web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Skandali i BOOM/ I prishën shtëpinë se ndërtuan urë, çifti Gjapi vazhdon në qiell të hapur

1 Nëntor 2017, 20:23, Aktualitet CNA

Emisioni investigativ ?BOOM? në RTV Ora News iu rikthye sërish sot rastit të denoncuar 6 muaj më parë, prishjes së shtëpisë së çiftit të bashkëshortëve Gjapi pasi u prek nga projekti për ndërtimin e një ure. Sot që flasim, në prag dimri, ky çift i moshuar është në qiell të hapur.

Në 1 maj të këtij viti, pra rreth 6 muaj më parë, emisioni ?BOOM? trajtoi rastin e një çifti të moshuar, shtëpia e të cilëve ishte prishur, pasi ishte prekur nga projekti për ndërtimin e urës në afërsi të shkollës Teknologjike, këtu në Tiranë.

Halil Gjapi, denoncoi në muajin maj, prishjen e shtëpisë së tij, dhe shpronësimin vetëm për 30 metra katrorë, kur në fakt përveç këtyre 30 metrave në vitin 1982 ai kishte bërë dhe një shtesë 84 metra katror me autorizim të asaj kohe.

Për këtë shtesë ai kishte 9 vjet që kishte aplikuar te ALUZINI për ta legalizuar. Ndërkohë në vitin 2009 kishte dalë një vendim qeverie, që për ndërtimet e bërë para vitit 1991, ngarkohej Bashkia, të kryente kalimin në pronësi të qytetarëve për shtesat dhe truallin e tyre.

Sipas ekspertit të Avokatit të Popullit, ka qenë detyrë e ALUIZNI-t ku zotëria ka aplikuar për legalizim që kur doli ky vendimi, pra që këtë proces duhet ta kryente Bashkia, t`ja kalonte bashkisë për ta bërë këtë proces. Pra ALUIZNI duhet t`ja kalonte Bashkisë Tiranë. Kjo s`ka ndodhur.  Dhe shtëpia e denoncuesit është prishur në mënyrë të kundraligjshme thotë juristi i Avokatit të Popullit që ka ndjekur këtë rast. Avokatja e çështjes shprehet se ky objekt është prishur, kur palët, pra familja Gjapi dhe ALUIZNI kanë qenë në proces gjyqësor, dhe objekti është përjashtuar nga procesi i legalizimit, pasi është prishur nga institucionet shtetërore.

Nga ana tjetër vetë ALUIZNI në përgjigjen me shkrim për këtë rast ka pranuar që kur kanë shkuar në terren për të verifikuar ankesën e Avokatit të Popullit për këtë objekt, objekti ishte prishur dhe për këtë arsye ata e kanë përjashtuar nga procesi i legalizimeve me arsyen se nuk ka objekt. Pra vetë e kanë prishur objektin, vetë thonë tani e përjashtuam nga legalizimet se s`kishte objekt. Të ndjekim përmbledhjen e denoncimit dhe institucioneve për rastin.

Denoncuesi, Halil Gjapi: Ne kemi pasur një banesë që në vitin 1977, një dhomë prej 30 metra katrorë. Dhe pasi e mora këtë dhomë duke qenë se nuk kisha as depo, as tualet, u detyrova, më dhanë verbalisht një leje se isha në periferi dhe bëra një shtesë.  Shtesa ishte 84 metra katrorë dhe e ndërtuam në vitin 1982.Kur doli ligji i legalizimeve në vitin 2006 thashë ja ku erdhi dhe dita ime.Vazhdova bëra dokumentacionin gjithmonë të Aluizni më thoshin dokumentat i ke në rregull, bëra pagesat 500 mijë lekë. Prita gati 9 vjet më thoshin prit. Gjeta Fletoren Zyrtare e cila vërteton një pronë 60 metra e regjistruar në Njësinë Bashkiake nr.5. Ky ishte një vendim që thoshte shtëpitë dhe oborret e ndërtuara para vitit 93 legalizohen. Dhe këtë duhet ta bënte Bashkia.Më pas ra projekti i unazës së re, që është bërë mbikalimi. Aty erdhën më prishën shtëpinë. Deri në momentin e prishjes ALUIZNI nuk kishte bërë as skualifikimin as legalizimin. Më shpronësuan vetëm për 30 metra me të cilin nuk merr dot as një tualet. Jam shkatërruar totalisht.

