web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

4 vjet pa Mbretin Leka I/ Nga Sulejman GJANA

30 Nëntor 2015, 16:09, Aktualitet CNA

?Paqe, Bashkim, Vllaznim?, të thëna nga Mbreti Leka I, gjatë fushatës elektorale të vitit të mbrapshtë 1997, janë thelbi i asaj çka ai mendonte e ndjente për bashkëkombësit, të cilëve u dedikoi energjitë dhe përpjekjet për çdo ditë të jetës.
Gjithë qenia e Tij, në çdo qelizë të trupit, kishte veç një qëllim ? realizimin e idealeve kombëtare dhe përparimin e kombit. Por kjo s?ka qenë aspak e thjeshtë, sidomos po të shohim trajektoren e jetës së Tij, që nga lindja e deri në shtratin e vdekjes. Një jetë kjo e jetuar praktikisht si një luftë e pandërprerë, sa nga rrethanat e politikës botërore, poaq edhe nga zhvillimet e brendshme në shtetin shqiptar.
I lindur në prag të luftës kundër pushtimit nga Italia fashiste, jeta e Mbretit Leka I do të ishte një betejë dhe përpjekje e pandalshme për t?u kthyer në vendlindje, të cilën e la në moshën dy-ditëshe.
Si shumë trashgimtarë europianë të froneve mbretërore, të cilët si rezultat i Luftës së Dytë Botërore do të shfronëzoheshin padrejtësisht e për pasojë do të emigronin nga vendet e tyre, ku do të vendoseshin diktaturat komuniste, edhe Mbreti Leka do të pësonte të njëjtin fat. Por Ai nuk do t?i nënshtrohej këtij destini të keq si për Atë vetë, ashtu edhe për kombin që përfaqësonte, prandaj do të luftonte parreshtur nën devizën e çlirimit të Shqipërisë Etnike si ushtar i Atdheut.
Bir i Mbretit Zog I dhe Mbretëreshës Geraldinë të Shqiptarëve, misioni i tij në mërgim ishte më shumë se i vështirë, pasi zhvillimet historike kishin marrë një drejtim të padëshiruar, dhe thuajse të pamundshëm për realizimin e idealeve dhe synimeve të tij politike.
Shteti shqiptar ishte tashmë pjesë e ?Perarandorinë së kuqe?, kurse gjysma tjetër e kombit vuante nën zgjedhën e Jugosllavisë komuniste.
Megjithëse situatat ishin nga më të vështirat për një aksion politik, NMT Leka I ? Mbreti i Shqiptarëve i vuri qëllim vetes të punonte me vullnetin e një rilindësi, trimërinë e një luftëtari kombëtar dhe shpirtin e një fisniku për të realizuar ëndrrën e çdo atdhetari: çlirimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve.
Megjithëse i gjendur shpeshherë në kushte të pafavorshme, Ai do të dinte të mbronte dinjitetin shqiptar e mbretëror përgjatë gjithë aktivitetit politik e atdhetar që zhvilloi. Për këtë dëshmojnë dokumente e fakte të njohura botërisht, prej të cilave përmendim veç ato të ruajtjes së nënshtetësisë shqiptare gjatë gjithë kohës së mërgimit, duke mos pranuar asnjë ofertë apo pasaportë tjetër, duke kërkuar dhe përfituar privilegjet diplomatike dhe të ekstraterritorialitetit në rastet e posaçme, dhe sidomos me organizimin e diasporës antikomuniste dhe krijimin e Ushtrisë Kombëtare për Çlirimin e Shqipërisë Ethnike, krahas Këshillit Ushtarak.
Janë lapidare fjalët e tij se ?Për Shqipërinë Etnike ngrihem edhe nga varri!?
NMT Mbreti Leka I ? Mbret i Shqiptarëve ka lindur në Tiranë më 5 prill të vitit 1939 dhe është fëmija i vetëm i NMT Mbretit Zog I dhe MS Mbretëreshës Geraldinë të Shqiptarëve.
Në të zbardhur të datës 7 prill Ai largohet bashkë me Mbretëreshën Geraldine në drejtim të kufirit me shtetin grek.
Një ditë më pas, më 8 prill, do të vinte edhe Mbreti Zog, për t?iu bashkuar familjes dhe grupit të njerëzve që e shoqëronin në këtë mërgim të detyruar.
