web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Plas" te Milani, Ibra del kundër trajnerit Conceicao

14 Shkurt 2025, 15:53, Sport CNA

"Plas" te Milani, Ibra del kundër trajnerit Conceicao

Sergio Conceicao është tashmë nën presion te Milani, vetëm pak javë pas emërimit të tij si trajner. Sipas raportimeve të “Corriere dello Sport”, këshilltari i Milanit dhe Red Bird, Zlatan Ibrahimoviç, nuk është plotësisht i kënaqur me punën e portugezit, pavarësisht se ai ka arritur një mesatare më të mirë pikësh për ndeshje sesa paraardhësi i tij, Paulo Fonseca. Megjithatë, rezultatet e paqëndrueshme, pozicioni aktual në renditje dhe disa vendime të diskutueshme taktike kanë ngritur dyshime mbi të ardhmen e tij në pankinën kuqezi.

Conceicao mori drejtimin e Milanit më 30 dhjetor 2024, duke zëvendësuar Fonseca-n, pas një serie rezultatesh të dobëta nga ish-trajneri. Nën drejtimin e tij, Milani ka fituar Superkupën e Italisë, por situata në Serinë A dhe në Ligën e Kampionëve ka lënë për të dëshiruar. Me tre fitore, dy barazime dhe një humbje në kampionat, Milani nuk ka arritur të rikthehet si një pretendent serioz dhe aktualisht ndodhet shtatë pikë larg zonës së Ligës së Kampionëve, ndonëse ka një ndeshje më pak.

Në arenën evropiane, skuadra pësoi një humbje të rëndë në ndeshjen e parë të ‘plej-of’-it të Ligës së Kampionëve kundër Feyenoord, çka e ka vështirësuar rrugën e tyre për të shkuar në fazën e mëtejshme të kompeticionit. Kjo humbje ka rënduar edhe më shumë situatën e Kosensaos, duke shtuar dyshimet mbi aftësinë e tij për të drejtuar një klub si Milani në nivelet më të larta të futbollit evropian.

Një nga elementët që e ka bërë situatën edhe më delikate është marrëdhënia mes Conceicao dhe Zlatan Ibrahimoviç, i cili ka një rol vendimtar në politikat e klubit. Ibra nuk është i kënaqur me mënyrën se si trajneri po menaxhon skuadrën, si nga aspekti i taktikave, ashtu edhe në komunikimin publik.

Një moment kyç që ka shkaktuar polemika ishte ndeshja kundër Fejenord, ku trajneri vendosi të largonte nga fusha Rafael Leao dhe Santiago Gimenez për t’i zëvendësuar me Abraham dhe Camarda. Ky vendim nuk u prit mirë nga Ibrahimoviç, i cili u pa i pakënaqur në tribunë. Për më tepër, para ndeshjes, ish-sulmuesi suedez deklaroi se Conceicao kishte dy ekipe në dispozicion pas merkatos së janarit, duke i vënë në dukje atij se nuk ka justifikime për rezultatet e dobëta.

Portugezi ka nënshkruar një kontratë deri në qershor të 2026-ës, por situata aktuale tregon se e ardhmja e tij nuk është e garantuar. Drejtuesit e Milanit dhe Red Bird kanë bërë të qartë se kualifikimi në Ligën e Kampionëve për sezonin 2025/26 është një kërkesë e detyrueshme për të mbajtur trajnerin në krye të skuadrës. Nëse kuqezinjtë nuk arrijnë këtë objektiv, largimi i tij në fund të sezonit do të jetë i pashmangshëm.





Lajmet e fundit nga