Avokati i Popullit:ALUIZNI në kushtet e paligjshmërisë

Alket Jaupi, ekspert pranë Avokatit të Popullit: Sipas VKM nr. 608 datë 5.9.2012, mbi parashikimet që sjell ky akt normativ, duhej që nga momenti që konstatohej që ky ndërtim ishte para vitit 1991 nga ana e ALUIZNI-t praktika duhej ti përcillej Bashkisë Tiranë. Nuk është zbatuar rekomandimi ynë. Është dalë në konkluzionin që rasti i z.Gjapi duhet të trajtohej me një vendim përfundimtar nga nga e drejtorisë së ALUIZNI-t e cila e ka përjashtuar me një vendim, urdhër përkatës nga procesi i legalizimit. Prishja e ndodhur në këto kushte e vendos veprimtarinë e drejtorisë së ALUZINI-t në kushtet e kundraligjshmërisë.

Avokatja: Përjashtimi nga legalizimi u bë ndërsa ishim në proces gjyqësor

Avokatja e çështjes, Eneida Ahmeti, shprehet: Banimi i z.Halili Gjapi është prishur kur ne kemi qenë në proces gjyqësor dhe është përjashtuar nga legalizimi kur ne kemi qenë në proces gjyqësor.

Gazetarja: Është përjashtuar para apo pas prishjes?

Eneida Ahmeti: Është përjashtuar nga legalizimi pas prishjes së objektit.

ALUIZNI: Përjashtimi nga legalizimi se nuk kishte objekt

Përgjigja nga ALUIZNI: Gjatë verifikimit në terren të tyre ka rezultuar se në adresën e z. Gjapi, nuk është gjetur ndërtim pa leje dhe as objekt ekzistues. Në përputhje me kuadrin ligjor të përcaktuar, praktika e vetëdeklarimit nr. 1468 prot., datë 24.04.2017, në emër të z. Gjapi është përjashtuar nga procesi duke mos patur objekt.

Avokatja Eneida Ahmeti: Në vendimin e saj gjykata administrative shprehet: Gjykata ka në konsideratë jurispudencën e gjykatës europiane të të drejtave të njeriut, e cila ka pranuar që e drejta e pronës mund të shtrihet edhe për pretendimet, nëse kërkuesi ka një pritshmëri legjitime. Pra, na jepet e drejtë për atë ç`ka ne kemi kërkuar, por në fund dhe gjykata e apelit administrativ bëhet palë me shtetin dhe vendos rrëzimin e kërkesë padisë së qytetarit.

Por edhe pse z.Gjapi kishte ndjekur gjithë procedurën, duke aplikuar të ALUIZNI për legalizim, para se të dilte vendimi që me këtë ngarkohej të merrej Bashkia, ai nuk përfitoi asgjë, por gjithë mundi i ndërtimit të shtëpisë, aplikimi me pagesa e tarifës për legalizim te ALUIZNI, pritja 9 vjet, ja çuan dëm.

Ndërkohë ALUIZNI as nuk ja ka legalizuar vetë këtë shtesë, as nuk ja ka përcjellë këtë praktikë Bashkisë me daljen e vendimit për t`i kaluar si komptencë bashkisë për ndërtimet e bëra para viteve ?90.

Për disa kohë familja Gjapi, jetoi në shtëpi më qira, por tani kjo është bërë e pamundur, pasi një pjesë e lekëve të marra iku qira, një pjesë ne gjyqe e letra dhe s`ka mbetur më asgjë. Ata janë me pensione 100 mijë lekë, të dy pensionet nuk ju mjaftojnë as për të paguar një shtëpi me qira, jo për të jetuar.

Kështu që bashkëshortët Gjapi, kanë dalë dhe jetojnë tani në kushte të mjerueshme mbrapa një pallati, në pjesën e jashtme të tij, në zonën e Freskut në Tiranë. Ata janë tek të 70-tat dhe ende dimri nuk ka ardhur.

Tetor 2017, BOOM viziton familjen Gjapi në strehëzën e sajuar

Gazetarja: Në këtë mbrëmje, kemi ardhur të vizitojmë Halilin dhe bashkëshorten e tij e të shohim nga afër kushtet e mjerueshme në të cilat po jetojnë. Është shumë e vështirë të të shohësh ty në këtë moshë të pastrehë. Është e vështirë.Jeni munduar, keni vendosur një krevat, një tavolinë?

Streheza e sajuar ku jeton familja Gjapi

Halil Gjapi: Me të keq, me të keq, primitivisht. Shumë keq, jashtëzakonisht keq. Jemi të sëmurë.

Gazetarja: Si do t`ja bëni kur të fillojnë shirat?

Halil Gjapi: Vetëm në Zotin shpresa e në qeverinë se mbase do të vërë dorën në zemër.

Gazetarja: Keni bërë aplikim për banesë sociale?

