web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Klodjan Braho pagoi kredinë me paratë e drogës/ Zbulohet se përse e shkatërroi dosjen 184

13 Shtator 2019, 14:32, Vetingu CNA

Klodjan Braho pagoi kredinë me paratë e drogës/ Zbulohet se

Prokurori i Krimeve të Rënda Klodjan Braho, i cili është përzgjedhur edhe për të qenë pjesë e SPAK-ut e ka kaluar Vettingun në mënyrë të dyshimtë.

Në fakt CNA.al e paralajmëroi më herët një skandal të tillë, por tashmë konfirmimi vjen nga Komisioni i Vettingut dhe konkretisht nga një prej anëtarëve të trupës gjykyese që ka hetuar prokurorin Klodian Braho.

Është komisionerja Xhensila Pine ajo që ka dalë kundër kolegëve të saj që i kanë dhënë “ok” prokurorit Braho për të kaluar Vettingun.

Klodjan Braho është prokurori që transferoi dosjen e famshme 184 nga Krimet e Rënda në Dibër.

Dosja e cila vetëm e tillë nuk mund të quhet me pak fjalë është shkatërruar me vetëdije të plotë nga prokurori Braho. Kuptohet që në këmbim të shkatërrimit të saj dosje ai është konfirmuar në detyrë.

Këmbanat e alarmit tashmë bien për Komisioneritn Publik, i cili nuk duhet ta lejojë këtë skandal që të konfirmohet edhe në shkallën e dytë të Vettingut.

Denoncimi i zbardhur nga Komisionerja Xhensila Pine

Nga një denoncim i sjellë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit nga shtetasi E. D., në datën 25.6.2019, subjekti i rivlerësimit denoncohet për dënimin për trafikim të lëndëve narkotike të vëllait të bashkëshortes së tij, z. E.V., në Itali, si dhe për përfitime dhe pasuri që ky shtetas ka nga favoret e bëra nga subjekti i rivlerësimit.

Komisioni, me rezultatet e hetimit administrativ, i kërkoi prokurorit Braho, shpjegime në lidhje me dënimin e të vëllait të bashkëshortes së tij, z. E.V., për trafikim të lëndëve narkotike në Itali, bazuar në denoncimin dhe në artikullin e mësipërm.

Në shpjegimet që depozitoi në Komision për rezultatet e hetimit, subjekti i rivlerësimit pranoi faktin se z. E.V., është proceduar dhe dënuar penalisht në shtetin italian, por ai deklaroi se nuk ishte në dijeni të faktit se kunati i tij është i përfshirë në krimin e organizuar.

Për sa i përket dënimit të vëllait të bashkëshortes, z. E.V., për trafikim të lëndëve narkotike në Itali, shumica ka arsyetuar se: Komisioni, bazuar në shpjegimet e subjektit dhe në hetimin e kryer për këtë çështje, krijoi bindjen se subjekti nuk ka pasur kontakte të vazhdueshme me shtetasin E.V.

Kjo rrethanë e kontakteve të rralla familjare, se subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë në dijeni për arrestimin e kunatit E.V., u mor në konsideratë nga Komisioni si rrethanë lehtësuese në përputhje me pikën 5, të nenit 38, të ligjit nr. 84/2016.

Komisioni krijoi bindjen se përgjigjet e subjektit të rivlerësimit ishin bindëse, se ai ka qenë i besueshëm, i hapur dhe i plotë në deklarimet e tij lidhur me dijeninë e arrestimit dhe kontaktet e rralla me shtetasin E.V.

Gjatë hetimit Komisioni nuk konstatoi asnjë indice apo të dhënë për dijeninë e subjektit lidhur me arrestimin e kunatit të tij, z. E.V., në vitin 2012.

