web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një ndodhi e Fan Nolit në 1920, në Lidhjen e Kombeve që duhet të ishte shembull për Ermira Mehmetin në Strasburg

31 Janar 2016, 22:13, Opinione CNA

Nga Kastriot MYFTARAJ

Deputetja shqiptare e Kuvendit të Maqedonisë zonja Ermira Mehmeti, njëherësh edhe anëtare e Delegacionit të Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg, si arsyetim të fundit për largimin e saj nga Strasburgu, para një votimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku vota e saj do të kishte qenë vendimtare për të penguar hyrjen në një rezolutë për Kosovën të një amendamenti të dëmshëm, ka nxjerrë atë se nëse qëndronte dhe votonte, shteti maqedon nuk do t? ia paguante udhëtimin me avion. Ajo vetë nuk kishte para për të paguar udhëtimin. A thua Ermirës nuk i paska shkuar në mendje të vepronte si Fan Noli ku u gjent në një situatë të ngjashme, në Gjenevë të Zvicrës, në 1920, kur ishte delegat i Shqipërisë Lidhjen e Kombeve? Këtë episod Noli e tregoi 42 vite pasi kishte ndodhur, një një fjalim të famshëm të mbajtur në SHBA, në 1962, me rastin e 50 vjetorit të krijimit të Shoqatës ?Vatra?. Në këtë fjalim, Noli duke folur për shërbimet që ?Vatra? i kishte bërë Shqipërisë përmendi një episod në dhjetor 1920, kur Noli ishte kryetari i delegacionit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (OKB e kohës), me seli në Gjenevë të Zvicrës, kur Shqipëria do të pranohej anëtare e Lidhjes. Nëse pranohej vend anëtar i Lidhjes, Shqipëria do të fitonte legjitimitet ndërkombëtar si shtet. Noli, duke folur për veten thotë:
?Kur u pranua Shqipëria si pjestare e Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor 1920, kryetar i delegatës ishte një përfaqësonjës i ?Vatrës? besoj se e njihni. Pastaj, njëherë, se ç? më ngjau në Gjenevë. Pasi mbaroi delegati juaj misionin e tij, mbeti amanet atje. Qeveria shqiptare nuk kishte para ose nuk e deshte atë, përfaqësonjësin që të kthehej përsëri në Shqipëri se nuk u duhej më. Përsëri ?Vatra? i pagoi harxhet e udhës që shkoi së andejmi?.(Fan Noli: Vepra, vëllimi 6, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 217-218)
Fan Nolit iu mbaruan paratë sepse ai u detyrua ta zgjaste qëndrimin në Gjenevë përtej parashikimit, pasi në Lidhjen e Kombeve u zgjat debati nëse Shqipëria duhet të anëtarësohej ose jo. Beogradi dhe Athina lobonin fuqishëm kundër anëtarësimit të Shqipërisë. Nëse Noli do të kishte vepruar me logjikën e Ermira Mehmetit, ai do të ishte larguar nga Gjeneva për në Shqipëri para votimit, në ditën që i kishin mbetur aq para sa për të paguar udhëtimin. Imagjinoni se në çfarë situate absurde do të gjendeshin ata që lobonin pro Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, nëse në një nga ditët para 17 dhjetorit kur të hapej seanca do të konstatohej se delegati shqiptar ishte larguar para ditës së votimit. Kuptohet se shumë nga shtetet që votuan pro Shqipërisë, do të kishin votuar kundër.
Nëse do të kishte ndodhur kështu, Noli do të kishte humbur krejt reputacionin me të cilin e njeh historia, si burrë shteti, intelektual dhe klerik atdhetar. Ai do të ishte kujtuar vetëm si një klloun politik dhe intelektual. Madje për të do të mendohej se e kishte shitur Shqipërinë në Beograd ose Athinë. Qeveria shqiptare e emëroi Nolin delegat të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, për të kundërshtuar propagandën e Athinës dhe Beogradit se Shqipëria ishte një Turqi e dytë në Europë, një shtet islamik në Europë, dhe për këtë arsye nuk duhej pranuar në Lidhjen e Kombeve. Duke qenë se Noli ishte i krishterë, madje prift ortodoks, ai me imazhin e tij e zhvlerësonte këtë propagandë. Nëse Noli do të ishte larguar para ditës së votimit, largimi i tij do të shpjegohej me atë se e kuptoi gabimin që po bënte duke promovuar një shtet islamik në Europë.
Ditën që Lidhja e Kombeve votoi pro anëtarësimit të Shqipërisë, Noli mbajti në një anglishte harvardiane një fjalim të shkëlqyer, që nuk pritej nga përfaqësuesi i një vendi si Shqipëria. Në analet e Lidhjes së Kombeve shënohet se folësi u ndërpre disa herë nga duartrokitje të zgjatura dhe në fund u duartrokit veçanërisht gjatë. Noli atë ditë me siguri nuk kishte ngrënë as drekë e as mëngjes, dhe nuk kishte shpresë se do të mund të hante as të nesërmen. Madje ai nuk e dinte as se ku do të gjente një shtrat për të fjetur në atë qytet të huaj. Por megjithatë ai bëri detyrën, madje duke bërë më të mirën që pritej prej një njeriu si ai.
Në atë kohë Noli për të siguruar paratë e udhëtimit duhet të bënte një telegram në SHBA te njerëzit e ?Vatrës? të cilët pastaj do t? ia dërgonin paratë. Noli nuk pati turp t? iu kërkonte vatranëve të Amerikës para, sepse ai ishte duke kryer një mision atdhetar.
A thua vërtet Ermira do të ishte gjendur në situatën e Nolit, nëse do të kishte qëndruar atë ditë në Strasburg? Nëse Ermira Mehmeti do të kishte zgjedhur të qëndronte në Strasburg ditën e votimit dhe të humbte fluturimin, ajo do të ishte gjendur në një situate shumë më pak të ndërlikuar se Noli. Sepse mjaftonte që Ermira të bënte një status në Facebook ku të shpjegonte gjendjen e saj dhe të thoshte se i duhej një biletë për t? u kthyer me siguri që do të kishte shumë shqiptarë që do t? ia ofronin atë, jo si lëmoshë, por si detyrim për qëndrimin e saj. Madje edhe dorazi, brenda disa minutave këtë gjë do ta kishin bërë disa nga shqiptarët me banim në Strasburg e afërsitë e tij. Strasburgu është pranë kufirit me Gjermaninë, në një zonë ku ka shumë shqiptarë. Ermira nuk mund të mos e mendonte këtë. Kështu që shfajësimi i saj nuk qëndron aspak.
Ndryshe nga Ermira, Valentina Leskaj, një nga deputetet që përfaqësojnë Shqipërinë në Strasburg, nuk e ka gjetur me vend të shpjegojë mungesën e saj në votimin e amendamenteve dëmtuese për Kosovën në Strasburg. Valentina nuk është e varfër si Ermira, ajo i ka djemtë biznismenë të pasur. Më saktë, për qëndrimin e Valentinës duhet të japë shpjegim Edi Rama, partisë të së cilit i përket Valentina. Rama duhet të na shpjegojë se si është kompatibël deklarata e tij në Beograd, në krah të Vuçiç, se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm, me sjelljen e Valentinës në Strasburg. Apo mos ndoshta Edi Rama e kishte fjalën për pavarësinë e Kosovës nga Shqipëria, jo nga Serbia. Në këtë rast sjellja e Valentinës në Strasburg është në kohezion të plotë me deklaratën e Ramës në Beograd për pavarësinë e Kosovës.





Lajmet e fundit nga