web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shqiptarët Gylenistë/ Ambasada turke dorëzon listën pranë qeverisë

28 Korrik 2016, 14:08, Aktualitet CNA

Prej ditësh qytetarët shqiptarë kanë ndjekur me shqetësim të ashtuquajturën përpjekje për grusht shteti në Turqi, e cila u përcoll në kohë reale përmes kanaleve të shumta të komunikimit. Bëhet fjalë për një vend mik, stabiliteti i të cilit ndikon jo vetëm atë, por edhe rajonin e më gjerë, përfshi këtu edhe Shqipërinë.

Por po me aq shqetësim qytetarët shqiptarë kanë ndjekur edhe qasjen e politikës së jashtme turke dhe përpjekjet e saj për ta përhapur konfliktin e brendshëm edhe jashtë kufijve të saj territorialë, pa harruar këtu edhe vendin tonë.

Së pari, bëhet fjalë për një konflikt të brendshëm të Turqisë, për të cilin po bëhen gjithnjë e më shumë përpjekje në mënyrën më të pakuptimtë të mundshme për ta përhapur edhe jashtë kufijve përmes zgjatimeve të Ankarasë zyrtare që duket se ka marrë ngjyrat e një kryeqyteti të një vendi totalitar; një frymë dhe atmosferë si ajo që Shqipëria e la pas në fillim të viteve ?90.

Vala e spastrimeve që vijnë në formë hakmarrjeje nga qeveritarët turq ka prekur më shumë se 60 mijë punonjës të administratës. Duhet theksuar se vetëm tremijë prej këtyre janë ushtarë, ndërkohë që pjesa më e madhe janë gjyqtarë, akademikë, mësues, nëpunës shtetërorë etj.

Me një vendim të vetëm, institucioni shtetëror që manaxhon arsimin e lartë në Turqi, detyroi që të japin dorëheqjen plot 1577 dekanë, thuajse në të gjitha fakultetet e universiteteve publike dhe private në vend. Një rast ky, precedenti i të cilit është parë vetëm në Gjermaninë naziste në gjysmën e parë të shekullit të shkuar.

Janë pikërisht kjo klimë dhe këto spastrime që po kryhen ato të cilat kanë bërë që një pjesë e mirë të opinionit ndërkombëtar të mendojë se tentativa për grusht shteti ishte një akt i paramenduar nga vetë presidenti turk.

Komisionieri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn duke shprehur shqetësimin e tij për vendimet arbitrare të qeverisë turke pas ngjarjes së 15 korrikut, tha se presidenti turk ngjan t?i ketë pasur gati listat e nëpunësve që do të arrestoheshin dhe largoheshin nga puna.

Kjo përpjekje e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, i cili, përmes një tentative për grusht shtet që po cilësohet vazhdimisht si një skenar i stisur prej tij, duket se e konsolidoi gjithnjë e më shumë pushtetin e vet tek një popull lindor e joracional në sjelljet që po shpërfaq; ngjan të jetë një përpjekje për t?i zmadhuar sa më shumë përmasat e konfliktit, në mënyrë që kjo ta nxjerrë atë sa më të larë përballë korrupsionit të bërë publik, për të cilin qe akuzuar para dy vitesh, së bashku me familjarët dhe ministrat e tij.

“Newsboomb” shkruan se në kuadër të ofensivës diplomatike për të bindur opinion publik ndërkombëtar në lidhje me faktin se pas kësaj tentative për grusht shteti qëndron Lëvizja ?Hizmet?, Erdogani i ka dhënë urdhër selive diplomatike për të filluar një aksion të paprecedentë. Nga kjo valë duket se nuk ka shpëtuar dhe ambasada turke në Tiranë. Në rrethana të tilla, është tejet shqetësues fakti se si diplomatë të lartë të kësaj ambasade, duke shkelur çdo normë diplomatike, shëtisin dyrve të ministrive dhe në organe të ndryshme mediatike me një listë të sajuar të njerëzve që sipas tyre janë njerëz të organizatës që organizoi grusht e shtetit në Turqi, e që janë të frymëzuar nga kleriku mysliman, Fethullah Gylen. Çështja që diplomatët turq përpiqen të na bindin nuk ka të bëjë as me politika ekonomike të Shqipërisë, e as me reformën në drejtësi të cilën e realizuam falë diplomatëve të Perëndimit dhe aleatëve tanë strategjik. Ata duket se kërkojnë me çdo kusht të përcjellin porositë e lëna ?amanet? nga ana e presidentit turk, si një detyrim i pashmangshëm për detyrën që gëzojnë. Në një intervistë të dhënë për kanalin televiziv ?News 24? , ambasadori turk, Bajraktar, flet me siguri të plotë se grushti i shtetit i fundit në Turqi ishte tentativë e organizatës së drejtuar nga Gyleni, por harron këtu të përmendë fakte apo prova që e vërtetojnë

