web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Mesazhi i zëdhënësit të Policisë së Shtetit/ "Na respektoni dhe vlerësoni sa jemi gjallë"

29 Shtator 2021, 20:28, Aktualitet CNA

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit Genti Mullai, ka përcjellë një mesazh shumë të fortë, pas vrajses së nënkomisarit të Lezhës, Saimir Hoxha në krye të detyrës.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Mullai kërkon mbështetje, bashkëpunim, vlerësim për punonjësit e policisë sa janë gjallë.

?Misioni ynë është fisnik, i pakrahasueshëm dhe i patjetërsueshëm, sepse përmban brenda sublimen, mbrojtjen e jetës me jetë?, ka shkruar Mullai ndër të tjera.

Mullai iu ka bërë një apel kolegëve tëtij që të punojnë me përkushtim dhe forcë ndaj krimit për një shërbim sa më cilësor për qytetarët, se vetëm në këtë mënyrë do të mund të zbresin nga mentaliteti i kohës së vjetëruar.

Statusi i Genti Mullai

Na mbështesni dhe bashkëpunoni me ne, na respektoni dhe na vlerësoni sa jemi gjallë, se për sigurinë e jetës punojmë e sakrifikojmë.

Mbase s?jemi engjëj, as të përkryer, por punojmë shumë, shumë, në kushte jo të favorshme, me orar të tejzgjatur, të papajisur me logjistikën e nevojshme, punojmë në diell e në shi, në të ftohtë e në të nxehtë, në stuhi e në rrebesh, në stres e në pamundësi, punojmë për një qëllim, për të mirën e përbashkët.

Na kritikoni e na qortoni, mos u dakordësoni me ato që s?bëjmë mirë, denonconi ata që abuzojnë me të drejtat tuaja dhe me atributet e uniformës dhe detyrës, por ama mos iu kundërvini policit, për të nxjerrë inatet personale, për një gjobë, për një fjalë, për hatër të dikujt apo për të suportuar mikun e shokun.

Polici është njëri prej jush, pjesë e juaja, punon e jeton në të njëjtin realitet shoqëror me ju, por për çudi, nëse ai bën një gabim sado minimal të gjithë sytë janë janë mbi të dhe vërehet një kënaqësi e madhe për ta denigruar. Kënaqeni kur shikoni homologët tanë që kërcejnë në mes të rrugës me qytetarët, bëjnë foto apo luajnë me ta, ama po t?i bëjë një polic shqiptar këto, bëhet nami, shpërthen rrjeti kundra veprimit të tij.

Keq kur bën punën, keq kur bën sikur bën punën, keq kur reagon e keq kur nuk reagon, keq edhe kur gabojnë të tjerët, prapë fajin e ka Policia, për çdo gjë fajin e ka Policia. Por kur policit i marrin jetën plumbat e keqbërësve, çuditërisht të tërë janë me Policinë, ndoshta prej faktit se kur ikën një njëri e do zakoni të shkruash e të flasësh mirë për të.

Mos na denigroni, se kur keni hall dera e parë dhe e fundit që trokisni është dera e Policisë, por përsëri aty brenda asaj dere, ata ?të këqinjtë? ju vijnë në ndihmë, ju shërbejnë dhe më pas çuditërisht i falënderoni edhe publikisht.

Ylli ynë, Saimir, Dëshmori i Policisë, u prehsh në paqe.

Shpirti yt dhe i 224 dëshmorëve të tjerë të Policisë ndriçoftë në altarin e ndërgjegjes së gjithësecilit, për më shumë mirësi, humanizëm, bashkëpunim e respekt, vlera këto që detyrojnë rrjedhën e lumit të lëvizë në drejtimin e duhur.

Misioni ynë është fisnik, i pakrahasueshëm dhe i patjetërsueshëm, sepse përmban brenda sublimen, mbrojtjen e jetës me jetë.

Uroj me zemër që në Memorialin e Dëshmorëve të Policisë të mos shtohen më yje, por të shtohen vlerat bashkëpunuese në memorialin e ndërgjegjes së gjithësecilit.

Ngushullime të sinqerta familjes së mikut, shokut, kolegut e dëshmorit tonë të radhës, Saimir Hoxha.

Apel për të gjithë kolegët, për më shumë përkushtim dhe forcë ndaj krimit dhe për një shërbim sa më cilësor për qytetarët, se vetëm kështu do mundim të zbresim nga mentaliteti i vjetëruar i kohës, kritikën e pamerituar, dhe do të ndërtojmë një memorial, ku bashkarisht me qytetarët do ndërtojmë urat e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, për të shkruar në këtë memorial rezultate e suksese dhe jo për të shtuar yllin e radhës./ CNA.al





Lajmet e fundit nga