Në shtetin grek Familja Mbretërore ka ndenjur gati një muaj dhe më 2 maj 1939 është nisur në drejtim të Turqisë. Prej saj, në fund të muajit qershor, janë larguar drejt Veriut, për të përshkuar një itinerar të gjatë e të rrezikshëm, duke udhëtuar pandalshëm përmes Rumanisë, Polonisë, vendeve balltike, Suedisë, Norvegjisë, e për të mbërritur përfundimisht në Francë, në muajin korrik.
Këtu vendosen fillimisht në kështjellën e Maye-s në Versajë, ndërsa nga fundi i vitit 1939 marrin me qira kështjellën e Mesnil-Saint-Denis.
Pas fillimit të sulmit gjerman më 10 maj 1940, Familja Mbretërore shqiptare shpërngulet drejt perëndimit, në rrugën drejt Orleans, Royan, Bordo dhe, më në fund, në Saint-Jean-de-Luz, prej nga ku me anije mbërrijnë në Britaninë e Madhe.
Mbreti George IV i Anglisë do t?i ofronte Familjes Mbretërore shqiptare mbrojtje dhe siguri gjatë gjithë përiudhës së Luftës II Botërore.
Me përfundimin e luftës, Familja Mbretërore zhvendoset përsëri. Kësaj radhe në Egjipt, pas ftesës së marrë prej Mbretit Faruk, i cili ishte pasardhës i shqiptarit themelues të dinastisë mbretërore egjiptiane, Mehmet Ali Pasha.
Fillimisht në Kajro, e më pas në Aleksandri, Familja Mbretërore shqiptare do të vijonte jetën dhe përpjekjet e saj për çështjen kombëtare.
Në Aleksandri, Mbreti Leka do të fillonte mësimet e para të shkollës në Victoria College dhe British Boys School. Por këto studime do të ndërpriteshin pas grushtit të shtetit dhe ardhjes në fuqi të republikanëve egjiptianë në vitin 1952.
Ndryshimet politike në Egjipt sollën si rezultat zhvendosjen e radhës për Familjen Mbretërore shqiptare, e cila në korrik të vitit 1955 u vendos përfundimisht në Cannes të Francës.
Gjatë kësaj kohe Mbreti Leka do të regjistrohet në Shkollën e shqiponjave të Villars-sur-Ollon në Zvicër, ku do të marrë diplomën ?matriculation of Oksford?.
Në vitet 1956-1959 Ai do të regjistrohet në akademinë ushtarake të Sand?hurst-it, prej së cilës do të gradohet toger.
Kujtimet nga jeta e Akademisë Ushtarake Mbretërore në Sand?hurst janë nga më të bukurat e jetës së Mbretit Leka.
Në këtë akademi, ndër më të famshmet në botë, studionin pothuajse të gjithë bijtë e mbretërve te globit, por Princ Leka lidhi miqësi të ngushte me dy nga studentët më të shquar, që ishin Mbreti i ardhshëm Baudouin i Belgjikës dhe Mbreti i ardhshëm Husein i Jordanisë.
Kur Princi Leka arriti për herë të parë në Sand?hurst, Sir Julian Amery, në atë kohë ministër në qeverinë e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elisabeta, organizoi një pritje madhështore protokollare për nder të Princ Lekës në aeroport, ku Princi parakaloi në revistë para radhëve të Gardës Mbretërore britanike, i veshur me granduniformën Mbretërore të Mbretërisë Shqiptare.
Pas kthimit në Francë Ai ndoqi studimet e larta në drejtësi dhe shkenca ekonomike në Sorbonë, si edhe disa kurse për gjuhët dhe kulturën orientale.
Qysh prej moshës 8-vjeçare Mbreti Leka zotëronte, përveç shqipes, edhe gjuhët e huaja anglisht e frëngjisht.
Më 5 Prill 1957, kur Princi Leka mbush plot 18 vjeç, Mbreti Zog e shpalli trashëgimtar të kurorës mbretërore, në një ceremoni të zhvilluar në prani të figurave më të shquara të emigracionit politik shqiptar në Francë dhe të shumë miqve të shquar të Familjes Mbretërore e të Shqipërisë, të ftuar enkas. Ndërsa pas vdekjes së Mbretit Zog në spitalin Foch të Parisit më 9 prill 1961, në përputhje me statutin e Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928, vendin e Mbretit Zog e zuri Mbreti Leka i Parë, i cili bëri edhe betimin para një Asambleje të shqiptarëve në mërgim, të përbërë prej dinjitarësh të lartë të Mbretërisë, ish deputetë, ministra e ofiqarë të ndryshëm, si dhe delegacione e përfaqësi të shqiptarëve, të ardhura nga të katër anët e botës. Kësisoj Ai u bë, sipas kushtetutës së vitit 1928, Mbret i Shqiptarëve.
