web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

ASTRIT PATOZI: "PD KA MBETUR NË 22 KORRIK 2013"

18 Tetor 2014, 22:00, Politikë CNA

Në një intervistë për revistën “JAVA”, ish-nënkryetari i Partisë Demokratike dhe ish-kreu i grupit të saj Astrit Patozi thotë se Kuvendi i demokratëve “u mor lehtë, si një gjë për t’u hequr”. Ai thotë se PD sot nuk e di ç’do të bëjë me zgjedhjet lokale dhe grupin e saj parlamentar. “Cili është projekti që na çon drejt ringritjes së shpejtë, cili është modeli por edhe ekipi i ri që do të na drejtojë”, pyet Patozi. Ai shprehet se bojkoti ka ç’aktivizuar armën më të fuqishme opozitare kundër qeverisë. Patozi mendon se qeveria Rama zbaton një qeverisje fasadë

Intervistoi Skënder Minxhozi

Sapo është mbyllur Kuvendi i Partisë Demokratike. Çfarë përshtypjesh ju la?

Zakonisht përshtypjet u kërkohen atyre që janë spektatorë. Nuk ka arritur ende ajo ditë që të ndjehem i tillë, në një ngjarje të rëndësishme politike të Partisë Demokratike. Por përtej batutës, unë kam pasur fatin e mirë apo të keq, që ta bëj publike pritshmërtinë time për Kuvendin, dhjetë ditë para se ai të mbahej. Kam bindjen e plotë se nuk kam shprehur vetëm opinionin tim në atë paraqitje.

Por kur perdja ra, kishte shumë pak gjë për të kujtuar nga shfaqja, e cila sipas meje nuk ishte në lartësinë e momentit të rëndësishëm politik, që duhet të kapërcente Partia Demokratike, ose opozita shqiptare në tërësi.  E thënë ndryshe, Kuvendi u mor lehtë, gati si një gjë për t?u hequr, ndërkohë që sipas meje, ai duhet të ishte një eveniment që duhet të linte gjurmë të forta, duhet të shtronte disa piketa dhe të ngrinte disa kollona ku do të mbështetej aksioni politik i opozitës në të ardhmen. Sepse Kuvendet nuk bëhen shpesh, një herë në katër vjet, madje edhe më rrallë, kur  shkelim Statutin.

Fjala vjen, pas Kuvendit, njerëzit janë edhe më të paqartë, por edhe vetë PD nuk e di, se çfarë do të bejë ajo me zgjedhjet lokale, me grupin e saj parlamentar, cili është projekti që na çon drejt ringritjes së shpejtë dhe pastaj drejt fitores dhe cili është modeli, por edhe ekipi i ri, që do ta drejtojë forcën tonë politike.

Unë nuk dua të merrem me elementët e spektaklit, as me atmosferën,  jo se nuk kam gjë për të thënë, por sepse nuk është kjo gjëja që na intereson më shumë, por produkti politik që doli nga Kuvendi.  Ne jemi vetëm 6 muaj larg zgjedhjeve lokale, sfida e parë pas humbjes së 23 qershorit, dhe unë as nuk shoh dhe as nuk ndjej që të ketë ndonjë përgatitje, qoftë edhe minimale, për ta përballuar me sukses atë betejë.

Më shqetëson deri në dhimbje një lloj ngeje që konstatohet në të gjithë rrugëtimin tonë, që në ditën e parë pas humbjes e deri më sot, dhe sinqerisht që nuk gjej as shpjegim, e jo më justifikim. Mendoj se në politikë, ashtu si edhe në biznez, koha është gjëja që vlen dhe kushton më shumë, por nuk e shoh këtë koncept të funksionojë siç duhet tek ne.

