web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Të gjithë të trembur dhe të tredhur nga Sandri!

27 Tetor 2015, 21:31, Opinione CNA

Nga Mero BAZE

Gazeta TemA është përballur sot me një mori dokumentash, akuzash dhe sqarimesh nga qeveria, opozita dhe banorët e prekur tek ?Laguna Blu?, pas denoncimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e disa vilave aty.

I pari që reagoi ndaj shkrimit tim, ishte kolegu Andi Bushati, i cili me pak fjalë e konsideron këtë që ka ndodhur një veprim të Edi Ramës, për të pasur raporte të mira me zullumqarët e Berishës, pasi tani të dy palët janë njësoj pis.

Pas Bushatit reagoi opozita, e cila nuk guxoi t?ia zërë emrin në gojë Sandrit, siç ja zë Carapulit, por meqë Lulzim Basha ka shtëpinë aty, dhe preket njësoj si banorët e tjerë, e tha dhe ai një fjalë.

Më tej reaguan banorët e fshatit me një peticion drejtuar autoriteteve, për pezullimin e punimeve dhe hetimin e mënyrës si është fituar pronësia në një tokë me qera, dhe si është dhënë leja e ndërtimit.

Më pas reagoi dhe qeveria, e cila thotë se planin rregullues e ka miratuar Berisha në maj të vitit 2013, ndërsa lejen e ka dhënë kryetari socialist i Komunës së Golemit në vitin 2014, duke shfajësuar kështu Edi Ramën.

Shumica e medieve të  tjera shqiptare, nuk u përfshinë në debat për shkak të raporteve personale me Frangajn.

Por çfarë ka ndodhur realisht?

24 orë më pas, është e qartë se çfarë ka ndodhur. Kompania ?Epidami shpk?, që ka fituar koncesionin e ndërtimit të atij fshati turistik, me të drejtë përdorimin e tokës për projektin e miratuar, ka bërë një marrëveshje, e cila është ?nul? nga pikëpamja ligjore, sipas të cilës, kjo shoqëri i shet Aleksandër Frangajt mjediset sportive të fshatit, në tetor të vitit 2005. Nuk ka asnjë dokument ligjor shitjeje, pasi nuk ka noter që të lidhë një kontratë shitje për një mall që nuk e ke blerë. Ndaj shoqëria ?Epidam shpk?, e cila ka qenë nën presionin e Frangajt, pas fitores së Berishës më 2005, i ka bërë një deklaratë të pavlefshme juridike jashtë noterit, Frangajt dhe gruas së tij, sipas së cilës, ata kanë blerë mjediset sportive (nga kush, se ?Epidami? si ka blerë akoma dhe sot!) Toka e atij fshati turistik është ende pronë e qeverisë shqiptare dhe ky akt është thjesht një deklaratë personale, pa vlerë juridike. Kushdo që e ka marrë si akt juridik duhet të dënohet sipas ligjit.

Në vitin 2012, kur qeveria Berisha ka nxjerr urdhërin për privatizimin e tokës në fshatrat turistike, mbi të cilat është ngritur banesa që ke blerë, Frangaj ka përdorur këtë deklaratë joligjore për të blerë tokën e ambienteve sportive, duke e konsideruar si zonë ku ai ka investuar. Prokuroria duhet të mbajë shënim dhe të thërrasë për hetim, ata që ja kanë firmosur këtë privatizim.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka gjetur të padrejtë këtë procedurë dhe ja ka quajtur shkelje këtë çështje Hipotekës së Kavajës.

Pasi ka siguruar këtë letër, Frangaj ka trokitur në zyrën e Berishës dhe i ka kërkuar të miratojë planin e Rregullimit të Territorit të Golemit, ku përmes njerëzve të tij, ka ndryshuar planin urbanistik faktik të ?Laguna Blu? dhe ka shtuar në njollën e kompleksit sportiv, ndërtim vilash, duke i ndryshuar destinacionin. Berisha e ka firmosur planin rregullues të Golemit më 10 maj 2013, në kulmin e fushatës elektorale, edhe pse e ka pasur gati qysh më 2005, por nuk e ka firmosur, për llogari të tij.