Në ceremoninë mbretërore të kurorëzimit, të datës 15 Prill 1961, para Këshillit të Kurorës Mbreterore, ai shqiptoi formulën statutore: ?Unë Leka I – Mbret i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh, se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do të ruaj Statutin e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke patur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë?.
Në shtator 1962 Ai la Francën për t?u vendosur në Spanjë, ku vendosi kontaktet me Mbretin Juan Carlos të Spanjës dhe Mbretin Simeon II të Bullgarisë.
Gjatë kësaj periudhe aktiviteti i Tij politik merr një kurbë ngjitëse, që kulmon me thirrjen e Konferencës së Madridit, 2-3 korrik 1972, ku marrin pjesë të gjithë faktorët politikë të diasporës antikomuniste.
Në këtë takim të organizuar nën egjidën e Mbretit Leka, arrihet krijimi i një fronti të përbashkët nacionalist kundër regjimit të Tiranës dhe aprovohet ideja që të luftohet për një Shqipëri Etnike dhe për permbysjen e regjimit antikombëtar komunist, të instaluar dhunshëm në Shqipëri.
Më 23 korrik 1975, me rastin e fillimit të Konferencës së Helsinkit-KSBE, Mbreti Leka i dërgon një telegram këtij organizmi, në të cilin, midis të tjerash, afirmon se ?nuk do të ketë kurrë paqe e mirëkuptim në Ballkan, po nuk u njoh integriteti territorial i Shqipërisë Etnike?.
Më 8 tetor 1975, Mbreti Leka kryen ceremoninë civile të martesës në Biarritz të Francës, me një fisnike të re australiane, Susan Cullen-Vvard, në prani në një numri të madh shqiptarësh. Ndërsa më 10 tetor, në Toledo të Spanjës, përfaqësuesit e klerit musliman shqiptar, të kishës ortodokse dhe katolike, si dhe një prift anglikan, bekojnë martesën e çiftit mbretëror.
Në qershor 1977, gjatë një mbledhjeje të KSBE-së në Beograd, Ai deklaron se ?nuk mund të flasë Jugosllavia për të Drejtat e Njeriut, në një kohë që ushtron genocid mbi shqiptarët atje?.
Në vitin 1976 Mbreti Leka themeloi Këshillin për Çlirimin e Shqipërisë Etnike, dhe njëherësh zgjidhet edhe Komandat i Ushtrisë Kombëtare për Çlirimin e Shqipërisë Etnike.
Gjatë vitit 1977 Ai i intensifikon aksionet dhe demarshet politike kundër regjimit komunist të Tiranës. Por ky aktivitet do të bëhej shkak që Spanja, – një aplikante e zjarrtë për t?u anëtarësuar në Europën e Bashkuar (C.E.E) ? të tërhiqej përballë trysnisë së disa vendeve që ankoheshin se ?rrëzimi i qeverisë komuniste në Shqipëri do të sillte si efekt edhe destabilizimin e Jugosllavisë?. Prandaj, qeveria spanjolle kërkoi ndërprerjen e aktivitetit të Mbretit Leka, duke e detyruar këtë të fundit të largohej në janar të vitit 1979 drejt Rodezisë, e më pas në Afrikën e Jugut.
Në Johanesburg, më 26 mars 1982, do të vijë në jetë trashëgimtari i Kurorës Mbretërore, Princi Leka II. Kjo ngjarje është shënuar edhe nga një gjest i rëndësishëm, siç është akordimi i ekstraterritorialitetit për familjen mbretërore, dhe për pasojë, vendi ku Princi Leka II ka lindur, është konsideruar si tokë shqiptare.
Pavarësisht distancës, Mbreti Leka do të vazhdonte përpjekjet e Tij, me qëllim që të arrijë çlirimin dhe përparimin e vendit. Ai do të deklarojë në një intervistë se ?Një mbret i mërguar ka veçse një dëshirë ? të kthehet në vatër. Unë jam shqiptar dhe dëshiroj të jetoj në tokën e të parëve. Kam veçse një shpresë, që një ditë populli im të mundë të zgjedhë lirisht të ardhmen e vet. E nëse për këtë do të duhet të luftoj, unë do ta bëja!?.
