LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

REPORTAZH-Paulin Preka, lamtumira e 'kolosit' të humorit shqiptar

8 Shtator 2021, 14:54, Qyteti im CNA
REPORTAZH-Paulin Preka, lamtumira e 'kolosit' të humorit

Mes lotësh e një dhimbje të madhe miq, familjarë, kolegë e shumë qytetarë të Shkodrës i dhanë lamtumirën e fundit “Mjeshtrit të Madh” të humorit, aktorit të shquar shqiptar e shkodran Paulin Preka.

Arkivoli me trupin e pajetë të aktorit 86 vjeçari mbërriti nga Italia ku jetonte me familjen në hollin e teatrit “Migjeni” ku u zhvilluan homazhet në nder të tij.

Kolegët të përlotur e kujtojnë humoristin Paulin Preka si një kolos të artit shqiptar. Mjeshtrja e Madhe Zyliha Miloti nuk i ndan për asnjë çast lotët kur flet për kolegun e saj të dashur Paulin Preka.

“Partneri i 40 viteve me radhë. Sot Shkodra i jep lamtumirën e fundit artistit të madh, personalitet i artit shqiptar Paulin Preka. Ai lindi për të qenë artist i madh, i kompletuar në të gjitha drejtimet, jo vetëm aktor humori dhe i komedisë por edhe aktor i mrekullueshëm i dramës, një artist i mrekullueshëm edhe në filmat shqiptar si dhe ka mbajtur gjallë estradën e Shkodrës me shkrimet e tija të mrekullueshme. Është një humbje e madhe. Paulin Preka ishte një partner i mrekullueshëm. Unë e kam për nder dhe jam shumë krenare që kam interpretuar përkrah këtij artisti të madh i cili me plot gojë e them që mi ka shtuar shumë vlerat si artiste. Përveçse një artist i përkryer i kushedi sa karaktereve e roleve që asnjëherë nuk e bëri një rol dy herë, ishte edhe një shok shumë i mirë sepse më shumë kemi jetuar me njëri-tjetrin se sa në familjet tona. Më vjen keq sepse la pas shumë material të shkruara dhe ka patur shumë dëshirë që të vinte ta bënte edhe një shfaqje por familja i ka ato materiale dhe besoj do i sjellin për të përjetësuar edhe njëherë emrin e tij. Na ka ikur një artist i mrekullueshëm. Për mua duhen dekada e ndoshta edhe një shekull për të lindur edhe një Paulin Preka tjetër që nuk e di a lind. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, shprehet Zyliha Miloti.

Zef Deda, një tjetër kolos i skenës është i ngarkuar sëtepërmi emocionalisht për këtë humbje të madhe të artit shqiptar siç është Paulin Preka.

Paulin Preka është artisti që mori zemrën dhe e hodhi në skenë, e përpunoi aq bukur, e mbajti të pastër, ia hodhi spektatorit që mbeti gjithmonë i kënaqur. Paulin Preka erdhi shumë i ri në teatër dhe unë kam qenë fëmijë dhe ai ishte një risi në teatër. Ishte si një idhull për ne, kishte interpretim të pastër, të fuqishëm, të thellë në drama por edhe në estradë. Paulin Preka ishte një kolos jashtëzakonisht i madh për atë forcën interpretues, me atë humor të këndshëm e të bukur. Shpirti më dhemb por nuk ka dy jetë njeriu. Populli thotë një fjalë, i pavdekshëm dhe ashtu do jetë. Brezat patën fatin që ta shijojnë, ta dëgjojnë e po ashtu edhe ne si dhe nuk do të harrohet kurrë sepse ka lënë shumë vepra të bukura, role pafund, shkrime, artisti jonë vërtet një korife do mbetet për skenën e teatrit”, shprehet Zef Deda.

Besnik Çinari është një tjetër emër që ndau shumë vite e momente me mikun e tij të ngushtë Paulin Preka.

Sot po i japim lamtumirën e fundit Paulin Prekës, të cilin e kemi dashur shumë. E ka dashur populli në radhë të parë, ai ka lënë shpirtin dhe eshtrat në këtë teatër. Është krijuesi dhe ka hapur i pari estradën e Shkodrës bashkë me të madhin Tano Banushi. Paulin Preka e dishroi Shkodrën, artisti duhet të qëndrojë në vendin e vet por rrethat ekonomike, familjare e çuan në Itali por shpirtin e ka patur në Shkodër. Ne dhe populli i Shkodrës i japin lamtumirën. Paulin Preka ka shkruar shumë dhe ka mbajtur gjallë estradën e Shkodrës. Paulin Prekës ia shpërbleu me pagë Italia në vend që t’ia shpërblente Shqipëria”, thotë Besniku.

Për aktoren e humorit Drande Xhai por jo vetëm, kolosi Paulin Preka ishte edhe një mësues fantastik.

