Zai Fundo, Zbulohet fotoja e panjohur e vitit 1924
Idealist, i mprehtë në shkrime, kritizer skurpuloz, njeri ...
Nga Kastriot Myftaraj
Nëse mund të ketë dyshime për atë se Enver Hoxha, i cili ka qenë një autor shumë proliks, e ka shkruar vetë të gjithë përmbajtjen e librave e tij, një gjë është e sigurt, dhe nuk mund të mohohet as nga kundërshtarët e tij më nihilistë: Titujt e librave të tij Enver Hoxha i ka shkruar vetë. Dhe titujt e librave të tij janë kuptimplotë, aq sa Enver Hoxha mund të vlerësohet epigramatikisht sipas tyre. Enver Hoxha e dinte mirë atë që kishte thënë Lenini për rëndësinë e sloganeve, parullave lakonike, që nguliten në mendjen e njerëzve dhe bëjnë efekt të madh. Në këtë mënyrë, pra si slogane goditëse që nguliten në mendje, qenë konceptuar edhe titujt e librave të Enver Hoxhës. Enver Hoxha i kishte konceptuar titujt e librave të tij edhe si postulate të politikës së brendshme dhe të jashtme shqiptare, jo vetëm sa ishte gjallë ai, por edhe pas vdekjes së tij. Në këtë testament epigramatik, që janë titujt e librave të tij, Enver Hoxha përcaktoi se cilët vende qenë të rrezikshëm për Shqipërinë, cilët vende dhe popuj qenë miq të shqiptarëve etj., se cilat patën qenë prioritetet e tij në kohën e Luftës së Dytë Botërore, se cilët patën qenë prioritetet e tij në secilën prej periudhave, atë të Luftës, si dhe atë kur ishte në pushtet. Nga titujt e librave të Enver Hoxhës mëson shumë edhe për personalitetin e tij. Lloji bashkëkohor i librave biografikë janë psikobiografitë. Mund të shkruhet një psikobiografi për Enver Hoxhën vetëm duke u kufizuar te titujt e librave të tij. Madje kur do të shkruaja biografinë e Enver Hoxhës ka qenë një joshje pothuajse e papërballueshme për mua që libri im të kufizohej vetëm në titujt e librave të tij. Më në fund e arrita një kompromis me vetveten duke shkruar diçka në parathënie të librit. Ky është një version i zgjeruar i asaj çka kam shkruar më parë.
Është padyshim një simptomë e çrregullimit të personalitetit të Enver Hoxhës ajo që ai nisi të botojë libra në moshën 70 vjeç, 34 vite pasiqë kishte ardhur në pushtet. Këtu e kam fjalën për libra të mirëfilltë, jo për serialin e veprave të tij ku përmblidheshin fjalimet dhe bisedat e tij. Në moshën 70 vjeç të gjithë liderët e njohur komunistë të botës, tashmë e kishin përfunduar karrierën e tyre si autorë të librave. Karl Marx vdiq në moshën 63 vjeç. Friedrich Engels, i cili jetoi 75 vjeç, e botoi librin e fundit, «Ludwig Feuerbach dhe fundi i filozofisë klasike gjermane», në moshën 70 vjeç. Lenini vdiq 54 vjeç. Stalini e botoi librin e fundit në moshën 72 vjeç. Mao Zedong (Mao Ce Dun) nuk botoi libra. I vetmi libër i tij mund të quhet «Libri i kuq i Citateve», që përmblidhte thënie të tij të shprehura andej-ketej në kohë të ndryshme. Tito nuk shkroi libra, përvec një libri ku u përmblodhën disa kujtime të tij.
Nuk është rastësi që Enver Hoxha e botoi librin e vet të parë pas vdekjes së Mao Zedong-ut. Ndoshta Enver Hoxha ka dashur të botojë dhe me parë libra por meqënëse as Khruschev (Hrushovi), lideri sovjetik, as Mao Zedong (Mao Ce Dun) lideri kinez vasal i të cilëve kishte qenë Enver Hoxha, si dhe as pasardhësi i Maos, Hua Guofeng (Hua Kuo Fen) nuk patën botuar libra. Enver Hoxha nuk donte që të shkaktonte zilinë e tyre. Prandaj ai e botoi librin e parë kur tashmë u bë e qartë se miqësia ideologjike mes Shqipërisë dhe Kinës kishte marrë fund, dhe kjo ndodhi për shkak se Kina nuk kishte më interes ideologjik ta mbante Shqipërinë si shtet klient në Europë. Libri i parë që botoi Enver Hoxha ishte «Vetëadministrimi jugosllav-teori dhe praktikë kapitaliste», në1978. Libri është një kritikë e modelit ekonomik të zbatuar nga Tito në Jugosllavi.
«Vetëadministrimi jugosllav-teori dhe praktikë kapitaliste» është i vetmi libër ekonomik i Enver Hoxhës. Në 1978, 34 vite pasi Enver Hoxha kishte ardhur në pushtet, duhej pritur që ai të shkruante një libër ku të përpiqej të shpjegonte modelin ekonomik që kishte zbatuar në Shqipëri, dhe që qartësisht ishte një utopi absurde, se ai kërkonte të zbatonte në Shqipërinë e vogël modelin stalinist të ekonomisë së zhvilluar industriale që prodhonte gjithçka, që nga çeliku te traktorët, automjetet e tjerë dhe armët. Është një tregues papërgjegjshmërisë absolute të Enver Hoxhës si lider që në kohën kur u kishte imponuar shqiptarëve privacione të mëdha për shkak të utopisë ekonomike staliniste të zbatuar në Shqipëri, ai shkruante një libër kritik për ekonominë e… Jugosllavisë. Asgjë nuk e tregon më qartë se kjo natyrën prej demagogu të Enver Hoxhës. Aq më tepër është e çuditshme që Enver Hoxha, në këtë libër polemizon me librin e botuar një vit më parë nga një prej bashkëpunëtorëve të Titos, Eduard Kardel. Enver Hoxha mund t? ia kishte lënë Mehmet Shehut detyrën që të polemizonte me Kardelin, por ai nuk donte që ta bënte këtë gjë, se kështu rritej profili i Shehut edhe si teoricien dhe autor i një libri teorik që para se Enver Hoxha vetë të shkruante një të tillë.