Kemi lëvizur ngadalë edhe me zgjedhjet brenda llojit, madje nuk shoh ndonjë shenjë për ndërrim marshi, edhe pas Kuvendit të Partisë Demokratike. Ndonëse Kuvendi praktikisht hapi rrugën për të kapërcyer vakuumin që ishte krijuar, kur për më shumë se një vit i zgjedhur dhe legjitim konsiderohej vetëm kryetari i partisë, ende nuk është thirrur Këshilli Kombëtar që të zgjedhë forumet e reja derivate, që dalin prej tij. Duket sikur ka një merak për të mos i trazuar ujërat, por ta shtyjmë sa të shtyjmë kështu, dhe kjo më duket krejtësisth pa sens.

E kam bindje absolute se asnjë e mirë në këtë botë nuk vjen duke pritur. Le pastaj fitorja, që është diçka sublime dhe shumë e komplikuar, e cila kurrë nuk arrihet vetiu, madje edhe në rastin që kundërshtatari e bën aq baltë, sa e zë populli me gurë.  Është 100 përqind e sigurt që Edi Rama do të humbasë, sepse as nuk di dhe as nuk do të qeverisë mirë.  Por nga ana tjetër, nuk është po kaq e sigurt se do të fitojmë patjetër ne, vetëm për shkak të humbjes së tij.

Si i shihni emrat e rinj që filtruan në Këshillin Kombëtar të PD? Sa qëndron idea se partia e kreu freskimin e elitës drejtuese?

Nuk më ka pëlqyer kurrë të komentoj për emra, jo thjesht për faktin se në demokraci nuk ka asnjë të pazëvendësueshëm. Por ajo që na intereson të gjithëve, mendoj se është koncepti dhe fenomeni. Në atë listë kishte shumë emra që nuk i kam dëgjuar kurrë, por, tek e fundit, kjo nuk i bën ata më pak të aftë dhe as ua zbeh perspektivën. Por fakti që unë dhe shumë si mua i dëgjojmë për herë të parë, do të thotë në një farë mënyre, se ata sot nuk është se përfaqësojnë diçka në Partinë Demokratike, sepse unë kam qenë për më shumë se 6 vjet nënkryetar i saj dhe të paktën duhet t?i kisha hasur diku.

Megjithatë, kjo nuk e përjashton mundësinë që ata ta shfrytëzojnë këtë shans, për t?u shndërruar shumë shpejt në përfaqësues realë të demokratëve. Sigurisht që kjo nuk bëhet vetëm me dëshirën e mirë të dikujt, apo të atyre vetë, por kërkon edhe zotësi, vokacion dhe përkushtim. I uroj me gjithë zemër gjithë të rinjtë e Këshillit Kombëtar, që të piqen dhe realizohen sa më shpejt

Por jam shumë i sigurt se ata kanë nevojë që të ngarkohen, që dikush t?u vërë në shpinë një përgjegjësi  konkrete, dhe që kontributi i tyre të jetë i matshëm. Ndryshe, ai entusiazmi i pritshmëm dhe human që shoqëron në përgjithësi njerëzit kur zgjidhen diku, do të zbehet shumë shpejt. Sepse zgjedhja dhe promovimi i tyre ka vlerë dhe kuptim, vetëm në rast se Partia Demokratike rikthehet sa më shpejt në pushtet, ndryshe është njësoj si të jenë anëtarë në ndonjë shoqatë kulturore apo sportive. Fjala vjen ?Danoçat e Tironës? (kështu quhen tifozat e rinj të klubit të Tiranës).

 Kurse kjo çështja e freskimit të elitës është shumë relative. Për mua, ajo nuk mund të jetë kurrë qëllim në vetvete. Një parti serioze i hap krahët çdo të riu, sepse qarkullimi i elitave është proces i pashmangshëm, por nga ana tjetër respekton dhe nderon çdo kontribut dhe vlerë të krijuar në vite. Ndryshe, tek njerëzit krijohet bindja se nuk ka rregulla për një karrierë normale dhe se uljet apo ngritjet nuk varen nga puna individuale, por nga rrethanat dhe nga humoret e ?udhëheqjes?. Gjithmonë sipas meje, Partia Demokratike, nuk e ka dhe nuk do ta ketë luksin për të humbur qoftë edhe një demokrat të vetëm, për mosvëmendje, mosvlerësim, apo ç?është më e keqja, për gjueti shtrigash.