këtë që thotë. Ka qenë pikërisht mungesa e këtyre fakteve ajo që e ka vënë Turqinë në situatë të vështirë edhe përballë Uashingtonit dhe Brukselit, pikëqendra këto që përbëjnë edhe busullën orientuese për Tiranën zyrtare. Zyrtarët më të lartë amerikanë, përfshi edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, në mungesë të fakteve të kërkuara prej Ankarasë zyrtare, kanë refuzuar ekstradimin e klerikut Fethullah Gylen, siç edhe nuk kanë pranuar që ta cilësojnë atë si terrorist apo lëvizjen e inspiruar prej tij si organizatë terroriste. Në njëjtën linjë kanë qenë edhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, të cilët mbështetën idenë e hedhur nga vetë Gyleni, se përpjekja e dështuar për grusht shtet ishte e organizuar nga vetë AKP-ja e Erdoganit (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, me qëllim konsolidimin e pushtetit të tij dhe vënien nën kontroll të ushtrisë turke.

Në këto kushte, kur aleatët tanë kryesorë kanë mbajtur një qëndrim të tillë, kur në mungesë së fakteve të pretenduara nga Erdogani dhe ithtarët e tij, refuzojnë me çdo kusht ekstradimin e Gylenit, qëndrimi ynë si shtet dhe si popull duhet të jetë i qartë. Busulla jonë e orientimit është Brukseli dhe Uashingtoni, e kurrsesi Ankaraja, pavarësisht dëshirës së mirë që mund të kemi për stabilitet në atë vend.

Nga ana tjetër duhet theksuar fakti se Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Kjo do të thotë që përpjekja e diplomatëve turq për ta konsideruar Shqipërinë si një vend të botës së tretë, përveçse është e gabuar, tregon dhe një mungesë të theksuar të respektit për ligjet dhe kushtetutën e vendit tonë.

Shqipëria, për sa i përket përkufizimit të terrorizmit, nuk mund të marrë për referencë dhe të zbatojë përkufizimet e vendeve të ndryshme që për arsye politike të brendshme mund të përkufizojnë si organizatë terroriste çdo grupim të shoqërisë civile. Në këtë aspekt Shqipëria i ka referencat e qarta në konventat ndërkombëtare, rezolutat e Kombeve të bashkuara dhe në legjislacionin shqiptar,.

Nëse ne do të merrnim për bazë përkufizimin që zyrtarët e Sirisë apo të ndonjë vendi tjetër të Afrikës bëjnë për terrorizmin, atëherë imagjinoni se çfarë pasojash mund të kishte kjo. Kjo është e paimagjinueshme për një vend në mes të Evropës, i cili aspiron për t?u bërë pjesë e BE-së.

Ndaj përpjekjeve të shëmtuara të diplomatëve turq për të bindur qeverinë shqiptare për të ashtuquajturën organizatë të rrezikshme duhet reaguar ashpër, e nuk duhet toleruar që të nxisin mosmarrëveshje, pakënaqësi e ndasi midis qytetarëve shqiptarë. Përballë një politike shqiptare me shumë shqetësime e probleme, por që në momente të caktuara ka treguar pjekuri për çështje të kësaj natyre, duket sikur Bajraktari turk ka marrë flamurin në dorë dhe nuk po përballet me një reagim të ngjashëm si në rastin e qeverive të Belgjikës, Gjermanisë, e së fundmi të Austrisë, të cilët kolegëve të tij u kanë përcjellë nota proteste për sjellje të ngjashme.