“Në pakicë, unë si anëtare e trupit gjykues, paraqes argumentet e mia për votën time kundër këtij arsyetimi: Subjekti i rivlerësimit, z. Klodian Braho, sipas nenit DH, “kontrolli i figurës”, të Aneksit të Kushtetutës, ka pasur detyrimin për plotësimin me vërtetësi dhe saktësi të deklaratës për kontrollin e figurës, dhe sipas shtojcës 3 të ligjit nr. 84/2016, të deklarimit të faktit nëse një nga anëtarët e familjes është përfshirë në veprimtari që lidhen me krimin e organizuar”, argumenton komisionerja Xhensila Pine.

Në vitin 2011 një nga anëtarët e familjes së tij, konkretisht shtetasi E.V., vëllai i bashkëshortes, i cili përfshihet te “krushqia deri në shkallë të dytë”, e cila si lidhje konsiderohet anëtar familjeje, rezultoi se ishte arrestuar dhe proceduar penalisht për shitje të lëndëve narkotike në shtetin italian.

Sipas parashikimit të pikës 15, të nenit 3, të ligjit nr. 84/2016, shtetasi E.V., konsiderohet person i përfshirë në krimin e organizuar dhe subjekti kishte për pasojë detyrimin ta deklaronte këtë fakt në deklaratën për kontrollin e figurës në pjesën 5 të saj, te rubrika e të dhënave për sigurinë.

Subjekti i rivlerësimit, z. Klodian Braho, përpara se të plotësonte deklaratën për kontrollin e figurës duhet të bënte të gjitha verifikimet e nevojshme me qëllim plotësimin me vërtetësi dhe saktësi sipas detyrimit kushtetues, të deklaratës për kontrollin e figurës, ndër të tjera edhe pjesës 5, të saj.

Pasi u pyet nga Komisioni në rezultate hetimi, subjekti i rivlerësimit, z. Klodian Braho, pranoi faktin se z. E.V., është proceduar penalisht në shtetin italian, dhe deklaroi se nuk ishte në dijeni të dënimit që vëllai i bashkëshortes së tij kishte në shtetin italian.

Aplikimi i parashikimeve të germës “b”, të pikës 5, të nenit 38, të ligjit nr. 84/2016, për rrethana lehtësuese do të ishte i mundur vetëm nëse: 1. shkalla e ndikimit apo afërsia e subjektit me kontaktin do të ishte e largët; 2. do të kishte deklarime të vërteta dhe të plota, në lidhje me këtë kontakt.

Ndryshe nga sa ka arsyetuar shumica, kam vlerësuar se subjekti i rivlerësimit nuk gjendet në kushtet e aplikimit të parashikimeve të germës “b”, të pikës 5, të nenit 38, të ligjit nr. 84/2016, për rrethana lehtësuese, për sa më poshtë vijon: Afërsia e subjektit me kontaktin e papërshtatshëm, u provua jo vetëm gjatë hetimit administrativ, por edhe shpjegimeve të subjektit, konfirmuar edhe me deklaratën noteriale të sjellë prej tij ku referohen komunikime të bashkëshortes me të vëllanë.

Braho nuk e bindin KPK

Sipasn komisioneres së Vettingut, Xhensila Pine, prokurori Braho  nuk dha deklarime bindëse e të plota në lidhje me këtë kontakt, për të vërtetuar se marrëdhëniet midis tij dhe shtetasit E.V., janë të largëta dhe të rralla.

Kjo afërsi, si dhe shkalla e ndikimit, u konfirmuan edhe nga fakti që për kreditë e marra nga bashkëshortja e tij si bashkëkredimarrëse, këstet mujore paguheshin dhe vijojnë të paguhen, edhe aktualisht ndër të tjera, edhe nga të ardhurat e shtetasit E.V.

Pagesa e kësteve për kreditë e marra nga bashkëshortja e subjektit si bashkëkredimarrëse, nga shtetasi E.V., e vendos subjektin e rivlerësimit në parashikimet e pikës 5, germa “f” të shtojcës 3, të ligjit nr. 84/2016, në kushtet e mosdeklarimit të kontaktit me të cilin ka shkëmbyer pasuri një person i lidhur me të sipas ligjit nr/84/2016.