Enver Hoxhës nuk interesonte fare që modeli ekonomik i Titos në Jugosllavi kishte krijuar mirëqenie për shoqërinë jugosllave, duke kombinuar metodat socialiste me ato kapitaliste, dhe duke qenë e kyçur ekonomia e Jugosllavisë me atë të Perëndimit kapitalist. Enver Hoxha, ndryshe nga Tito, e shihte ekonominë si një aspekt të propagandës dhe për të nuk ishte rëndësi nëse modeli ekonomik që ai kishte zbatuar në Shqipëri sillte ose jo mirëqenie për shqiptarët. Enver Hoxha shtirej kinse për të parimet ideologjike, pra mjetet kishin më tepër rëndësi se qëllimi i ekonomisë, që ishte sigurimi i mirëqenies për shoqërinë. Në të vërtetë Enver Hoxha me këtë «gjethe fiku» parimore fshihte interesin e vet të ruajtjes së pushtetit nëpërmjet izolimit stalinist të Shqipërisë, për çka kishte bërë një pakt të hershëm me Serbinë. Izolimi stalinist i Shqipërisë ishte parakushti që Serbia të toleronte ekzistencën e Jugosllavisë si vend komunist liberal, i hapur ndaj Perëndimit. Ndryshe Shqipëria dhe Kosova, por edhe shqiptarët e Maqedonisë etj., do të interferonin mes tyre në të gjitha fushat, çka ishte e patolerueshme për serbët dhe sllavo-maqedonët.
Me këtë libër Enver Hoxha dha një kumt të qartë se pas prishjes me Kinën Shqipëria nuk do të hapej ndaj Perëndimit. Botimi i këtij libri është përgënjeshtrim ndaj atyre që pretendojnë sot se për izolimin e Shqipërisë e ka fajin Perëndimi që nuk i bëri asnjë ofertë Enver Hoxhës. Se është fakt që Enver Hoxha me këtë libër e shpalli refuzimin ndaj Perëndimit kapitalist që para se të shpallej zyrtarisht prishja me Kinën.
Në 1978 Enver Hoxha botoi edhe një libër që mund të quhet si versioni i tij i profecisë për të ardhmen, librin «Imperializmi dhe Revolucioni». Në këtë libër Enver Hoxha rimerrte dy tezat e Leninit, atë për Imperializmin si faza më e lartë dhe e fundit e Kapitalizmit, si atë për Revolucionin botëror komunist, dhe përpiqej të argumentonte se zhvillimet e kohës kur shkruante Enver Hoxha i vërtetonin plotësisht këto teza leniniste dhe se Revolucioni Botëror Komunist do të ndodhte së afërmi. Kur Lenini bëri në 1917 atë që ai e quajti Revolucion Bolshevik por që në të vërtetë nuk ishte gjë tjetër veçse një coup d? etat i rëndomtë (grusht shteti), ai eliminoi dyshimet që kishin shokët e tij se pas fitores së revolucionit fuqitë imperialiste botërore do ta mësynin dhe do ta mbysnin Rusinë bolshevike, duke iu thënë atyre se Revolucioni Botëror do të ndodhte shumë shpejt, prandaj fuqitë imperialiste nuk do të kishin mundësi që të ktheheshin kundër Rusisë Revolucionare. Të frymëzuar nga kjo ide e Leninit gjykatësit e rinj revolucionarë në Rusi, jepnin për krimet e lehta masa dënimi me burg: deri në ditën kur do të niste Revolucioni Botëror. Por Lenini në 1917 mendonte vërtet se lufta botërore do të sillte si pasojë revolucionin botëror. Enver Hoxha në 1978 nuk besonte se Revolucioni Botëror Komunist do të ndodhte as në të ardhmen e largët, jo më në atë të afërt. Enver Hoxha nuk kishte ndonjë iluzion se ndokush në botë do të besonte te libri i tij, përveç atyre që do të shtireshin kështu se paguheshin nga shteti komunist shqiptar. Synimi i Enver Hoxhës me librin «Imperializmi dhe Revolucioni» ishte që t? ju thoshte shqiptarëve se duhej të duronin privacionet ekonomike dhe izolimin e vendit, se ata, ashtu si ata banorët e Rusisë të nxjerrë para gjykatave të reja, qenë të dënuar të vuanin deri në ditën kur do të ndodhte… Revolucioni Botëror. Në libër Enver Hoxha shkruan: «Revolucioni botëror nuk është më vetëm një aspiratë, por një çështje e shtruar për zgjidhje». Shqiptarët pra duhet të duronin deri kur të ndodhte Revolucioni Botëror. Shqipëria ishte e izoluar, por ishte në anën e fitimtarëve, ishte në anën e Historisë. Në 1978, e gjithë diplomacia shqiptare në botë u vu në lëvizje për të shpërndarë gjithandej librin e Enver Hoxhës «Imperializmi dhe Revolucioni», si librin që shpjegonte të ardhmen e botës.