Përballë këtyre, zyrtarët më të lartë shqiptarë, si presidenti i Republikës, ministrja e Arsimit, ministri i Punëve të Brendshëm, deputetë të majtë e të djathtë i patën dhënë përgjigje negative të hapur kërkesës së para një viti të presidentit turk, Erdogan, për mbylljen e shkollave turke në Shqipëri, duke u dalë atyre në mbrojtje dhe duke i mbështetur për suksesin që kanë garantuar ndër vite. Bëhet fjalë për mbylljen e shkollave të para jopublike në Shqipërinë paskomuniste, të cilat janë më të suksesshmet në vend dhe nga bankat e të cilave janë diplomuar me mijëra nxënës, e ku vijojnë edukimin me mijëra të tjerë. Ne si qytetarë shqiptarë, gjatë gjithë këtyre viteve, e kemi njohur Turqinë jo përmes aktiviteteve të ambasadës turke në Tiranë, as përmes aktiviteteve të qendrave kulturore turke etj., por përmes këtyre shkollave, në të cilat vijojnë edukimin edhe fëmijët e klasës më elitare të këtij vendi. Përdhosja e imazhit të tyre do të

thotë ngjallje e pakënaqësisë në dhjetëramijëra familje shqiptare që u kanë besuar këtyre shkollave dhe janë të lidhura shpirtërisht me to.

Autoritetet shqiptare, qytetarët shqiptarë dhe e gjithë shoqëria jonë duhet t?i refuzojë me çdo kusht këto lloj kërkesash, të cilat, pse jo, në disa raste kanë nxitur edhe debate midis qasjeve të ndryshme fetare në vendin tonë. Mbështetja financiare që duket se AKP-ja dhe qeveria e saj i ka bërë grupimeve të ndryshme fetare, por edhe disa personave publikë dhe zotëruesve të disa uebfaqeve të hapura me porosi, ka nxitur debate dhe konflikt midis besimtarëve të të njëjtit besim. Vihet re një evoluim i përditshëm i gjuhës së urrejtjes së tyre ndaj të njerëzve të frymëzuar prej filozofisë gyleniste, e përhapur kjo dhe e mbështetur masivisht në pothuajse 170 vende të ndryshme të botës.

Jo vetëm kaq, pasi përtej ndasive dhe debateve midis besimtarëve të të njëjtit besim, sjelljet e diplomatit turk në Tiranë dhe të qeverisë së Ankarasë mund të shkaktojnë edhe një dëm të madh ekonomik për vendin tonë. Investitorët turq që mund të shprehin dëshirën për të investuar në Shqipëri mund të ndihen të frikësuar ndaj politikës së vendit të tyre, duke u tërhequr nga kjo iniciativë.

Nga ana tjetër, këto tentativa përbëjnë një shkelje të hapur e të drejtave të qytetarëve shqiptarë, të cilët mund të kthehen në objekt të tekave të zyrtarëve të Ankarasë. Kjo e fundit, nëse nuk mendon për qytetarët e vendit të saj, të cilëve nga e enjtja e kësaj jave u ka mohuar edhe mbrojtjen prej të drejtave të garantuara nga Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, së paku duhet të lërë qetë qytetarët e vendeve të tjera, duke mos i bërë ato pjesë të konfliktit të brendshëm.

Shqipëria nuk mund të jetë një vend presidenti i të cilit këndon ezanin në xhami, apo i bie këmbanës në kishë. Nuk mund të jetë as një vend që privon qytetarët e saj nga të drejtat e garantuara në konventat ndërkombëtare. Nuk mund të jetë një vend pa liri shprehjeje e pa media që mendojnë ndryshe nga qeveria në pushtet dhe ku qeveria e të cilit shkarkon nga detyra me dhjetëramijëra punonjës shtetërorë etj.

Pavarësisht të gjitha problemeve që kemi, ne i kemi lënë pas këto tradita qeveritare. Fundi i 1990-ës na ndau njëherë e përgjithmonë nga ky lloj sistemi autokratik. Në këtë vend, përcaktimi i një organizate si terroriste ose jo, nuk bëhet më sipas dëshirës së një lideri me tipare enveriste, por sipas kritereve që vendos bota e zhvilluar. Busulla jonë e orientimit është dhe duhet të jetë familja evropiane drejt së cilës po rendim çdo ditë gjithnjë e më shumë, e jo Turqia e Erdoganit që po largohet po aq shumë nga kjo familje.





Lajmet e fundit nga