web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një hetim për Bankers që nuk përfundoi dhe Institutet shkencore të shtetit që gënjejnë…shtetin

6 Prill 2015, 08:49, Aktualitet CNA

Në vitin 2012 prokuroria e Fierit nisi një hetim për ?tërmetet? në zonën ku operon Bankers pasi u raportuan dy lëkundje në këto zona të ndodhura në datat 16-17 Qershor 2012.

Por hetimi nuk përfundoi.

Prokuroria e Fierit i drejtohet Institutit të Gjeoshkencave dhe Energjisë. I kërkonte Institutit thellësinë në të cilën ishte epiqendra e lëkundjes.

Në korrik të vitit 2012, Instituti kthen përgjigje dhe thotë se thellësia ku ishte shkaktuar lëkundja ishte rreth 28-35 kilometra në thellësi të tokës. Kjo ishte një thellësi e cila nuk mund të ishte shkaktuar në asnjë mënyrë nga dora e njeriut, pasi kompanitë e naftës nuk operojnë në këtë thellësi kaq të madhe.

Por?.kjo përgjigje e Institutit, pak muaj më vonë rezultoi një bllof.

Në fillim të vitit 2013, prokuroria i kërkon Institutit që të specifikonte dhe shkaqet e lëkundjeve dhe ndër të tjera i kërkonte Institutit që të tregonte se me cilën metodologji arriti të zbulonte thellësinë e epiqendrës së këtyre tërmeteve.

Përgjigja e dytë e ardhur prej Institutit, rezultoi surprizë e vërtetë për prokurorinë. Instituti në përgjigjen e detajuar sqaronte se thellësia prej 28-35 kilometrash e dhënë në shkresën e parë nuk ishte thellësia e saktë. Sipas Institutit thellësia e vërtetë e epiqendrës së tërmetit, objekt hetimi ishte 1 kilometër dhe 5 kilometra.

Diferenca flet vetë. ?Bankers Petroleum? ushtron aktivitet në këto thellësi për nxjerrjen e naftës.

Prokuroria i kërkoi Institutit dhe shkaqet dhe interpretimin shkencor se përse kishin ndodhur këto lëkundje, por Instituti këtë të dhënë nuk e ofroi.

Oshilacionet që ka shfaqur Instituti në përgjigjet e veta, kanë bërë hetuesit të dyshojnë se ky Institut shtetëror, mund të jetë i motivuar në fshehjen e së vërtetës dhe në favorizimin e kompanisë koncesionare private të naftës ?Bankers Petroleum?.

*****************

Lëkundjet në Patos-Marinëz, pjesë nga relacioni i prokurorisë:

Në qershor të vitit 2012, Prokuroria e Fierit ka qenë duke zhvilluar hetime për ?shkatërrim prone dhe zjarr-vënie të qëllimshme? në dëm të kompanisë së naftës ?Bankers Petroleum?, e cila operon në zonën e Zharrzës dhe Patos-Marinëz në Fier.

Për këtë ngjarje u arrestuan dy persona. Gjatë hetimeve mbi këtë rast, prokuroria e Fierit shqyrtoi edhe disa ankesa të banorëve të zonës për shpërthime nëntokësore, të cilat kishin dëmtuar banesat e tyre dhe që, sipas qytetarëve, e kishin prejardhjen nga veprimet e kompanisë ?Bankers Petroleum? në nëntokën e kësaj zone.

Fillimisht, këto dy çështje u trajtuan së bashku dhe, ndër veprimet hetimore, u kërkua ekspertizë nga Instituti i Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) Tiranë për shpërthime të ndodhura në datat 16 dhe 17 Qershor 2012, për burimin e lëvizjeje të tokës, kohë për të cilën banorët kishin shfaqur ankesat e tyre. Në datë 19.7.2012, Instituti kthen përgjigje, në të cilën vë në dijeni Prokurorinë se lëvizjet e tokës në datat 16 dhe 17 Qershor kanë burim ?tektonik?, pasi kanë ndodhur në thellësi 28 dhe 36 kilometra nën tokë, pra pranohet shkencërisht se tronditjet e tokës kanë qenë tektonike (tërmete) të cilat kanë ndodhur dy ditë rresht (16-17 qershor 2012) pothuajse në të njëjtën orë ( dt. 16 në orën 3.47 të mëngjesit dhe dt. 17 në orën 4.00 të mëngjesit).