Në 1979 Enver Hoxha botoi vëllimin e parë të librit të vet në dy vëllime për marrëdhëniet shqiptaro-kineze. Vëllimi i dytë u botua në vitin pasardhës. Në mënyrë domethënëse titulli i librit ishte steril, «Shënime për Kinën», ndryshe nga ai që do të dilte tre vite më pas për marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA dhe Britaninë e Madhe. Në titullin e librit për marrëdhëniet shqiptaro-kineze nuk kishte asgjë fyese, çka është një gjë e rrallë për Enver Hoxhën kur flet për vende dhe parti që i ngarkon me faje ideologjike. «Shënime për Kinën» është i vetmi libër i Enver Hoxhës ku titulli nuk përputhet me përmbajtjen. Në krejt librin Enver Hoxha kritikon udhëheqësin kinez Mao Zedong-un (Mao Ce Dun), për një numër të madh fajesh ideologjike dhe e bën përgjegjës për devijimin e Partisë Komuniste të Kinës. Në konsistencë me këtë titulli i librit duhet të ishte «Maoistët» dhe jo «Shënime për Kinën». Këtë e them edhe në analogji me librat që botoi Enver hoxha në vitet në vazhdim me tituj si «Hrushovianët» dhe «Titistët». Arsyeja për të cilën Enver Hoxha nuk veproi kështu në rastin e librit të tij për Kinën ishte se ai e kuptonte ironinë që do të rezultonte nga pranëvënia e dy librave. Enver Hoxha ishte grindur me liderin sovjetik Hrushov (Khruschev) për shkak të Maos. Prej këtej libri i Enver Hoxhës «Hrushovianët». Nëse libri për marrëdhëniet me Kinën do të kishte pasur titullin «Maoistët», atëherë do të dilte se Enver Hoxha ishte grindur me një revizionist (versioni stalinist i atij çka ishte heretiku në fjalorin religjioz) për hir të një revizionisti tjetër.
Në 1979, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Stalinit Enver Hoxha botoi librin e tij të parë me kujtime, me titull «Me Stalinin». Titulli i librit, përveç kujtimeve përsonale të Hoxhës nga takimet me Stalinin, shpreh edhe betimin që Enver Hoxha i kishte imponuar Shqipërisë për të qenë përjetë me Stalinin, çka Hoxha e shpreh në libër me fjalë shumë pompoze. Enver Hoxha nuk shpallte vetëm vetveten si stalinist, por ai shpallte edhe se Shqipëria do të vazhdonte të ishte staliniste edhe pas vdekjes së tij.
Në 1980 Enver Hoxha botoi një libër tjetër «teorik», me titull «Eurokomunizmi është antikomunizëm», ku kritikon rrymën e moderuar komuniste në Perëndim. Kuptimi i titullit të librit ishte se çdo gjë që vjen nga Europa Perëndimore, madje edhe komunizmi bashkëkohor i atjeshëm, është antikomunizëm. Me këtë Enver Hoxha i priste rrugën çdo përpjekjeje në të ardhmen për hapjen e Shqipërisë kah Perëndimi, duke përdorur doktrinën e komunizmit liberal të Europës Perëndimore. Në fjalorin politik ndërkombëtar ekzistonin terma si sllavo-komunizëm, eurokomunizëm, komunizëm aziatik etj. Enver Hoxha prej tyre zgjodhi vetëm «eurokomunizmin» për ta vënë në shënjestër dhe denigruar në një titull libri. Kjo ndodhi se eurokomunizmin Hoxha e quan si proamerikan, pro-NATO, antistalinist. Enver Hoxha nuk bëri një libër me titull «Sllavo-komunizmi është antikomunizëm».
Në 1980 Enver Hoxha botoi librin për marrëdhëniet shqiptaro-ruse (sovjetike) në periudhën pas vdekjes së Stalinit, këtij libri i vuri titullin «Hrushovianët» («Khruschevians» në anglisht). Nëse Enver Hoxha do të kishte përdorur në rastin e këtij libri të njëjtën logjikë si edhe në rastin e librit të tij për marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA dhe Britaninë e Madhe, të cilit i vuri titullin «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», atëherë duhej që titulli i librit «Hrushovianët» të kishte qenë «Rreziku rus për Shqipërinë», ose së paku «Rreziku sovjetik për Shqipërinë». Por Enver Hoxha i diferencoi në mënyrë shumë domethënëse anglosaksonët nga sllavët. Kumti i qartë i Enver Hoxhës ishte se, derisa armiqësia me Rusinë ishte ideologjike, dhe mund të kapërcehej me ndryshimin e udhëheqjes në Kremlin, armiqësia me vendet anglo-saksone ishte organike. Duke e titulluar «Hrushovianët» librin e vet për marrëdhëniet shqiptaro-ruse (sovjetike), Enver Hoxha shkruante nga pozita e stalinistit, duke qenë se ai quante hrushovianë antistalinianët që morën pushtetin në Kremlin pas vdekjes së Stalinit. Pra, për sa i përket Rusisë, Enver Hoxha nuk shikonte për shqiptarët ndonjë rrezik të gjithkohshëm, si në rastin e vendeve anglo-saksone, por vetëm një rrezik që vinte nga disa persona të cilët në atë kohë ishin në pushtet.
Në 1981 Enver Hoxha, me rastin e 40 vjetorit të krijimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, botoi librin me kujtime me titull «Kur lindi Partia». Titulli i librit ka një konotacion seksualo- gjinekologjik. Nuk thuhet «Kur u krijua partia» por «Kur lindi Partia». Lindja nënkupton incintim dhe incintimi nga ku lindi partia, lëvizjes komuniste shqiptare iu bë nga Moska, nëpërmjet të të dërguarve serbë të Kominternit, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Duke konsideruar atë këngën e komunistëve shqiptarë të kohës së Luftës së Dytë Botërore «Bijtë e Stalinit jemi ne!» mund të thuhet se Shqipëria u përdhunua nga Stalini dhe Kominterni, dhe nga ky përdhunim lindi partia dhe këta bij të Stalinit. Partia që lindi në 1941 në Tiranë u regjistrua në «regjistrin e gjendjes civile» të Kominternit në Moskë, gjë që thuhet në libër dhe në historinë zyrtare të partisë. Se akti i parë që bëri partia e porsakrijuar ishte kërkesa për njohje dhe anëtarësim në zyrat e Kominternit në Moskë.
Në vitin 1982 Enver Hoxha botoi librin e vet me kujtime dhe refleksione për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet anglosaksone, me titull «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë». Titulli i librit ishte konceptuar në atë mënyrë që të shërbente si ligj i politikës së jashtme të Shqipërisë edhe pas vdekjes së Enver Hoxhës. Vendet anglosaksone, SHBA dhe Britania e Madhe qenë të vetmet vende të cilët ai i përcaktoi si armiq që në titullin e librave të tij, duke paralajmëruar për rrezikun që i vinte Shqipërisë prej tyre. Enver Hoxha nuk e fshehu urrejtjen e tij për vendet anglosaksone, gjë që ai nuk e bëri me asnjë vend tjetër.
