web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Modeli Rama nuk frymëzon më askënd

1 Nëntor 2015, 13:06, Opinione CNA

Nga  Ilir Yzeiri

Personalisht kisha besuar që Edi Rama mund të shërbente si një urëkalimi nga tranzicioni i rëndë, i gjatë dhe i vështirë në një shtet normal që të ngjall shpresë dhe deri diku, optimizëm. Personalisht, po ashtu, nuk e kam pranuar aleancën e tij me Ilir Metën, madje në një shkrim botuar me këtë rast, për ?darkën e ngjalës?, kam thënë se Rama duhet të largohet nga drejtimi i PS-së, sepse ai nuk e mbështeste projektin e bashkimit me LSI-në dhe Metën, ndërkohë që kishte të tjerë në PS që e kërkonin këtë projekt. Sipas meje, do të kishte qenë thelbësore për këtë vend që ai të kishte qëndruar i paangazhuar në qeverisjen me Ilir Metën dhe të kishte shërbyer si mjet presioni që koalicioni i PS-së me LSI-në të mos prodhonte këtë produkt korruptiv që ne po shohim sot. Mirëpo, Rama, jo vetëm që e pranoi këtë projekt, por u ngazëllye nga ribashkimi me të dashurin armik sa që tani, të dy bashkë, për fat të keq, po vazhdojnë të qeverisin me modelin korruptiv Berisha, por me abuzime pak më të korrektuara.
Rasti ?Frangaj? ose fundosja e modelit
Ajo që po ndodh me fshatin turistik në Qerret ose pazari i Ramës me Frangajn nuk është ndonjë gjë aq skandaloze në një vështrim. Frangaj ka letrat në duar dhe ka të drejtë të kërkojë atë që ka fituar me letra zyrtare, pra me vendime gjyqesh dhe me miratime nga Bashkia e Ramës. Ajo që e fundos moralisht Edi Ramën është dyfytyrësia, mashtrimi, gënjeshtra, imoraliteti. Strukturat ligjzbatuese të qeverisë që ai drejton nuk vepruan për të kontrolluar ligjin dhe për të pezulluar punën derisa çështja të sqarohej ashtu siç kanë bërë në shumë raste. Makabriteti i këtij rasti është dikur tjetër. Policë me furgon, pra policë të shtetit thyejnë portën dhe vihen në shërbim të një veprimi të paligjshëm. Dhe kjo është policia e Edi Ramës që u motivua kohë më parë për të prishur cepa pallatesh, çikërrima rrugësh, copëza trotuaresh, që hodhi në erë me dinamit dhjetëra godina dhe befas u vu në dispozicion të Frangajt, si në kohën e Berishës, kur i njëjti person luftonte për disa metra vend me Ylli Ndroqin. Kur erdhi në pushtet, Edi Rama dha një intervistë pak të çuditshme dhe deklaroi, mes të tjerash, se këtej e tutje do të punonte për historinë, pra që të mbetej në histori. Nuk e paragjykova në atë çast, ndonëse kritikët e tij e quajtën deri edhe të dalë mendsh. Nuk e bëra këtë, sepse mendova që ai i kishte të gjitha mundësitë që të frymëzohej për të bërë punë të mëdha në këtë vend. Dhe e kishte rastin e artë që të mbahej mend për veprat që do të kryente, jo për pasurinë dhe lidhjet me banditët e oligarkët e këtij vendi. Ajo që më habit sot është se Edi Rama nuk duroi as dy vjet dhe nisi të imitojë Berishën. Ka mjaft raste që e ilustrojnë këtë, por një prej tyre është ajo me doganat. Të njëjtën polici doganore kishte krijuar dhe Bode e Berisha dhe kostoja e saj ishte 340 milionë euro. Të njëjtën gjë po bën edhe Rama, vetëm se ka ulur çmimin, tani ajo është 240 milionë euro. Leasing-un do ta bënte edhe Berisha, por ministri i Financave nuk e kishte lejuar, por Rama është më i sofistikuar, ia delegon Gardës këtë operacion dhe vazhdon aferat e dyshimta si Berisha.
Korrupsioni mund të na fundosë të gjithëve