Kam dëgjuar këto kohe edhe personazhe që flasin në rrjete sociale dhe gjetkë për ?rithemelim të Partisë Demokratike?. Natyrisht që kjo do të ishte një vetëvrasje politike, por edhe nëse kjo do të ndodhte patjetër, unë pres që këtë ta dëgjoj prej kryetarit të partisë, dhe jo prej ?yjeve të rinj në ngjitje?, që kanë hyrë e kanë dalë disa herë prej Partisë Demokratike, herë duke i gjuajtur me pushkë, e herë duke i puthur dorën ?udhëheqësit?. Ka syresh që guxojnë ende t?i klasifikojnë demokratët në varësi të votës së 22 korrikut, ndonëse ato ishin zgjedhje brenda nesh, ndërkohë që ata vetë, edhe siglën i kanë vjedhur PD-së, që ajo të humbte në zgjedhjet politike. Dhe prapë demokratët i kanë falur. Dhe mirë kanë bërë.

Lulzim Basha kërkoi ndjesë publike për humbjen në zgjedhjet e vitit të shkuar. Si ju duket ky akt?

Ndjesa është gjithmonë një gjest njerëzor, që pëlqehet nga publiku, sidomos kur artikulohet nga njerëzit me pushtet. Sepse tregon përunjësi, sens të fortë autokritike, shpresë për të mësuar prej gabimeve, cilësi këto pak ekzotike për të mëdhenjtë e politikës shqiptare në këto 23 vjet. Perëndimi këtë e ka mënyrë sjelljeje të konsoliduar, saqë askush nuk habitet kur Angela Merkel, nuk lë rast pa kërkuar falje për krimet e Hitlerit. Por të kërkosh falje për të shkuarën është gjithsesi më e lehtë, sesa të lypësh ndjesë për të tashmen, sepse është problemi i përgjegjësisë personale dhe në emër të kujt e bën gjestin.

Në tërësi mendoj se ky ishte një ndër aspektet pozitive të fjalës së Bashës dhe të Kongresit në përgjithësi. Është normale që jo të gjithëve u ka pëlqyer, madje edhe brenda sallës së Kuvendit, por tek e fundit në një shoqëri të lirë, kjo është një gjë e zakonshme.

Por që ndjesa të ketë efektin e duhur dhe të arrijë qëllimin, duhet që të shoqërohet me gjeste të tjera, sa më të shpejta, që të tregojnë për reflektim, sepse ndryshe mbetet vetëm kujtimi i bukur i asaj dite kur u deklarua. Gjithmonë e më tepër në Shqipëri po ikën koha kur politikanët gjykohen, pëlqehen, apo nuk pëlqehen për atë që thonë, por për atë që bëjnë.

Nëqoftëse ne themi se do të luftojmë korrupsionin nesër, asksuh nuk na beson në rast se nuk e bëjmë këtë aty ku na jepet mundësia sot. Kjo vlen edhe për klientelizmin, nepotizimin, pabarazinë para ligjit, rregullit dhe standartit, sëmundje të njohura këto të sistemit, që janë theksuar shumë në vitet e fundit.

E vetmja mënyrë që opozita të krijojë frymë dhe ringjallje të shpresës tek njerëzit, është të tregojë me gjeste dhe me shembuj, jo vetëm me fjalë, se do të qeverisë ndryshe, kur të vijë nesër në pushtet.

Meqë jemi tek Basha, a mendoni se ka vend për një bilanc të lidershipit të tij në krye të partisë?  Si ju duken 15 muajt e Bashës në krye të PD?

Mendoj se për çdo udhëheqës politik, bilancet duhen bërë pas betejave elektorale, sepse ai është gjykimi më realist dhe më i drejtë.  Për Berishën, bilanci nuk bëhet kë zgjodhi nënkryertarë, sekretarë apo minstra, por sa herë e mundi Partinë Socialiste dhe sa herë apo sa vite e mbajti Partinë Demokratike në pushtet. Ne ende nuk kemi një përballje direkte me kundërsharët tanë politikë, për të pasur një ide nëse lidershipi ka funksionuar si duhet ose jo.

