web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Euro në tregun vendas në nivelin më të ulët në dy muaj

26 Qershor 2015, 17:39, Ekonomi CNA

Euro ka shënuar rënie të vazhdueshme edhe në tregun vendas gjatë dy javëve të fundit, duke zbritur në nivelin më të ulët të dy muajve, duke reflektuar zhvlerësimin e saj në tregun ndërkombëtare, si rrjedhojë e pasigurive që janë krijuar nga kriza greke.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 140.48 lekë, duke shënuar rënie për të 10-ën ditë radhazi dhe duke zbritur ndjeshëm nga niveli më i lartë i vitit prej 141.13, që u arrit në 12 qershor.

Pavarësisht rënies, euro vijon të jetë e mbiçmuar në tregun e brendshëm, duke u këmbyer në nivele të njëjta kur ajo kuotohej me 1.3 dollarë , teksa sot një euro këmbehet në bursat ndërkombëtare me 1.1 dollarë (tre vjet më parë, kur euro këmbëhej po me 1.1 USD, një euro kushtonte rreth 137 lekë).
Një dollar u kuotua me 125.41 lekë, duke shënuar rënie me 0.38 lekë në raport me një ditë më parë. Edhe dollari është larg niveleve record prej mbi 130 lekë, që u arritën në mars të këtij viti, kur monedha e përbashkët zbriti nën 1.1 USD.

Në bursat ndërkombëtare euro ra poshtë 0.1 për qind të premten, duke u këmbyer me 1,1188 dollarë. Fundi i javës e gjeti monedhën evropiane 1.4 për qind më të ulët se sa gjithë javën.
Dështimet e bisedimeve të vazhdueshme për shpëtimin grek po e mbajnë euron të dobët në tregjet ndërkombëtare.

Monitor.al





Lajmet e fundit nga