web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Fatos Klosi: Kundër terroristëve duhet të sillesh si terrorist. Eleminuam terroristë me lejen e SHBA-së, por BE u mërzit

30 Nëntor 2015, 12:54, Aktualitet CNA

Ish-kreu i SHIK, Fatos Klosi, thotë se me terroristët duhet të sillesh si terrorist.

Ai thotë se kur Shqipëria përzuri personat e dyshuar për lidhje me terrorizmin, Bashkimi Europian u mërzit.

Klosi tregon identifikimin e 5 personave si terroristë, që sipas tij do të kryenin sulme në Shqipëri.

Ja çfarë rrëfen Klosi në një intervistë për gazetën Shekulli.

Z, Klosi si u arrit që të zbuloheshin 5 xhihadistët islamikë në Shqipëri?

Të parët ishin francezët që na sinjalizuan se brenda territorit shqiptar fshiheshin  persona dhe eksponentë të rrezikshëm të organizatës terroriste egjiptiane dhe që më vonë doli se kishin lidhje edhe me Al-Qaeda-n. Më pas, me asistencën e amerikane, ne si shërbim, na u vunë në dispozicion të gjitha dokumentet, fotot dhe pasaportat që përdornin ata brenda territorit shqiptar. Më i kërkuari në atë kohë ka qenë 28-vjeçari, Salah El-Sayed, i identifikuar si një nga eksponentët më të rrezikshëm të organizatës terroriste egjiptiane, i cili kishte kryer 25 akte terroriste në vendin tij, por edhe në vendet e tjera si: Kenia apo Tanzani.

Ata terroristë që janë arrestuar kur unë kam qenë në krye të SHIK-ut, nuk kanë qenë terroristë për të kryer akte ekstremizmi në vendin tonë. Ata e shikonin Shqipërinë si një vend të mirë për t?u strehuar. Xhihadistët islamikë e konsideronin Shqipërinë një vend të varfër që mezi po i priste ndihmat e tyre, si për xhami dhe shkolla fetare. Kjo gjë u bë nga ata me qëllim që, nëpërmjet fesë, të përhapej edhe propaganda e tyre radikale. Madje edhe në atë kohë pati familje që dërguan fëmijët e tyre për shkollim në Arabinë Saudite dhe në vendet e tjera të Lindjes së Mesme. Askush nga shqiptarët, por, as ne si Shërbim Informativ nuk e imagjinonim se ishin terroristë. Madje muxhahedinët mbijetuan gjatë në vendin tonë me këtë formë të kamuflimit.

Meqenëse identifikimin e paskan bërë partnerët euroatlantikë, SHIK-u çfarë bëri për t?i parandaluar ardhjen tyre në Shqipëri?

SHIK-u ka patur si detyrë vetëm verifikim dhe survejimin të tyre brenda territorit tonë. Ata kanë pasur shumë zyra, fabrika dhe vende ku strehoheshin dhe në këtë mënyre detyra jona në atë kohë nuk ka qenë dhe aq e lehtë. Kur them nuk ishte e lehtë t?i identifikoheshin kam parasysh se, njëri prej tyre kishte hyrë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë me 7 pasaporta, pra përdorte 7 identitete të ndryshme. Zbulimi i terroristëve ka qenë shumë i vështirë, pasi institucionet e zbulimit që kishim në dispozicion pas vitit ?97, ishin të djegura dhe të plaçkitura, ku nga 24 godina që kishte SHIK, vetëm dy mbetën në gjendje funksionale.

Prandaj them se, kemi qenë në kushte primitive në luftën kundër terrorizmit dhe kjo gjë, vërtetë, krijonte shumë vështirësi se kush fshihej pas personave me identitet të ndryshuar. Dhe diçka tjetër, ata (terroristët egjiptianë) erdhën në Shqipëri krejt normal dhe, me të thënë të drejtën, ne, nuk kishim asnjë informacion se kush ishin këta shtetas në të vërtetë. Por, falë shërbime partnere u bë e mundur kapja, arrestimi dhe dëbimi i tyre nga vendi ynë.

A ka qenë e vërtetë se 5 eksponentët e organizatës terroriste do të përgatisnin një sulm me bombë në Ambasadën Amerikanë në Tiranë?

Me sa më kujtohet jo! Ata kishin ardhur tek ne vetëm për t?u strehuar dhe jo për të bërë veprime terroriste. Pretendime të tilla, më vonë dolën që ishin vetëm përralla. Mbaj mend që Ambasada Amerikane u blindua, duke u ngritur një mur rreth 5 metra i lartë. Pavarësisht masave që morën amerikanët, unë isha i bindur dhe kisha siguruar edhe homologët e CIA-s se, ne si popull nuk do të lejonim qoftë edhe një hedhje guri përtej murit të ambasadës. Kisha parasysh se ne jemi një popull pro-amerikan dhe në një situatë të tillë çdo qytetar do të bëhej polic për të ruajtur dhe informuar nëse do të shikonin diçka të dyshimtë përreth Ambasadës. Pas viteve ?90, amerikanët kanë qenë idhuj për ne shqiptarët dhe kam përshtypjen se kjo ?dashuri? do të vazhdojë të mbetet gjatë.

Si u arrestuan 5 terroristët radikalë që u strehuan në vendin tonë?

Partnerët e huaj na vunë në dispozicion të gjitha identitetet e tyre, ndërsa ne, si Shërbim Informativ Kombëtar na thuhej se: 5 të shumëkërkuar për veprime terroriste në vende të ndryshme të botës, kryesisht në Azi dhe Afrikë, strehohen në Shqipëri. Ne i ruanim në distancë, pasi kjo është detyra e shërbimit të fshehtë që të punojë pa rënë në sy. Pas verifikimit dhe pas asistencës së huaj rezultoi se, personat e rrezikshëm fshiheshin brenda territorit tonë. Katër prej personave me origjinë arabe u arrestuan në mëngjes duke ikur për në punë dhe i pesti, Salah El-Sayed bëri rezistencë, ku mbeti i vrarë ai dhe u plagos Artan Didi.

Çfarë ndodhi me personat e arrestuar?

Pas arrestimit të 4 terroristëve ndodhi një dukuri që Europa nuk e pëlqeu? Nuk e pranon Bashkimi Europian që të arrestosh një person dhe më pas ta ekstradosh në vendet ku është në fuqi dënimi me vdekje. Pra, ne i arrestuam terroristët dhe i ekstraduam drejt Egjiptit, ku ata u ekzekutuan me dënim me vdekje. E di që shkelëm shumë konventa për të drejtat e njeriut, por ne fillimisht u konsultuam me partnerët amerikanë dhe ramë dakord që, kundër terrorizmit duhet të sillesh si terrorist!

Kjo gjë u bë në atë kohë edhe për të dërguar një mesazh të fortë ndaj terroristëve të tjerë, të cilët mendonin se nuk do të ekstradoheshin, pavarësisht akteve terroriste që kishin kryer në vende të tjera të botës. Morëm disa vërejtje nga europianët por, ia hodhëm  paq, pasi edhe ne ia shpjeguam se bëhej fjalë për persona që kishin kryer sulme të mirëfillta terroriste dhe kjo si histori kaloi.

 





Lajmet e fundit nga