Unë nuk mund të konsideroj zgjedhjet e degëve të PD në rrethe apo qoftë edhe Kuvendin Kombëtar, si beteja politike, sepse i bie që të kemi fituar mbi vetveten pastaj.

Në këtë kuptim, rezervohem të jap një opinion timin, për një bilanc të lidershipit të ri të Partisë Demokratike. Aq më tepër, kur ende nuk kemi një ekip drejtues, por kemi mbetur aty ku ishim më 22 korrik 2013, vetëm me kryetarin e zgjedhur dhe me Këshillin e ri Kombëtar, që po pret me durim të thirret dhe të mblidhet.

Sa i mungon sot Sokol Olldashi Partisë Demokratike?

Tmerrësisht shumë. Madje, kam bindjen se Olldashi nuk i mungon vetëm Partisë Demokratike, por politikës dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Për cilësitë e tij të veçanta, për stilin elegant, për protagonizmin dhe grintën pa tepri, për vizionin dhe konceptet e një politike moderne dhe bashkëkohore.

Por, padyshim, që boshlëlkun më të madh Olldashi e ka lënë në Partinë Demokratike. Në radhë të parë, se i përkiste asaj në të gjithë dimensionet e qenies së vet. Aspak rastësisht, i ishte bashkuar asaj, gati fëmijë, që në bankat e shkollës së mesme në vitin 1990 dhe për 23 vjet bashkëjetoi me të, deri ditën që u shua, duke lënë pas kujtimin e një politikani brilant dhe karizmatik. Por, edhe për shkak se në kushtet e një tulatjeje të personaliteteve politike të saj, për shkaqe objektive dhe sukbjektive, ikja e parakoshme e një zëri të fuqishëm, bie shumë më tepër në sy.

Por pavarësisht rolit që kanë në politikë personalitetet me ADN lideri, unë mendoj se Partisë Demokratike sot i mungon më shumë një ansambël solistësh i dirigjuar mirë. Ne e kemi mbyllur tashmë ciklin e drejtimit të fortë dhe autoritar, por të gjithëpranuar si të tillë, me dorëheqjen e Sali Berishës. Ai e pati pozitiv bilancin e vet, por kohën nuk e kthejmë dot prapa. Partisë Demokratike sot i duhet një ekip i mirë, i përkushtuar dhe sa më përfaqësues. I këtij koncepti ishte edhe Sokol Olldashi, pavarësisht se kunkuroi për t?u zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike.

Emri juaj u shfaq së fundi në listën e personave të përgjuar nga SHISH. Çfarë ndjesie ju krijon kjo gjë? Pse mendoni se ka interes për të përgjuar astrit patozin?

E kam dhënë një shpjegim për këtë dhe nuk dua të zgjatem shumë. Nuk jam delirant, që të mendoj se po të mos përgjohem, nuk jam i rëndsishëm. Por nga tjetër e di se abuzime të kësaj natyre ka pasur dhe do ketë, për sa kohë sistemi të jetë vulnerabël ndaj parajonave dhe haluçinacioneve të njerëzve me pushtet.

Personalisht, nuk kam asnjë merak për çdo letër, bisedë, apo veprim timin, që nga çertifikata e lindjes e deri më sot. Por nuk mund të them se është ndonjë kënaqësi të marrësh vesh se ke qenë ose je i survejuar, mbi të gjitha në kundërshtim flagrant me ligjin.

Përgjimi është një lloj përdhunimi, që të shkakton bezdi dhe pështirosje, i cili në kushtet e paligjshmërisë, shndë­rrohet në një fenomen tepër të rrezikshëm për liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Por jemi duke folur, gjithësesi, në kuadrin e informacioneve të pakonfirmuara, pasi nuk ka ende asnjë provë zyrtare që të vërtetojë atë që ka servirur deri më sot shtypi.