Duke qenë se çështja shkatërrimit të pronës së Bankers Petroleum po ecte me ritme të më të shpejta se sa dyshimi për dëmtimin e pronës të banorëve të zonës nga veprime të kompanisë së naftës, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier vendosin ndarjen e kësaj çështjeje;

1-    Shkatërrimin e pronës, me dy të arrestuar, të cilët më pas kanë marrë edhe dënimin nga gjykata

2-    Dëmtimin e pronës, të dyshuara si të prejardhura nga veprimtaria e kompanisë ?Bankers Petroleum?.

Për efekt të ndarjes së veprës dhe fillimit të hetimeve të reja, kësaj here veçmas, Prokuroria e Fierit kërkon sërish informacion nga Instituti i Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) për shpërthimet në datat 16-17 qershor 2012, ku kërkohet specifikisht edhe thellësia e lëvizjes dhe arsyeja. Në shkresën me datë 12.03.2013, Instituti kthen përgjigje se, në datat 16 dhe 17 qershor 2013, lëvizjet kanë ndodhur në thellësi, përkatësisht në dt. 16.6.2012 në thellësinë 11 kilometra dhe në dt.17.6.2012 dy lëvizje në thellësinë 1 dhe 5 kilometra, ndërkohë që nuk përcaktohet shkaku i tyre.

Pra, ndërmjet dy shkresave konstatohet lehtësisht një diferencë shumë e madhe ndërmjet thellësisë së lëvizjeve të tokës: në shkresën e parë, lëvizjet kanë ndodhur në thellësinë 28 dhe 35 kilometra; ndërsa në shkresën e dytë, lëvizjet, në të njëjtat data, kanë ndodhur në thellësinë 11 dhe 1-1.5 kilometra.

Për arsye të diferencave të thellësisë së përcjellë në dy shkresat e Institutit, Prokuroria e Fierit dërgon një tjetër shkresë, në të cilën kërkon përgjigje lidhur me:

– Përcaktimin përfundimtar të thellësisë së lëvizjes së tokës

– Shkakun e këtyre lëvizjeve, me qëllim për të përcaktuar nëse qëndron dyshimi i banorëve ose jo për veprimtarinë e ?Bankers Petroleum?.

– Të sqarohen kontradiktat mes të dhënave të përcjella në dy shkresat e para

Instituti i Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) kthen përgjigje sërish më dt. 02.07.2013, në të cilën shprehet se:

Thellësia e lëvizjes së tokës në zonën e Zharrëzës dhe Patos-Marinëz në Fier janë ato të paraqitura në përgjigjen e datës 12.03.2012 (pra, thellësia e lëvizjes për dt. 16.6.2012 është 11 kilometra dhe thellësia e dy lëvizjeve të tokës për datën 17.6.2013 është përkatësisht 1 kilometër dhe 1.5 kilometër nën tokë). (Gjë që do të thotë se mund të mos jenë tektonike-ky NUK është përfundim i Institutit, por deduksion logjik)

Lidhur me shkakun e këtyre lëvizjeve, Instituti, i cili është i vetmi i kësaj natyre në Shqipëri, jep këtë përgjigje: Instituti e ka të vështirë të bëjë një monitorim të plotë në zona të ndryshme të vendit, pasi nuk ka pajisjet për të bërë një monitorim të plotë lokal. ?Monitorimi lokal do të bënte një punë më të mirë për përcaktimin e shkaqeve të lëvizjes?. Sipas Institutit, për rastin e kërkuar nga Prokuroria e Fierit, është parë ?vetëm ndikimi i mjedisit tektonik mbi valët e regjistruara?.

Pra, praktikisht, Instituti nuk ka dhënë përgjigje mbi shkaqet e lëvizjes së tokës.

Lidhur me atë që prokuroria e Fierit e konsideron ?kontradikta ndërmjet të dhënave në dy shkresat e mëparshme?, Instituti shprehet: Nuk ka kontradikta mes të dhënave. Instituti funksionon fillimisht me të dhëna paraprake dhe më pas i përpunon duke shfrytëzuar edhe burime të agjencive të tjera (ndërkohë që ka dërguar në shkresën e parë të dhëna zyrtare, por që pas rreth 10 muajsh u sqarua se kanë qenë paraprake).

Në këtë mënyrë, Instituti i vetëm i specializuar në Shqipëri për këtë lloj ekspertize nuk ka dhënë përgjigje për shkakun e lëvizjeve të tokës në Zharrës dhe Patos Marinëz, duke e vendosur prokurorinë e Fierit në një situatë të pakëndshme lidhur me ecurinë e hetimit.

*(Materiali është shkëputur nga relacioni zyrtar që prokuroria e Fierit i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë)

Gazeta Dita





Lajmet e fundit nga