web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Të gjithë janë përgjegjës/ Kasta politike duhet shembur

6 Nëntor 2019, 11:08, Politikë CNA

Tre fytyrat kryesore të kastës politike shqiptare, Edi Rama, Lulzim Basha dhe Ilir Meta, në artikulimin e tyre politik përpiqen që të reflektojnë ndryshime. Pra, të tregojnë se nuk ngjasojnë me njëri-tjetrin.

Rama thotë se ?unë nuk jam më i  miri, por më të mirë se unë nuk ka?. Gënjeshtër më të madhe se kjo zor se mund të gjesh në Shqipëri.

Lulzim Basha del e thotë se është i shkolluar në Perëndim dhe i ndershëm dhe se me mendimet e tij perëndimore do të ndryshojë Shqipërinë. Një gënjeshtër tjetër kjo aq e pabesueshme, sa nuk ia besojnë as ata të shpisë që ia kanë mbushur mendjen.

I treti është Ilir Meta, i cili do të tregojë se është një burrë shteti, që mban në krah ca karagjozë dhe sharlatanë mediatikë, por edhe kjo një gënjeshtër. Veçse ndryshe nga dy të parët, Ilir Meta ka treguar se ka një kokë të fortë dhe ndoshta është po aq i korruptuar, sa edhe ata dy të mësipërmit.

Por, le të kthehemi tek faktet dhe detajet.

Lulzim Basha akuzon Edi Ramën se ky është përgjegjësi i kaosit që ka sot Shqipëria. Gjithashtu edhe Ilir Meta.

Në fakt ky i fundit, presidenti i Republikës, është ai që e solli në vitin 2013, Rilindjen në pushtet. Është ai që bashkëqeverisi me Edi Ramën deri në dy vitet e fundit dhe është ai që u zgjodh nga Rama, president. Është ai që ndau pazare të pista me Edi Ramën. Është ai që u denoncua me bllok në dorë. Është ai që u ndaj Partia Socialiste dhe e çoi atë në humbje, dy herë rrjesht.

Pra, Ilir Meta i floririt në Kërrabë, Ilir Meta i vilave, bizneseveve, me përgjime telefonike për qindra euro për blerje votash, që është sot president i Republikës, është një nga përgjëegjësit kryesorë të situatës ku ndodhet vendi. Është një nga personat e shumë akuzuar për korrupsion. Është përgjegjës po aq sa Lulzim Basha dhe Edi Rama, po të dojë edhe sa Sali Berisha, për situatën ku ndodhet Shqipëria.

Le të shkojmë më tej, tek Lulzim Basha. Njeriu i cili flet se ka vizion Perëndimor për Shqipërinë. Por kush është ky vizion? Mos vallë Lulzim Basha i ardhur në Shqipëri në vitin 2005, kur ende nuk kishte përfunduar studimet master?

I njëjti Lulzim, i cili u shkollua me lekët e Sorosit dhe erdhi në krye të PD-së me një milion dollarë pasuri, kur kishte punuar si një përkthyes i thjeshtë në Kosovë.

Me gjashtë vite punë, student dhe kamarier dhe më pas përkthyes, Luli u bë milioner. Ose kishte bërë të paktën miliardshin e parë. Është ai person që ishte ministër i Transporteve, që lidhet me skandalin e Rrugës së Kombit, ku akuzohet për zhdukjen e qindra milionë eurove. Akuza të cilat nuk u vërtetuan nga prokuroria, pasi çështja u mbyll me procedurë, nga Gjykata e Lartë.

Më pas është ministër i Jashtëm i skandalit të marrëveshjes së ujërave me Greqinë.

Bëhet ministër i Brendshëm dhe me 21 janar, me vrasje në Bulevard. A nuk janë ato vrasje një krim ashtu si krimet që ndodhin në rrugë, por vetëm ndryshe, se këtë herë e kishte bërë shteti?

Më pas kryetar i Bashkisë së Tiranës, me skandale dhe dështime.