Ambasadori amerikan gjatë ndërhyrjes në Konferencën për Territorin dhe qeverisjen vendore përmendi dy shenja: veturat dhe zyrat. Besoj të gjithë e kanë vënë re se në Tiranë po mbaron viti i tretë i qeverisjes dhe investimet e dukshme të kësaj qeverie kanë qenë rregullimi i godinave. Kujtoni Kryeministrinë dhe tani në fund, Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Brendshme. Sillni ndër mend edhe leasing-un e makinave. Unë nuk dua t?i besoj të gjitha ato që thuhen për abuzimet me tenderët e ilaçeve apo favorizimin e atyre që opozita i quan klientë të qeverisë. Por, kur shoh veprimin e fundit me Aleksandër Frangaj, prirem t?i besoj të gjitha, sepse modeli nuk ekziston më. Vetëm në Shqipëri është krijuar përshtypja se kryeministri është edhe sundimtar i vendit. Centralizimi i frikshëm i pushtetit në një dorë të vetme, e ka kthyer vendin tonë në një autarki afrikane. Republika nuk ekziston më, sepse të gjitha vendimet në këtë vend i merr vetëm një njeri. Sistemi politik është ndërtuar në një mënyrë të tillë që ky njeri mund të na diktojë nesër edhe oraret e tualetit. Po ju jap vetëm një shembull. RTSH-ja, media publike e vetme, vazhdon të veprojë në kundërshtim me të gjitha ligjet. Është bllokuar zgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm sepse oreksi i Edi Ramës për të zgjedhur kandidatin e tij, nuk u plotësua. Pas kësaj, ai e ka shpallur atë gërmadhë dhe e ka lënë në mëshirë të fatit. Emëroi 11 gjynahqarë në Këshillin Drejtues që marrin një rrogë të mjerë dhe i vetmi institucion publik që merr para nga buxheti i shtetit më shumë se Bashkia e Durrësit vegjeton në mënyrën më të turpshme. Pse? Sepse Edi Ramës nuk i plas fare, sepse Edi Rama po nuk gjeti atë që do ai, është gati ta djegë gjithçka. Ndërkohë që rregullohen zyrat e blihen makinat, askush nuk del të thotë përse është ndërprerë puna në aksin Tiranë ?Elbasan? Kaluan tre vjet qeverisje dhe për fat të keq, Edi Rama tregoi se nuk është burrë shteti, se ai do të hyjë në histori, siç deklaroi vetë në fillim të punës si kryeministër, si një njeri që nuk bëri asnjë vepër. Do të mbahet mend si kryeministri që futi në burg një baba të mjerë në Lushnjë që më vonë vrau veten nga marazi dhe që nga ana tjetër i dha policët Frangajt që të shkatërronte portat e një kompleksi dhe të ndërtonte vila buzë detit, jo të atij deti ku ai sapo erdhi në pushtet urdhëroi që të hidhej në erë pallati i vjehrrit të liderit të opozitës, por të një deti tjetër. Edi Rama do të mbahet mend pastaj edhe për kaubojt me të cilët erdhi në Kuvendin e Shqipërisë. Me Edi Ramën, për fat të keq, tranzicioni do të zgjasë jashtëzakonisht shumë, sepse në anën tjetër është një opozitë që kërkon pushtetin për të vazhduar të njëjtin model, një opozitë që nuk të frymëzon ndryshim. Edi Rama do të vazhdojë të qeverisë, por jo si i deleguar i opinionit apo i publikut të ndershëm që do zhvillim dhe që kishte menduar se e gjeti një burrë shteti, ai do të vazhdojë të qeverisë si një administrator i klaneve mafioze, i oligarkëve të neveritshëm të këtij vendi. Kështu do të hyjë edhe në histori. Ndërkaq, Kryeministri Renci që Rama ka dëshirë ta përmendë se e ka edhe mik, po shfaqet në Itali si burrë shteti. Asnjë skandal nuk ka prodhuar në këtë periudhë ai si kryeministër. Reformat që ai ndërmori e nxorën Italinë nga humnera ku kishte rënë. Edhe atje ka korrupsion, por në asnjë rast nuk përmendet emri i kryeministrit. Ndërsa këtu, sa herë që flitet për korrupsion përmendet vetëm emri i Edi Ramës. Ky është ndryshimi, zoti kryeministër i vendit tim që nuk arrite të bëhesh shtetar, që zgjodhe pasurinë në vend të veprave, që zgjodhe të mbahesh mend për pasurinë dhe vilat dhe jo për punët. Të jesh i sigurt që do të mbahesh mend në këtë vend, por si zgjatim i Berishës, për fat të keq.





Lajmet e fundit nga