Në 1982 Enver Hoxha botoi librin e vet me kujtime për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, të cilin e titulloi «Titistët», që duhet lexuar në fakt «Titostët». Është domethënëse që Enver Hoxha nuk e titulloi këtë libër «Rreziku jugosllav për Shqipërinë». Titulli i librit të Enver Hoxhës kishte kuptimin «Rreziku titoist për Shqipërinë». Enver Hoxha me këtë donte të thoshte se, si armiq të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Jugosllavi ai shikonte vetëm titoistët, pra atë linje të udhëheqjes komuniste jugosllave, ku nuk dominonin joserbët duke nisur që nga vetë kroati Tito dhe që ishin antistalinistë, dhe të lidhur me Perëndimin, posaçërisht me SHBA. Në kohën që Enver Hoxha botoi këtë libër tashmë ishte bërë e qartë se Titoizmi kishte qenë doktrina e kufizimit të fuqisë së serbëve në federatën jugosllave, dhe për këtë qëllim Titoja iu dha të drejta të mëdha edhe shqiptarëve të Jugosllavisë, posaçërisht atyre në Kosovë. Shqiptarët e Jugosllavisë komuniste, posaçërisht ata të Kosovës, fituan të drejta të mëdha vetëm pasi titoistët arritën të dobësojnë pushtetin e serbëve, duke larguar nga pushteti kreun e tyre Rankoviç. Rankoviçi që shihej si trashëgimtar i Titos, dukej se do ta afronte Jugosllavinë më tepër me Rusinë, në rast se do të vinte në pushtet pas vdekjes së Titos. Prandaj amerikanët, në mes të viteve gjashtëdhjetë kur Tito si moshë ishte në mes të të shtatëdhjetave, dhe i ishin diagnostikuar sëmundje shqetësuese, e nxitën që të merrte masa për të rregulluar çështjen e trashëgimisë së pushtetit, duke larguar Rankoviçin të cilin amerikanët e gjenin të papërshtatshëm.
Gjëja më interesante është se Enver Hoxha nisi t? i jepte këto kumte epigramatike për politikën e jashtme në vitin 1980, pra në kohën që Shqipëria e cila ishte braktisur nga Kina dhe kishte mbetur plotësisht e izoluar, por edhe në kohën kur pritej të vdiste Tito (ai vdiq pikërisht në 1980). Enver Hoxha e dinte se me vdekjen e Titos do të tronditej rëndë federata jugosllave, për të cilën madje ishte paralajmëruar se do të shpërbëhej jo shumë kohë pas vdekjes së Titos. E megjithatë Enver Hoxha përsëri e definonte Titoizmin si armik të shqiptarëve në dy anët e kufirit. Kjo nuk mund të merrej ndryshe veçse si kumt miqësor nga ana e tij në adresë të serbëve. Kur Enver Hoxha shprehej për rrezikun titoist për Shqipërinë, ai këtë e shikonte si pjesë të «Rrezikut anglo-amerikan për Shqipërinë», se titoistët ai i quante si agjentë të SHBA. Enver Hoxha sigurisht që e dinte se, në rast se në Beograd humbnin pushtetin titoistët, kjo mund të ndodhte vetëm falë revanshit serb, çka do të kishte pasoja të këqija për shqiptarët e Jugosllavisë, ashtu siç edhe ndodhi në vitet tetëdhjetë.
Enver Hoxha, duke u shprehur për rrezikun anglo-amerikan për Shqipërinë, si dhe për rrezikun titoist dhe hrushovian për Shqipërinë, vihej në fakt në të njëjtën linjë me serbët, dhe u çonte atyre kumtin lakonik dhe të qartë sa s? bëhet se kishin të njëtët armiq, Titon dhe SHBA, dhe se me Rusinë nuk i ndante veçse Hrushovizmi.
Në tablonë sinoptike të Enver Hoxhës, mbi konspiracionin (komplotin, siç e quante ai) të CIA-s amerikane në bashkëpunim me UDB (kështu vazhdonte ta quante Enver Hoxha shërbimin e fshehtë jugosllav ndonëse ai tashmë kishte ndryshuar emrin me kohë në SDB), me Mehmet Shehun kundër Shqipërisë dhe Kosovës, dhe që është botuar tek libri «Titistët», KGB ruse shkëlqen me mungesën e veprimtarisë së saj kundër Shqipërisë dhe Shqiptarëve në përgjithësi. Sigurisht, Enver Hoxha thotë se Shehu ishte dhe agjent i KGB, por sipas Hoxhës, në 1981 Shehu zbatonte urdhërat vetëm të CIA dhe UDB. Për të shlyer disi përshtypjen e keqe, që u krijua nga «harresa» që po i bënte Hoxha Rusisë, ai në nëntor 1982 mbajti një fjalim ku u shpreh në terma të forta për rrezikun e një sulmi ushtarak rus në Ballkan, në drejtim të bregdetit adriatik dhe jonian, në rrugë tokësore nëpërmjet Jugosllavisë jugore (Kosovës) dhe më tutje Republikës së Shqipërisë, si dhe të flotës ruse nga deti, drejt Vlorës. Hoxha u mburr se çelësin e Otrantos e kanë shqiptarët dhe se flota sovjetike nuk do ta kalonte dot Otranton, se bregu shqiptar ishte i fortifikuar dhe i armatosur, ndërsa sa i përket sulmit nga toka ai u shpreh se në këtë rast ushtria ruse do të haste rezistencën e parë nga shqiptarët e Kosovës, që do ta dëmtonin aq shumë sa kur të arrinte ushtria ruse tek Alpet në kufirin shqiptar, do të ishte reduktuar si ushtarët gjermanë kur iknin nga Stalingradi.