Halil Gjapi: Jo, nuk më takon. Kam pasur 115 metra shtëpi, duhet ta kishte bërë që kur ishte Kryeministri i sotëm kryetar bashkie, kam shkuar dhe m`u ka përplas dera në surrat. Asnjëherë s`kam gjetur derë të hapur.

Gazetarja: Duke parë këtë situatë që ju gjendeni sot, sa do mund të rezistoni në këtë lloj forme?

Halil Gjapi: Ne na ka kalit partia. Duam t`ja themi dhe me të qesh dhe me të qa. Na ka thënë dikur partia: Edhe bar do hamë, edhe gjak do derdhim. Unë fle natën me frikë dhe rri me frikë. Më shumë zgjuar. Kur flitet me të madhe për të drejtat e njeriut. Edhe qentë kanë të drejtat e tyre. S`mund të vrasësh edhe një qen.

Ja si gatuan bashkëshortja e Halil Gjapit

Gazetarja: Cila është kërkesa juaj?

Halil Gjapi: Ka një vit që kam dokumentacionin në gjykatë të lartë, kam çuar raport mjekësor që jemi të dy të sëmurë, me insulina. Kam çuar edhe pensionin sa lekë marrim. Po nuk jetohet, dhe unë s`ja dola, s`ia dal dot me qira. Po unë me zor të pi një kafe. Jam i moshuar, jam sot për nesër.

Bashkëshortja shprehet: Për t`u ngrohur, për të gatuar, mos fol se shih çfarë ka mbledh zotëria, rradhiqe, kos?

Gazetarja: Tualet këtu nuk keni?

Bashkëshortja:Jo nuk kam.

Gazetarja: Nuk keni dhe një mbulesë?

Bashkëshortja: As strehë, asgjë fare, poshtë nje ballkoni.

Bashkeshortja e Halil Gjapit e perlotur

Kjo familje, në të dy shkallët e gjyqësorit nuk ka mundur ta fitojë të drejtën e saj.Ajo ka bërë rekurs të vendimit të gjykatës administrative të apelit në gjykatën e lartë.

Gjykata administrative e apelit këtë çështje e ka kaluar në gjykim në dhomë këshillimi, pra pa praninë e palëve, edhe pse çështja kishte të bënte me pronën, djersën dhe fatin e jetës së dy të moshuarve.

Pra e ka kaluar si një gjë me pak rëndësi, duke i dhënë të drejtë shtetit në këtë rast, pra ALUIZNI-t , jo qytetarit.

Çifti ka një vit që pret me shpresë që fati i dosjes së tyre të ndryshojë nga gjykimi në gjykatën e lartë, madje atje kanë dorëzuar dhe disa kërkesa për përshpejtim se kanë hall, janë jashtë, kërkojnë një të drejtë që sipas tyre dhe jo vetëm, mesa dëgjuam dhe nga ekspertët, ju takon.

Gjykata e Lartë: Nuk dihet sa kohë apo vite duhet të presë çifti Gjapi

BOOM shkoi në  Gjykatën e Lartë dhe u interesua për këtë çështje dhe përgjigjia për kërkesat e përshpejtimit që z.Halil Gjapi kishte bërë pranë kësaj gjykate ishte kjo:

Gjykata e Lartë: Në lidhje me rastin e familjes Gjapi, emisioni ?Boom? i drejtoi një kërkesë zyrtare për informacion Gjykatës së Lartë. Dosja e çiftit Gjapi ndodhet pranë kësaj gjykate, por ende nuk është përcaktuar data e shqyrtimit të saj.Përsa i takon çështjes në fjalë sqarojmë se palët, na thotë gjykata e lartë kanë paraqitur kërkesë për përshpejtim, e cila është në pritje për t`u shqyrtuar nga gjyqtari relator. Në lidhje me trajtimin e këtyre kërkesave, kryetari i Gykatës së lartë, ka vendosur një rregull për rradhën e shqyrtimit të çështjeve me përshpejtim.

Për shembull: Ato që kanë prioritet për t`u trajtuar me procedurë të përshpejtuar janë konfliktet e punës, pensionet ushqimore, çështjet që vijnë nga gjykata kushtetuese, etj.Gjithashtu edhe rekurset e prapambetura, të cilat nuk ishin sjellë për regjistrim nga gjykata e shkallës së parë, të cilat pritet të shqyrtohen brenda muajit tetor. Kërkesat e shumta që vijnë në gjykatën e lartë për përshpejtim,i përcillen për vlerësim gjyqtarit relator. Gjyqtari relator pasi vlerëson ose jo kërkesën, i paraqet kryetarit të gjykatës me shkrim argumentat dhe propozimin për përshpejtimin e një çështjeje të caktuar.

