këtë fakt ne do duam të sjellim në një dimension tjetër, ushtrimin e figurës së mjekut dhe të infermierit dhe të profesionit të tyre dhe pikërisht për këtë po punojmë dhe do të iniciojmë shumë shpejt ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do t’ia prezantojmë Kuvendit të Shqipërisë. Bëhet fjalë pikërisht për të bërë mendime në ligjin për Urdhrin e Mjekut në Republikën e Shqipërisë për të vendosur edhe aty sanksione të forta të cilat ndëshkojnë çdokënd që e trajton jetën njerëzore si një mall shumice në tregun e lirë. Ndëshkojnë këdo i cili krahas veprimeve të tjera moralisht nuk kryen detyrën në mënyrë profesionale me integritet dhe me moral i cili duhet të jetë thelbi i punës së çdo profesionisti sidomos në sektorin e shëndetësisë.

Gjithashtu nga ana tjetër do më duhet të them, që hetimi administrativ që kemi nisur do bëjë të mundur edhe një ridimensionim të të gjithë shërbimit tonë të Onkologjikut”, theksoi ministrja./ CNA





Lajmet e fundit nga