Më tej zgjidhet në krye të PD-së, e shkatërron atë përfundimisht dhe së fundi iu kërkon edhe falje publikisht shqiptarëve se kishte bërë zgjedhje të gabuara, lista të gabuara e të tjera si këto, si ato maskat që Luli i heq dhe i vë shpesh. Ky është Lulzim Basha. Është po aq përgjegjës sa Edi Rama. Sepse ka qënë ministër dhe është pjesë e kastës politike dhe kërkon të lahet dhe të shplahet, duke na thënë ai ai ka denoncuar.

Por, a mjaftojnë vetëm denoncimet? Po marrëveshjet me Edi Ramën? Po vilat? Po bizneset e familjarëve të tij? Po paratë e fituara dhe pasuria e shtuar në opozitë? Si ka mundës? Këtë Lulzim Basha nuk ka për ta sqaruar kurrë. Gjithmonë i shmanget dhe thotë se akuzon Edi Rama për të shpëtuar. Por, në fakt Edi Rama e akuzon shumë më pak sesa e akuzojnë mediat, të cilat i kërkojnë të vërtetën, për të cilën sa më pak flet aq më shumë ngre dyshime. Ose sa më shumë flet , aq më shumë gënjeshtra thotë.

I fundit në radhë, por jo nga rëndësia është kryeministri ynë Edi Rama. Kryeshefi i Rilindjes. Njeriu i ?madh? i qeverisjes së vendit. Ai që ka bërë një qeveri si të ishte një zyrë bashkie. Ku kryetari i Bashkisë ka disa drejtorë që i urdhëron. E ka mbushur me ish-vartësit e tij, me çetën e Mjaft-it që rrëzuan socialistët nga pushteti.

Krimi lulëzon, ministrat e tij janë jo për të qeshur, por për të vjellë. Sharlatanë dhe karagjozë, të paaftë dhe të dështuar. Në gjashtë vite disa prej tyre, të cilët u larguan ndoshta treguan se janë më të zotët se ata që janë tani, të cilët nuk po bëjnë dot asgjë. Gjithçka në Shqipëri ka ngelur. Atë që pretendon Rama, se do të bëjë luftë me krimin, në fakt ka gjashtë vite që nuk e bën.

Kush e ndali dhe e pengoi kryeministrin? Pse bëri aleancë me krimin gjashtë vite? Kush e pengoi ta luftonte, Ilir Meta apo Lulzim Basha?

Se në fakt, secili ka kriminelët e tij në gjirin e partisë.

Kanabizimi i Shqipërisë, rritja e varfërisë, shtimi i taksave, rritja e papunësisë, rritja e çmimeve, ekonomia në ngërç, janë faktet të cilat tregojnë se Edi Rama është një kryeminisër i dështuar. Është një kryeminisër i paaftë, i cili nuk ndryshon shumë nga Ilir Meta apo Lulzim Basha. Prandaj dhe përfiton.

Janë të tre njësoj, por ai ka zgjedhur të jetë më manovrator, më lojtar me të dy. Të parin e mori në krah në 2013 deri në 2019, të dytin e mori në krah në 207-ën, me shpresën se mund ta rrëzonte Edi Ramën, pasi dështuan që të qeverisnin të dy.

Pra, të gjithë janë përgjegjës dhe fajtorë për situatën që ka sot Shqipëria. E gjithë kasta politike, duke filluar që dje e deri sot. Askush nuk mund të justifikohet se PD-ja është në opozitë. Nuk mund të shpëtojë Luli nga skandalet dhe dështimet e tij. Ashtu sikundër sapo Ramës i del një bëmë apo një gjëmë, Luli ia mbulon. Kështu ia mbulon edhe atij Rama. Kështu ia mbulojnë edhe Metës. Kështu edhe Meta atyre.

Kjo kastë politike duhet shporrur. Vetëm ajo është zgjidhja për Shqipërinë dhe asgjë më shumë sesa kaq./ CNA.al





Lajmet e fundit nga