web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Një PD e t(k)urrur?!

23 Maj 2014, 19:55, Opinione CNA

Nga Mero Baze

Mitingu i sotëm i opozitës ishte një nga ato shenjat që duhet t?i bëjnë të mendohen mirë ata që e konsiderojnë popullin opozitar si pronë private. Pjesëmarrja e ulët dhe mungesa e një mesazhi të qartë për rrugën që duhet të përshkojë opozita drejt pushtetit, tregojnë se ata që ëndërrojnë një PD që turret rrugëve, po prodhojnë një parti që po tkurret rrugëve, të dëshpëruar nga liderët e tyre.

Dëshpërimi vjen pikësëpari pasi Lulzim Basha nuk ka arritur ta shuajë pakënqësinë ndaj tij në PD me mënyrën se si u ngjit në krye të PD-së. Ai po refuzohet haptazi nga mbështetësit e opozitës, të cilët nuk po ndjekin aksionin e tij opozitar. Prurjet e tij të reja brenda PD, janë njerëz të lehtë, pa peshë politike dhe pa asnjë rëndësi në shoqërinë shqiptare.

Partia Demokratike është formuar si një parti e intelektualëve dhe njerëzve që kishin emrin e tyre në shoqërinë shqiptare, jo të prodhuar nga teatri i kukullave i ekraneve shqiptare, por nga puna dhe pesha e tyre në shoqërinë shqiptare. Ideja se Basha mund të gënjejë shqiptarët, por dhe PD, me huazime mediatike, të promovuara në emisione të sponsorizuara ose tek Arjan Çani, ia ul atij pritshmërinë si njeri që mund t?i ofrojë shoqërisë njerëz që e përfaqësojnë shoqërinë shqiptare. Ai s?po mund ta bashkojë PD e ndarë, as duke mbajtur injorantë për shkak të të cilëve PD u bë parti qesharake, alla Flamur Noka, dhe as duke ofruar si zbulim femra të njohura për lojëra mafioze apo seksuale.

Një tjetër përfundim i rëndësishëm është se Basha po bën një përpjekje tinzare për t?u diferencuar nga Berisha, por jo për të bërë dallim të qartë me të. Nën trysninë e të gjeturit të ndonjë identiteti opozitar, ai ka rënë kokë e këmbë në skemën e imitimit të atyre çfarë bënte Edi Rama në opozitë, me ndryshimin e madh se çdo gjë që bën, i humbet nën vendimet e Berishës, që diktojnë aksionin opozitar. Deri më sot Basha e ka kopjuar Ramën në mënyrë shumë të zbehtë, por në çdo lëvizje të tij. Së fundmi po i kopjon dhe sloganet që Rama përdorte kundër Berishës, dizajnin e tij dhe aksionet opozitare, siç është greva e urisë. Ndryshimi i thellë është se origjinali nga kopja në këtë rast, nuk janë vetëm ndryshime grafike, por dhe përmbajtësore. Rama futi në grevë urie deputetët për një çështje parimore siç ishin zgjedhjet e lira, Basha po fut 10 militantë, të cilët vetëm sa u kujtojnë shqiptarëve pse i marrin në punë dhe pse i heqin nga puna militantët. Në tërësinë e aksionit opozitar, Rama e ka përballuar vetë arsyetimin e aksionit opozitar, ndërsa Basha kopjon Ramën në mungesë idesh. E gjithë kjo, duket se më shumë se këdo ka nervozuar Sali Berishën, i cili ngjan i shqetësuar për mungesën e përmbajtjes së Bashës dhe njerëzit që ia ofojnë ato ide, dhe për këtë shkak ai po ndërhyn kudo dhe gjithkund për ta diktuar ai se ç?duhet bërë. Kështu ndodhi së paku dhe me grevën e urisë.

Por kryepërfundimi përse Basha dështoi në aksionin e tij opozitar, fokusuar tek protestat, është se ai nuk e beson atë që bën. Gazeta Tema paralajmëroi para tre- katër ditësh se ai do të ndalonte ardhjen në Tiranë të kryetarit të Komunës së Lazaratit, pasi i krijoi problem në mitingun e parë, dhe ai e bëri këtë. Dashamir Aliko nuk ishte sot mes grevistëve, edhe pse do të ishte korrekte si përfaqësues i PD të ishte. Basha nuk është në gjendje as t?u dalë zot të vetëve, dhe as t?i largojë ata. Ai thjesht kërkon të taktizojë me ta, sipas halleve të ditës që ka. Dhe e nisi këtë valë protestash të dështuara duke u motivuar se do të pengojë statusin e Shqipërisë në qershor, duke i vënë dhe një moto shumë denigruese, si ?Aleancë kundër trafikut të drogës?, por duke mos besuar as tek ajo, caktoi në krye Lufter Xhuvelin. Dhe nëse një partie të madhe i vë në krye Xhuvelin, atëhere je i dënuar ta katandisësh partinë, si një parti xhuvelistësh. Mitingu i sotëm ngjante vërtet si një shoqatë ambientalistësh, me makina luksoze. Ai miting i dështuar nuk tregon që PD është tkurrur, por tregon që PD akoma nuk është çmendur që të turret pas Lulzim Bashës.





22:00 Opinione

Mushkonja nr. 193

Nga Sami NEZANjë mushkonjë me leje nr. 193 është ulur dje në...

Lajmet e fundit nga