Enver Hoxha e dinte mirë se në rast se flota ushtarake detare sovjetike do të kërkonte të merrte nën kontroll Otranton, ajo do të kishte punë me flotën amerikane dhe NATO-n, çka do të çonte në një luftë botërore atomike, prandaj Enver Hoxha mund të qe i qetë se kjo gjë nuk do të ndodhte, kështu që i lejonte vetes të mburrej kot. Tekefundit, ishin amerikanët që në 1961 i larguan rusët nga Vlora, se po të qe për Enver Hoxhën, rusët do të ishin në Vlorë edhe në 1982, e ndoshta edhe sot. Sipas proces-verbalit të bisedës midis Enver Hoxhës dhe Hrushovit që u bë në Moskë, në 12 nëntor 1960 (në kohën kur mbahej Mbledhja e Moskës e 81 partive komuniste), Enver Hoxha u kërkonte rusëve mos ta largonin ushtrinë e tyre nga Vlora. Tek volumi 19 i veprave të Enver Hoxhës paraqitet ky dialog midis këtij të fundit dhe Hrushovit:
«N. S. HRUSHOVI: Në qoftë se doni mund ta heqim bazën.
SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere del e vërtetë ajo që kanë thënë Malinovski dhe Greçko. Mos doni të na kërcënoni? Po të dëgjojë populli sovjetik se ju kërkoni të hiqni bazën nga Vlora, kur ajo shërben për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera socialiste të Evropës këtë nuk do t? jua falë».(Enver Hoxha: Vepra, vol. 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 379)
Pra, është e qartë si drita e diellit, sipas dokumenteve që ka botuar vetë Enver Hoxha, se Enver Hoxha nuk e ka dashur largimin e rusëve nga baza e Vlorës, prandaj është qesharake ajo që thotë ai në 1982 se ka çelësat e Otrantos dhe se nuk do t? ua japë ato rusëve pa luftë.
Në fakt Hoxha i tha të gjitha këto gjëra në vitin 1982, për t? i shërbyer propagandës serbe që në atë kohë dhe më vonë, i terrorizonte psikologjikisht shqiptarët e Kosovës, që shpresonin tek amerikanët, me atë se tekefundit serbëve do t? u vinte në ndihmë ushtria ruse, që do t? i shfaroste krejt shqiptarët e Kosovës dhe të krejt Jugosllavisë, prandaj ata duhet të rrinin urtë dhe t? u nënshtroheshin serbëve, të cilët në atë kohë kishin nevojë për qetësi në Kosovë se donin të merrnin në dorë frenat e federatës. Enver Hoxha u shërbeu serbëve duke i terrorizuar shqiptarët e Kosovës me mundësinë e një sulmi rus në Kosovë, gjatë të cilit ai paralashikoi se shqiptarët e Kosovës do të luftonin me rusët dhe se ushtria shqiptare në ndërkohë do t? i priste rusët në kufi, ku do të arrinin vetëm mbeturinat e ushtrisë ruse, që do të shkatërrohej nga shqiptarët e Kosovës. Enver Hoxha sigurisht që ishte i vetëdijshëm se po thonte një gënjeshtër të madhe, se në rast se ushtria ruse msynte nëpër Jugosllavi në vitet e tetëdhjeta dhe hynte në Kosovë, në kufirin shqiptar nuk do të arrinin mbetjet e ushtrisë ruse, por mbetjet e popullsisë shqiptare të Kosovës. Sigurisht që edhe hyrja e ushtrisë ruse në ish-Jugosllavi në atë kohë do të shkaktonte një luftë botërore dhe rusët nuk do ta bënin kurrë një gjë të tillë, aq më tepër në ato rrethana kur kishin probleme të mëdha në Azinë qendrore me luftën në Afganistan.
Në vitin 1983, me rastin e 75 vjetorit të lindjes, Enver Hoxha botoi librin e tij me kujtime «Vite të vegjëlisë». Gjëja e parë që të bie në sy që në titull, pa e lexuar librin, është se njeriu i cili ishte mburr se kur ishte ai në pushtet Shqipëria pati arritjen e madhe të krijimit të gjuhës së njësuar letrare, megjithatë shkruan gabim për vetveten në numrin shumës. Pra, Enver Hoxha duhet të kishte thënë në titull «Vite të vogëlisë», në numrin njëjës, dhe jo «Vite të vegjëlisë», në numrin shumës. Se fjala «vegjëlia» nënkupton një numër të madh njerëzish të vegjël dhe jo vetëm një njeri të vogël. Duke qenë se një libër tjetër me kujtime i Enver Hoxhës mban titullin «Vite të rinisë», arrihet në përfundimin se ai me periudhë të «vegjëlisë» kishte parasysh fëmijërinë deri në përfundim të adoleshencës, kur niste rinia e tij. Por çuditërisht libri «Vite të vegjëlisë» përfundon kur autori është 22 vjeç, moshë në të cilën nis libri tjetër «Vite të rinisë». Kjo tregon se Enver Hoxha ka pasur një kompleks të Piter Pan, të fëmijës që nuk rritet kurrë dhe prej këtej sjelljet e tij teatrale me fëmijët. Këtë gje e tregon dhe titulli i një libri të tij «Për shokët e mi pionierë», do të thotë për fëmijët e moshës 10-14 vjeç. Enver Hoxha, ndonëse shtirej se kishte shumë mall për veteranët nuk bëri një libër me titull «Për shokët e mi veteranë». Aspekti fëminor i natyrës së Enver Hoxhës nuk e bëri më të butë atë si diktator, përkundrazi e bëri më të egër, se ai ishte si një fëmijë i çekuilibruar të cilit i jepej në dorë fuqi e madhe mbi njerëzit.