Si e shihni rolin që ka sot Berisha në PD?  Sa i vërtetë është dualizmi në lidershipin e sotëm të partisë?

Sali Berisha është mësuar t?i caktojë vetë kufinjtë e tij dhe nuk kemi pse presim që të ndryshojë tani.

Tek e fundit, protagonizmi dhe energjitë e tij të tepërta, por sidomos eksperienca, le të shërbejnë si vlerë e shtuar për Partinë Demokratike dhe jo si justifikim për sfumimin e të tjerëve.

Sa për dualizmin, nuk dua të merrem gjatë, sepse nuk më intereson shumë. E para, se unë jam legjitimist dhe nuk mund të njoh dy kryetarë njëkohësisht. E di që ka një ekzagjerim të kësaj teme nga kundërshtarët politikë të Partisë Demokratike, të clët e bëjnë këtë qëllimisht për të kompleksuar Lulzim Bashën. Por tek e fundit ata bëjnë punën e tyre. Ne nuk kemi pse ndjekim gjithmonë bezen e kuqe, kur na e tundin para turinjve.

Në finale, meritën apo përgjegjësine e ka ai që e ka marrë përsipër zyrtarisht detyrën. Të tjerat janë kot. Kam dëgjuar edhe zotin Berisha që ta shprehë qartazi dhe prerë këtë koncept dhe më ka ardhur mirë.

Qeveria Rama mbushi një vit jete. Cili është bilanci i saj, sipas jush?

evidente se kemi një qeveri krejtësisht të paftë, por vetëm kaq do të ishte gjysma e së keqes. Sipas meje, është ekzekutivi më i dobët dhe më jopërfaqësues që kemi pasur që nga viti ?90. Një kabinet, i cili nuk rrezatoi për asnjë çast ndonjë grimë frymëzimi, edhe në ditët e para të ardhjes në pushtet, që e kanë për definicion zakonisht të gjithë qeveritë e reja. Ndërsa sot, që ka kaluar më shumë se një vit, jemi duke i parë sherrin në çdo cep të Shqipërisë.

Mendoj se e vetmja devizë që e udhëheq kryeministrin Rama, është që qeveria e tij të mos prodhojë skandale dhe që të zbukurojë vitrinën, pavarësisht se brenda dyqanit malli është i gjithi kallp. Nuk ka nevojë të jesh vëzhgues i hollë, për të kuptuar se ka një sforcim gati jashtëtokësor, për të paraqitur me ngjyra të ndezura një realitet gri apo të zi, që shkon çdo ditë duke u përkeqësuar.

Në qytetet tona jetohet më keq se një vit më parë, por kryeministri udhëheq personalisht fushatën e zbukurimit të tyre. Kjo është qeverisje fasadë, një sëmundje e vjetër e Edi Ramës. I bie që njerëzit, të cilët kanë më pak të ardhura në shtëpitë e tyre, duhet të gëzohen që qendra e qytetit po ndriçohet dhe po hijeshohet.

Në Shqipëri ka më pak punë, por më shumë zyra pune, të cilat kryeministri i ka vizituar dhe do t?i vizitojë të gjitha me radhë. Dhe në çdo dalje të tij, jepet falas një propagandë bajate për zhvillimin, ndërkohë që edhe INSTAT-i i qeverisë, u detyrua të pranojë se po shkojmë me shpejtësi në rrënim ekonomik.

Kjo është e para qeveri në këto vite, që e hoqi drojën për të pasur në administrtën e lartë dhe të ulët personazhe të njohura të botës së krimit. Ka pasur aq shumë të denoncuar, saqë qeveria ngjason më shumë me insistucion riedukimi, sesa me një adminisrtatë normale.

Kjo është një mazhorancë që nuk ka lënë rast pa shfrytëzuar për të shpallur armiqësinë e saj me opozitën dhe nuk ka lënë të humbë asnjë sekondë për të kapur çdo institucion të pavarur, që nuk kontrollohet prej saj. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, është e vetmja qeveri në botë që nuk mburret me ato që ka ndërtuar, por me ato që ka prishur.