Pasi ka siguruar këtë plan rregullues, Frangaj ka nisur aplikimin në Komunën e Golemit dhe duke përdorur afërsinë me Edi Ramën, ka bindur kryetarin socialist të Komunës së Golemit, t?ia miratojë lejen në vitin 2014, duke përdorur dhe telefonata me Edi Ramën. Për të shmangur reaksionet brenda fshatit, ai ka pritur dhe përfundimin e verës së vitit 2015 dhe forcimin e raporteve me Edi Ramën, dhe ka nisur punimet. Kaq është e gjitha, për këdo që i është pak rrëmujë se çfarë ka ndodhur.

Në thelb kemi disa probleme të forta ligjore dhe në fund një problem moral. E para është pronësia e paligjshme mbi tokën, për të cilën duhet paditur si poseduesi, dhe ata që ja kanë dhënë. Edi Rama ka ngritur një Task Forcë për gjithë  bregdetin shqiptar dhe mund ta përfshijë këtë tokë në hetim, nëse nuk e ka ditur më parë. Deri atëhere, për të provuar që nuk ka lidhje me Frangajn, mund ta pezullojë ndërtimin, pasi nuk ka ndonjë emergjencë. Frangaj ka disa vila dhe një pak më nuk i prish punë. Nëse Task Forca e gjen të ligjshme procedurën, atëhere ta deklarojë si të tillë.

Problemi i dytë është ndërhyrja në planin paraprak rregullues të Golemit, ku në planin urbanistik të fshatit kanë qenë fusha sportive dhe befas në maj të 2013 janë gdhirë vila për Sandrin. Natyrisht, gjithçka është bërë nga Berisha, të cilit Sandri i ka trokitur në ditë të keqe në zyrë në mes të fushatës elektorale të 2013, një muaj para se të ikte nga pushteti. Dhe ja ka bërë.

Problemi i tretë ka të bëjë me mbështetjen e dukshme që Frangaj ka pasur nga Edi Rama në këtë projekt, pasi jo vetëm që u pajis me leje nga komunari i tij socialist, por gjithë strukturat e komanduara prej tij, përfshi edhe atë vet, janë me Frangajn këto 24 orë. Hiqni emrin e Frangajt nga ajo leje dhe provoni të vini një emër anonim, që thyen portën e një fshati, lë në mëshirë të fatit sigurinë e qindra banesave turistike dhe fillon ndërtimin 20 metra larg detit duke shkatërruar mjediset sportive. Natyrisht as kishte shans ta mendonte! Arsyeja përse Rama ja bën këtë nder Frangajt, është i njëtë me nderet që u bën gjithë pronarëve shqiptarë të medias, por këtu kërcet pak më shumë, për shkak se nervozon dhe socialistët. Biles në këtë moment është pak dhe më keq, pasi shton dhe bindjen tek Ilir Meta se nderet ndaj Frangajt, janë çmimi që po paguan për rolin e Frangajt kundër tij në betejën e ndyrë të CEZ. Dhe sado e pavërtetë të jetë kjo, dëmin e bën njësoj.

Në fund ka dhe një problem moral. I kam parë reagimet në blog dhe në opinion publik ndaj kësaj historie dhe shikoj se janë aq negative, sa askush nuk do të identifikohet me Sandrin. Berisha, i cili vetë ja ka bërë i pari nderin, ju desh të distancohej dhe të akuzonte Ramën, se po i blen Sandrin. Po ashtu dhe Rama e ndjeu se po i bënte aq keq kjo histori, sa u distancua nga Sandri dhe deshi t?ia kthejë kopilin në derë Berishës. Edhe Bushati, i cili e kupton se Sandri në këtë rast njollos këdo që ka afër, bën thirrje që në krah të tij të vendosim Edi Ramën. Kështu që në fund të kësaj historie, duket sikur Sandrit ja kam dhënë unë lejen, ja kam bërë unë planin rregullues, kam marr unë në telefon kryetarin e Komunës në Golem, i kam thënë unë mos ça kokë nga policët, po shqyej dyert e fshatit, dhe në fund të bëj dhe një shkrim që Sandri nuk ka faj, se ja ka dhënë me zor Rama.

E vetmja gjë e vërtetë, është që askush nuk do të identifikohet me Sandrin, pasi është bërë simbol i grykësisë së pushtetit, por askush nuk po e godet Sandrin. Të gjithë perpiqen të gjejnë fajtorë të tjerë, përveç atij që ka vjedh tokën dhe po shkatërron një pasuri të përbashkët turistike. Kaq mjafton të themi se këtë shoqëri dhe këtë pushtet e ka tredhur Sandri.





Lajmet e fundit nga