Në vitin 1984 Enver Hoxha botoi librin me kujtime «Mes njerëzve të thjeshtë» ku tregohej se si ai si ilegal komunist dhe partizan ishte strehuar në shtëpitë e njerëzve të popullit. Enver Hoxha në mënyrë domethënëse nuk thotë në titullin e librit «Mes njerëzve të varfër», por «Mes njerëzve të thjeshtë»! A nuk duhej që ai lideri komunist i cili luftonte për shumicën e varfër të popullit, të strehohej mes tyre? Çka domethënë «Mes njerëzve të thjeshtë»? Të thjeshtë mund të ishin edhe të varfrit edhe të pasurit. Enver Hoxha ka zgjedhur të thotë se gjatë Luftës ishte strehuar «Mes njerëzve të thjeshtë» dhe jo «Mes njerëzve të varfër», se ai e kuptonte që nga libri kuptohet se ai ishte strehuar në shtëpitë e njerëzve të shtresës së mesme dhe të pasur, të cilët nuk duhet të kishin të bënin fare me komunizmin si shtresë dhe që iu përkisnin klasave sunduese, sipas doktrinës komuniste. Sipas librit, gjatë pesë viteve e gjysëm të pushtimit fashist të Shqipërisë, Enver Hoxha nuk del të ketë kaluar as pesë ditë e gjysëm në shtëpitë e varfra të popullit. Në libër, njerëzit e varfër të popullit dhe shtëpitë e tyre i përfaqëson vetëm Nënë Zyraja e Orenjës, në Çermenikë të Librazhdit, dhe Ymer Coha, fshatari i kasolles së Galigatit. Por edhe në shtëpinë e Nënë Zyrasë Enver Hoxha hëngri dhinë e vetme që kishte Nënë Zyraja, dhe të cilën ajo e mbante për qumësht. Këtë dhi ajo e theri me rastin e ardhjes së Enver Hoxhës dhe të tijve. Enver Hoxhën nuk kishte pse të brengosej për këtë gjë se kur të vinte ai në pushtet mbajtja e bagëtive nga privatët do të ndalohej, duke përfshirë edhe pulat.
Ndër njerëzit e thjeshtë në shtëpitë e të cilëve Enver Hoxha u strehua gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndoshta më i thjeshti ishte kunati i tij Bahri Omari. Në shtëpinë e këtij të fundit Enver Hoxha u strehua për rreth gjysmën e kohës në të cilën ishte ilegal që nga viti 1941 në 1943. Te shtëpia e Bahri Omarit, në Rrugën e sotme «Qemal Stafa», ka pasur një pllakë përkujtimore që thoshte se në këtë shtëpi ishte strehuar Enver Hoxha në këtë periudhë. Kjo nuk ishte aspak një shtëpi e varfër, dhe Enver Hoxha jetoi atje me të gjitha komoditetet. Si shpërblim, Bahri Omari u pushkatua pas ardhjes së kunatit të tij në pushtet. Për pjesën tjetër të kohës, Enver Hoxha qëndroi më së shumti në shtëpinë e një tjetër njeriu të «thjeshtë» ndoshta, por shumë të pasur, Esat Dishnicës.
Në vitin 1984, me rastin e 40 vjetorit të «Çlirimit» Enver Hoxha botoi librin me kujtime «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re». Në këtë libër tregohet veprimtaria e Enver Hoxhës për ndërtimin e shtetit komunist që nga viti 1942, me Konferencën e Pezës, e deri në 1946. Ky libër që nga titulli tregon se qëllimi i kryesor i luftës së komunistëve ishte pushteti. Në libër me «Shqipëri të re» quhej Shqipëria komuniste dhe me themele të saj kuptoheshin themelet e pushtetit komunist. Libri, në mënyrë domethënëse e çon këtë periudhë të «hedhjes së themeleve», nga Konferenca e Pezës në shtator 1942 dhe deri në vitin 1946 kur u krijua republika popullore- eufemizëm i kopjuar nga Moska për regjimin komunist sipas formulës staliniane të «demokracisë popullore», që ishte një përditësim i formulës leniniste «demokraci proletare». Kështu Enver Hoxha pohoi se lufta antifashiste, për aq sa ishte bërë kishte qenë një kamuflim i luftës për pushtet.
Interesimi kryesor i Enver Hoxhës ishte që në sfondin e luftës partizane kundër okupatorëve, e cila më tepër ishte një realitet fiktiv i krijuar nga propaganda, të ndërtonte bazat e pushtetit të ardhshëm, që tashmë mund të quhej si burokracia e luftës partizane. Kur lexon kujtimet e bollshme të Enver Hoxhës për periudhën e luftës, shikon se veprimtaria e tij në atë kohë është e mbushur me mbledhje dhe konferenca të pafundme. Mbledhje për krijimin e partisë komuniste, që ishte një qendër e burokracisë politike, mbledhje për organizimin e strukturave të partisë, çelulave, komiteteve qarkore, mbledhje për spastrimin e partisë, konferenca të jashtëzakonshme të partisë, konsulta të aktivit të partisë, mbledhje të Komitetit Qarkor të partisë për Tiranën, që kryhesohej nga Enver Hoxha, mbledhje për krijimin e Frontit ANÇ, që ishte «doreza» me të cilën «dora e kuqe» do të kapte dhe mbante fort frerët e pushtetit, mbledhje për krijimin e strukturave të Frontit ANÇ, mbledhje të Këshilli ANÇ provizor, si forumi në letër i pushtetit, mbledhje për krijimin e këshillave ANÇ në fshatra, qytete, krahina, qarqe, mbledhje për krijimin e Këshillit të Përgjithshëm ANÇ dhe kryesisë së tij, mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm ANÇ dhe kryesisë, mbledhje të KQ, mbledhje të Byrosë Politike të KQ, Kongres për dhënie atributesh të parlamentit Këshillit të Përgjithshëm ANÇ, për krijimin e Komitetit ANÇ me atributet e qeverisë, kongrese të rinisë, gruas, konferencë për shndrrimin e Komitetit ANÇ në qeveri të përkoshme etj., etj.
