LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

REPORTAZH-Shkodër/ Xhamia e Plumbit ndër 50 më të bukurat në botë

3 Shtator 2021, 16:37, Qyteti im CNA
REPORTAZH-Shkodër/ Xhamia e Plumbit ndër 50 më të bukurat

Xhamia e Plumbit në Shkodër është e vetmja xhami shqiptare, e përfshirë mes 50 objekteve më të bukura myslimane në botë.

Ajo renditet në vendin e 37 para xhamisë Vahsiz Khan në Lahore të Pakistanit dhe pas xhamisë Jami Ul Alfar në Sri Lanka. Në vendin e 31 renditet Xhamia Blu në Stamboll të Turqisë, ndërsa dhjetë vende pas xhamisë shqiptare është Xhamia e Madhe në Paris.

Xhamia e Plumbit është një monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit ose Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitin 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami të dimensioneve të mëdha. Xhamia ka qenë e veshur me plumb dhe nga kjo u quajt “Xhamia e Plumbit”, e me këtë emër njihet edhe sot.

Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të ish pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafat, në një livadh në rrafshinën e lumenjve Kir e Drin. Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamitë e sulltanëve të Stambollit. Kjo xhami është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjëra, para se të hysh në sallën e faljes. Ndërtimi i kësaj xhamie, në këtë formë, ka të bëjë me atë që pashallëku i Shkodrës është në gjendje që edhe në ndërtimin e objekteve të kultit të thyejë të drejtën perandorake për të pasur një element të tillë, vetëm ata.

Salla e faljes paraqitet si një bllok i ulët, kapërcyer nga një tambur oktogonal shumë i lartë, në majë të të cilit qëndron kubeja, gjysmë rrethore. Interieri shfaqet si një dhomë e gjatë dhe e gjerë, pavarësisht se përmasat janë jo dhe aq të mëdha. Vizualisht kjo dhomë është zgjeruar nga një lloj thellësie, në të cilën është vendosur Mihrabi. Në majë të Mihrabit ka tre kube, ndërsa në të djathtë ka dy kube. Xhamia është ndërtuar me gurë të shkëlqyer në të kaltër e të bardhë, që janë shumë rezistent ndaj veprimeve erozive.

Nga dëmtimet e ndryshme që pati kjo xhami, qoftë nga mbulesa, ashtu edhe përbrenda, si dhe nga vërshimet e herëpashershme të lumit Kir, për disa kohë mbeti e papërdorshme, ndërsa në vitin 1978, periudhë që në Shqipëri ishin shkatërruar ndërtesat e bukura dhe të vjetra që tregonin kulturën e shqiptarit, shërbimet e monumenteve të kulturës, u kujtuan t’i vinin një mbulesë me çimento për ta shpëtuar këtë thesar jo si objekt kulti, por si objekt ndërtimor. Me ndërtimin e kësaj xhamie të madhe të Shkodrës, shohim se në Shqipëri po shfaqej një arkitekturë me stil të zhdërvjellët e me shije, që nuk munguan në shekullin XVIII. Ky stil haset edhe në ndërtimin e xhamive të tjera në Bullgari, Anatolinë qendrore, etj.