Pasi u pyet nga Komisioni, prokurori nuk përmendi në parashtresën e tij asnjë shpjegim për llojin apo numrin e dënimeve të marra nga kunati i tij në shtetin italian, kohën e arrestimit dhe procedimit penalisht, apo të marrjes së këtyre dënimeve, duke mos qenë i hapur dhe i plotë në deklarimet e tij lidhur me arrestimin e shtetasit E.V., vëllai i bashkëshortes.

“Ndryshe nga sa ka pretenduar subjekti kam vlerësuar se ai, nuk gjendet as në kushtet e aplikimit të parashikimeve të germës “d”, të pikës 7, të nenit 38, të ligjit nr. 84/2016, pasi ai nuk ka provuar bindshëm se s’ka qenë në dijeni të faktit se vëllai i bashkëshortes së tij, shtetasi E. V., është i përfshirë në krimin e organizuar.

Në shpjegimet e sjella Komisionit për të ardhurat e dy vëllezërve të bashkëshortes, me të cilat paguhet edhe aktualisht kredia e marrë nga bashkëshortja dhe nga babai i saj, për shtetasin E.V., subjekti i rivlerësimit nuk i paraqiti Komisionit asnjë dokumentacion për punësimin dhe të ardhurat e tij në shtetin italian, ndryshe nga sa për vëllain tjetër të bashkëshortes paraqiti dokumentacion të plotë për të ardhurat në shtetin italian.

Shmangien nga subjekti të deklarimit të të ardhurave për shtetasin E.V., në shtetin italian dhe deklarimin vetëm të të ardhurave të tij në Shqipëri, (rezultoi sipas sistemit TIMS se shtetasi E.V., ka qëndruar në Shqipëri për periudha shumë të shkurtra) e kam vlerësuar si indice e dijenisë së subjektit lidhur me procedimin penal për shtetasin E. V., në shtetin italian. Subjekti i rivlerësimit, z. Klodian Braho, prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, me njohuri të posaçme në fushën përkatëse, në raport me burimin e të ardhurave që shërbenin për shlyerjen e kredisë së bashkëshortes së tij, duhet të tregonte kujdes të shtuar duke u siguruar që ato të ishin nga burime të ligjshme.

Duke marrë në konsideratë arsyetimin e mësipërm konkluzioni im në lidhje me kriterin e figurës, për subjektin e rivlerësimit, z. Klodian Braho, është si vijon : Subjekti i rivlerësimit ka plotësuar në mënyrë të pasaktë dhe jo me vërtetësi deklaratën për kontrollin e figurës, dhe ngarkohet me përgjegjësinë e mosplotësimit të saktë, pasi nuk ka deklaruar faktin se vëllai i bashkëshortes së tij ka qenë i proceduar penalisht për veprën penale të shitjes së lëndëve narkotike në shtetin italian, as shkembimin e pasurisë me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Subjekti i rivlerësimit nuk provon bindshëm se s’ka qenë në dijeni të faktit se vëllai i bashkëshortes së tij, shtetasi E.V., ka qenë i proceduar penalisht në shtetin italian dhe me argumentet e dhënë në drejtim të shfajësimit apo të padijenisë, nuk provoi me motive apo argumente, zhveshjen nga kjo përgjegjësi.

Referuar Aneksit të Kushtetutës, (neni DH), nenit 61/3 të ligjit nr. 84/2016, dhe vendimit nr. 11, datë 12.09.2018, të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës, subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës, prandaj jap votën time kundër, duke votuar për shkarkimin e subjektit të rivlerësimit, z. Klodian Braho, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë”, argumenton Komisionerja Pine./CNA.al

Thellohet skandali me dosjen 184/ Klodjan Braho shpëtoi bandën e vjedhjes së votave

Hoqi dorë nga dosja 184/ Zbulohet shpërblimi që mori prokurori Klodjan Braho

Prokurori i Llallës në SPAK/ Si u pasurua Klodjan Braho në 9 vite?





Lajmet e fundit nga