Titulli i libri «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re» është domethënës sa nuk ka ku të shkojë më, edhe nga një pikëpamje tjetër. Jo rastësisht thuhet «Kur hidheshin themelet…» dhe jo «Kur ndërtoheshin themelet…». Themelet, ndërtohen nuk hidhen. Kur themelet «hidhen» kjo nuk ka kuptim tjetër veç atij se themelet hidhen në erë, shkatërrohen, demolohen. Dhe në fakt ajo çka bënë Enver Hoxha dhe Partia Komuniste, si dhe forcat partizane të drejtuara prej tyre ishte që nën kamuflimin e luftës kundër pushtuesit hodhën në erë shkatërruan themelet e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare, duke përmbysur sistemin shoqëror-ekononomik të Shqipërisë, që tashmë ishte ndërtuar sipas një korpusi ligjor perëndimor, duke nisur që nga viti 1920 së paku. Edhe në kohën e pushtimit fashist madje, shqiptarët gëzonin të drejtat bazike të pronës private, nismës së lirë ekonomike, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe liri intelektuale, pakrahasimisht më të madhe se çka do të kishin në kohën regjimit komunist. Ajo që bënë Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ishte një përmbysje me dhunë sistemit shoqëror-ekonomik, një gjë që përbën krim, madje akt terrorist, pavarësisht se ndodhi gjatë kohës kur vendi ishte i pushtuar nga të huajt. Ajo që bënë Enver Hoxha dhe komunistët e forcat partizane të drejtuara prej tyre ishte një agresion, një invazion i huaj në llojin e vet, që në pikëpamje afatgjatë rezultoi të ishte edhe më i keq se pushtimi i shkurtër i vendit.
Është interesante se Enver Hoxha, i cili për veprimtarinë e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore botoi vetëm dy libra me kujtime që tregojnë veprimtarinë e tij në dy cilësi, si drejtues partiak («Kur lindi Partia») dhe si organizator i pushtetit të ardhshëm komunist «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re». Për atë aspekt të veprimtarisë së tij, për të cilin u krijua një legjendë e madhe gjatë kohës që Enver Hoxha ishte në pushtet, dhe në sajë të së cilës kërkohet që të rehabilitohet ai sot, pra për qenien e tij si drejtues ushtarak, si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-çlirimtare, Enver Hoxha nuk bëri asnjë libër me kujtime. Dhe kjo ndodhi se nga kujtimet e Enver Hoxhës dalin qartë tre gjëra:
1)Enver Hoxha nuk mori pjesë kurrë në ndonjë betejë kundër pushtuesve.
2)Enver Hoxha nuk e përdori kurrë armën gjatë kohës së «luftës».
3)Enver Hoxha, ndryshe nga Tito, qëndronte madje larg zonave të luftimit.
Nuk është e qartë se përse në vitin 1984, Enver Hoxha i cili 17 vite më parë e pati ndaluar ushtrimin e fesë dhe i pati mbyllur të gjithë tempujt fetarë, bëri një kthim pas duke botuar një libër ku shprehte shumë vlerësime pozitive për Islamin dhe për qytetërimin që kishte krijuar ai. Libri mban titullin «Shënime për Lindjen e Mesme» që është i ngjashëm me librin për Kinën. Nuk është teprim të thuhet se me këtë libër Enver Hoxha hapte një shteg që në të ardhmen, pas vdekjes së tij Shqipëria të orientohej kah vendet islamike, me regjime antiamerikane, të pasura me naftë, për të mundur të siguronte ndihmë ekonomike.
Në vitin 1985, para vdekjes Enver Hoxha botoi librin, për marrëdhëniet shqiptaro-greke, me titull «Dy popuj miq». Këtë nder Enver Hoxha ia bëri vetëm Greqisë, me të cilën kishte nisur të afrohej shumë pas prishjes me Kinën. Nuk ishte rastësi që vizitën e famshme në Dropull, në vitin 1978, në zonën e minoritetit grek, ku Enver Hoxha foli dhe greqisht në fshatin Grapsh dhe u shpreh për afrim të dy vendeve, e bëri, në prag të shpalljes së prishjes me Kinën. Veçimi i miqësisë me Greqinë në tabelën e epigrameve të Enver Hoxhës, ishte edhe një kumt afrimi që u bëhej rusëve dhe serbëve, se Greqia, edhe pse vend i lidhur me Perëndimin dhe anëtar i NATO, ishte një vend që kishte probleme të mëdha në marrëdhëniet me SHBA, për shkak të konflikteve historike me Turqinë, për çështjen e Qipros etj. Për Enver Hoxhën, nuk ekzistonte «Rreziku grek për Shqipërinë».
Në kohën që Enver Hoxha botoi librin «Dy popuj miq» tashmë prej tre vitesh shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, ishte një minoritar grek, Kiço Mustaqi. Deri në vitin 1971, kur Shqipëria lidhi marrëdhënie diplomatike me Greqinë, Enver Hoxha i ishte trembur një sulmi ushtarak grek, se grekët donin Shqipërinë e Jugut të quajtur prej tyre Vorio-Epir. Greqia vazhdimisht refuzonte të lidhte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, me gjithë kërkesat e kësaj të fundit. Greqia është vendi i vetëm të cilit Shqipëria komuniste i është lutur më së shumti për të lidhur marrëdhënie diplomatike. Në fillim të viteve shtatëdhjetë, kur Kina po afrohej me SHBA, në Athinë u trembën se mos Enver Hoxha, i mbetur vetëm, dhe duke iu trembur sulmit grek, ndiqte shembullin e Titos dhe afrohej me SHBA. Hapja e Shqipërisë kah Perëndimi nuk u vinte për mbarë as grekëve as miqve të tyre të gjithkohshëm serbëve, se nga kjo gjë do të humbnin dhe grekët dhe serbët. Prandaj Greqia shpejtoi të lehtësonte presionin mbi Shqipërinë, duke pranuar të lidhte marrëdhënie diplomatike dhe duke ulur shumë praninë ushtarake në kufirin me Shqipërinë.