Edhe ngjarjet e dyfishta të korrikut 1990 do ta gjenin Mbretin Leka I në krye të detyrës. Ai do të ndjekë nga afër të gjitha hallet e shqetësimet e emigracionit të ri shqiptar, të dyndur në ambasadat e huaja në Tiranë, dhe do të vijojë interesimin e Tij të përhershëm ndaj çështjes së Kosovës, që kishte avancuar ndjeshëm me ngjarjet e Trepçës, formimit të LDK dhe kushtetutës së Kaçanikut.
Ai u gjend pranë emigrantëve shqiptare që emigruan në mars 1991 në Itali, dhe i bëri thirrje popullit shqiptar të bojkotonte zgjedhjet e 31 marsit 1991, të cilat parashikonte se do të manipuloheshin nga PPSH-ja, siç edhe rezultoi.
Në nëntor të vitit 1993 Ai do të zhvillonte një vizitë të shkurtër në Tiranë, vizitë e cila nuk shkoi sipas planit, për shkak të vendimit të qeverisë shqiptare për ta ripërzënë nga atdheu.
Gjatë kësaj kohe Mbreti Leka shprehu synimin e tij për mbajtjen e një referendumi për formën e regjimit, referendum i cili u zhvillua më në fund në vitin e trazuar 1997, në një moment të vështirë për vendin.
Pas rikthimit në atdhe në datë 12 prill 1997 dhe disa takimeve me autoritetet shqiptare gjatë të cilave u caktua edhe data e referendumit, Mbreti Leka zhvilloi një fushatë shumë dinjitoze në mbarë vendin.
Pas votimit për referendum më datë 29 qershor 1997, fitorja e qartë u mohua nga komisionerët e majtë, të cilët deklaruan se Monarkia kishte fituar veç 20 % të votave. Si përfundim, rezultati i KQZ dha verdiktin me 34 % pro monarkisë.
Sipas të dhënave nga komisionerët e monarkisë, kjo e fundit kishte fituar me të paktën 54 % në rang vendi.
Ndërkohë, vendimi i KQZ u apelua në Gjykatë të Lartë, ku u dokumentua zhdukja e rreth 300 mijë fletëve të votimit pro monarkisë. Gjykata dha një vendim korrigjues ndaj atij të KQZ, por nuk ndryshoi verdiktin përfundimtar në disfavor të monarkisë.
Pas këtyre ngjarjeve pati një protestë të monarkistëve, dhe për të evituar konfliktet e provokacionet, Mbreti Leka largohet më 12 korrik 1997, plot 3 muaj pasi kishte vënë këmbën në atdheun e Tij me premtimin se ishte i gatshëm të kthehej në momentin që do ta kërkonte populli shqiptar.
Në qershor të vitit 2002 Mbreti Leka I, në respektim të një kërkese të bërë prej 76 deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, merr vendimin që të kthehet përgjithmonë në Atdhe. Ardhja e Tij do të shënohet në librat e historisë si njëra prej pritjeve më entuziaste që i është bërë ndonjëherë ndonjë lideri të popullit shqiptar.
Me qindra-mijëra vetë, me ovacione dhe me entuziazmin që kërkonte momenti, e shoqëruan Mbretin Leka dhe Familjen Mbretërore nga aeroporti për në rezidencën e Tij. Por kthimi përfundimtar në Shqipëri, saç ishte një ngjarje e shumëpritur, aq rezultoi edhe e dhimbshme, pasi në harkun e dy viteve ndërrojnë jetë njëra pas tjetrës: Nëna Mbretëreshë Geraldine dhe Mbretëresha Suzan. Këto humbje tejet të rënda do ta pikëllonin së tepërmi Sovranin tonë, por megjithatë Ai nuk do të shkëputej nga jeta publike.
Mbreti Leka I ndërroi jetë më 30 Nentor 2011. Shteti Shqiptar organizoi një ceremoni mortore zyrtare, duke shpallur ditë zie kombëtare dhe duke ulur flamurin në gjysëm-shtizë në të gjithë institucionet.
Kjo ceremoni e organizuar në sallën e parlamentit shqiptar, mirëpriti mijëra qytetarë, të cilët erdhën nga të katër anët e trojeve etnike dhe nga diaspora, për t?i dhënë lamtumirën Mbretit të tyre./Sulejman GJANA eshte kryetar i PLL





Lajmet e fundit nga