Aktualisht kolegji administrativ po shqyrton çështje të regjistruara gjatë periudhës 2014-2015. Pra aktualisht sikurse na bën me dije gjykata, po shqyrtohen dosje të viteve 2014-2015. Nuk e dimë ende se sa kohë apo vite duhet të presë çifti Gjapi, për shqyrtimin e dosjes së tyre, pranë kësaj gjykate.

Po ta interpretojmë pak përgjigjen e gjykatës, kërkesa e z.Gjapi nuk merret parasysh, pasi nuk futet te kriteret që ka përcaktuar kjo gjykatë në lidhje me përshpejtimin e gjykimit.

Po a ka vallë arsye më të madhe se sa të jetojnë jashtë, dy të moshuar, në moshën e atyre? Po këtë arsye e ka përfshirë në listën e prioriteteve gjykata e lartë?

Si ka mundësi që relatori i çështjes, nuk ka marrë një vendim në lidhje me kërkesat e përsëritura për përshpejtim të z.Gjapi? Ndoshta ai nuk i ka vlerësuar fare.

Gjyqtari jeton brenda për vete dhe nuk ka shumë faj. Fajin e ka sistemi. Dhe në këtë rast nuk po bëjmë ironi. Për të bërë një llogaritje se kur mund t`i vinte rradha për t`u gjykuar dosjes së këtyre të moshuarve, BOOM pyeti dhe për ngarkesën e çështjeve në këtë gjykatë dhe përgjigjia është shqetësuese, të vret dhe shpresën, që thonë se vdes e fundit.

Për një çast e ngatërruam me gjykatën administrative të apelit, se dhe ajo të njëjtin probem ka. Gjykata e lartë njofton se aktualisht ndodhen të regjistruara dhe në pritje për shqyrtim rreth 12 000 çështje civile, 7 000 çështje administrative dhe 2 500 çështje penale.

Gjykata e lartë për ngërçin dhe mbingarkesën

Gazetarja: Edhe pse në fakt afati për shqyrtimin e kërkesës së mbërritur në Gjykatën e Lartë, duhet të ishte 90 ditë, ka vite të tëra që kjo nuk funksionon.

Në kthimin e përgjigjes së këtij institucioni Gjykata e Lartë njofton se aktualisht ndodhen të regjistruara dhe në pritje për shqyrtim rreth 12 000 çështje civile, 7 000 çështje administrative dhe 2 500 çështje penale.

Numri i madh i çështjeve të grumbulluara ndër vite mbetet një problem shqetësues për veprimtarinë e Gjykatës së Lartë, i cili ndikon drejtpërdrejtë në ecurinë e administrimit të shpejtë dhe efektiv të drejtësisë.

Faktorët që kanë ndikuar në krijimin e kësaj situate, po u a rendisim si më poshtë:

-Mungesa e kapacitetit të plotë të trupës së Gjyqtarëve. Aktualisht pranë gjykatës së lartë ushtrojnë detyrën 10 gjyqtarë nga 19 të parashikuar.

-Mungesa e një sistemi filtrimi të çështjeve që vijnë në gjykatë, e cila ndikon në rritjen e çështjeve të pashqyrtuara.

-Mungesa e kapacitetit të plotë në trupën e ndihmësve ligjor.

-Ndryshimi i praktikës gjyqësore lidhur me gjykimin e çështjeve administrative.

Për të përballuar këtë situatë kryetari i gjykatës ka marrë disa masa me karakter administrativ dhe organizativ të cilat synuan përmirësimin e situatës si vijon:

-Normimi i punës së ndihmësve ligjor.

-Gjykimi i çështjes sipas rendit kronologjik të regjistrimit,

-Gjykimi i disa çështjeve me procedurë të përshpejtuar.

Çfarë ti themi tani këtyre dy të moshuarve, t`i urojmë të kenë jetën e gjatë që të presin afatin e shqyrtimit të dosjes së tyre në gjykatën e lartë, po nga ana tjetër sa gjatë mund të rezistojnë ata në atë moshë jashtë dhe në ato kushte?

T`i bëjmë një thirrje njerëzore më mirë Gjykatës së Lartë ta marrë parasysh kërkesën e tyre për gjykim të përshpejtuar dhe nëse kanë të drejtë, ti japin të drejtën që ju takon. Nuk kërkojnë lëmoshë. Vetëm drejtësi.

Por fatkeqësisht drejtësia në këtë vend ka filluar të vlejë më pak dhe se një lëmoshë.





Lajmet e fundit nga