Në cilësinë e ish-kreut të grupit parlamentar, çfarë mendoni për qëndrimin e PD jashtë Kuvendit? A duhet të vijojë bojkoti parlamentar?

Në fakt unë jam që bojkoti nuk duhet të kishte nisur fare, jo që nuk duhet të vazhdojë. Mendimin tim e kam shprehur në mbledhjen e grupit parlamantar të Partisë Demokratike dhe jam ndjerë mirë që si unë, kishte shumë të tjerë. Për të mos thënë se janë shumica që mendojnë kështu.

Por nuk mendoj se kjo është çështje numrash. I qëndroj pikëpamjes se beteja e opozitës në parlament, nuk mund të kompensohet me asgjë tjetër dhe se ne, në një farë mënyre, kemi ç?aktivizuar armën më të fuqishme që kemi në dispozicion, për t?u ndeshur me qeverinë.

Mendoj se nuk është përgjigja e duhur ndaj një mazhorance arrogante, e cila, ka shumë mundësi që ta ketë taktikë të mirëmenduar, lënien tonë jashtë parlamentit.

Meqë më kujtove kohën kur isha kryetar i grupit parlamentar të PD, mbaj mend se shumë prej ministrave tanë në vitin 2010 u mërzitën shumë kur PS u rikhye në parlament, pasi ndjesheshn më rehat dhe më të qetë pa praninë e deputetëve të opozitës në sallë. Dhe të mendosh se ne nuk ishim bërë shkak për bojkotin e tyre, por i kishte nxjerrë Edi Rama për kauzën e palavdishme të hapjes së kutive.

Kam frikë se edhe sot tek mazhoranca e majtë ekziston e njëta ndjesi dhe nuk do të doja kurrësesi që ata ta kishin këtë kënaqësi.  Dalëngadalë, me kalimin e ditëve, edhe njerëzit sikur po mësohen me mungesën tonë në aulën e Kuvendit, por edhe vetë deputetët i shoh t?u ç?mprihen instiktet e reagimit opozitar. Dhe unë nuk dua kurrsesi që kjo situatë të avancojë, sepse kjo nuk përkon fare me një opozite ballore.

Mendoj se deri më sot ne kemi qenë të qartë për t?i shpjeguar publikut se çfarë kusuresh ka kjo mazhorancë në raport me opozitën, por nuk kemi bërë aq sa duhet që njerëzit të kuptojnë se cfarë po bën kjo qeveri kundër tyre.

Ne jemi në të drejtën tonë të tregojmë se Edi Rama e konsideron armike Partinë Demokratike dhe kemi dhjetëra prova për këtë, që nga fjalimi i tij i parë në parlament, e deri sot që po flasim. Por mund të ketë njerëz që janë të lodhur me betejat tona dhe me politikën në përgjithësi dhe mund të thonë ?kokat hëngshin me njëri-tjetrin, se njësoj janë?. Por çdo shqiptar është shumë i ndjeshëm, kur vjen puna për të ardhurat që po i pakësohen nga korrupsioni, për sigurinë e familjes që po i tronditet nga krimi, i cili shkon deri në majën e piramidës së shtetit, për perspektivën që po i shkatërrohet nga rrënimi i çdo vlere dhe standarti, për shkak se kjo qeveri i ka vënë kazmën gjithçkaje që është ndërtuar për së mbari në këtë vend. Dhe të gjitha këto nuk thuhen në asnjë vend tjetër, më mirë se në parlament.

Kjo është arsyeja e vetme se përse unë kam qenë kundër bojkotit. Sepse e kam bindje të thellë, se edhe me një betejë të struktuar parlamentare mund të mos ia arrish gjithmonë të fitosh, por është gjithmonë e provuar  se pa të, humbja është më e sigurt.

Edhe vetë historia e Partisë Demokratike në opozitë është ilustrimi më i mirë i kësaj aksiome.





Lajmet e fundit nga