‘Një ditë shumë e vështirë. Së pari ditë e vështirë sepse humori shqiptar humbi një nga aktorët më të shquar të skenës dhe humorit shqiptar, ditë e vështirë për Shkodrën sepse humbi një artist dhe qytetarë të jashtëzakonshëm, e vështirë për familjen sepse humbi njeriun më të dashur, shumë e vështirë për ne kolegët, shumë e vështirë për mua që humba profesorin, humba kolegun, humba prindin sepse këshillat e tij do i mbaj gjatë gjithë jetës time. E vështirë sepse një aktor si Paulin Preka është i pazëvendësueshëm. Fati i madh për mua, për teatrin “Migjeni” për humorin shqiptar që Paulin Preka ka ekzistuar. Do mbetet në historinë e artit, vulosi përjetësinë.”

Aktori Sandër Ruçi gjithashtu ndau skenën me pjesë të pavdekshme humoristike.

Artistikisht ra perdja por nuk ka rënë miti i Paulin Prekës i cili na ka lënë pasuri të madhe mbrapa. Zakonisht këto njerëz shkojnë në përjetësinë e një kombi gjë që nuk e ka shansin çdokush. Unë e pata mik, mësues bashkëpunëtor. Ai e jetoj jetën, i vendosi vulën, u mishërua me teatrin, me spektatorin i cili do e ketë në ndërmendje shumë gjatë. Unë e kam quajtur Paulin Prekën kolona vertebrale e teatrit “Migjeni” dhe varietesë shkodrane. Ishte shumë planësh, ishte njerëzor, e ndihmonte elementin e ri, ka lënë kontribut të pashoq dhe një pasuri jashtëzakonisht shumë të madhe, është një shkollë në vete. Ishte aktor i dimensioneve me nivel të lartë dhe do i mungojë spektatorit, teatrit dhe do na mungojë të gjithëve. Paulin Preka për tekste ishte buka e teatrit “Migjeni”. Në një material që është “Andërr grash”, ai elementi kur çohet nga varri në kohën e demokracisë dhe Paulini kishte zakon dhe shkruante në fletoren me vija me laps, kishim kohë që bashkëpunonim bashkë dhe në dhomën e pushimit sjell materialin dhe ma lexon dhe më shihte në sy, unë po e dëgjoja por nuk bëra zë dhe më tha nuk të pëlqeu? I thashë si nuk më pëlqen, ti nuk e di se çfarë ke bërë, e gëzofsh më tha, pra ka qenë kaq altruist saqë nuk ka parë asgjë dhe nuk ka patur se çfarë të shohë se ka qenë kolos dhe unë do ta kujtoj gjithmonë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, rrëfen Sandër Ruçi.

Ndonëse më i vogli në moshë në estradën e atyre viteve Edmond Halili gjithashtu iu bashkua asaj kaste të njohur aktorësh i cili ruan kujtimet më të bukura me Paulin Prekën.

“Është një humbje padiskutim e madhe jo vetëm për Shkodrën por për gjithë Shqipërinë . Është një artist i madh i humorit dhe ishte gjithë jetën një person i qeshur, i mrekullueshëm dhe me një humor të jashtëzakonshëm. Në publik kanë mbetur batutat e tija ndërsa ishte edhe një shkrues i një niveli të lartë të materialeve të ndryshme”.

Drejtoresha e teatrit “Migjeni” Rita Gjeka thotë se shfaqja e radhës në teatër do të jetë me një material të të madhit Paulin Preka i cili përveçse aktor ishte edhe një tekstshkrues i një niveli të lartë.

“Paulin Preka e nisi karrierën e tij si aktor dramatik dhe pastaj ka vijuar me estradën. Nuk është thjeshtë humbje por është me t’u këput krejt këmbët. Paulin Preka do mbesë gjithmonë në kujtesën e brezave sepse rolet e tij janë të pafundme. Unë i kam lënë një porosi familjes para se të vinte, i gjithë dorëshkrimi i tij do të merret në dorë, do të shihet dhe në esatradën e parë që do kemi do jetë një material i shkruar nga Paulin Preka”.

Djali i të ndjerit Paulin Preka, Sokol Preka thotë se kohët e fundit kolosit të humorit shqiptar i mungoi shumë publiku dhe kolegët ndërsa falenderon për nderimin e figurës së babait të tij.

Paulin Preka numëron shumë role me estradën e teatrit “Migjeni”, po ashtu është pjesë edhe e shumë filmave kinematografik si dhe autor i shumë komedive e skeçeve të ndryshme të cilat janë vënë në skenë për shumë vite me radhë. Humori dhe batutat e tij do mbesin gjatë ashtu siç Paulin Preka shënjoi emrin e tij në artin e kulturën shqiptare./CNA.al

 

Lajmet e fundit nga