Enver Hoxha përfitoi nga kjo gjë për të filluar spastrimet në ushtri, në funksion të dizenjimit të klanit që do të trashëgonte pushtetin pas vdekjes së tij. Nuk është gjë e rastit që pjesa më e madhe e gjeneralëve që u spastruan në 1974 ishin ata që kishin mbajtur peshën kryesore në luftimet shqiptaro-greke të vitit 1949, por dhe në vitet e mëparshme dhe të mëvonshme, duke fillaur që nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm në 1974, Petrit Dume etj. Enver Hoxha mund ta spastronte ushtrinë vetëm duke pasur garanci nga Athina, së cilës i konvenonte kjo gjë. Në përfundim të procesit të spastrimit të ushtrisë, në 1982, Enver Hoxha pasi kishte pushkatuar shefin e shtabit të përgjithshëm që kishte luftuar kundër grekëve, ia dorëzoi çelësat e ushtrisë një greku, duke bërë shef të Shtabit të Përgjithshëm, Kiço Mustaqin, të cilin Ramiz Alia në 1990 e bëri dhe Ministër të Mbrojtjes. Me ardhjen e Mustaqit ushtria shqiptare u spastrua dhe nga oficerët me origjinë nga trojet shqiptare që atëherë gjendeshin në Jugosllavi, deri dhe nga ata që kishin gruan me origjinë të tillë.
Ndonëse Enver Hoxha shkroi një libër me një titull aq dashamir për Greqinë, ai nuk e bëri këtë gjë për një tjetër vend fqinj si Italinë. Italia vërtet kishte qenë vendi që pushtoi Shqipërinë në luftën e fundit botërore, por edhe Greqia e kishte pushtuar Shqipërinë, madje ndryshe nga italianët grekët bënë masakra shumë të mëdha.
Në 1988, pas vdekjes së Enver Hoxhës, u botua libri i tij me kujtime «Vite të rinisë», në të cilin rrëfen për periudhën e jetës së tij nga viti 1930 në 1937. Duke mos pasur veprimtari si komunist as para vitit 1941, e jo më në vitet tridhjetë, Enver Hoxha nuk bëri një libër të veçantë me kujtime ku të tregonte veprimtarinë e tij si komunist dhe revolucionar i ri, në vitet tridhjetë, por parapëlqeu që të përfshinte episode të veprimtarisë «revolucionare» dhe «komuniste» mes rrëfimeve për jetën e tij si student, si diplomat i Monarkisë dhe si mësues në shkollat e mesme. Titulli i librit «Vite të rinisë» mund të ketë qenë fare mirë plagjiat i titullit të librit me kujtime të ndonjë bon vivant francez që Enver Hoxhës mund t? ia ketë zënë syri në vetrinën e ndonjë librarie në Paris. Gjithsesi, ky nuk është titulli i kujtimeve të rinisë së një revolucionari komunist. Titujt e librave të Enver Hoxhës flasin vërtet shumë për atë se cili ishte ai në të vërtetë dhe çfarë bëri në të vërtetë.
Idealist, i mprehtë në shkrime, kritizer skurpuloz, njeri ...
Nga Mero BazeMë çuditi këmbëngulja e Lulzim Bashës në grupin...
Nga Mero BazeAi është kthyer në apartamentin e tij në Tiranë...
Nga Mero BazeNjë gjest i dy grave militante të Partisë Demok...
Nga Mitro Çela QESH…NESËR DO TË JETË MË KEQNë vitin 1981 ish...
Nga Mero Baze – Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, ...
Nga Mero Baze-Sali Berisha dhe Lulzim Basha duhet të detyroh...
Nga Kastriot MYFTARAJ Në emisionin “Opinion” të Blendi Fevzi...
Me vendimin nr. 117 dt. 5 shtator 1945, të Kryesisë së Këshi...
PËRMBAJTA E HABEREVE 1.QESH…NESËR DO TË JETË MË KEQ CICA PËR...
Agjencia zyrtare e kontrollit të pasurive zyrtarizoi një kër...
Nga Roger MyersonA ka ndonjë armë të fshehtë Presidenti i Ru...
Kemal DervişIsh Ministër i Cështjeve Ekonomike i Turqisë dhe...
Fareed ZakariaGjatë 2 muajve të fundit, kemi parë atë që duk...
Nga Mero BazeSaimir Tahiri bëri mirë që nuk u tundua nga bet...
“ALLATKË” NË PARLAMENMT?!Të ënjten në parlament u bë “allatk...
Irfan Hysenbelliu, pretendon që është biznesmen i madh, nj...
Vrasja e efektivit Enea Mekolli në krye të detyrës ka nxje...
Rasti i radhës i transmetuar në emisionin “Stop”, këtë të ...
Rasti i publikuar këtë të enjte, më 4 qershor, në emisioni...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi këtë të hën...
Vettingu i KPA-së vendosi këtë të enjte shkarkimin e p...
Suela Salavaçi, me detyrë prokurore në Prokurorinë e T...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rikthyer në detyrë pro...
Një shtetas 37-vjeçar është arrestuar në flagrancë, pasi p...
Një aksident rrugor është shënuar në aksin Fier–Levan, në ...
Një aksident është regjistruar pak minuta më parë në aksin...
Në vijim të bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol ...
Udhëtari modern eurropian kërkon një lidhje kuptimplotë me...
Këtë të diel, kushtet atmosferike parashikohen me kthjelli...
Shqiptarët janë zyrtarisht populli që punon më shumë në Eu...
Kjo e shtunë do të karakterizohet nga mot kryesisht i kthj...
Presidenti rus Vladimir Putin është në pushtet prej 26 vit...
Të shtëna me armë zjarri shpërthyen në Ohio të SHBA-së në ...
Qytetarët e Kosovës do të përpiqen sot t’i japin drejtim n...
Këshilltari ushtarak i udhëheqësit suprem të Iranit, Mohse...
Korça është gati të çelë sezonin veror me një nga ngjarjet...
Dy vite pas ndarjes nga jeta, poeti i njohur korçar, Skënd...
Muzeu Etnografik i Beratit ka hapur dyert për vizitorët pa...
Historia e Harilla Bakallit është një nga dëshmitë më rrëq...
Industria automotive në Shqipëri ndodhet sot në një pikë k...
Nëse do të ndiqje hartën industriale të Ballkanit Perëndim...
Bordi i Transparencës në mbledhjen e ditës së sotme ka ven...
Këtë të shtunë një dollar amerikan blihet me 81.4 lekë dhe...