web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Enkel Demi proteston për bordin e TVSH-së

30 Janar 2016, 15:25, Aktualitet CNA

Gazetari dhe moderatori Enkel Demi ka shprehur kritika lidhur me bordin e Televizionit Publik Shqiptar. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Demi shkruan se Bordi i ka shkurtuar fondet për emisionin e tij “Shih Programin”. Gazetari shprehet se pa investuar, pa krijuar kushte pune, pa mëkuar programet edhe shefi, Edi Rama nuk do e shohë TVSH-në dhe do ankohet se ndjehet i zhgënjyer dhe do hedhë sytë në televizionet e tjera.

Ja çfarë shkruan në Facebook gazetari Enkel Demi

Shih Programin kësaj here njohu një tjetër zhvillim që nuk kishte si të mungonte në atdheun tonë.
Në gjithë historinë e tij ky talk show i është nënshtruar shkurtimeve shembullore të buxheteve financiare. Që ky program të dalë në televizor i nënshtrohet dy herë në vit gjykimit të një bordi, i cili dhe kësaj here eci me parimin e gomarit të Nastradinit. Shqiptari i gazmoreve u mërzit shumë kur i vdiq veshgjati, sepse e kishte mësuar të punonte pa i dhënë fare për të ngrënë, ndërsa ja shkurtonte racionet e kashtës çdo ditë e më shumë.
Meqë janë të parët që kanë një opinion të gatshëm përse nuk ndiqetRTSH Radio Televizioni Shqiptar, janë po kaq të zotë sa mendojnë që RTSH-ja do pjellë vezën e artë pa e kuar asfare me para.
Shih Programin, i cili mua më rezulton interesant (ose më gënjejnë gjithë ato opinione, letra, email-e, mesazhe që më vijnë) tash duhet të punojë me pothuaj asnjë gazetar, pa redaksi, pa organizator, pa personazhe, pa bandë muzikore dhe me një drejtues e skenarist që paguhej pak, tani paguhet shumë më pak. Pra, falë bordit duhet bërë miell veç me ujë dhe gishta.
Megjithatë, do të mundohem që programi të bëhet për respekt të atyre që më ndjekin dhe mendojnë se ia vlen ta vazhdoj këtë histori. Për bordin dhe sipër tij Këshillin Drejtues do të dëshiroja të thoja që kopracët nuk janë gjeneratorë suksesi. Pa investuar, pa krijuar kushte pune, pa mëkuar programet edhe shefi, Edi Rama nuk do e shohë TVSH-në dhe do ankohet se ndjehet i zhgënjyer dhe do hedhë sytë sa tek Klani, sa tek Top-i. Sipas meje duke punuar kështu si bordi, ashtu dhe Këshilli Drejtues kontribuojnë që të rrënohet publiku dhe të vazhdojë rrena e audiencës së privatit.
Megjithatë, edhe sot në odën time të mbrëmjes ka të ftuar:
Pranvera Metolli, artistja që me make up realizon efektet speciale në trupin e njeriut.
Fatmir Koçi, regjizori atipik në një rrëfim tejet të veçantë për kinemanë,
Abaz Hado, piktori që ju shpjegon artin figurativ.





Lajmet e fundit nga