Në këtë xhami gjendet një shkrim që na jep një informacion historik, ku shkruhet: Madhëria i veprave bamirëse dhe bujare, Mehmet Pasha e ndërtoi këtë xhami madhështore në vitin 1773 Administratori i kësaj xhamie, Haxhi Mahmut Berberi, data e rinovimit 1863. Riparimi i saj është bërë para vitit 1865, periudhë kur në Shkodër ndodhi përmbytja e madhe që shkatërroi një pjesë të mirë të Shkodrës së vjetër. Mbas këtij, kujdestarinë e kësaj xhamie e mori familja e njohur shkodrane e Myftijve të Tabakëve, në fillim nga Hafiz Isuf Tabaku dhe vazhdoi brez pas brezi deri në ditët e sotme. Brezi i ri i këtij trungu amanetin e të parëve e ka mbajtur edhe kur xhamia është lënë pas dore nga pushteti i kuq. Ndërsa po ndërtohej xhamia, vetë Mehmet Pasha mori pjesë në punimet; ky gjest shpjegohet me përkushtimin e tij fetar dhe me qëllimin për ti treguar popullit se puna është e madhërishme, aq më tepër në vepra publike. Në lidhje me pjesëmarrjen e Mehmet Pashës në këto punime ka një anekdotë: Një fshatar donte t’i paraqiste një ankesë personale Pashës; mori vesh se ndodhej mes punëtorëve, mpor nuk e dallonte, sepse ai ishte i veshur thjeshtë. Rastisi që vetë personi ta pyeste vetë (vetë Pashën) se ku gjendej Pasha dhe mori përgjigje që të priste pak. Pas përfundimit të punës, Pasha u vesh zyrtarisht dhe i doli para hallexhiut që mbeti i prekur nga thjeshtësia e tij.

Xhamia e Plumbit është bërë e njohur edhe për faktin se më 16 nëntor të vitit 1990 mbi 50 mijë besimtarë të të gjitha besimeve morën pjesë në rikthimin e fesë islame atë ditë të premte të 31 viteve më parë në faljen e kremtuar nga i ndjeri Hafiz Sabri Koçi duke mposhtur frikën dhe duke thyer kështu regjimin e egër monist që ndaloi besimin tek qytetarët e tij. Shumë familje me traditë shkodrane por edhe individë të ndryshëm i bënë ballë të gjitha presioneve të regjimit monist dhe arritën që të mbajnë të fshehtë hoxhën e nderuar Hafiz Sabri Koçi si dhe të organizojnë ceremoninë e faljes të premten e 16 nëntorit 1990 me pjesëmarrjen e mbi 50 mijë besimtarëve. Pa dallim feje, edhe shumë të krishterë dhanë ndihmesën e tyre për vëllezërit myslimanë duke kontribuar në rihapjen e xhamisë së plumbit dhe rikthimin të lirisë së besimit që i dha udhë më pas edhe lirisë dhe demokracisë për të gjithë popullin shqiptar.

Kështu 16  nëntori në xhaminë e Plumbi është një ditë e shënuar për të gjithë besimtarët myslimanë në Shqipëri por në veçanti për familjen Myftia e cila banon në një kodër përballë xhamisë, rrëzë kalasë Rozafa. Komuniteti Mysliman dhe Myftinia Shkodër e kanë  nderuar  këtë shtëpi e  cila cilësohet si monument kulture me pllakatën e mirënjohjes si vendi kyç  për rihapjen e xhamisë së Plumbit. Familja Myftia, pesë djemtë dhe babai i tyre, 31 vite më parë mbajtën në shtëpinë e tyre të fshehur hoxhën Hafiz Sabri Koçi po ashtu aty u bë organizimi kryesor për rihapjen e xhamisë së Plumbit ndërsa në atë familje qëndruan edhe organizatorë të tjerë deri në mëngjesin e 16 nëntorit 1990 kur në publik i shoqëruar nga djem të rinj doli hoxha Hafiz Sabri Koçi duke kremtuar faljen e asaj dite.

Kishte ardhur koha për të kapërcyer ateizmin e gjatë në kohën e komunizmit dhe xhamia e Plumbit mikëpriti 50 mijë besimtarë, ngjarje e cila mori jehonë edhe në mediat ndërkombëtare ndërsa ka shënjuar edhe një pjesë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Në këtë mënyrë xhamia e Plumbit përveç vlerave si monument kulture ka edhe një vlerë teje të rëndësishme të shtuar për historinë e vendit, si pikënisja e rikthimit të besim islam në Shqipëri duke i dhënë udhë pastaj të gjitha zhvillimeve të mëvonshme politike që sollën pluralizmin në Shqipëri dhe rënien e regjimit të diktatorit Enver Hoxha. /CNA.al

Lajmet e fundit nga